Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemaledin Salihu: Emërtimi i rrugëve në Preshevë

| E marte, 07.01.2014, 07:51 PM |


EMËRTIMI I RRUGËVE DHE OFIQARIA E GJENDJES CIVILE NË PRESHEVË GJATË VITEVE 1918-1941

Shkruan: Prof. Xhemaledin SALIHU

Presheva është komunë shqiptare dhe aktualisht në jug të Serbisë.

Presheva, në aspektin territorial, etnik, kulturor, gjuhësor, familjar, ajo gjithmonë ishte e lidhur me Kosovën.

Rajoni i Preshevës banohet nga popullata shumicë shqiptare dhe qysh në Antikë i takonte Dardanisë.

Pas Kongresit të Berlinit, Kazaja e Preshevës, më 1878 i takonte Sanxhakut të Prishtinës të Vilajetit të Kosovës dhe ajo përfshinte Nahinë e Bujanocit dhe të Tërgovishtes deri në vitin 1912, kur Presheva u përfshi në Serbi.

Në Mbretërinë Serbe, Kroate dhe Sllovene, të themeluar më 1918, Rrethi i Preshevës i takonte Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup, qarkut të Kumanovës deri në vitin 1945, atëherë kur Presheva, në mënyrë arbitrare dhe pa vullnetin e popullit shqiptar si dhe me qëllim asimilimi e ngushtimi të trollit etnik u nda nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë.

Në Ofiqarinë e administratës komunale të Preshevës hulumtova më 4, 5, 6 dhe 30 dhjetor 2013 lidhur me familjen time Salihu, Mehmeti, Shabani dhe Rexhepi.

Duke hulumtuar hasa në emërtimet e vjetra të rrugëve të qytetit të Preshevës, gjatë Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene. Pra,  që nga viti 1918 deri më 1941 ekzistonin rrugët e qytetit me këto emërtime: rruga e Drashkoviqit, Sokaku I, rruga e St. Stankoviqit, rruga e Gjilanit, rruga e Dushanovës, të cilën e deshifrova se ishte rruga e Ivo Llolla Ribarit në ditët e sotme dhe aktuale, Sokaku II, Sokaku III, rruga e Kral Petrit, rruga e Kral Aleksandrit, Sokaku IV, Sokaku V, Sokaku VI, rruga e Pashiqit, rruga e Karagjorgjës, rruga e Vranjës, rruga e Kraljicës Marije, rruga e Stepanoviqit, rruga e Kërsta Pervishkoviqit, rruga e Kërsta Trgovishkoviqit /rruga e sotme e Rinisë/ dhe rruga e Kolonistëve /Naseljenicka /.

Ofiqaria e gjendjes civile e familjeve të Preshevës atëherë ishte udhëhequr në Xhaminë e Epërme, të Vjetër, në Xhaminë e Poshtme dhe në Kishën ortodokse serbe. Ajo ishte udhëhequr në Librat e Ofiqarisë së të Lindurëve. Ekzistonte  Libri i Ofiqarisë së Kishës Ortodokse Serbe, Libri i Ofiqarisë së Xhamisë së Epërme, Libri i Ofiqarisë së Xhamisë së Poshtme që nga viti 1918 deri më vitin 1941. Poashtu ekzistonte edhe Libri i Ofiqarisë së të Lindurëve në gjuhën bullgare, e udhëhequr gjatë okupimit të  Preshevës nga Bullgaria fashiste, deri në pjesën e dytë të vitit 1944, kur kapitulloi ajo.

Ofiqaria e të Lindurëve udhëhiqet në gjuhën serbe dhe ate me alfabet qirilik.

Këto Libra të Ofiqarisë së të Lindurëve quhen në gjuhën serbe: Domovnica, që në përkthim do të thotë Çertifikatë shtetësie.

Librat e Ofiqarisë , në atë kohë i udhëheqnin klerikët, në kishë prifti ortodoks serb, ndërsa në xhami i udhëhiqnin hoxhallarët.

Librat e Ofiqarisë në Xhaminë e Epërme që nga viti 1918 deri më vitin 1932 i ka udhëhequr hoxha, imami i xhamisë Sylejman Osmani, sigurisht i Mëhallës së Mutishëve të Preshevës, ndërsa që nga marsi i vitit 1932, Librat e Ofiqarisë udhëhiqen nga imami i Xhamisë së Vjetër, Hafëz Lutfi Ahmedi.

Librat e Ofiqarisë në Xhaminë e Poshtme që nga viti 1918 deri më vitin 1932 i udhëhoqi imami i kësaj xhamie Sali Jusufi i Mëhallës së Dodallarëve, ndërsa që nga viti 1932 deri më vitin 1942, librat i udhëhoqi imami i xhamisë Fahredin Kurtishi i Mëhallës së Kamberëve të Preshevës.

Te çdo i lindur i regjistruar në librat e ofiqarisë shënohet vendi:Preshevë, rrethi: Preshevë, famullia: Banovina e Vardarit dhe shteti: Mbretëria e Jugosllavisë. Kështu vazhdon deri më vitin 1941.

Gjatë hulumtimit në librat fetare të Ofiqarisë së Xhamisë së Vjetër dhe asaj të Poshtme në Preshevë hasa në familjar të lindur në Preshevë edhe më herët se viti 1878, atëherë kur u themelua Kazaja e Preshevës, i cila i takonte Sanxhakut të Prishtinës dhe Vilajetit të Kosovës dhe se me këtë hudhen poshtë teoritë e Trifunoskit, Haxhivasileviqit, Vëllezërve Petroviq/ Vëllezërit Petroviq shkruan 3 libra për Preshevën e që të dhënat e tyre për popullatën e Preshevës, strukturën e saj, vitin 1968 shpërnguljet serbe e tjerë i hodhën poshtë plotësisht me argumente autori i këtyre rreshtave dhe Nehat Hyseni. Shfleto: Forum B92, Presevska dolina/ e studiuesve serbë se Shqiptarët në këtë krahinë të Preshevës erdhën pas Kongresit të Berlinit, nga Malësia e Shkodrës, Lumja e të tjera.

Për ta vërtetuar dhe argumentuar po i përmendi disa të dhëna ofiqarie, për shumë familje shqiptare:

1.         Etem Liman Etemi, i lindur më 29.X.1846

2.         Islam Ymer Etemi, i lindur më 22.II.1851

3.         Maksut Liman Etemi, i lindur më 5.II.1856

4.         Ymer Rexhep Salihu, i lindur më 7.I.1861

5.         Ali S. Musliu, i lindur më 15.I.1861

6.         Harun Jahi Ahmeti, i lindur më 7.X.1861

7.         Alim Sherif Aliu, i lindur më 3.II.1866

8.         Rexhep Sh. Aliu, i lindur më 15.II.1861

9.         Idriz H. Limani, i lindur më 6.VII. 1865

10.       Mehmet Mustafa Limani, i lindur më 1.I.1871

11.        Esad Haxhi Hydaverdi Jusufi, i lindur më 2.IV.1867

12.       Haxhi Shaban Mustafa, i lindur më 5.03.1861

13.       Ibrahim M. Beqiri, i lindur më 2.XI.1856

14.       Ibrahim Abdullahu, i lindur më 2.IV.1853

15.       Daut Miftar Ademi, i lindur më 30.XII. 1856

16.       Nevzad Ali Nuhiu, i lundur më 20,III. 1861

17.       Rrustem Fejzullah Selmani, i lindur më 8.X.1866

18.       Hafuz Ali Ahmed Abdul-Qerimi, i lindur më 29.III.1864

19.       Rexhep Etem Ibrahimi, i lindur më 1860

20.       Aqif Latif Rexhepi, i lindur më 5.IV. 1858

21.       Maksut Shaban Rexhepi, i lindur më 3.III. 1865, i cili ra dëshmor në Luftën e Rezistencës Shqiptare në Kosovën Lindore, më 19 nëntor 1944, te Hekurudha e Preshevës, mu në ditën e Bajramit. Ate e sollën të vdekur në mbrëmje, përshkak të represionit të madh, zullumit të madh të atëhershëm, familja Rexhepi, pastaj Shabani, Mehmeti dhe Salihu u detyrua ta varros shpejtë e shpejtë me disa veta në varrezat e qytetit.

22. Maksut Selim Jahiu, i lindur më 1848, e të tjerë.

Poashtu, gjatë hulumtimit  për disa familje shqiptare edhe në Xhaminë e Vjetër, po edhe në Xhaminë e Poshtme gjejmë të dhëna të hollësishme familjare, janë të shënuar disa gjenerata familjare, në realitet mund të thuhet se është shënuar dhe formuar një trung i vogël familjar, psh. për familjet: Mehmet Mustafa Limani, Rrustem Fejzullah Selmani, Hajrullah Fejzullah Selmani, Hafuz Ali Ahmed Abduli-Qerimi, Aqif Latif Rexhepi, Rexhep Latif Rexhepi, Adem K. Kurtishi, Sali Memet Shabani, Maksut Shaban Rexhepi, e shumë të tjera.

Librat fetare të Ofiqarisë përmbanin dhe shënonin këto rubrika

1.Numri rendor

2.Faqja e çertifikatës së shtetësisë

3.Viti, muaji, dita e lindjes me dy nënrubrika: sipas Hixhrës dhe sipas kalendarit shtetëror

4.Vendi i lindjes, komuna, rrethi, numri i shtëpisë

5.Emri dhe mbiemri

6.A është lindur gjallë

7.Prindi:baba, emri, mbiemri dhe profesioni dhe vendi i banimit të prindërve, cilës fe dhe kombësi

8.Nëna: emri, mbiemri sipas burrit, vajzërisë, feja

9.Emri i imamit, i cili i dha emër dhe e kryen akikun

10.Vërejtje

Gjatë evidentimit të të lindurit për prindërit është shënuar emri, mbiemri, profesioni: bujk, zanatli, imam e tjerë, feja muslimane apo dikund islame, muhamedane të kombësisë arnaut, cigan apo edhe flasin gjuhën arnaute, turke. Të themi se në Xhaminë e Poshtme janë shënuar Romët me fe muslimane, por janë nda shumë saktë me kombësi cigan.

Poashtu të themi se te disa familje shqiptare është shënuar se i takojnë fesë muslimane, por me kombësi turke, edhepse kanë folur shqip. Kështu është vepruar dikund sipas librave të Ofiqarisë deri më vitin 1921.

Pastaj që nga viti 1925, në shënimet e të lindurëve shënohet për prindin edhe përkatësia fetare muhamedane dhe vjetërsia e babës, ndërsa që nga viti 1926 shënohët arnaut, ndërsa që nga viti 1928 shënohet se flasin gjuhën arnaute, kurse kjo hiqet që nga viti 1929.

Prap pas viti 1931 futet në shënim feja muhamedane, arnaut dhe se flasin gjuhën arnaute.

Është me rëndësi të cekim se që nga viti 1933, në Ofiqarinë fetare të Xhamisë së Vjetër fillojnë të regjistrohen edhe të lindurit nga Tërrnava, Rahovica, Norça me imamin dhe ofiqarin Hafëz Lutfi Ahmedi. Sipas të dhënave të Sulejman Ahmetit, të ndjerë, baba i tij Hafëz Lutfi Ahmedi ka udhëhequr ofiqarinë afro 30 vite, pastaj e ka dorëzuar në Ofiqarinë e administratës komunale në Preshevë.

Ofiqaria zyrtare në administratën komunale të Preshevës filloi më qershor 1946, atëherë kur të gjitha Librat e Ofiqarisë Fetare të të Lindurve të Xhamive, Kishës dhe Libri i udhëhequr në gjuhën bullgare, sa ishte Bullgaria okupuese në Preshevë kaluan zyrtarisht në administratën komunale dhe prej kësaj date Ofiqarinë e udhëheqin Ofiqarë të Administratës komunale të komunës së Preshevës.

Referencat

1.Librat Fetare të Ofiqarisë në Xhaminë e Vjetër dhe të Poshtme, në Kishën Ortodokse Serbë dhe në gjuhën bullgare

2.Vardarska banovina, Kumanovski okrug, srez Presevo, knjiga III, Beograd, 1938

3.Banovina Vardarska, opsti pregled, Skoplje, 1931

4.Kraljevina Srba, Hrvata i Slovenaca, Recnik mesta 1925, Beograd, 1925

5.Nehat Hyseni, Uspon i pad Preseva kao regionalnog centra u istoriji, ëëë.presheva.com, Presevo, 25. februara 2010.godine

6.Xhemaledin Salihu, Përfaqësimi i Shqiptarëve të Rrethit të Preshevës në organet dhe institucionet partiake e shtetërore në vitet 1945-47, Zemra shqiptare, 02.08.2010

Preshevë, më 4 janar 2014