Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hyqmet Hasko: Një tempull blatimi poetik

| E hene, 13.01.2014, 08:16 PM |


Një tempull blatimi poetik për të bukurën dhe bukurinë

Rreth vëllimit poetik “Dallëndyshet e erës” të poetit Pëllumb Gorica

Nga Hyqmet HASKO

Kur lexon poezinë e poetit Pëlumb Gorica, të duket sikur ndjen së brendshmi trokun e melodive të një shpirti të pasur, të mbushur me ndjesi, përjetime, mbresa, emiocione, gjendje, dehje të unit dhe dehje kozmike, thënë ndryshe, ke përshtypjen e ballafaqimit me një akt poetik mbresëlënës.

Përmbledhja poetike “Dallëndyshet eerës”, nga vetë titulli metaforik dhe simbolik, të ofron një udhëtim shpirtëror, plot mbresa edhe emocione të bukura në përditshmërinë e poetit, në tentativën e tij për të ngritur një “tempull blatimi”, siç thotë në një nga poezitë e tij, në magjinë e universit të bukurisë njerëzore.

Pëllumb Gorica në vargjet, strofat dhe poezitë e tij duket sikur pikturon me ngjyra të forta kumte dhe ndjesi, gjendje dhe mesazhe, duke na dehur me temporitmin e vrullshëm të aktit poetik, në tentativën për të na ofruar dimensionet e një ëndrre, tek e cila beson vetë dhe në të cilën na josh që të besojmë dhe neve lexuesit e tij.

Tematika e poezive të Goricës është e gjërë dhe e larmishme, ka brenda mallin, flirtin, idilin, moskuptimin, pritjen, ikjen, “të dielën që flarton me krahë malli”, poetin, që “për kohën është rilindje”, “zërat e vendlindjes”, sythet që “shkruajnë kronikat” e dëshirës së papërmbushur, “pranverat e përgjakura”, që vijnë si jehonë nga e kaluara e afërt apo e largët etj.

Poeti “flirton” me ëndrrat, iluzionet, vjeshtërat pa kthim, dallëndyshet e erës, enigmat e mbetura në hije, “lumenjtë e mallit”,  mugëtirat e largëta, ku “dhimbja fle në horizont”, “kalamendjet veguese”, duke na përcjellë gjendje, jehona dhe imazhe të papërsëritshme.

Poeti, ndërkohë që i ngre kult bukurisë së trupit dhe mbi të gjitha të shpirtit njerëzor, mirësisë, dashurisë, fisnikërisë, stigmatizon dukuritë negative të individit dhe shoqërisë, ironizon dhe demaskon veset, cenet dhe maskat e kohës dhe të bashkohësve.

E bukura dhe e shëmtuara, virtyti dhe vesi, fisnikëria dhe maskarada, dukja dhe thelbi, e vërteta dhe mashtrimi, çiltërisa dhe hipokrizia janë në antipode dhe vihen përballë njëra tjetërs në poezinë e Goricës, duke na përcjellë mesazhin e luftës së njeriut modern në shoqërinë globale për t’u vetëpërsour në shkollën e madhe të bukursë dhe të pasionit për vepra të drejta humane.

Pamja vidhet në hapësirën e ngjyrosur,

Po kërkoj të shoh pakëz kaltërsi,

Qielli, letër e zhuburosur,

Shi rigon në sytë e mi.

(Poezia “Kohë me shi”, faqe 13)

Gorica është poet i imëtsirave, i gjetjeve të imëta dhe delikate, por dhe i pasazheve të vrullshme të jetës njerëzore, është një kërkues në shpirtin e natyrës dhe të njeriut, në unin e tij dhe ndërvartësinë e marrëdhëniet e këtij uni me të jashtmen, me mbresat dhe përjetimet e botës që e rrethon poetin.

Ndonëse poezitë e tij kanë impresione burimore, të nxitura nga folku i krahinës, ai i rikrijon strukturat poetike me mjete moderne, duke e tejkaluar objektin e frymëzimit dhe të impresionit të parë, me nëntekste të reja, gjendje dhe impresione të befta.

Kemi të bëjmë me një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje dhe zhvillim, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, ku e dukshmja dhe e padukshmja, e thëna dhe e nënkuptuara rrinë së bashku në të njëjtin vektor dhe shprehin një botë ideo-emocionale plot thyerje, siç është vetë jeta njerëzore.

Uni poetik, kryeprotagonisti i lirizmit të poetit është një krijesë e dashuruar me jetën, që lëviz të kapë ritmet e humbura, kohën e shpërbërë, kujtesat dhe retrospketivat, ëndrrat dhe iluzionet. Në thelb, është një tentativë për ta shkrirë ritmin e hazdisur të jetës në ritmin poetik, në trajat e metaforave, rimave dhe ritmeve që rrotullohen si në një karusel, duke na përcjellë botën e përndezur nga qindra vatra ndjesishë të autorit.

Aventura poetike e Goricës është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes së tij, drejt miqve, të dashurës, vendlindjes, një udhëtim në thelb autentik drejt vetvetes së pjesëtuar e së shumëzuar me zërat e jetës që e rrethojnë. Kësisoj poeti konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje, si vetë jeta e tij dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.

Poeti Pëllumb Gorica, ashtu si poetët e brezit të tij, të çilruar nga konfromizmi dogmatik dhe shtampat letrareske, ndihet një misionar i lirisë dhe emancipimit, një mesazhier i kulturës sonë të rilindur iliriano-dardane.

Të rrugëtosh me poezinë, të identifikohesh me të, do të thotë të jeshë i pushtuar nga magjia e fjalës, nga thellësia e figurës dhe imazhit, nga ndjenjat dhe mendimet më të fuqishme, që mbartin botën e gëzimeve, hidhërimeve, dashurive, iluzioneve, duke flakur çdo çast të keqen nga vetja dhe nga të tjerët, në emër të një sistemi vlerash tek të cilat beson dhe të cilat janë kthyer në një kredo të jetës dhe artit tënd.

Duket se kjo është në fakt kredoja poetike e Pëllumb Goricës, një dashuri e pamësë për jetën dhe njerëzit, një dashuri e pastër, natyrale, gjenetike, fluide dhe njëherës e prekshme. Poeti duket se ka një një etje për të rilindur në çdo fije bari dhe në çdo qelizë të gjallë të tokës, për hir të gjërave për të cilat ia vlen të luftosh dhe të ëndërrosh.

Gorica e përvijon individualitetin e tij poetik në vijim të traditës më të mirë të poezisë lirike, me rimë dhe ritëm të shtruar, të ëmbël e të ngrohtë, fine e të magjishme.

Afresku i gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell ky poet, përfshin prirjet dhe tendencat më serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e gjetjeve.

Poeti “luan” me gjërat, në dukje, të imëta e të vogla, por që në fakt, përbëjnë përditshmërinë dhe raportet e tij me veteveten, me unin dhe jashtëunin, me ata që e rrethojnë, duke na sjellë kështu hapësira të ndjesive dhe përjetimeve, ku ai gjen trajtat dhe modelet e procedimit modern të aktit të shkrimit të poezisë.

Autori shkruan një poezi ku gërshetohet tradicionalizmi poetik me risitë e modernitetit; megjithëse zakonisht përdor vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, në asnjë rast nuk bie në thjeshtëzime dhe folklorizëm,  siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që thjeshtë rendisin vargje.

Në thelb poezia e Pëllumb Goricës është një poezi e gjendjeve të kondestuara emocionale, e mozaikut të ndjesive, e zhvendosjeve në kohë dhe hapësirë të trillit dhe fiksacionit poetik, e  kërkimit spontan e të vetvetishëm në dukuritë që ai i njeh mjaft mirë, dhe që duket se janë pjesë e kameras së saj vëzhguese e interpretative poetike, duke na dhënë kështu një poezi shpërthyese dhe me nivel estetik, të denjë për poezinë më të mirë të botës shqiptare që shkruan brezi i tij.