| E merkure, 08.01.2014, 08:12 PM |
AKSIOMA TË PATJETËRSUESHME NË
ZHVILLIMIN HISTORIK
(Rreth librit “Latinët e harruar” të Valentin Mustakës)
Nga Vladimir Muça
Është libri i parë që më bie në dorë i shkruar aq thjeshtë e me aq dashuri e përkujdesje nga studiuesi jo pretencioz Valentin Mustaka. Me sa lexova në këtë libër të parë, krijova bindje të plotë se jo vetëm studiuesit e mirëfilltë duhet të marrin shembull nga aftësia hulumtuese e zelli i këtij studiuesi, por edhe ata “doktorë – profesorë” që mbushin sallonet e akademisë, duhet të kenë zili zellin dhe qartësinë e argumentuar tekstuale me të cilin Valentini merr në mbrojtje etninë e vet dhe interesat demografike të kombit shqiptar si një etnicitet i patjetërsuar ndër shekuj, pavarësisht përkatësive fetare.
Ndër shekuj feja për etnitë vllahe dhe popullin shqiptar s’ka qenë gjë tjetër veçse një konjukturë për të mbijetuar etniciteti. Sidomos sot kur ka shpërthyer një invasion panhelenik nga Patriarkana greke, e njëtrajtshme si njëmijë vite më parë. Me këtë studim Valentini i jep një shuplakë vorio-epirizmit grekoman të megallidhesë. Autori, pa pretendime eruditive, duke marrë referencat e studiuesve të lëna paksa në hije nga historiografia vendase dhe ajo sllavo-greke, ka ditur të ndriçojë sado pak rrugën nëpër të cilën ka kaluar populi shqiptar bashkë me atë rumun të ardhur nga persekucionet kulturore, gjuhësore, fetare, shoqërore nga invazionet barbare ndër shekuj.
Që në faqet e para, Valentini më surprizoi me skrupolozitetin e tij të mendimit, mbështetur në argumenta tekstualë e jo me hamendësime. Në këtë turbullirë historie, Valentini me erudicionin e thjeshtë e të kapshëm nga çdo lexues, u jep një leksion historianëve kapriçiozë se si mund të rishkruhet një histori e mbuluar nga hiri i shekujve dhe refumot e mësymjeve barbare e mjegullnajat e perandorive. Duke zhbiruar dokumentat nëpër analet e historisë, Valentini me profesionalizmin e një historiani arrin të bëjë një lidhje organike të etnogjenezës, ardhur në më të shumtën nga malet e Pindit e Trakia.
Një përqasje e tillë historike ysht nevojën për ristudimin e viteve të sundimit të fiseve epirote me Pirron në krye, i cili etnogjenezën e ka nga këto etni e vinte nga këto vende. Kjo tregon për një lidhje të hershme ndërfisnore të epirotëve si bashkësi e fiseve ilirike dhe atyre vllahe. Sipas autorit kjo etnogjenezë e ndërthurur shkon gjer në parabizantinë. Kjo ndihmon në forcimin e mendimit, qartësimin e tij se vllehët (arumunët e Shqipërisë) vijnë nga grupimet e mëdha vllehe të maleve të Pindit e të Trakisë, ku bashkërendimi shoqëror me atë epirot kanë zënë fill që në dy mijë vjet.
Ky libër studimor, mbasi e lexova me ëndje, më është përngjarë me atë rrezen e parë të mëngjesit, e cila sapo ka filluar të shpërndajë mjegullnajën shekullore të etnive ballkanase. Në sytë e mi, në sytë e cilitdo lexues pasionant këto etni shpërvilen me tërë lakuriqësinë e tyre, jashtë trysnive invasive bizantine e sllave, greke e turke. Recetat që jipen janë tepër të qarta. Postulatet, referencat e historianëve më në zë ndër shekuj janë si një impuls tepër produktiv që duhet të stimulojë punën studimore të studiuesve, të Akademisë së Shkencave, që për hir të së vërtetës në këtë aspekt vlen për të dëshiruar.
Për një studiues të mirëfilltë nuk ka rëndësi volumi studimor, por primare është ekstrakti burimor që përmban në vetvete studimi. Nga ai ekstrakt do të përcaktohen edhe vlerat dokumentare si dhe aprioritë që rrjedhin prej tyre. Duke u marrë vetëm e vetëm me këtë ekstrakt, Valentini ka qëndruar larg volumtarizmit gjithëpërfshirës dhe jam i mendimit se ia ka arritur me sukses qëllimit për të cilin është munduar.
Autori në këtë libër vjen me veçoritë e tij. E kjo veçori ndër më dallueset është se ai shkruan pa kalamendje e postulate filozofike. Ai merr si bazë të logjikës shkencore ekstraktin e një kombi që janë: etnia, emërtimiteti, toponimiteti, etnografia, gjuha e zakonet larg fermenteve të studiuesve në totalitarizëm e të shovinizmit sllavo-grek. Si ekstarkte fondamentale të një kombi këto dukuri i hasim në çdo faqe të librit si aksioma të patjetërsueshme të një zhvillimi historik. Me argumenta të ndërsjellta vihen përballë studiues grekë, që replikojnë ndër vete dhe studiues gjermanë, italianë, francezë, rumunë, çekë, kroatë, ku argumentat e këtyre të fundit fuqishëm pretendojnë ndaj atyre të Patriarkanës greke si Lazarou, që i quan vllehët grekë të romanizuar.
Sot me etninë arumune po abuzohet si shumë, sidomos nga filogrekët e rinj si matanë kufirit dhe këtu në mesin tonë, duke rritur fiktivitetin e pakicave greke me deklarime absurde nga historianë të së djathtës ekstreme. Është plotësisht e vërtetë, sikundër vërtetohet dhe në këtë studim ajo që po ndodh para syve tanë. Sot si njëqind vite më parë kërkohet të atrofizohet etnia rumune duke rritur artificialisht atë raja greke që solli dikur në Dropull dhe në çifligun e tij në Himarë Ali Pashë Tepelena për të punuar tokat si çifçinj.
Valentini, duke mbrojtur çështjen vllaho-arumune, duke e nxjerrë atë në dritë të diellit, i bën një shërbim të jashtëzakonshëm çështjes kombëtare shqiptare në përballjen e saj me megalli idhenë e Patriarkanës greke. Historianët grekofilë, siç duket e dinë dhe e kanë ndër mend kornizimin e Indro Montanelit, i cili thotë: “Në të gjithë Ballkanin shqiptarët janë pa asnjë dyshim më të afërtit në këtë botë latine dhe më humanët. Ky solidaritet dhe simpati asnjëherë nuk ka ardhë si një programim politik, por si një instikt” -kornizon për këtë lidhje Indro Montaneli.
Këtë e mbështet dhe një fakt tjetër burimor historik, ku sipas Shmidit lidhjet fisnore dhe të gjakut të Skënderbeut janë të gjitha me vllehë-arumunë, s’kemi asnjë lidhje ndërgjinore me sllavë apo grekë. Grekët, si në antikitet dhe në mesjetë rrinin të strukur në qytetet-shtete të tyre buzë detit, ndërsa malet e Pindit, Akrokeraunet e pllajat banoheshin nga njerëz që sipas historianëve grekë ishin të egër e barbarë, flisnin një gjuhë që s’përputhej fare me të tyren. Këta barbarë sipas tyre kishin në këto treva qytet-shtetet e tyre. Këta ishin ilirët, albanët e shqiptarët e mëvonshëm, bashkë me arumunët e Pindit e frashërotë.
Hulumtuesi Valentin Mustaka, pas një pune të gjatë e këmbëngulëse, mbasi ka grumbulluar një arsenal materialesh bindës nga shumë studiues të kohërave gjer homerike, na ka dhënë shumë pikëpyetje gjenezike për probleme ende të pandriçuara mirë mes etnisë vllahe-arumune dhe asaj pellazgo-iliro-shqiptare, të cilat vazhdojnë të jenë të mjegulluara nga mjegullnajat shekullore. Vetiu lindin pyetjet: - Cilat janë këto pikëpyetje burimore mes të vërtetave historike të shkruara dhe të kujtesës kolektive të trashëguar brez pas brezi? - Cili është mjedisi etno-kulturor e emerologjik që e ka ndjekur hap pas hapi? - Si dhe sa janë intervenuar tek njëri-tjetri?
Siç del nga ky studim, historia e këtyre dy popujve e ka zanafillën që në pellazgji. Cilësimet historike pellazge që në kohërat homerike e më pas epirote e iliro-dake në antikitet dhe shqiptaro-arumune në mesjetë, s’janë gjë tjetër veç se sinonime me rrënjë të përbashkëta etnike. Arumunët, duke qenë tepër ekzigjentë si kombi shqiptar, me përafërsi etnokulturore, janë shkrirë hera – herës lehtas në trungun ilir të shqiptarëve, kanë lidhur martesa, bashkëveprojnë e marrin pjesë në jetën ekonomiko-shoqërore e politike me të drejta të barabarta. Ky konvergim ka ardhur në mijëvjeçarë, që kur legjionet romake shpërbënë etnikisht Dakinë, duke e ishullzuar këtë etni në tërë Ballkanin.
Mbas leximit të librit të Dhori Fallos “Tragjedia e Voskopojës” nuk u surprizova pse Valentini në librin e tij “Latinët e harruar” flet me aq shumë nderim për parashkruesin Dhori Fallo, këtë punëtor aq të palodhur, një arkeolog e hulumtues i palodhur. Autori kapitull mbas kapitulli ravijëzon qartazi mendimin se në këtë hapësirë gjeografike, në këtë tokë të lashtë ku për absurd në çdo metër brez kufiri ka etninë e vet, ka jetuar dhe një popull i etur po aq për liri e dituri, që ka dëshiruar ndër shekuj të krijojë lidhje të forta miqësore me popujt e tjerë të Ballkanit e veçanërisht me shqiptarët. Kjo është një dëshmi bindëse dhe e qartë e shpirtit paqedashës të popullit shqiptar. E kjo e ka zanafillën që në kohërat e lashta, kur ndërmjet epirotëve e vllehëve të Pindit u themelua, në mund ta quajmë, Konfederata e Prespës.
Duke
analizuar me referencat e autorëve më në zë të historiografisë botërore, ky
liber një vend të veçantë ia kushton me një kapitull më vete, luftës ndër
shekuj kundër obskurantizmit shovinist sllavo-grek. Në këtë aspekt, vend të
lavdërueshëm zenë çështjet e shkrimit, të kulturës e të arsimit
shqiptaro-arumun si dy evenimente kulturore që kanë marrë e dhënë në mënyrë të ndërsjelltë dy etnitë: dashurinë
për shkollën, gjuhën amtare, si rezultat i ekzigjencës të së cilave u forcua më
shumë bashkim vëllazërimi. Mbështetur në kontekstin gjuhësor, nëpër faqet e
librit autori na jep të dhëna të sakta duke përndritur rrugën drejt gjenezës së
përbashkët pellazgjike-iliro-trake, duke bërë një evidentim të saktë të gjuhes
shqipe, si një gjuhë e lashtë, e cila denjësisht bën pjesë në degën e gjuhëve
të quajtura indoevropiane. Çka mëson nga referencat është po ajo gjuhë
pellazgjike, është shumë e lashtë në shtratin e saj, sa e lashtë është dhe
etnia që e fliste. Ajo është e vetmja gjuhë që mund të përkthejë dakishten. Kjo
vërteton më së miri siamezitetin gjuhësor që ka ekzistuar ndërmjet dy etnive,
të cilat ndër mijëvjeçarë asnjëherë s’e kanë përjashtuar njëra-tjetrën. Në
konferencën e prillit 2007 u hodhën teza dhe të dhëna historikisht tepër
surprizuese nga disa historianë:
Elena
Kocaqi: “Edhe sot e kësaj dite një pjesë e madhe e kombeve që përbëjnë shtetin
grek, si: arvanitasit, sllavët dhe vllehët flasin gjuhën e tyre në shtëpi,
ndërsa greqishten e përdorin vetëm në publik dhe në shkolla.”
Më habit qëndrimi indifferent i Akademisë së Shkencave si dhe i historianëve shqiptarë më në zë, po ashtu dhe qëndrimi i qeverisë ndaj këtij hulumtimi tepër ambicioz për kombin tonë. Libri “Latinët e harruar” e studiuesit e publicistit tashmë të mirënjohur në fushën e arumunistikës Valentin Mustaka, në vetvete nuk përmban vetëm atributet në shërbim të etnisë arumune, por ai i bën një shërbim tepër produktiv edhe etnisë bashkëjetuese në shekuj. E një ndër këto etni ku arumunët e kanë ndjerë veten siamezë është kombi shqiptar.
Nga leximi i vëmendshëm i librit, pa mëdyshje arrijmë në konkluzione se kemi të bëjmë me një hulumtues me taban shkencor që studimin skrupuloz e mbështet në argumente tekstualë, historikisht të gjithëpranuar, duke prekur me dorë ekstraktin kulturor, etnografik, thesarin folklorik, toponomistikën dhe emëremistikën e mbetur shekull mbas shekulli. Konkludimet e veta nga një jetë bohemi Valentini i mbështet fort në studiues me famë botërore, si: Hahn, Pukëvil, Indro Montaneli, Antonio Baldaçi, Zhan Klod Faverial, Milan Shuflaj, Kostandin Buriliano, Çabej, apo më të lashtët si: Herodoti, Straboni, Jul Çezari, Tivi, si dhe dijetarë dhe histrorianë voskopojarë si: Kavalioti e Dhori Fallo, dhe studiues të njohur në studimet albanologjike.
Në libër më kanë tërhequr vëmendjen veçanërisht pasazhet publicistike të përdorura mirëfilli në shërbim të studimit. Këto pasazhe në formë të një reportazhi me popullin e Kosinës aq shumë të përfolur nga propaganda greke për origjinën helene, është një shuplakë tepër e fortë që u jipet qëndrimeve pro greke. Atë që shtypi dhe masmedia s’e bënë dot me muaj në këtë ngërdheshje, Valentini me anë të një reportazhi, dialogu të thjeshtë, na jep një këndvështrim me baza shkencore mbi Vorio Epirin ortodoks të latino-romanizuar, duke u bazuar në toponomastikën e vendit, etnografinë dhe emërologjinë e familjeve dhe evoluimin e tyre ndër shekuj.
Apo pasazhi publicistik marrë nga biseda njëqind vite të shkuara nga banorët e Plasës, një pasazh tepër befasues nga një letër që ata i dërgonin mytesarifit, ku ankoheshin pse donin t’i bënin grekë me forcë, kur në fshatin e tyre s’kish asnjë soj të tillë, “vetëm një qen që fashëroti Miciu e ka sjellë me vete nga Greqia, duke i vënë me zor emër grek, i cili është një kafshë nga Thesalia.” Edhe sot mbas njëqind vjetësh të entuziazmon qëndrimi i banorëve fashëriotë të Plasës ndaj shovinizmit grek.
Në përsihatjet e këtij libri shumë të dëshiruar për cilindo, dëshiroj të them dhe një mendim timin me aq sa kam njohuri historike dhe sa më ndriçoi ky studim. Gjatë leximit m’u përvijuan tre variante të pështjellimeve të etnisë vllahe:
1. Emigrimi ose shpërngulja me forcë e etnisë dake mbas pushtimit të Dakisë nga legjionet romake.
2. Riformimi etnik i mbeturinave robër luftërash nga betejat e Pompeit e Çezarit romenë fershiotë.
3. Emigrantë të ardhur nga Pulja dhe Abrucio, të quajtur romenë.
Të tria variantet qëndrojnë, por unë mendoj se dominant është vetëm varianti i parë, të tjerët janë tepër në minorancë. Varianti i parë, krijimi i ishulloreve etnike post dakiane-vllahe në tërë hapësirat ballkanike është më volumtarisht në bindje, sepse mbas shpërbërjes së Dakisë u krijua një mbretëri e gjerë vllaho-iliro-trake. Më pas një konfederatë e Pindit u bë një simbiozë e mëtejshme e një bashkëpunimi e bashkëjetese ndërmjet dy etnive iliro-arumune, të cilët gjenin ngrohtësi shpirtërore tek njëri-tjetri.
Dakët, si një popull tepër luftarak si ai ilir, në luftën e tyre dhjetëravjeçare me legjionet romake i shkaktuan dëme të konsiderueshme Perandorisë Romake. Roma, si hakmarrje, e shpërbëri etnikisht Dakinë, duke e shpërndarë në gjithë pjesën lindore të perandorisë nga Adriatiku, Joni, deti Egje e Deti i Zi këtë etni tepër luftarake e me shpirt të paepur etnik. Dakinë e populloi me kolonë të romanizuar. Kjo ka qenë në planet e gjithë perandorive, që në ekstremitetet kufitare, për t’i bërë ballë e siguruar kufijtë, krijonin kordone sanitarë me një romanizim të tejskajshëm.
Me të drejtën time, në fund të këtyre përsihatjeve mund të them se, në qoftë se nga specialistë të historisë ky libër nuk do të quhet i arrirë shkencërisht, sepse është bazuar siç thuhet rëndom në referenca, se s’ka trajtuar tema “të reja”, do t’u thoja me të drejtë këtyre historianëve: Apologjetë e historisë s’e kanë filluar punën e tyre nga hiçi. Shkenca në themelin e saj, veçanërisht historia, njohin si moshë mijëvjeçarët, prandaj askush s’mund të shikojë saktësisht në këtë humbëtirë kohore e të na zbulojë çfarë fshihet në thellësitë e gërmadhave, gjenezave, shpirtërave të popujve, pa patur si fillesë të tyre diçka të trashëguar, pa u suportuar nga një zanafillë.
Sapo mbaron së lexuari librin “Latinët e harruar”, çdo lexues gjen në të një distributor didaktik-historik. Truri të kthjellohet me performancat historike, të cilat radhiten si plisat e valë mbas një punimi të livadheve e fushëbetejave historike, duke nxjerrë në pah, në dritë të këndellët, të gjitha zbrazësitë e këndvështrimeve tona të kaherëshme, të groposura si nga invazionet e kaherëshme ndërshekullore, si dhe nga politikat e mbrapshta totalitare të historisë “moderne”, që për të keqen tonë janë tepër modeste, mbetur në infantilitet.
(Zgjodhi për ZSH: Baki Ymeri)
Shënim i redaksisë: Në bazë të burimeve të verifikuara historike dhe dokumentare, arumunët nuk janë latinë por trakas, siç janë shqiptarët ilirë. Ju falënderojmë për bashkëpunim dhe presim prej Jush një studim lidhur me lidhjet arumuno-shqiptare!