Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Bisedë me Republikanin Maksim Begeja

| E shtune, 18.01.2014, 07:38 PM |


Bisedë me Nipin e ish Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ali Begeja, Republikanin z. Maksim Begeja

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Mbas çlirimit të vendit ish kryetari i Bashkisë së Tiranës për vitin 1922-1923, Ali Begeja vazhdoi profesionin e tij si avokat deri në vitin 1947, kur u arrestua me grupin e deputetëve nga regjimi komunist. Në qelitë e hetuesisë së Tiranës iu nënshtrua torturave çnjerzore derisa vdiq.

Ju ftoj të ndiqni bisedën me pinjollin e familjes së shquar intelektuale tiranase Begeja, i cili në vitet e demokracisë ka dhënë një kontribut të vyer në politikën shqiptare, është zgjedhur deputet në Parlamentin shqiptar dhe punon me përkushtim për çështjen kombëtare.

Zoti Begeja cila ka qenë fëmijëria juaj dhe sa kanë ndikuar prindërit në formimin tuaj jetësor?

Unë kam lindur në një familje autoktone tiranase, me tradita,  sidomos në fushën e arsimimit të pjestarëve të saj.  U rrita dhe u edukova  në këtë familje intelektualësh me një bagazh dijesh, me një temperament kërkues ndaj të resë.

Sigurisht që kjo do të ndikonte ndjeshëm në formimin tim.  Që në moshë parashkollore, pra kur isha 4 vjeç, familja më dërgoi në kolegjin  e murgeshave në Tiranë, deri në moshën 6 vjeç kur hyra në vitin e parë të shkollës fillore.  Atje qëndronim nga mëngjesi deri mbasdite vonë. Pavarësisht orientimit të tij fetar katolik, aty hodha bazat e një edukate të qëndrueshme arsimore e shoqërore.  Që në atë moshë unë fillova të mësoj të shkruaj dhe të bëj veprime arithmetikore, por e rëndësishme ishte edukata që mernim atje.  Kur ngriheshim nga gjumi i drekës, duhej të rregullonim vetë krevatin.  Nëse çarçafi apo batania kishte rrudha apo nuk ishte rregulluar mirë, vinte madre murgesha dhe me mirësjellje të bënte vrejtje që ta rregulloje ashtu siç duhej, apo kur hanim drekë duhej që pjatat, lugët e pirunjtë, përdorimi i këtyre të fundit ishte i detyrueshëm, ti dërgonim në vendin ku do të laheshin.  E njeta gjë ishte edhe me lodrat: nuk mund të merrje një lodër pa lejen e madres. Pasi luajshe me të, duhej ta vije në vendin ku e kishe marrë.

Në pamje të parë këto veprime duken si të parëndësishme, por mua ato më formuan karakterin, duke më bërë që të jem ekzigjent ndaj vehtes dhe jetës.

Edukata dhe mësimi i marrë në këtë kolegj,  bëri që kur fillova shkollën fillore e deri në mbarim të 7 vjeçares ( arsimi fillor atëhere ishte me 7 klasë) unë isha ndër më të dalluarit e klasës.  Notat e mia ishin vetëm njësha, e cila ishte nota më e lartë.

Ndikim të madh në edukatën time ka luajtur edhe bibloteka që kishim në shtëpi.  Salloni i madh me gjatësi mbi 10 metra, në muret e tij kishte rafte librash, që nga enciklopeditë italiane e franceze e deri tek libra shkencorë, të jurisprudencës, romane, libra për fëmijë etj. në disa gjuhë. Në një ndarje të tij  ishte pianoja, të cilën na e sekuestroi rregjimi komunist  në vitin 1945, së bashku me mobiljet dhe pothuajse gjithë librat. Në këtë biblotekë kaloja disa orë në ditë në shoqërinë e xhaxhallarëve duke shfletuar dhe lexuar librat që ndodheshin aty.

Në vitin 1952 familja më dërgoi në shkollën teknike, ish Politeknikumi 7 Nëntori.  Babai kërkonte që të merrja një profesion, mbasi kishte bindjen që me gjimnaz do të  ishte shumë e vështirë që të më jepej e drejta e studimit në shkollën e lartë.  Në shkollë isha gjithmonë nën kontrollin e babait dhe të nënës, të cilët çdo javë ndiqnin rezultatet e mia dhe që kur ndodhte që të merrja ndonjë notë të ulët, bëhej diskutim në familje.

Politeknikumin e mbarova në vitin 1956 me mesatare 4,75 ( në atë kohë nota më e lartë ishte 5 ).       Nuk më dhanë të drejtën të vazhdoja  të paktën shkollën e lartë në vend, ndërkohë që shokë të mi me mesatare 3 - 3,5 vazhduan studimet jashtë shtetit.  Përkundazi më emëruan teknik i mesëm mekanik në ndërmarrjen Komunale të Durrësit. Duhej që unë djalë i ri pa mbushur 18 vjeç, pa përvojë në jetë, të punonja larg familjes !!  E gjitha kjo vetëm për shkak të biografisë.

Ishte ndërhyrja energjike dhe shkalla e njohjes së babait tim, të të ndjerit Selman, që më dhanë mundësinë që të vazhdoj ish Institutin Politeknik, i cili më vonë u përfshi në Universitetin e Tiranës.

Me mbarimin e Universitetit në degën e Inxhinierisë Mekanike, më emëruan në Peshkopi, ku kam punuar për 12 vjet në Stacionin e Makinave e Traktorëve, fillimisht  si kryeinxhinjer dhe në pesë vitet e fundit si drejtor i kësaj ndërmarrje. Nuk e kam për turp të them se edhe kur dola në jetë, isha nën kontrollin dhe ndikimin e prindërve dhe familjes tonë, me qëllim që të përkushtohesha në punë dhe të jepja maksimumin e mundësive për të punuar me ndershmëri e devocion.  Kjo periudhë ka qenë shumë e rëndësishme për mua, mbasi njoha vështirësitë e jetës dhe i përballova me sukses.  Këtu ka ndikuar shumë edhe ambienti i ngrohtë që gjeta midis dibranëve, të cilët që në fillim më konsideruan si djalin e tyre dhe më mbajtën pranë.

Pas kësaj në vitin 1982 u ktheva në Tiranë, fillimisht në Stacionin e Mekanizimit të Bujqësisë si bashkëpuntor shkencor dhe më vonë specialist në Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa nga viti 1991 deri në vitin 1994 kreva detyrën e  Drejtorit të Drejtorisë Mekanike në këtë ministri. Më pas punova një vit në Bankën Kombëtare si shef i sektorit të kreditit afatgjatë dhe më tej iu përkushtova tërësisht politikës.

Cila është familja Begeja e cila është ndër familjet e hershme tiranase me tradita dhe plot kulturë?

Siç e thatë dhe Ju, familja Begeja është një ndër më të vjetrat në  Tiranë.  Ajo është

vendosur aty në fund të  viteve 1700, e ardhur nga një lagje e Krujës e quajtur  “Begej”, kur Toptanasit morën në dorë administrimin e qytetit të Tiranës.

Stëgjyshërit tanë kanë qenë kryesisht hoxhallarë, por të prirur për arsim. Këtë e vërteton fakti që djalin e parë të  tyre, Aliun, e dërguan për studime në shkollën qytetase dhe që më vonë mori profesionin e avokatit. Keni parasysh se flasim për vitet 1900.

Zhvillimin kulturor e intelektual familjes tonë, ia dedikojmë në radhë të parë gjyshit avokat Ali Efendiut siç thirrej rëndom në rrethet intelektuale të kohës,  i cili fëmijët e tij që në vitet `30 i dërgoi në  gjimnazet më të mira në Tiranë, Shkodër e Korçë dhe pastaj në shkollat e larta jashtë shtetit në Itali e Francë.

Për të hedhur sado pak dritë mbi figurën e gjyshit tonë Aliut, po përmend shkurtimisht aktivitetin e tij nga rinia e deri sa vdiq.

Ai në vitin  1908 merr pjesë në komisionin e krijuar për hartimin e programit për përhapjen e gjuhës shqipe dhe sigurinë e vendit, komision i drejtuar nga  Refik Toptani, ndërsa në prill 1910 merr pjesë si delegat i Tiranës në kongresin e III-të  të Manastirit për gjuhën shqipe.

Në vitin 1911 deri në vitin 1914 ka kryer detyrën e gjykatësit paqëtues në Tiranë.  Pas kësaj periudhe hapi zyrën e vet si avokat, në ish pazarin e vjetër.

Në mars 1914, së bashku me një  grup patriotësh tiranas mbështet qeverinë e princ Vidit.  Për aktivitetin e tij në shërbim të vendit, princ Vidi e dekoron me medaljen “Besë e Bashkim”, medalje që edhe sot ruhet në familjen tonë.

Në Kongresin e Lushnjes që u mbajt më 21 janar 1920, shoqata “Drita”, shoqata e parë e intelektualëve të Tiranës ku sekretar i saj ishte Ali Begeja,  e zgjodhi Atë  përfaqësues  të saj  në këtë kongres.  Avokat Ali Begeja në vitet 1922-1923 zgjidhet  kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Në vitin 1924 Ali Begeja zgjidhet antar i Asamblesë Kushtetuese së bashku me Ahmet Zogun, Seit Toptanin, Zija Toptanin, Osman Myderrizin, Rrauf Ficon  etj. që përfaqësonin  qarkun e Tiranës.  Në vitet 1927 ishte kryetar i Dhomës së Tregtisë në Tiranë.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1937, Ai zgjidhet deputet i legjislaturës së tretë për prefekturën e Durrësit, në përbërjen e së cilës ishte dhe qarku i Tiranës.

Mbas çlirimit të vendit Ali Begeja vazhdoi profesionin e tij si avokat deri në vitin 1947, kur u arrestua me grupin e deputetëve nga rregjimi komunist. Në qelitë e hetuesisë së Tiranës iu nënshtrua torturave çnjerzore derisa vdiq.

Pas vendosjes së demokracisë, rrugës që ndodhet në rrugën e Dibrës në Tiranë, 100 metra para selvisë ku historikisht janë shtëpitë tona, i është vënë emri rruga "Ali Begeja”.

Për të vijuar me pjesëtarët e familjes:

Djali më i madh i Aliut, Jusufi, ka qenë ndër studentët e parë të gjimnazit të shtetit në Tiranë  së bashku me Mentor Qokun, Xhelal Staraveckën etj. dhe pastaj i ka përfunduar ato në liceun e Korçës.

Duke qenë i dhënë pas karierës ushtarake, familja me shpenzimet e saj e dërgoi në Itali për të kryer studimet fillimisht në  Colleggio Militare di Roma (kolegji ushtarak i Romës) dhe pastaj në akademinë ushtarake në Modena. Pas mbarimit të studimeve emërohet N/toger në batalionin e parë të Gardës  Mbretërore.  U largua nga vendi në prill 1939 dhe u vendos në Francë. Gjatë luftës së II-të botrore, në vitin 1942 regjistrohet në rradhët e  “Forces Françaises Libres” të gjeneralit De Gaulle (De Gol), duke luftuar deri në vitin 1945 si në Francë, Angli e deri në Liban, me detyrën e komandantit të kompanisë së rëndë në batalionin e këmbësorisë.

Për meritat e tij, është dekoruar nga vetë gjenerali De Gaulle me medaljen përkujtimore në shërbim të Francës dhe luftës kundër nazizmit.

Duke patur ide anti komuniste Ai në bashkëpunim me shqiptarë të tjerë që jetonin në Francë, themeluan shoqatën “Lëvizja Patriotike Shqiptare”. Në vitin 1980 themelon shoqatën

“ Emigration Albanaise”, dhe merret me organizimin e komisionit për inagurimin e sheshit “Skenderbej” në Paris, në të cilin u vendos edhe busti i heroit kombëtar.

Pati fatin që në vitin 1991 të vinte në Shqipëri, e cila kishte qenë ëndrra e tij gjatë gjithë jetës në mërgim. Vdiq në vitin 1992.

Djali tretë Halimi, pas mbarimit të gjimnazit të Shkodrës, vazhdoi Universitetin e Lionit në Francë, në fakultetin e Drejtësisë.

Ka qenë një futbollist i shquar, anëtar i ekipit të parë kombëtar të futbollit.

Ishte një ndër themeluesit e Ballit Kombëtar në Tiranë. Siç shprehen bashkëpuntorët e tij, ndër të cilët edhe i nderuari Said Demneri që sot jeton në Toronto-Kanada, “Halimi ishte njeri intelektual, shumë aktivist, shumë atdhetar, shumë organizator, trim, i ndershëm, modest.  Ai ka qenë një figurë e shquar e nacionalizmës shqiptare, që tërë jetën e tij e shkriu për të mirën e kombit shqiptar,” Në demostratat kundër fashizmit, arrestohet dhe pastaj syrgjynoset në Siena të Italisë, ku përfundon studimet e larta dhe merr titullin avokat.  Gjatë luftës merr pjesë në formacionet e Ballit Kombëtar. Më 16 shtator 1942, Halimi merr pjesë në Konferencën e Pezës, si përfaqësues  i Rinisë nacionaliste dhe i deleguari personal i Mit-hat Frashërit.

Ai përpiloi “Traktin për Demokracinë", dokument që në historiografinë e luftës ka hyrë me emrin "Dekalogu i Ballit Kombëtar". Ky dokument  paraqitet nga Halimi, miratohet nga organizata e Ballit Kombëtar  dhe shpallet publikisht më 28 nëntor 1942.

Në qershor 1944 shkon në  Kosovë, si zv.komandant i batalionit “Besnik Çano”, ku luftoi për tre muaj rresht.  Në vitin 1944 largohet nga shqipëria dhe vendoset në New Jork, ku vazhdon aktivitetin e tij politik kundër komunizmit.  Ai mbeti gjithnjë një antikomunist i vendosur.  Halim Begeja ishte anëtar themelues i komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe sekretar i këtij komiteti. Gjithashtu ai u zgjodh Sekretar i përgjithshëm i Ballit Kombetar dhe se bashku me Vasil Andonin, Halit Maçin, Nexhat Peshkëpinë e të tjerë, botuan për disa dekada gazetën “Flamuri” të Ballit Kombëtar. Më vonë me shpenzimet e veta botoi në New Jork gazetën “Zëri i Ballit Kombëtar” Me këtë frymë vazhdoi veprimtarinë e tij kudo që ishte, në Europë dhe SHBA.

Në luftën e tij politike për interesat kombëtare, gjatë gjithë jetës së tij e deri në vdekje, Halimi është udhëhequr nga tri parime kryesore: Shqipnia Etnike Demokratike me baza shoqnore e përparimtare; Flamuri Kuq e ?i me shqiponjën dy krenare pa shenja të hueja; Shtet i lirë i dalë nga vota e lirë e popullit shqiptar".

Vuante nga veshkat dhe u detyrua që të bënte transplant.  Për këtë ishte Jusufi, i vëllai, i cili erdhi nga Franca në New Jork dhe  i dhuroi veshkën e vet , me të cilën Halimi jetoi edhe tre vjet të tjera. Vdiq në New Jork në vitin 1977 pa e parë vendin dhe familjen e tij.

Enveri djali i katërt i Aliut, mbas shkollës fillore, në vitin 1934, ndoqi gjimnazin e Tiranës. Në vitin 1938 vazhdoi akademinë ushtarake në Milano. Në vitin 1942 braktis shkollën në vitin e fundit dhe kthehet në Shqipëri për të marrë pjesë në formacionet ushtarake në luftën kundër fashizmit. Pas çlirimit përfundon studimet e larta  në Akademinë Ushtarake “Frunze” në ish Bashkimin Sovjetik. Pas kthimit nga Akademia, emërohet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, ku punoi për 25 vjet, nga të cilat 15 vjet si komandant i saj, deri sa doli në pension.

Në shenjë nderimi dhe respekti për këtë kuadër të spikatur ushtarak, rrugës përballë Spitalit Civil nr.1  pranë Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, i është  vënë emri “Enver Begeja”.

Xhaxhai tjetër Skënderi ishe më i vogli nga fëmijët. Nën ndikimin e Halimit u bë futbollist dhe atlet i njohur. Mbaroi gjimnazin e Korçës. Mori pjesë në luftën kundër fashizmit me çetën e Dajtit. U burgos nga gjermanët dhe do të ekzekutohej, por me ndërhyrjen  e të vëllait Selmanit pranë prefektit të Tiranës Qazim Mulletit, nga burgu Tiranës e dërguan në spitalin e Elbasanit gjoja si i sëmurë, nga ku i shpëtoi dënimit me vdekje duke u arratisur.  Kreu studimet e larta në Bullgari për avokaturë.  Mbas mbarimit të studimeve, në vitin 1954  emërohet pedagog dhe shef i katedrës së Kriminialistikës në fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Tiranës, detyrë që e ushtroi për mbi 46 vjet dhe ku mori titullin e Profesorit dhe Doktorit të Shkencave.

Lashë për në fund babain tim Selmanin.  Ai ishte i vetmi nga fëmijët që mbeti pa shkollë të lartë.  Shkak ishte barra që i takoi për të mbajtur familjen.

Ishte djali i dytë i Aliut. Që në fëmijërinë e tij mbasi mbaroi shkollën e mesme, hyri çirak për rrobaqepës, zanat që e vazhdoi deri sa mori kafe “Kursal”, të cilën e administroi deri në vitin 1941. Ai ishte lokali më në zë në Tiranë, ku mblidheshin politikanë, deputetë, zyrtarë të lartë, të huaj të ardhur nga vende të ndryshme dhe që i siguronte familjes të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjen  dhe vëllezërit e tij nëpër shkolla brënda e jashtë shtetit.

Më vonë pasi la Kursalin, hapi një dyqan ushqimor në pazarin e vjetër.  Edhe ky gjatë luftës u dogj.  Mbas çlirimit vazhdoi profesionin e rrobaqepësit fillimisht në rrobaqepësinë ushtarake, më vonë si privat e më pas si përgjegjës i repartit robaqepësisë në Ndërmarjen e Artizanatit, nga ku doli në pension. Vdiq në vitin 1988.

Në familjen tuaj keni pasur xhaxhallarë të përndjekur nga regjimi komunist, ndërkohë më kujtohet takimi me regjisoren e famshme shqiptare Liri Begeja ardhur nga Franca (vajzën e xhaxhait tuaj) me të cilën patëm fatin të takoheshim në shkollën tonë 1 Qershori në kohën e tranzicionit pas viteve 90-të. Si arritët të mbijetonit ju, pasardhësit e tyre?

Mbas çlirimit familja jonë, megjithëse siç përmenda më lart kishte Aliun të vrarë në

birucat e sigurimit, Jusufin që konsiderohej si antikomunist aktiv e zogist nga regjimi i Enver Hoxhës dhe Halimin të shpallur kriminel lufte prej tij, nuk ka patur reperkursione, internime apo dëbime nga Tirana për asnjë nga pjesëtarët e saj. Në këto drejtime ka ndikuar influenca e  Enverit, që siç e përmenda më lart,  ishte komandant i Shkollës së Oficerëve pikërisht në periudhën më të errët të internim-dëbimeve, ndërsa Skënderi pedagog në Universitetin e Tiranës, që të dy ish partizanë në vitet 1942-1944.

Sigurisht ka qenë edhe përkushtimi në punë i sejcilit prej pjesëtarëve të familjes tonë, që kemi qenë të gatshëm të punonim kudo që na çonin brënda e jashtë Tirane, jo vetëm unë por edhe motrat, vëllai, djemtë e xhaxhallarëve.  E vërteta është se për të gjithë ne u shprehnin vetëm fjalë të mira dhe lavdërime për punën që bënim.  Besoj se edhe ky qëndrim i joni ka ndikuar duke na konsideruar si njerëz të punës, që nuk paraqisnim rrezik për sistemin.

Meqë përmëndët Lirien, po them dy fjalë për familjen e xhaxhait: Jusufi pati dy vajza Lirian dhe Viktorian. Siç e dëshmonin edhe vajzat e tij, ka qenë tip autoritar dhe ka ndikuar shumë në formimin e karakterit të tyre dhe veçanërisht në dashurinë e tyre për Shqipërinë.

Këtë e ka shprehur më së miri Liria me filmat e saj dhe dokumentarët që ka realizuar si “Prilli i thyer”, “Larg nga Barbarët” etj.  Liria është një grua e zgjuar, e gatshme për të ndihmuar cilindo, pragmatiste, e aftë që të përfitojë nga çdo moment që i krijohet në jetë, pa menduar gjatë për pasojat tek të tjerët.

Viktoria është një nënë model, shumë e dashur, e sjellshme, me shpirt të madh.  Mendoj se karakterin e saj e ka trashëguar nga e ëma zonja Jeannine Lon Champ, një grua fisnike në kuptimin e plotë të fjalës, inteligjente, shumë e dashur dhe e sjellshme.  Që në takimin e parë, kur kam patur fatin të takohem në Paris në vitin 1992,  të ngjallte ndjenjën e respektit.  Ishte përfaqësuese tipike e fisnikërisë franceze.

Ju keni luftuar vazhdimisht për ceshtjen e pronave, ndërkohë keni qenë në koalicion me Partinë Demokratike, pse ende është e pazgjidhur çeshtja e pronave?

Është e vërtetë se jeta ime politike, nga viti 1991 e deri më sot, ka qenë dhe është e përqëndruar në luftën për zgjidhjen e problemit të pronave.  Kjo luftë ka filluar që në vitin 1991 kur u miratua ligji famëkeq 7501, i cili i mori tokën pronarëve dhe ia dha atë  atyre që nuk kishin asnjë të drejtë ligjore mbi të, kundër të cilit kam luftuar me bindje dhe përkushtim, e kam vazhduar në vitet 2001-2005 kur isha deputet i Kuvendit të Shqipërisë, e vazhdoj edhe sot së bashku me stafin drejtues dhe deputetët e Partisë Republikane.

Ishte marveshtja PS-PD, e miratuar nga Ramiz Alia, në atë kohë President, që solli këtë katraurë me pronat dhe të cilën po e vuajnë jo vetëm pronarët, por e gjithë ekonomia shqiptare.

Është ky problem që ka sjellë konflikte e kaos pa fund midis familjeve, deri në vrasje.

Është ky një ndër shkaqet kryesore që  Bashkimi Europian na refuzoi statusin e vendit kandidat dhe jo vetoja e Hollandës.

Për tiu kthyer pyetjes tuaj se pse kjo çeshtje nuk po gjen zgjidhje, mendimi im është se, me gjithë përpjekjet tona si Parti Republikane, dy partitë kryesore PD-PS për interesa elektorale dhe interesa korruptive të lidershipëve e pasuesve të tyre, kanë rënë  dakord për të mos i kthyer pronën pronarit.  E them këtë se p/ligjet që ne kemi paraqitur në Parlament janë rrëzuar prej tyre, mbasi  vota jonë ka qenë gjithmonë e pa mjaftueshme për t'i miratuar ato.

Nga ana tjetër problemi i pronës po e fut qeverinë shqiptare në një rrugë pa krye.

Pronarët duke mos gjetur zgjidhje nga shteti shqiptar, po i drejtohen çdo ditë e më shumë Gjykatës së Strasburgut.  Deri në  fund të vitit të kaluar ajo ka marrë 20 vendime në favor të tyre, të cilat i kanë kushtuar ekonomisë shqiptare 10 miljon Euro ( rreth 14 miljon  USD) për rreth 69 mijë m2 tokë.  Mendoni se janë në proces edhe 60 vendime të tjera që do të merren gjatë vitit 2014.  Ky është vetëm fillimi.  Pronarët po ndërgjegjësohen çdo ditë e më shumë se shteti shqiptar, pavarësisht nga forca politike që e drejton apo do ta drejtojë atë, nuk do të gjejnë zgjidhje, përsa kohë do të ndiqet kjo strategji diskriminimi ndaj tyre.  Prandaj Ata do të vazhdojnë ti drejtohen  Strasburgut.

Si e mendoni zgjidhjen e problemit të pronës në Shqipëri ?

Deri më sot ndaj pronarëve është ndjekur një politikë mashtrimi. Bëhet gjoja sikur ata po kompensohen për pronat e tyre.  Në fakt fatura financiare e kompensimit shkon në rreth 24 miljard Euro ose 33 miljard USD.

Në këtë faturë përfshihen 12.000 Ha troje të zëna nga ndërtimet informale dhe rreth 50.000 Ha tokë bujqësore. Nga viti 2008 që ka filluar kompensimi financiar, janë dhënë çdo vit mesatarisht 3 miljon USD.  Në institucionin që merret me shqyrtimin e dosjeve të pronarëve, Agjensia e Kthimit e Kompensimit të Pronave, paraqiten çdo vit mbi 1500 kërkesa, nga të cilat me fondet e akorduara, kompensohen 35-40 subjekte dhe këto vetëm për 200 m2 truall.

Me këto ritme  vetëm kompensimi i 12 mijë Ha ose 120 miljon m2 troje të zëna nga ndërtimet informale, do të kërkonte 6 mijë vjet !!!.

Ne si Parti Republikane kemi paraqitur propozimet tona për zgjidhjen e këtij problemi dhe konkretisht:

Së pari duhet të saktësohet sipërfaqja e tokës bujqësore dhe e truallit që i është marrë pronarëve. Pra të dalë detyrimi shtetit ndaj tyre. Me gjithë instrumentat që ka në dispozicion qeveria për ti saktësuar këto shifra, kjo nuk është bërë por është anashkaluar qëllimisht.

Në këtë kuadër është e domosdoshme që të bëhet rivlerësimi i çmimeve të tokës. Është hartuar një metodikë çmimesh në të cilën tokat në bregdet vlerësohen jo vetëm me të njejtin çmim si ato në zonën malore, por edhe vlera që nuk i përgjigjen tregut.  Po jap vetëm një shëmbull: 1 m2 tokë bujqësore në Ksamil vlerësohet me 243 lekë ose 2,4 USD, po aq sa edhe në Tamarë në malësinë e Shkodrës.  Në një kohë që vlera e tregut në bregdet shkon në jo më pak se 140 USD/m2.

Së dyti duhet të verifikohen titujt e pronësisë të dhëna deri më sot.

Është abuzuar edhe me zbatimin e ligjit 7501, sipas të  cilit toka bujqësore duhej ti jepej familjeve fshatare sipas numrit të frymëve dhe mesatares së tokës për frymë në Prill të vitit 1991. Këto kritere bazë nuk janë zbatuar, por është ndarë tokë deri në vitin 2008 pa zbatuar kriteret e përcaktuara. Nga ana tjetër në shumë raste familjet fshatare kanë marrë abuzivisht më shumë se i takonte. Prandaj verifikimi i titujve të pronësisë do të saktësonte tokat e marra mbi ato që i takonin sipas ligjit.

Këto toka ti kthehen pronarëve.

Së treti Ne kemi kërkuar që t'i jepet përparësi dhe të fillojë kompensimi fizik i pronarëve. Mundësitë për këtë ekzistojnë.  Përveç tokave të lira që do të dalin nga verifikimi i titujve të pronësisë, janë mbi 17 mijë Ha toka bujqësore dhe 71 mijë Ha. pyje e kullota në pronësi të shtetit që duhet të vihen në dispozicion të kompensimit të pronarëve, për të cilat ka patur edhe vendime qeverie,  por për të cilat duhet të saktësohen sipërfaqet e parcelave dhe vendndodhja e tyre.

Së katërti Ne kërkojmë që legalizimi i trojeve të zëna nga ndërtimet pa leje të bëhet pasi pushtuesit e tyre të paguajnë vlerën e truallit të zënë me çmimin e tregut.  E gjithë kjo vlerë të shkojë në favor të pronarit të cilit i është zënë toka.

Së pesti në pronësi të shtetit janë mbi 10 mijë Ha. toka inproduktive, shkurre, toka pyjore etj. dhe rreth 15 mijë Ha. kullota e livadhe pronë shtetrore në zonën bregdetare. Në kuadrin e master planit për zhvillimin e turizmit në këtë zonë, një pjesë e këtyre tokave mund të kthehen në troje dhe të përdoren për kompensimin fizik të pronarëve.

Nëse do të merren këto masa, jam i bindur se problem i pronës do të gjejë zgjidhje dhe fatura financiare do të zvoglohet në kufij tërësisht të përballueshëm dhe për një periudhë të shkurtër kohe.

Ju keni një përvojë të gjatë në politikë, jeni qysh ne themelim të Partisë Republikane, cilat janë disa nga momentet më pikante që donit të kujtonit nga jeta në politikë?

Unë kam hyrë në politikë që në janar të vitit 1991, kur u formua Partia Republikane.

Që në atë kohë kam qenë anëtar i Komitetit Drejtues të saj dhe nga viti 1997 deri në 2002 N/kryetar i Partisë.

Në të gjitha zgjedhjet parlamentare, duke filluar që nga Marsi 1991 deri në vitin 2005, kam vënë kandidaturën për deputet për Partinë Republikane.

Në vitin 2001, u zgjodha deputet i saj në kuadrin e koalicionit të partive të djathta “Bashkimi Për Fitore”, detyrë që e mbajta deri në vitin 2005.

Kjo ka qenë periudha gjatë së cilës lufta ime për pronat ka qenë aktive.  Kam paraqitur në Kuvënd p/ligje e amendamente, që deri diku kanë ndikuar në përmirësimin e ligjeve ekzistuese, por që mjaft prej tyre nuk janë  miratuar nga grupet parlamentare të PD-së e PS-së, gjithmonë në kuadrin e marveshtjes midis tyre për të mos i dhënë pronën pronarit, siç e theksuam më lart.

Në vitin 2009 u zgjodha kryetar i Degës së PR për Tiranën.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2011, u zgjodha anëtar i Këshillit bashkiak të Tiranës dhe anëtar i Këshillit të Qarkut, detyra që i mbaj edhe sot.

Aktualisht jam kryetar i Këshillit Politik të Qarkut Tiranës.

Cilat janë disa nga kujtimet me politikanin Godo?

Me të ndjerin z. Godo jam njohur që në vitin 1991.  Mund të them se kam qenë një ndër bashkëpuntorët e ngushtë të tij. Ishte politikan i zgjuar.  Mbi të gjitha ishte në gjëndje që të parashikonte ngjarjet dhe të përcaktonte qëndrimin e tij në  çdo situatë.

Ai ka ditur që ta drejtojë Partinë Republikane me urtësi e mençuri, duke bërë që ajo të vlerësohej nga i gjithë spektri i politikës shqiptare.

Ai ka patur ndikim të drejtëpërdrejtë në vitet 90 të për kalimin e pushtetit pa gjakderdhje, nga regjimi i urryer i komunizmit në demokraci.  Ndoshta për shumë persona kjo nuk duhej të bëhej, mbasi ishte e nevojshme që tentakulat e atij regjimi të priteshin një herë e përgjithmonë, por situata që mund të arrinte deri në vrasje masive të popullsisë dhe veçanërisht kërkesat e organizmave ndërkombëtare për të realizuar kalim të butë të pushtetit, e detyruan zotin Godo që të mbante një qëndrim të tillë.

Rol me rëndësi ka luajtur z.Godo në ngjarjet e vitit 1997, ngjarje që u krijuan nga Partia Socialiste për të marrë pushtetin.  Edhe në këtë rast ai ka ndikuar që ngjarjet  mos të precipitonin    një luftë civile.

Z. Godo ishte bashkëkryetar në hartimin e Kushtetutës në vitin 1998.  Pikërisht preambula e saj në të cilën ndër të tjera theksohet  “ ……..aspirata shekullore e popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar ”, dhe nenet 41 e 181 që sanksionojnë të drejtën e pronës private si të  shenjtë dhe të paprekshme, janë hartuar prej tij.

Gjithashtu është i njohur kontributi i tij në zgjidhjen e çeshtjes së Kosovës, lufta për të drejtat e popullit çam dhe të shqiptarëve në Maqedoni.

Dekorimi i z. Sabri Godo nga Presidenti i Republikës, me “Urdhërin e Skenderbeut”, është pa dyshim shprehja e konsideratës së lartë që ka shteti për këtë burrë të madh.

Presidenti i Italisë, Giorgio Napoliteano, i ka akorduar z. Godo titullin e nderit “ Commendator”, duke bërë që edhe në Itali Ai të gëzojë nderimet më të larta dhe të regjistrohet në librin e artë të Commendatorëve.

Mund të them pa asnjë mëdyshje se gjatë këtyre viteve Ai ka qenë politikani më i respektuar nga të gjithë krahët e politikës shqiptare.  Në çdo vendimmarrje të forcave politike kanë spikatur mendimet dhe këshillat e tij.  Me të drejtë Ai vlerësohet si “ Plaku i urtë i politikës”.

Pikërisht për këto vlerësime, Këshilli Bashkiak i Tiranës pas vdekjes miratoi vendosjen e  bustit të tij përballë Akademisë së Shkencave, në krah të Parlamentit.

Staten Island, New York

17 Janar, 2014