Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Tahiri: Ribashkimi

| E merkure, 15.01.2014, 09:58 PM |


RIBASHKIMI

Nga Bedri TAHIRI

Dikush- dikushi pati humbur shpresën, e cila e fundit doli nga Kutia e Pandorës, dhe logjikonte ters duke thënë se koha paskësh humbur aftësinë e të shëruarit të plagëve. Ah, jo xhanëm, jo, mos u nxitoni, të keqen vëllai, duhej prerë atyre me gjakftohtësi. Ajo vonon, të shkretën, por nuk harron. Dorën në zemër, me ne u tregua hileqare e madhe dhe përherë, madje edhe kur nuk e prisnim fare, na e përdrodhi bishtin si kurtizane tepër lozonjare.

Por, ani, më mirë vonë se kurrë.

Dhe, sot, më 11 janar 2014, Ardhi Dita e Arbërit,- do të thoshte De Rada ynë i madh. Agu i purpurtë i kësaj ditë gdhiu buzagaz në kryeqytetin e shqiptarisë. Prizreni bukurosh dhe historik, i dehur nga gurgullima e ujit valëbardhë dhe nën hijën mbrojtëse të Kalasë krenare, mbase edhe nuk kishte vënë fare gjumë në sy. E po edhe kishte arsye të mos flinte. Për herë të parë, pas 136 vitesh, po mbahej një Takim gjithëkombëtar historik...

Atëbotë, më 10 qershor 1878, m’u këtu qenë mbledhur burra me nam, përfaqësues nga të gjtha trevat shqiptare dhe ishin lidhur në Besa- besë për t’i thënë Jo copëtimit të Trojeve Etnike Shqiptare. Kishin shtrënguar armët e lirisë dhe të bërë tok, ia kishin krisur vallës çlirimtare. Ata na e lanë edhe një PROGRAM që e patëm udhërrëfyes të pagabuar gjatë gjithë historisë së mëvonshme.

Ai PROGRAM qe bërë i shenjtë për etninë tonë të stërlashtë. Në të bëmë be e rrëfe sa herë u gjendem para katrahurave përmbytëse.

Në frymën e tij gjalluam e mbijetuam denbabaden. Me të e për të, Truri i Lëvizjes sonë Kombëtare, Hasan Prishtina, bashkë me Isa Boletinin, Bajram Currin, Bajram Daklanin, Idriz Seferin, Mehmet Derrallën etj. e me mbi tridhjetë mijë luftëtarë, arriti ta çlirojë edhe Shkupin, por, mjerisht, nuk ia doli të merrte pjesë në Vlorë, më 28 nëntor 1912, ku qe formuar një Shqipëri e përgjysmuar.

Po me atë Program, në zemër e në mendje, edhe Azem Galica me bashkëluftëtarë e me çetat çlirimtare, të cilat vepronin kudo, ku bukës i thonë bukë e ujit ujë, për dymbëdhjetë vjet radhazi e mbajti ndezur flakadanin e lirisë në Arbërinë e tij të panënshtruar.

Dhe, brezi brezit amanet. Tribuni, Shaban Palluzha e strategu, Mehmet Gradica, u vunë në krye të dymbëdhjetë mijë luftëtarëve dhe qëndruan heroikisht kundër djajve sojzinj karpatianë, derisa vajtën në pavdekësi.

As më vonë, gjatë lirisë së rreme, ku sundonin kukudhat e kukuriqët, nuk u shua dot ideali që doli nga mendjet e ndritura të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përpjekje, sakrifica, vetëflijime, qëndresë, heroizëm, burgosje, torturime, dënime...

Dhe, sërish, robëri...

Shqipet silleshin në qiellin e përflakur dhe kërkonin shpëtimtarin. Ai kishte ardhur në këtë botë, Ditën e Flamurit, më 28 nëntor 1955, dhe po rrezatonte mbi gjithë Arbërinë. Çudi, as sot e kësaj dite, nuk e kam të qartë: Epoka krijon heronj apo heronjtë krijojnë epokën! Kryesore, është vërtetuar edhe historikisht, në kapërcyllet historike lindin shpëtimtarët e kombit. Këtu nuk ka mëdyshje. I tillë qe edhe Adem Jashari, i cili, me gjithë familje, u shkri në themelet e lirisë se shumëpritur. Ai bëri mrekullira, duke ndryshuar edhe  rrjedhat e historisë. Ai dhe UÇK-ja, formacioni më i unifikues ushtarak i shqiptarëve, fituan përkrahjen e gjithë globit dhe, më shumë se të tjerët, e jetësuan atë PROGRAM që e bartem vath në vesh...Kosova fitoi lirinë dhe shpalli Pavarësinë. Mrekullia vetë. Ama, në gjirmë të zemrave tona ende zë vend një peng...

Sidoqoftë, sot, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në vendin e kujtesësë sonë historike, u bë edhe një hap më afër sendërtimit të idealit tonë mbi njëshekullor. Mbledhja e parë historike e dy qeverive tona- Një Rilindje e vërtetë Kombëtare. Kryepersonazhet,  dy kryeministrat, Hashim Thaçi e Edi Rama, bën akt historik dhe vetë zunë vend në histori. Ata nënshkruan DEKLARATËN, e cila flet shumë. Oh, sa bukur! E madhërishme!

Ajo, përndryshe nënkupton: unifikim, përafrim, afirmim, bashkëpunim, bashkëveprim, mirëkuptim...

Me fjalë të tjera, ajo do të thotë RIBASHKIM!

Na priftë e mbara!