| E premte, 03.01.2014, 07:18 PM |
NEKI LULAJ
NATË NË KOSHARE
Në mes të kufirit terrin e shpojnë krismat
Drita e zbehtë përkëdhel buzët e hënës
Mbi rrasa e mes zgërbonjave atje, tek lisat
Shpendmira këndon ilirisht me forcën e ëndrrës
Lloha bie në fytyrat e njoma të luftëtarëve.
Shkrin borën e prillit të ftohtë, mes kaltërsisë
I kishte lektisur dashuria për Nënën e madhe
112 zemra
shqiptare nxorrën gurin e ndasisë
Zemra flenë bashkë mes myshqeve, mer drurëve, gurëve
Nanurisin gjethet pranverore në shtigje mes çdo udhe
N’Luginën e Lavdisë luftëtarët mbeten mes istikamit e kujtesës
Shpirtengjëjt shndërisnin mbi liqenj mes kësaj freskie
Soditnin si vravashka hënën mbi valën e praruar
Puthnin bregun si Goca e Kaçanikut mes lugine
Etjen e shekullit duan ta shuajnë pa u frikësuar
Në heshtjen e rëndë të mbushur me agshol atë mëngjes
I thurrin epitafe lavdie heroizmit e krenarisë
Dëshmorët janë ajka e fisit që koha s’do t’i tresë
GURRA E STANIT
Gurra para stanit lëshon ujin e qelbur të vetmisë
Currilat rrokullisen njëra-tjetrën duke u kafshuar
Thyhen si qelqi ne mes ngricave të dimrit të ngrirë
Vetmisë në bjeshkë para stani duke i kënduar
Nuk sjell më zhurmë stani nga zëra fëmijësh
Nuk e kthehet me zëri i lugut nga fyelli i bariut në luginë
Nuk dëgjohet me këmbora e qingjave kërthinjë
As shpendmira nuk këndon mbi pllajën e bagëtisë
Shakullin bora xixa-xixa përmbi kodra e maja malesh
Uturijnë drurët e kërcasin nga pesha e kërrusur
Ariu bën gjumin diku thellë në shpella ndër shpate
Në pranverën e blertë stani shpërthen sërish prej zërit
NA DOGJËN
Na dogjën kullën të çmendurit e shumtë
U mashtruan nga çmenduria e hienësisë
Druri i thatë rriti hirin mbi trup e mbi gur
Heshtja jetoi me ditë javë e muaj
E themeli u forcua më shumë
Mbi tokën ku kishte veç bekim
Flakoi lotoi në majë të kulmit
Dhe i shkriu zinxhirët e ndryshkur të robërisë
I mallkova armiqtë e ndyrë të fshur mes tymit
Bashkë me turpin ikën morën arratinë
Në themelin e kullës
Gjyshi kishte fshehur thesar me flori
E kulla gurë e mjaltë...
Oh, ç’ëmbëlsi..,....
KËSHTU
(Poezi satirike)
Ecëm në baltë në shteg të së tatëpjetës
Vrapojmë pa pushim në trok të kalit
Atje ku jeta na kurdiste mes prapaskenës
Jetuam çastet e papritura nga kurthi i djallit
Vezullon dinakëria si margaritar i fshehur
Gagaris kudo në kor si nopram
Si agzot i fshehur nën copën e eshkës
Mbi ojnik u shfaq si në oshmak
I zenë keq në një lesë në një gardh
Pëpiqet të gëlltisë mëkatin të flakë
Në adresë universale me zemrën farmak
Shërbehet si orkide me gjoksin bujar
BETIMI
U betova në Mesharin e lashtë të Buzukut
Në kokën e mençur të Pjetër Bogdanit
Në përkrenarën e art të Skënderbeu Burrit
Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me fjalë vatani
Në vendimet e Kongresit të Manastirit
Në themelet e lashta të kullës së Vlorës
Në lutjen e bamirësisë së Nënë Terezës
Në shallin legjendar të Ibrahim Rugovës
Në urtinë diplomatike të Sali Çekut hero
Në kodin e juristit që vetëm për kombin mendon
Në betimin dhe moralin e Ushtrisë Çlirimtare
Qe gurin e nxorrën nga zemra e ndarjes në Koshare
U betova në Besën e Arbërit në Kodin e Longarit plak
Në legjendën e fisit shaljan, në gurët dhe frëngjitë e Dukagjinit
N’Sheshin e Deçanit, n’Oborrin e Mullirit ku bën roje si Ylli polar
Sali Çeka që rrezon hijedrite si dëshmori mbi një komb
SONTE
Stërkala mbi gjamë vërshojnë si përroska vjeshte
Mbi parmakët e dritares heshtja ndrydh vetminë
E sipër faqeve të qelqit shkruhen imazhe jete
Mes zefirit përplaset porta që kërcet nga era e vetmisë
Kullë boshe pa fëmijë nuse, burra e pleq
Mes zgalave të murit përshpërit vetëm era
Merimanga në shtatin e parajës fle e qetë
Oh po shumë paska hapur krahët heshtja
Porta e drurit me dhimbje kërcet e vetëm kërcet
Macja mjaullin për një copë bukë në tasin e vjetër në odë
Nuk ka fëmije në oborr e lulja ka mbetur e shkretë
Mungonn zëri i pleqve dhe kutia e duhanit të fortë
ATDHEU IM
Atdheu im është tokë me eshtra të pa tretura
Atdheu im është fushë me kufoma të pagjetura
Atdheu im është tokë dëshmorësh me shekuj
Atdheu im është tokë e bekuar që ka vetëm engjëj
Atdheu im është tokë me trima e heroina
Atdheu im është tokë e mbushur me legjenda
Atdheu im është tokë me beteja ku ecën lavdia
Atdheu im është tokë e kullë ku flet rezistenca
Atdheu im është feniks tokë e djegur e ngjallur
Është guri ku kokën kam vënë ditën e natën
Atdheu im është tokë e ballë i stuhive të historisë
Atdheu im është tokë e gjuhë e bekuar e perëndisë