| E diele, 12.01.2014, 09:05 PM |
GANI SKURA, POETI LIBRAZHDAS QË U BURGOS PËR KOSOVËN
NGA QAZIM SHEHU
Gani
Skura është një ish i burgosur politik që gjithë jetën e vet ia kushtoi
çështjes kombëtare. Poet, studiues, idealist në kulm, i papërtuar për çështjen
e trojeve amtare, ai gjithë jetën e tij
të vuajtur dhe krenare e ndërtoi mbi parime të drejta duke iu qasur çështjes
kombëtare pa retorikë tribunash, as
fjalë klubesh dhe mbledhjesh të organizuara ku konsumohet histori dhe
patriotizëm, po me vepra konkrete. Ai ka shkruar një numër librash me poezi, prozë, studime ku spikat libri:”Ballë përballë
stuhive”, njihet si veprimtar i shquar
shoqëror, e, mbi të gjitha, si qytetar i qytetit të Librazhdit me vlera të
spikatura autentike. Ganiu është nga Pishkashi, atje ku ndodhet Sofra e
Skënderbeut dhe vetëm vitet e demokracisë e sollën në qytetin e Librazhdit. Gjithnjë
e mbaj mend të përkushtuar, të drejtë, kurajoz dhe vigjilent ndaj fjalës së mire, bujar dhe të sinqertë. E mbaj mend gjithashtu
sesi e mbushi shtëpinë me kosovarë në vitin dramatik 1999, sesi u bë pjesë e organizimeve vullnetare pa i
thënë kush gjë për pritjen dhe akomodimin e kosovarëve dhe shpejt e shpejt
shkroi e botoi librin poetik me titull:”E gëzofsh Kosovë lirinë”, një libër ku shkëlqejnë në mënyrën më të
sinqertë të mundshme gëzimi brilant dhe ndjenja e një dashurie të pakufi për
kosocvën, këtë pjesë të natyrshme të
truallit shqiptar. Shtëpia e tij atëhere u kthye në një vatër mikpritëse dhe
dashurie ku njerëz hynin e dilnin dhe dëshëronin ta takonin këtë njeri. Duke
qenë një studiues i palodhur e njëherit veprimtar ai nuk i ndante këto dy
cilëësi, ashtu siç edhe mbartëtemë së
miri vlerat e intelektualit librazhdas, modest e fjalëpaktë dhe punëshumë. Ajo që bën
përshtypje dhe dihej nga të gjithë në atë kohë, është guximi me të cilin ai i
shkruan një letër Enver Hoxhës më 12 gusht 1965. Duke lexuar sërish këtë letër
vë re shqetësimin e Ganiut për Kosovën dhe përkrahjen që duhej t`i jepte sheti
dhe partia e asaj kohe. Ai vë në dukje në mënyrë logjike dhe të argumentuar
represionin serb mbi Kosovën, shkombëtarizimin dhe genocidin e paparë, njëkohësisht shpërnguljet e kosovarëve për në
Turqi. Me krenari thekson luftën e popullit të Kosovës për liri e të drejta, ashtu siç sjellë në kujtesë se përderisa shumë
shtete janë ndarë e ribashkuar atëhere pse Shqipëria nuk ka të drejtë të
kërkojë ribashkimin eKosovës me të si pjesë e natyrshmee saj. Kjo duhet bërë në
mënyrë paqësore duke ngritur zërin e protestës para opinionit botëror dhe po të
ishte nevoja deri në sakrificë sublime. Letra përmban një farë elozhi për
koperturë për udhëheqësin e asaj kohe, po në të spikat qartësia dhe parashtrimi i
aergumentuar i problemit duke e bërë atë një dokument të vyer në historinë e
disidencës shqiptare, autentik dhe jo të
sajuar. Vallë nuk e dinte Ganiu qëndrimin projugosllav dhe lojën djallëzore që
bënte partia e atëhershme për çështjen e Kosovës, kur shumë shqiptarë të ardhë që andej
burgoseshi n ose etiketoheshin agjentë. ?Natyrisht ai ishte i ndërgjegjshëm për
këtë, sepse ky intelektual i shquar shikonte përreth, lexonte shtypin dhe shihte të konkretizuar atë
trysni ideologjike që bënte partia me Sigurimin rreth e rreth;por ai nuk mund
të dilte kundër asaj që mendonte dhe i dhimbsej çështja shqiptare duke menduar
edhe pasojat që mund të kishte për këtë. Letra tjetër shkruar nga Pishkashi, fshat i tij ku banonte, daton më 3 shtator 1966 dhe i drejtohet Haxhi
Lleshit, asokohe president i shtetit. Letra merr shkas nga një artikull në
shtypin e partisë që dënonte krimet e genocidit serb. Në letër Ganiu
shprehet:”Mua si çdo shqiptari më pikon në zemër, për faktin e hidhur të
vëllezërve tanë të një gjaku e të një trualli…. ’Ai hekson se meqë populli
ndodhej para ngjarjeve të rëndësishme si:Mbledhja e Kuvendit Popullor më 9
shtatotr, Kongresi i Pestë i PPsh më 1 nëntor, dhe 25 vjetori i themelimit të
PPSH, duhej që Presidenti të nxirrte në
botim një hartë të studiuar me kufijtë e Shqipërisë para vitit 1913. Dalja në
qarkullim e kësaj harte do sillte njohjen e brezit të ri me kufijtë amtarë dhe
do e zgjeronte dukshëm njohjen për Kosovën duke qenë kjo edhe një amanet i sa
dhe sa luftëtarëve që ranë me këtë fjalë në gojë. Në letrën e dytë të Ganiut ku
shihen më së miri vula e postës, pulla
taksa, viti, vendi i dërgimit që
provojnë një autencitet të fortë, bëhej një përmbledhje me një shqetësim
atdhetar i situatës kombëtare. Në këtë kohë kur vërshonin më së shumti nga
populli letrat anonime për abuzuesit e pasurisë socialiste që ishin kuadro të
ndryshëm në funksione partie dhe njerëz që i përkisnin kastës së pushtetit, ku populli ankohej për varfërinë dhe genocidin
e proteinës dhe frika e ankimit ishte aq e madhe sa detyrohej të bjerrte
karakterin e vet duke shkruar letra anonime, intelektuali Gani Skura shkruan sërish letër
duke iu drejtuar kësaj radhe KQPPSH, një
letër sërish me emër dhe mbiemër, ku
shprehet shqetësimi për gjendjen në Kosovë. Përderisa PPSH, shprehej edhe vetë në artikuj të ndryshëm
botuar në Zërin e popullit, Ganiu nuk
kishte pse të ndjente droje. Letra e tretë e rrit intonacionin shprehës, është
më e përqëndruar dhe ka një domethënie më dramatike. Letra mban datën e 11
majit 1973. Në të shprehimisht thuhet:”Kosova nuk është kopësht personal i
askujtAjo është pjesë e Shqipërisë…. , prandaj çdo shqiptar e ka për detyrë të
mbrojë pëllëmbën e tokës që i takon deri në sakrificën supreme. ”Cituar e zezë
mbi të bardhë, ashtu siç është shkruar
dhe më poshtë, letërshkruesi me ermër
mbiemër, vijon:”Mbas kësaj letre unë nuk u thirra më nga askush, por më 4
korrik, mbasdite, të vitit 1973, u arrestova. dhe u dënova me 10 vjet heqje
lirie nga gjykata e Librazhdit…”Nuk dihet se ai beson më duke iu ankuar
oktapodit të kuq, apo do të jetë në
rregull me ndërgjegjen e tij pasi detyrën e kishte kryer. Ka mundësi të jetë
kjo e fundit ashtu siç mund të mendojmë sot me të drejtë se prapa letrave, autorët
partiakë dhe zhgani neveritës i krimit nuk shihnin një patriot dhe një njeri
serioz dhe të sinqertë, po një frymëzues të irredentizmit kosovar që i prishte
punë klikës sunduese në Tiranë e cila acarohej me idenë e frikës, sepse bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të
thoshte likuidim klikës së tyre. Teksa i
lexoj sot këto fjalë, akoma ndjej peshën
e emocionit për nje njeri që vuajti shumë në Spaç dhe vuajtja e tij u shpërblye
vetëm me çlirimin e Kosovës nga UÇK dhe NATO, çlirimin që ai e kapi në momentet e fundit të
jetës duke shkuar në jetën e përtejme i kënaqur për këtë. Sigurimi famëkeq nuk
ia falte Gani Skurës shqetësimet që ai i sillte partisë dhe udhëheqësit të saj,
ashtu siç edhe nuk ia falte guximin për
t`i thënë gjërat hapur, pa drojë, drejtësisht ashtu siç ato ishin vërtetë dhe
siç vërtetësisht pa pikën e hilesë i mendonte ai. Këto letra që ruhen nga
familja e tij dhe i biri, Xhevahiri, janë bërë publike me kohë, sidomos tani në demokraci po edhe në kohë të
diktaturës, fshehurazi, flitej për to. Ato
tregojnë siç edhe e shjelluam më sipër, një guxim të sinqertë larg çdo paragjykimi dhe
dukje, flasin qartë për ndërgjegjësimin që ky njeri e kishte të pacënuar nga
çdo dilemë, një ndërgjegjësim që vinte
në mënyrë intiuitive po edhe nga leximi dhe studimi që ai i kishte bërë
çështjes kombëtare, historisë, etnografisë, gjuhës, vendlindjes duke e njohur mirë fakin dhe të
vërtetat shkencore në këto fusha. Natyrisht, tek ky burrë modest, vihet re se ai nuk donte të merrte flamurin e
patriotit as të prijetarit në një çëshje, po thjesht kërkonte të bënte detyrën e tij si
shqiptar, ashtu siç duhet ta bëjë çdo
shqiptar normal, pavarësisht nga konjukturat apo rrethanat e disfavorshme që
paraqeste koha. Vitet më vonë treguan se Gani Skura kishte pasur të drejtë dhe
kjo mbetet një vepër e pashlyeshme e një atdhetari të madh që e hijeshon dhe i
bën nder qytetarisë librazhdase. Ne sot mund t`i gjykojmë më thjesht këto letra,
nisur nga koha e sotme, por Borhesi
thotë se gjërat gjykohen në kohë ashtu si dhe njerëzit . Koha ecën dhe ajo përherë
i nxjerr në sipërfaqen e saj të dukshme në dritën e diellit ato që njerëzit dhe
monstrat e regjmeve diktatoriale u munduan t`ia mbajnë të fshehtë asjasj. Koha
tregoi vërtetësinë e shqetësimeve dhe të mendimeve të Gani Skurës, ashtu si dhe
vërtetoi të drejtën që ai kishte. Duke qenë një studiues skrupuloz, Gani
Skura me prejardhje nga Skurajt e
famshëm të epokës skënderbejane, do të pasqyrojë në librat e tij të mëvonshëm
edhe luftën e popullit të Librazhdit kundër raprezaljeve serbe, betejen e
Pretinës, luftën e Shkodrës kundër
pushtuesve malazezë, si dhe Luftën e Vlorës më 1920, ku shmë njerëz burra trima nga Librazhdi, Çermenika,
Bëzeshta, Qukësi, morën pjesë në këto beteja, madje disa dhanë edhe jetën për trojet amtare.
Si studiues, historian dhe njeri i përkushtimit
ndaj çështjes atdhetare ai kurrë nuk iu dorëzua të keqes, priti përgjigje që e dinte se nuk vinte, pranoi
burgun por nuk e shiti shpirtin e tij para atyre njerëzve që idealin kombëtar e
kishin si një rekuizitë patriotike për
të manipuluar ndjenjat e popullit. Shkrimi i këtyre radhëve nuk është gjë
tjetër veçse një homazh kujtesë, diçka e vogël që mund të bëhet për këtë njeri,
patriot i klasit të lartë dhe ish i
burgosur politik nga ata të rrallët që nuk u ankua kurrë dhe që e deshi
demokracinë shqiptare për të cilin pati luftuar i frymëzuar nga burrat e mëdhej
të kombit shqiptar ose nga vlerat më të larta të popullit të Librazhdit dhe të
popullit shqiptar në tërësi. Mikprija, besa, virtyti, e vërteta, pavarësisht çfarë çmimi kishin ato
në kohë të vështira kur të ikte edhe koka u bënë moto e punës dhe luftës së tij
në llogoret e një ideali të pastër kombëtar.