| E hene, 13.01.2014, 08:50 PM |
PËRSE U SHUA NJË YLL
Tregim nga Vjollca Tiku Pasku
Diell i
ftohtë. Dimri dukej sikur derdhte mbi tokë gjithë frymën e akullt, duke
përgjuar si gardian se mos dielli lëshonte ndonjë rreze të ngrohtë. Pemët
mbuloheshin nga një cipëz akulli, si shpirtrat e ftohtë që vëzhgojnë botën
tokësore. Në orët e drekës akulli shkrihej dhe pikonte si pikëza loti. Ky i
ftohtë nuk mbahej mend, në Tiranë. Mimoza, një grua e martuar rreth të tridhjetepesave,
me flokë të gjatë, dhe sy, ku i dallohej qartë vështrimi i lumtur, mbasi mbaroi
orët e mësimit, mori nga kopshti vajzën pesëvjeçare dhe u drejtua nga shkolla,
të merrte djalin shtatëvjeçar me makinën e saj. Ajo kishte mbaruar artet e
bukura dhe jepte pikturë në liceun Artistik të Tiranës. Pas drekës, të dy
fëmijët i vendoste në regjimin e gjumit. Në këtë orë kthehej bashkëshorti nga
puna. Të dy ishin njohur në fakultet, gjatë studimeve të larta, ajo në pikturë,
ai në fakultetin e ekonomisë. U dashuruan dhe së bashku ndërtuan ëndrrat
fluturuese. Flatruan në diell dhe në hënë, në të gjithë universin e njohjes së.
Melodia e dashurisë ishte bërë monopol i dy shpirtrave të tyre, që pasi u
zbulua, ishte ruajtur si thesar i fshehur, në sferën e dritës magjike që
gjeneronte lumturi dhe paqe. Qielli iu fali atyre dhe cicërimat e dy zogjve.
Pas drekimit, vendprehja e tyre ishte në krevatin me jorgan trëndafili në
dhomën e gjumit. Ballkon-porta me xhamari të madhe, me perdet gjysmë të hapura
enkas, në mënyrë që drita të lundronte në të gjithë dhomën, ndriçonte çdo
grimcë ajri në atë dhomë. Por ndriçimin më të madh ua jepnin dy shpirtrat e
dashuruar. Megjithëse kishin dhjetë vjet martuar, dashuria e tyre kishte ende
ëmbëlsinë e mjaltit, të kulluar nga zemrat. Në katin e dymbëdhjetë të
apartamentit,vetëm dielli e hëna mund të shihte pasionin e ëmbël në shtrëngimin
e duarve dhe puthitjen e trupave të tyre. Buzëqeshja e Mimozës ishte një diell
i vogël, që me rrezet vezulluese ngrohnin gjoksin e tij. Eltjoni e pa me
vështrim ngazëllues të dëshirës, të jetë në qenësinë e brendisë saj. Në
platformën e dashurisë çdo çast i kthyer në ar lindte një pigment puthje. Ai
rrëshqet ngadalë dorën përmbi lëkurën e butë duke e përkëdhelur si një lule të
brishtë. Flokët e saj kishin rënë si ujëvarë në supet e zhveshura. Dëshira për
t’i shijuar botët në një prekje, të gjithë qiejve, të gjitha ngjyrave brenda
pak çasteve, flakëroi sytë e ndezur të tij. Të dy filluan eksplorimin e
njëri-tjetrit sikur të ishte hera e parë. Por papritur, një kërcitje e fortë
trembi dy zemrat që kishin nisur fluturimin e tyre në qiellin e ëmbël të
dashurisë. Gjaku u ngriu ndër damarë...Në xhamarinë e madhe, nga një pikëz në
qendër, krisja u radhit në formë disqesh në të gjithë hapësirën, sikur të ishin
bërë me një diamant prerës. Ajri u ngjyros me vorbulla gri, sikur hijet të
gllabëronin dritën. Ftohtësia tkurri gjithë ngrohtësinë e ndezur. Fitilat e
kënaqësisë u fikën s’i prej një qenie misterioze. Të dy ngrinë për një çast, u
mpinë dhe nuk mund të flisnin… Fëmijët u zgjuan të lebetitur dhe britma e tyre
i solli në vete. U veshën me të shpejtë, dhe Eltjoni shkoi në dhomën e fëmijëve
t’i qetësonte... Edlira piu shpejtë një gotë ujë, t’i qetësoheshin rrahjet e
trembura të zemrës. -Si ka mundësi të thyhet xhami në këtë mënyrë?- pyeti ajo
të shoqin.- U tremba aq shumë sa m’u duk sikur m’u nda shpirti më
dysh....jashtë ka diell, ndërsa këtu akoma ka errësirë… -Jo e dashur të duket
ty, ngaqë na erdhi papritur ajo zhurmë e madhe ….por ndoshta xhamave u erdhi data
e skadimit,- bëri shaka Eltjoni - nesër do sjell ustanë të zëvendësojmë
xhamat... Mimoza nuk qetësohej dot. I dukej sikur nuk ngopej dot me ajër. Ajo
masë e madhe e errët ajri ushtronte presion mbi atmosferën, dhe presion brenda
shpirtit.. Hapi me kujdes një portë te xhamaria e krisur dhe la ajrin të hynte
brenda. Një parandjenjë e keqe i mbërtheu shpirtin. U ngrit dhe iku nga dhoma
të vazhdonte punët e pasdites. “Ndoshta është frika ime, s’e do ndodhë diçka e
keqe që krijon errësirë dhe ftohtësi”, mendoi Edlira. U mundua gjithë pasditen,
të vijonte punët e zakonshme, të ndihmonte djalin në përgatitjen e mësimeve,
por parandjenja e keqe i kishte zaptuar gjithë shpirtin. Mëngjesi tjetër gdhiu
me shi. Pikat e vogla këputeshin nga barku i qiellit, duke rënë të kulluara pa
asnjë element papastërtie. Binin butë, shtruar sikur diçka i pëshpëritnin
tokës, nën një ritëm monoton. Mimoza u ngrit pa qejf. Duhej të bënte gati
fëmijët, dhe të shkonte në punë. Eltjoni duhet të shkonte në Vlorë për një
shërbim pune. Të dy morën drejtime të ndryshme. Mimoza mori dy ombrellat e
vogla të fëmijëve dhe të sajën, ndërsa Eltoni makinën. -Ki kujdes rrugës, - i
tha ajo duke e puthur. -Mos ki merak, takohemi në drekë!- ia ktheu ai duke ecur
me pezhonë gri ku dukej si një re qielli që po ecte në rrugën e tokës. Teksa po
dëgjonte të rejat e ditës në kasetofonin e makinës, hunda iu ça për cigare.
Ndaloi në një kinkaleri rrugës, mori paketën dhe vazhdoi rrugën, duke harruar
vënien e rripit të sigurimit... Për një moment uli vështrimin për të marrë
çakmakun, të ndizte cigaren. Në këtë kohë shikoi me hijen e syrit, një re të
zezë në formën e një makine që po vinte me shpejtësi përballë tij. Kthen
timonin t’i hapte rrugën, por nuk arriti.... Makina u dynd përmbi të, si
merimanga e një bombe gjigante. Gjithë qielli dhe toka humbën për pak sekonda.
Përplasja e furishme oshtiu, nga britmat e makinave dhe toka u ndez nga gjuhët
e flakëve të zeza...Policia u lajmërua nga kalimtarët e rastit dhe ata brofën
aty shpejt. U mbajt procesverbali i zakonshëm dhe nëpërmjet targave u gjet se
kujt i përkisnin makinat. Trupat në dy makinat ishin djegur dhe zor s’e
njiheshin... Mimoza ishte në orën e pestë, kur e lajmëruan, se kishte ndodhur
një aksident me dëmtime të lehta në rrugën pranë qytetit të Kavajës. Ajo
lajmëroi mamanë e saj të merrte fëmijët, dhe u
-Ditto,- e dashur, - tha engjëlli.
- Oh, unë e dija që ishte një ëndërr e keqe, - i thotë ajo gjysmë e vetëdijshme.
- Ti e di që është e vërtetë,- shtoi ai.
-Mos më thuaj që jam në një ëndërr të sëmurë që do zgjasë gjithë jetën time. Zemrës time iu hoqën pjesët e saj. Dua të të kem pranë, të të shtrëngoj, dua të mbështet kokën time në kraharorin tënd... Zgjat duart në anën tënde të krevatit, por ai është bosh. Të thërras, por nuk përgjigjesh. Qielli, toka gjithçka m’u shuan... Dielli u hodh në erë, dhe jeta ime pushoi në momentin e shpërthimit. Vdekja ma vodhi dashurinë…
-Jo e dashur, të dukem pa jetë... a nuk ndjen se nga dy sytë e tu që rrjedhin, një lot është i imi, një rrahje e zemrës tënde është e imja, gjysma e dhimbjes tënde është imja. Unë do jem muri mbrojtës kundër erërave dhe stuhive të jetës. Sa herë do ndiesh të ftohtë, do këpus rrezet e diellit të ngrohesh, dhe sa herë do ndiesh të nxehtë, do marr freskun e hënës të freskohesh. Dielli shkëlqen i dashuruar me jetën njerëzore. Hëna ndrin, të mposhtë errësirën e natës, dita lind e bardhë me gjallëri të rrisë engjëjt e tokës, dhe t’i sprovojë me mësimet këtu, t’u rriten krahët për në qiell. Eja e dashur, çohu, në çdo agim do çeli drita dhe ndoshta në orët e saj do fishket një zambak, por kjo nuk do te thotë se jeta mbaroi me kaq. Të tjerë zambak do lindin...
-Atëherë përse ndodhin këto ngjarje të dëshpëruara?, thotë ajo.
- Nuk ka pyetje përse…. -A mund të pyes pse shuhet një yll?
-Nuk e di!, tha ajo.
-Sepse mbaron limfa e kuqe jetësore dhe hidrogjeni i shpirtit digjet e shndërrohet ne një yll të bardhë, diçka e ngjashme është edhe me jetën. -Domethënë jeta është një vazhdimësi? -tha ajo.
-Një vazhdimësi në lirinë e qiellit e dashur...
Ai u përul dhe e puthi me një puthje qiellore. E gjithë bardhësia u fashit dhe dhoma u kthjellua. Nga sytë e saj rrodhën lotë. Një lot i vezullonte. “Nuk di se si, por unë e ndjej praninë e tij” mendoi Mimoza. Dobësia dhe vuajtja mërguan ekspres nga qenia e saj. Qetësia dhe paqja iu rikthyen. Ajo ndje sikur i gjithë trupi iu përtëri. Fytyra i ndriçonte, sikur të kishte marrë shkëlqim engjëjsh. Brenda qenies së saj ndodhej engjëlli. U ngrit për të vazhduar jetën atje ku kishte mbetur. Zemra e Mimozës kishte brenda qiellin, ndaj ajo e shikonte diellin në formën e zemrës... U ngrit marramenthi dhe shkoi puthi fëmijët me mall të patreguar...