Lajmëtari që shpërndau lajmin:
Prizreni në mesin e më të bukurve e
botës
Nga Blerim Rrecaj
Fundviti
2013 u karakterizua nga një lajm që na bëri të ndjehemi mirë. Jashtëzakonisht
mirë. Pasi erdhi si dhuratë e çmuar e me vlerë. Nga një “babadimër” i paemër.
Dhe ky “lajm-dhuratë” së shpejti e “mori dhenë”.
Së pari atë e pamë nëpër mjetet më të shpejta të transmetimeve , në rrjete sociale, pra në
facebook e nëpër portale, e pothuajse s’mbet
asnjë i tillë që nuk e publikoi, këtu e këndej, andej e përtej, me një
fjalë “gjith-kënd-e-andej”. Mjafton të klikoni, për të parë e ndjerë jehonën që
pati e ende vazhdon ta ketë. Dhe ja
titulli për njërën nga “kurorat”e
bukurisë tokësore: “Prizreni, qyteti i nëntë më i bukuri në botë”. Plus
kësaj ai u plasua nëpër ekrane
televizive, faqe gazetash, revistash. Një lajm i thjeshtë, i bukur, i këndshëm,
këndellës, kreativ, atraktiv, emocionues, i mirë, që nxiti ëndrra, shpresa,
reagime të ndryshme… Se kush ishte shpërndarësi do e mësoj derisa një mbrëmje(disa orë pasi e pashë pas
publikimit…)ia kishim marrë një të ecure spontane trotuarit përgjatë rrugës
kryesore të qytezës sonë “Nëna Terezë” të Fushë Kosovës, lajmëtari “i njohuri i panjohur “deri në ato çaste edhe
për mua, fliste për ‘historikun’ e postimin e lajmit, e tash e ndjeja veten
mirë se ecja me protoganistin e heshtur. Ia ktheva se e kam parë e më ka lënë
shumë mbresa. Dhe rrjedha e bisedës tashmë sikur ujët e Lumbardhit ecën derisa
shëtisnim, duke na sjellur imazhet e qytetit bukurosh, ndonjë kujtim
gjatë qëndrimit në të. Them se bukur po
përfundoi ky vit me një kryelajm të mirë. Ai ma kthen se ishte i paksa i
shkurtër. Po i them por më pëlqeu duke m’u
kujtuar shprehja që përdoret në gazetari :“Po të shkruaj gjatë sepse nuk kam
kohë”. Plus duke “gërmuar”më tej në
linkun që jepet në fund të lajmit duket fotoja me emrin e autorit Azem Ramadani
në një cep të saj ishte shumë e bukur. Edhe për të pyesim a thua kush është
ky?! E sa e sa fotografia tashmë do të
bëhet te vendi kur ai më i pari bani
foton që zgjodhi MSN-ja, te njëra nga urat që lidhin brigjet e lumit, pyesim
derisa vazhdojmë bisedën. Bukur qenka kur të vlerësojnë të tjerët. Kur t’i
çmojnë vlerat. Kur garon me ta në të mira. E kur të thonë je i nënti ndër 23 më
të bukurit e botës, hedh vallen me ta me krenari e dinjitet. Dhe kur fati e do që të jesh i pari që sheh
dhe e merr këtë lajm dhe ia transmeton publikut të kombit tënd dhe i cili
gjerësisht informohet nëpër të gjitha viset edhe të “shpërndarëve”, pra bashkatdhetarëve,
nëpër të gjitha kontinentet e globit. Ja
njëra nga përparësitë e të arriturave teknologjike. Më duket se folëm mjaft, e
duke mos dashur ta teprojmë për këtë ngjarje që na bën të ndihemi krenar e
pjesë e thesareve të botës. Tashmë le të na thotë diç, “kasneci” që u tha
medieve “t’u bien tupanave pareshtur”, lajmëtari që ka emër e mbiemër e ky
shënimth për të “lind” pas bisedave që
vazhdojnë të bëhen dhe privilegji që pati Florin N., ta jap lajmin -“souvenir”
që do mbahet mend gjatë. “Hy dhe shikoj foto nëpër internet. Kështu edhe atë ditë
duke “bredhur” ma tërhoqi vëmendjen fotoja e qytetit të Prizrenit, më pas pas
lajmin, e formulova dhe ndihem mire që mediet e mirëpritën dhe e publikuan atë”
thotë me modesti Florini. Për të kaq mjafton, por vizita që do t’i bëjë
Prizrenit tash e tutje sikur ka marrë tjetër vlerë për të. Qoftë për të riparë
bukuritë e Prizrenit, a qoftë për ta pirë një bozë në të…