Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ryzhdi Baloku: Çakërdisja e ministrisë dhe UDB-së

| E premte, 17.01.2014, 08:37 PM |


ÇAKËRDISJA E MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME DHE UDB-ës JUGOSLLAVE

Nga: Ryzhdi Baloku

Dy vite pas arrestimit të pjesëtarëve të ilegales me emërtimet: “Organizata për bashkimin e trojeve shqiptare” dhe “Lëvizja revolucionare për bashkimin e shqiptarëve”, shkarkohet nga detyra zëvendëskryetari i federatës jugosllave Aleksandar Rankoviç. Ai njëkohësisht ishte edhe kreu i sigurimit shtetëror, të një institucioni tmerri për shqiptarët, i njohur me shkurtesën UDB-a, i cili qe ndërtuar dhe funksiononte mbi parimet e përafërta me ato të gestapos së dikurshme naziste.

Arsyeja e shkarkimit të tij nga këto funksione s’ishte çështja pse ky despot shovinist dhe shërbimet e tija sekrete e policore për dy dekada rresht likuiduan me dhjetëra mijëra njerëz dhe dëbuan me qindra mijëra shqiptarë nga trojet e veta etnike, por për shkak se në rezidencën e kryetarit të Jugosllavisë Josip Broz Tito kishin instaluar përgjues dhe kishin ndërmarrë disa veprime që ta rrëzonin nga pushteti.

Pas dekonspirimit të kësaj tentative për grusht shtet, Aleksandar Rankoviç shkarkohet nga të dyja postet qeveritare që deri atëherë i kishte ushtruar  paralelisht, madje e largojnë edhe nga partia komuniste e Jugosllavisë në plenumin e katërt të komitetit qendror të saj, i cili u mbajt në ujdhesën “Brioni” të Kroacisë në Adriatik, që pastaj u njoh me emërtimin: “Plenumi i Brioneve”.

Lajmin befasues për rënien e Rankoviçit nga pushteti, që sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TANJUG u dha në formë komunikate, Sokol Malësori e dëgjoi në radio. Me shpejtësi i perceptoi zhvillimet e mundshme të proceseve politike që do të pasonin pas kësaj situate. Në këso rastesh, zakonisht bie i tërë zinxhiri komandues, gjë që i njëjti fat pritej t’i ndodhë edhe garniturës së kësaj ministrie famëkeqe, mendoi më vete.

Pas përfundimit të lajmeve për ngjarjet e kësaj dite, Sokoli e shkyçi radion, u ngrit me hov në këmbë e ia mësyu drejt dhomës ku ishin e shoqja dhe reja, që gëzimin për këtë sihariq ta ndante me to.

U fut me turr në dhomë, s’priti as të ulej, ia krisi fjalëve, me një zë paksa të ngritur por të hareshëm.

- Myzhde-myzhde, a e dini se çfarë ka ngjarë?

E shoqja Zoja dhe e reja Tringa u stepen nga befasia! Një mori mendimesh i përshkuan për një çast, por assesi t’u shkonte mendja te plasaritja e madhe që kishte ndodhur në krye të shtetit jugosllav, megjithatë për një gjë ishin të sigurta, ky lajm kishte të bëjë për ndonjë ngjarje të gëzueshme, e që të dyjave përnjëherë u shkoi mendja të Trimi që ishte në burg. Dhashë Zoti të jetë hair për të dhe shokët e tij, - thanë ato më vete, pastaj Tringa  instinktivisht e përqafoi të birin që e kishte ngryk, ndërkaq Zoja e cila deri në atë kohë bluante kafe me mulli dore ulur në karrige, përnjëherë ndaloi së bluari, që ta përqendronte vëmendjen të i shoqi. Vështrimi i saj kah ai, lente përshtypje sikur ta kishte ngulitur shikimin në një hapësirë boshe. Nga mërzia e madhe që iu ishte ngjizur në zemër për dy vite me radhë, çehrja i dukej e ngrysur si një anije e fundosur. Ndjenja e gëzimit i ishte shuar qysh se ia kishin burgosur të birin-Trimin. Që nga ajo ditë, asaj s’i lente përshtypje asgjë për çfarëdo që ndodhte. Në çastin kur i shoqi i tha ato fjalë, asaj përnjëherë i shpërtheu me duf një ofshamë e thekshme. Iu duk e tepërt dhe e pakuptimtë ta lodhte kokën me enigmën që e parashtroi ai, prandaj ia ktheu menjëherë me pyetje:

- O Sokol Malësori, na zgjate veshët, po nisja e fol, na trego se çka ka të re që po kërkon myzhde.

- Nëse për këtë natë të bekuar na përgatit një hallvë po ju tregoj? – iu përgjigj ai, pak si në shaka.

- Çfarë po flet?! “Netët e bekuara” s’janë as afër. Përndryshe, sa i përket ëmbëlsirave, do t’iu përgatis sa herë t’iu do qejfi, veç ti fol – ia ktheu ajo me një qëndrim të prerë.

- Jo grua, unë nuk dua çfarëdo ëmbëlsire. Kësaj radhe përgatite hallvën enkas për këtë natë të veçantë, për të cilën po them se është e bekuar ngase rrallëherë ndodh që njerëzit e këqij të vdesin për së gjalli, - këmbënguli ai, për të vazhduar pastaj: - Para pak çastesh transmetuan lajmin në radio për shkarkimin e Rankoviçit nga të gjitha funksionet. Sipas asaj që u tha në atë emision informativ, lanë të kuptohet se nuk e kishin burgosur. Megjithatë, kjo gjë që ka ndodhur është “nata e bekuar” për shqiptarët, ndërsa për ata që na kanë bërë zullum për njëzet vjet me radhë, është “dita e apokalipsit”.  Mendoj se me largimin e këtij satrapi nga pushteti, do të pasojnë ndryshimet në qeverisje. Ministria e punëve të brendshme do të çakërdiset, do të rrënohet UDB-a si kulla prej letre. Pas reformimeve që do të ndodhin, shpresoj që shqiptarëve sadopak do t’iu çlirohet litari nga qafa, - tha Sokoli duke e marrë një qëndrim me pamje serioze.

- Pse the: “Shqiptarëve do t’iu çlirohet litari nga qafa”, e jo “t’iu hiqet”, - ia priti Zoja?

- Shqiptarët do të shpëtojnë nga katandisja, vetëm atëherë kur këta ardhacakë zaptues e thyejnë qafën e bahen prej trojeve tona, - iu përgjigj ai me mllef.

- Mirë Sokol, por çka ta merr mendja, si do të ecin punët me birin tonë dhe shokët e tij që po i vuajnë dënimet nëpër kazamatet e Jugosllavisë? - tha ajo sërish.

- Po Zojë, po ta them atë ç’ma thotë mendja: - S’ka si të bëhet më keq se sa që ishte deri më tash, - ia ktheu pa e komentuar më gjatë.

Menjëherë pas kësaj përgjigjeje, Zoja e la mullirin e kafesë përmbi komodinë, e u nis ngadalë të shkojë në kuzhinë për ta përgatitur hallvën sipas kërkesës së tij. Sokoli menjëherë pas saj u nis për në odë të pritjes, që atje në radio të dëgjojë sesi po e komentonin këtë ngjarje agjencitë e lajmeve të shteteve tjera. Pas daljes së tyre nga dhoma, Tringa mbeti edhe për pak kohë që ta mëkonte të birin duke e vënë në gjumë.

Kur Sokoli u rehatua në odën e pritjes, prej dritares vuri re se kishte rënë mugëtira e mbrëmjes. Jashtë ishte qetësi, e kyçi radioaparatin, por ia uli zërin që mos të dëgjohej përtej shtëpisë. Nëpërmjet rrotullimit të rrotëzës për lëvizjen e mekanizmit të frekuencave difuzive, nëpër valët e shkurtra nisi t’i kërkojë radiostacionet e jashtme. Derisa po përpiqej ta gjente ndonjë stacion që e komentonte këtë ngjarje, u dëgjua jashtë trokitja në derën e oborrit. Sokoli e shkyçi radion, iu afrua dritares ngadalë dhe filloi të përgjojë me kujdes. Pas pak, trokitja në derë u përsërit, por kësaj here ishte më e fortë. Athua kush është? - mendoi më vete. Ia ktheu shpinën dritares e u nis ngadalë për të dalë në oborr. Derisa po zbriste shkallëve brenda shtëpisë, e dëgjoi një zë që thërriste, por jo aq kthjellët sa të kuptonte se kush ishte. Me të arritur te mesi i oborrit, serish e dëgjoi atë zë, por kësaj here e dalloi qartë edhe shqiptimin e fjalëve kur thirri: ...

Fragment nga romani në dorëshkrim