Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Miradije Gashi: Erdhën me diellin

| E shtune, 18.01.2014, 07:20 PM |


MIRADIJE GASHI

 

ERDHËN ME DIELLIN

 

Kaluam mijëra vite

Pa parë rreze drite,

Ah, një rreze dije

E prisnim t'na vijë!

 

Ndaj brenga na brente

Si ta mposhtnim terrin,

Pa lindur ish' dita

Tek e prisnim diellin.

 

Dhe dritëshkronjat shqipe

Thonë udhëtuan me vite,

Tek hynë në ABETARE

E hapën një dritare.

 

Por një dorë e ligë terri

Tinëz seç na erdhi

Shkronjat desh t'na i vidhte

Dhe shkollat t'na i mbyllte.

 

Por shkronjat si rreze

Që sjellin mëngjese,

Erdhën bashkë me diellin

Dhe e mposhtën terrin.

 

 

BINJAKË ME HORRIN

 

Para syve lajka

Të bëjnë pa u ndalur

E pas shpine t'shajnë

Dhe s'kërkojnë të falur.

 

Nuk dinë fare t'skuqen

Sikur t'jenë paturp,

Thua nuk kanë zemër

Apo e kanë t'gurtë?!

 

Drejt teje e gjuajnë gurin

Dhe fshehin dorën,

Sikur t'jenë t'pacipë

A binjakë me horrin!

 

Mjete fare s'zgjedhin

Për t'ardh' te qëllimi,

Me thes fyerje derdhin

Sa t’u shpërthejë g'zimi.

 

Shkëlqimi i të tjerëve

Sikur ua ngrys jetën,

Mbi dhembjen e miqve

Ata e ngrisin veten.