| E diele, 01.06.2008, 02:11 PM |
CURRICULUM- VITAE
Zhuljana Jorganxhi
Zhuliana Gaqo Jorganxhi lindi në qytetin e Korçës më 14 gusht 1946, në një familje me tradita muzikore. Mësimet e para dhe ato të mesme i mbaroi në qytetin e lindjes më 1964. Më vonë vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi pranë Fakultetit të Shkencave Juridike, kursin e gazetarisë, duke u diplomuar njëkohësisht si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe si gazetare. Menjëherë pas mbarimit të studimeve ka punuar për gjashtë vjet si gazetare në revistën "Shqiptarja e Re" dhe nga viti 1975-1981, si redaktore letrare dhe poete e këngës në redaksinë e Krijimtarisë dhe Inçizimeve Muzikore pranë Radiotelevizionit Shqiptar.
Botimet
Aktivitetin e saj letrar e ka filluar herët dhe që prej moshës 17 -vjeçare, poezitë e saj shohin dritën e botimit në gazeta dhe revista si "Drita", "Zëri i Rinisë", "Nëntori" dhe "Les lettres albanaise" etj. Ka botuar libra me poezi si "Net’ provimesh"(1969), "Rritje"(1971) ,"Lule në pemën e lirisë" (1982) vëllimin me tregime për fëmijë "Fëmijët e teto Nastës"(1975), “Gaqo Jorganxhi dhe grupi “Lira” (Monografi letrare) (2005), vëllimet me poezi “Dhimbje e ndaluar” dhe “Dhembje e bukur”(2008).
Çmimet
Ka marrë pjesë në konkurse letrare kombëtare dhe ka fituar dy herë çmimin e dytë dhe të tretë për poemat e saj. Por, aktivitetin e saj më të madh, krahas poezisë dhe tregimit, e ka zhvilluar pas vitit 1974 në gjininë e tekstit poetik të këngës. Është autore e mbi 2000 teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në RTSH dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e RTSH, si ai "Kur vjen pranvera", "Këngët e stinës", dekadat e Majit dhe në festivalet e fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë. Përveç krijimtarisë së saj poetike ajo ka qenë redaktore letrare e gjithë teksteve të festivaleve për mbi njëzet vjet.
Është fituese e nëntë çmimeve të para dhe shumë të tjerave në festivalet e fundvitit dhe në koncertet “Kur vjen pranvera” dhe “Këngët e stinës”.
Jashtë
Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Hollandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni.
Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit, në 40- vjetorin e Festivalit të Këngës në RTSH më 2001, iu dha ÇMIMI I KARRIERËS dhe në vitin 2005 mori çmimin e “Mirënjohjes” nga Rtsh.
Ndër tekstet poetike të këngës mund të përmendim: "Jon", "Se kënduam Let it be", "Jeto dhe jeten time","Bashkëmoshatarët", "Në duart e nënës", "Jemi emri i vetë jetës", "Kthehu për vete, për mua!" , "Ne, bijtë e lirisë" etj.
Nga Albert Zholi
Zhuljana Jorganxhi /Politikanët, duhet të kenë më shumë dhembshuri dhe dashuri për këtë popull dhe për këtë vend të shumëvuajtur
“Flijova” shumë dhembje “të ndaluara”
Jo më shumë se dy këngë dashurie në festival
Ishim edhe në veshje të “standartizuar”, si gjithë jeta jonë e bunkerizuar.
Një nga emrat më të njohura të poezisë shqiptare, sidomos të teksteve të këngëve në festivalet e Raditelevizionit Shqiptar, Zhuljana Jorganxhi dhe pse larg vendit për afro dy dekada, krijon, komunikon, frymon gjithnjë shqip. Jo me shumë se dy javë më parë, ajo promovoi në ambientet e TOB dy vëllime poetikë “Dhembje e ndaluar” (me poezi të ndryshme) dhe “Dhembje e bukur” (me lirika dashurie). Në këtë promovim, unë pashë ajkën e intelektualëve shqiptarë të muzikës dhe poezisë, që mund t’i mblidhte të gjithë në heshtje vetëm firma “Made in Zhuljana Jorganxhi”, pasi si rebelë dhe selektivë në shijen e krijimit, këta gjigandë të rrallë të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, nuk mund të konsumohen lehtë. Agim Krajka, Anida Take, Natsha Lako, Zhani Ciko, Mevlan Shanaj, Avni Mula, Myfarete Laze, Osman Mula, Nina Mula, Bradhyl Bejko, krijuan një atmosferë që rrallëherë mund të krijohet në promovime librash. Ky promovim u kthye në një minikoncert, ku nuk munguan këngët, muzika, kujtimet, kritikat, bisedat për librin, muzikën, pikturën. Një takim artistësh për artistët. Aty mund të mblidhje grimca jete që vlenin sa për dhjetëra artikuj gazete apo pasqyrime kronikash rutine televizive. Pasi jeta e vërtetë e këtyre talenteve, përmban brenda visare që rrallëherë mund tua nxjerrësh në intervista ekskluzive, por që në biseda të tilla i lëshojnë pa teklif si mes miqsh, pa ditur që dikush si i etur ndaj anës së pathënë të VIPA-ve, mund t’i thithë për t’i mbajtur si thesare. Dhe pse e emocionuar, Zhuljana në këtë ditë, u paraqit denjësisht, ashtu si e kanë njohur në vite shqiptarët në ekran, radio, intervista, apo në krijimtari, e thjeshtë, elegante, krenare, e sinqertë, pa teprime, një grua e vëtrtetë shqiptare, nga ajo rraca e rrallë e pastër e gjakut të Teutës, që aq shumë i mungojnë Shqipërisë në këtë kohë të mjegullt me qiell gri.
Sa kohë ndenji Zhuljana për të nxjerrë në një ditë dy libra?
Këto dy libra “Dhembje e ndaluar” (me poezi të ndryshme) dhe “Dhembje e bukur” (me lirika dashurie) kanë qenë dy pengjet e mia nëpër vite. Për to kam punuar shumë dhe i kam mbledhur nëpër vite. Aty gjen poezi të viteve ‘70, ‘80, ‘90 dhe poezi të viteve të fundit. Ndihem e kënaqur që tani këto poezi më në fund panë dritën e botimit.
Çfarë do të veçonit nga jeta juaj shkollore?
Do të veçoja ndoshta dy vitet e gjimnazit: të parin dhe të fundit, maturën. I pari, sepse është ai kalim nga adoleshenca në rininë e hershme dhe s’di pse në kujtesën time ai vit ka mbetur si një stinë pranvere. Viti i fundit i gjimnazit është ndoshta ai kur njeriu e ndjen se ka lënë prapa fëmijërinë, adoleshencën dhe hyn në një moshë plot vrulle dhe pasione, siç është rinia. Atë vit unë fillova të shkruaj poezi dhe nuk e harroj që botimi i poezive të mia të para në gazetën “Drita” ka koinçiduar me mbrëmjen e maturës, 28 qershor 1964.
Cilat kanë qenë ëndrrat tuaja në shkollë?
Ëndrrat e mia gjatë viteve të shkollës kanë qenë: e para, ta mbaroja atë me rezultate sa më të mira, të më jepej e drejta e studimit në degën që unë dëshiroja dhe kjo degë ishte gjuhë-letërsi.
Cilat ishin prirjet tuaja dhe a keni qenë ndonjëherë në ambiente televizive në vitet e shkollës?
Unë kam studiuar gati dhjetë vjet piano, sepse jam rritur në një familje me tradita të hershme muzikore, që nga stërgjyshi im, im atë Gaqo Jorganxhi “Artist i Merituar”, solist i grupit “Lira” për 65 vjet me rradhë, vëllai i madh Rikardi, i cili është dirigjent orkestre simfonike dhe kompozitor, motra Rozmari, dirigjentja e parë shqiptare dhe mexosoprano që këndoi për 30 vjet në TOB. E rritur pra në këtë ambient muzikor, ku edhe vëllai i vogël Edmondi studioi gjashtë vjet violinë, u zhvilluan prirjet e mia për muzikën. Unë them se ishte muzika ajo që më çoi tek poezia. Kur unë isha në shkollën e mesme në Korçë, ende në qytetin tim nuk kishte një stacion televiziv, kur dihet që dhe ai i Tvsh-së, ishte ende një stacion eksperimental, kështu që nuk kam pasur fatin që të kem qenë në ndonjë ambient televiziv në vitet e shkollës.
Studente dhe ëndrrat për jetën
Vitet studentore kanë qenë vite të bukura, me gjithë mungesat që ka pasur brezi im i viteve ‘60. Ato vite më kanë dhënë shumë mikesha dhe miq. Kam ende një miken time të shtrenjtë të atyre viteve dhe miqësinë me të e kam të shtrenjtë. Ajo quhet Madalena (Ujka) Baci, nga Shkodra. Gjithashtu ato vite më kanë dhënë miq, shumë nga të cilët sot janë poetë, shkrimtarë, kritikë, gazetarë, këngëtarë të njohur si: Natasha Lako, të ndriturin Faik Ballanca, Pandeli Koçi, Shefqet Tigani, Kiço Blushi, Zija Çela, Emine Sadiku, Hatixhe Reka, Ludmilla Pajo, Arshin Xhezo, Shaqir Rexhvelaj, Ahmet Shqarri, Vladimir Grillo, Ylli Pepo, Petro Lati, Shyqyri Skënderi,Sherif Merdani, Sedat Brahja, Xhevat Mustafa, Lulëzim Veisiu, të ndjerin Viktor Qurku, Qemal Sakajeva etj.. Kur filluam studimet asnjë nga ne nuk e mendonte, se do të “mbeteshim” në Tiranë, por atëhere kishte nevojë për gazetarë dhe shumë nga ne menjëherë pas studimeve filluam punën nëpër gazeta, Radio “Tirana”, në televizion, në kinostudio dhe në revista të ndryshme. Kështu them, se nëse puna në një revistë, gazetë, Radio “Tirana” dhe televizion për ne ishte një ëndërr e largët, kjo u bë shumë shpejt realitet. Unë kam punuar si gazetare shtatë vjet (1968-1975) në ish- revistën “Shqiptarja e re” së bashku me miken time të shtrenjtë, poeten Natasha Lako dhe me piktoren e mirënjohur Eleni Laperi.
Cili ka qenë poezia e parë që keni shkruar dhe kujt ja keni dedikuar. Si jeni ndjerë atë ditë?
Poezia ime e parë ka qenë një vjershë dashurie. Atë nuk ia kam kushtuar askujt. Ka qenë ndoshta ndikimi i poezisë ruse, i poetëve si Pushkinit, Ljermontovit, Esenini a e poezisë shqipe në ato vite. Unë sa kisha mbushur të 17-tat dhe ai frymëzim më ka gjetur papritur. Erdhi poezia tek unë dhe unë shkrova atë vjershë: “Mirëseerdhe dashuri!”
Ndoshta ishte ajo moshë kur të gjithë bëhen poetë…
Cilët kanë qenë idhujt tuaj në letërsi?
Kam pasur shumë idhuj letërsie në moshën time të rinisë. Nga letërsia e huaj do të veçoja: si poetë: Uitmanin, Ricosin, Pushkinin, Ljermontovin, Eseninin, Majakovskin, Brehtin, Miskieviç, Petëf, Emineskun etj. Në prozë: Çehov, Gogolin, Shollohov, Remarkun, Drajzerin, Londonin, Pirandelon, Morgan, Tarle, Moravia, Gorsuorth, Mensfilld, Man etj. Nga letërsia jonë: Naimin, Çajupin, Asdrenin, Nolin, Lasgushin, Migjenin dhe nga letërsia e kohës: I.Kadarenë, D.Agollin, Dh.Shuteriqin, P. Marko, Dh.Qiriazin, Dh.Xhuvani, N. Prifti, H. Kadare, D. Shapllo,V. Koreshin, etj.. Tani më vjen shumë keq që në rininë time nuk kisha mundësi të njihesh me veprat e Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ernest Koliqit dhe shumë autorë të tjerë të viteve '30, po kështu dhe me autorë të huaj kontemporanë.
(Mendo që në vitin 1967, në fakultet, për letërsi kineze, kemi dhënë në provim veprën e 4-tërt a të 5-të të Mao Ce Dunit!!!)
A do ta ndryshonit këtë profesion me një profesion që do t’u bënte të pasur?
Kurrën e kurrës! Pasioni nuk mund të shkëmbehet me të holla.
Ç’është dashuria për Zhuljanën dhe a ekziston dashuria e vërtetë?
Dashuria është për mua ndjenja më sublime dhe më e bukur, që Zoti i fal njeriut. Pa dashuri bota vdes! Nuk mund të thuash dashuri e vërtetë, apo e pavërtetë. Dashuria është një dhe ekziston. Çdo njeri e ka një dashuri dhe kjo është e vërtetë, ajo jeton edhe kur duket se ka ikur diku!
Dita më e bukur si krijuese dhe dita më e vështirë?
Kam shumë ditë të bukura si krijuese. Psh: Botimi i poezisë së parë, botimet e librave të mi: “Net Provimesh” (poezi viti 1969), “Rritje” (poezi dhe poemë, viti 1974), “Fëmijët e teto Nastës” (tregime për fëmijë, 1975), “Lule në pemën e lirisë” (poezi dhe poemë,viti1982), “Gaqo Jorganxhi dhe grupi Lira” (monografi latrare, viti 2005) dhe së fundi dita e promovimit të dy librave të mi me poezi “Dhembje e ndaluar” dhe “Dhembje e bukur”, më 27 prill, ditën e Pashkës së Madhe për orthodoksët! Gjthashtu ditë të bukura kanë qenë dhe ato kur poezitë e mia janë botuar në Hollandë, Greqi, Rumani,Kosovë, Sloveni dhe Japoni. Ditët më të vështira si krijuese ka qenë kur për hir të çënsurës të hiqeshin poezitë ose tekstet , që i kishe më për zemër, ato liriket, sepse erdh’ një kohë që, nuk lejoheshin më shumë se dy poezi të tilla në një vëllim, ose jo më shumë se dy këngë dashurie në festival. Kjo më ka ndodhur sidomos në vitin 1982 në vëllimin “Lule në pemën e lirisë” dhe kur në festivalin e 16-të hoqën këngën e A. Krajkës dhe këtë herë e kishin me kompozitorin. Po kështu në një festival tjetër, hoqën një këngë shumë të bukur të A. Balliçit kënduar nga K. Dushi, me tekstin tim, një tekst dashurie. Nuk mund të harroj se si na hoqën një këngë përsëri shumë të bukur me nipin tim Gjergjn të kënduar nga motrat Libohova (dilnin për herë të parë) dhe një djalë i ri. Ishte një trio e shkëlqyer. Titulli ishte “Jetën dashuro!”. Disa "inkuzitorë" të artit na thanë, se ishte në frymën e grupit “ABA”, sepse kënga ishte e një fryme të re.
A është marrë me politikë Zhuljana dhe përse?
As jam marrë ndonjëherë me politikë dhe as kam qenë ndonjëherë anëtare e ndonjë partie. Kjo ka qenë një porosi e të ndjerit atit tim, por edhe mua nuk më ka pëlqyer angazhimi politik. Tjetër gjë është simpatia politike. Jam demokrate në shpirt, sepse me demokracinë unë fitova atë liri, që më mungoi sa fillova të shkruaj. Brezi im e ka vuajtur shumë politizimin dhe indokrinimin në art, çensurën dhe autoçensurën.
Çfarë i mungon politikës së sotme shqiptare?
E larguar prej shumë vitesh nga Atdheu e kam zor t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Po unë do të desha më shumë kulturë dhe profesionalizëm nga politikanët tanë. Duhet të kenë më shumë dhëmbshuri dhe dashuri për këtë popull dhe për këtë vend të shumëvuajtur. Në festivalin e fundvitit 2005 me mjeshtrin e madh të këngës Luan Zhegun dhe këngëtaren e mirënjohur Albëri Hadërgjonaj çova me tekstin tim këtë mesazh:
“Ti jo, mos u gëzo, kur unë dëshpërohem!
Ti, mos u pasuro, kur un’ varfërohem!”
I ndërroni shpesh veshjet, mos vallë gjithë rroga shkon për veshjet?
Cila rrogë? Unë ende nga Shqipëria, për gjithë atë aktivitet që kam bërë, marr një pension minimal prej 105 mijë lekë të vjetra! Por, kam familjen e motrës sime Rozmari dhe kunatit tim Kostandin Leka, të cilët përveç ngrohtësisë familjare, atmosferës së shkëlqyer artistike që më kanë krijuar, më kanë krijuar të gjitha kushtet për të jetuar shumë mirë dhe në veçanti ato për të krijuar.
Veshjen e ndërroj sa herë të dua sipas stinëve. Jam tip që pëlqen veshjen “sportive”.
Në rininë tonë deshëm të visheshim sipas modelit të të rinjve të botës, atyre të viteve ‘60-‘70, por nuk na lejohej. P.sh unë kisha shumë qejf pantallonat alla kauboj, por as që mund të ëndërroje t’i vishje, as minifundi jo e jo! Ishim edhe në veshje të “standartizuar”, si gjithë jeta jonë e bunkerizuar.
Çfarë pëlqen tek një njeri dhe çfarë kritikon?
Më pëlqen tek çdo njeri mirësia, mirënjohja dhe nuk më pëlqen, aroganca, banaliteti dhe mosmirënjohja.
Si ndjeni veten në emigracion?
Ju thashë dhe pak më lart, që këtu në Trieste të Italisë ndihem shumë mirë. Nuk më mungon asgjë për të patur një jetë komode. Jam e rrethuar nga njerëzit e mi të dashur, që më respektojnë dhe më duan, po ashtu dhe unë ata. Gjthashtu kam miq italianë që më respektojnë dhe më duan sinqerisht. Pastaj miqtë shqiptarë nuk më mungojnë asnjëherë. Një ndër to dhe mikja Vitore Stefa Leka, e cila bëri të mundur njohjen tonë.
A mendoni të ktheheni në Shqipëri?
Tash për tash nuk ma lejojnë kushtet që të vij, ndoshta në një të ardhme nuk i dihet…Atdheu është i shtrenjtë dhe kur je larg bëhet dhimbje e madhe…Këtu në Trieste edhe ëndërrat në gjumë janë Shqipëri. Në Shqipëri kam njerëzit e mi të dashur si vëllain e madh Rikardin, me bashkëshorten e tij Antonetën, një grua kjo e shkëlqyer, që ju shërbeu deri në fund prindërve të mi dhe sa herë vij në Shqipëri më pret krahëhapur dhe gjithë mirësi, dy fëmijët e tyre Albën me bashkëshortin e saj z.Sandër Simoni dhe djalin, nipin tim Lambertin.
Zemra ime tani është e ndarë në tresh: Në Shqipëri, në Trieste dhe në Kanada (Toronto), ku kam vëllain e vogël, Edmondin me bashkëshorten e tij të dashur dhe të respektuar Dritën dhe dy vajzat: Erlisin dhe Jerinën.
Sa çmime keni marrë në festivale dhe bashkëpunimet më të sukseshme?
Në gjithë festivalet që kam marrë pjesë, kam marrë 7 çmime të para dhe 4 çmime të para në koncertet “Kur vjen pranvera” dhe “Këngët e stinës”. Gjthashtu kam marrë shumë çmime të dyta dhe të treta.
Unë kam bashkëpunuar me plejada kompozitorësh, nga më veteranët deri tek më të rinjtë sot. Bashkëpunime të suksesshme do të quaja këngët: “Vajzat e fshatit tim” (me kompozitorin E. Shëngjergji), “Shoqet tona ilegale” (me të madhin A. Prodani), “ Gonxhe në pemën e lirisë” (bashkëpunim me poetin e ndritur R. Shvarc dhe kompozitorin L. Dizdari), “Koha nuk pret” (me mjeshtrin e madh të muzikës, të ndriturin F. Deda), “Dashuria jonë”, “Pragu i vegjëlisë”, “Eja!”, “Emrin kush s’ta di”, “Në sytë e tu”, “Lumturia s’është dhuratë”, “Fjalë lumturie” ( me mjeshtrin e madh të këngës Flamur Shehu) “Jon”, “Bunkerët”, “Jeto dhe jetën time”, “Pranvera me një lule s’vjen” ( me kantautorin e mirënjohur A. Gjebrea), “Mirësi” (me kompozitorin Sh. Saraçi), “Vala dhe shkëmbi, “Këmbanat e shpresës” ( me të madhin K, Laro), “Në duart e nënës”, “Për ty, baba!”, “Bashkëmoshatërëve” ,”Ne bijtë e lirisë” etj. ( me nipin tim, kompozitorin Gj. Leka), “Këngët e rinisë”, “Nuk jam vetëm”, “Jetoj”, “Shoqja ime”, “Nuk e harroj” (me kompozitorin e madh A. Krajka), “Se kënduam let it be” (me mjeshtrin e muzkës L. Zhegu), “Zemërzjarrta, moj” (me kompozitorin H. Zaharjan), “Kthehu për vete për mua”, “Gjysma ëndërr je , o grua” ( me mikun tim të shtrenjtë kompozitorin G. Mullahi), “Prehëri yt, o nënë!” ( të kompozitorit A. Balliçi) e shumë e shumë të tjera. Nuk mund të mos përmend këtu bashkëpunimin me ata bilbla të këngës sonë si hyjneshat e këngës shqiptare Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, këngëtaret profesioniste me një talent të rrallë si Ema Qazimi, Alida Hisku, Irma dhe Eranda Libohova, Liljana Kondakçi, Myfarete Laze, Parashqevi Simaku, Afërdita Zonja, Lindita Theodhori, të madhin Gaqo Çako, Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Frederik Ndoci, Kozma Dushi, Pëllumb Elmazi etj.
Sa jeni e lidhur me librin, po me shtypin?
Gjithë jetën, qysh se kam filluar të mësoj të lexoj unë kam lexuar dhe lexoj shumë. Atë që të jep libri nuk ta jep askush. Kur erdha këtu në Itali, njerëzit e mi e dinin dobësinë time për librin dhe që të nesërmen më çuan në librarinë më të madhe të Triestes. Aty më dogjën sytë nga lotët. Po gjeja librat që më kishin munguar gjatë jetës sime. Ata autorë që dikur ishin herezi, i kisha tani para syve dhe i preka si të prekja ikona. Në sajë të ndihmës së madhe të familjes së motrës sime, kunatit dhe fëmijëve të tyre shumë shpejt kam krijuar një bibliotekën time me gjithë autorët e mi të “munguar” dhe aq të dashur për mua. Aq sa të mijtë qeshin me mua duke më thënë: “Kudo që shkon, një bibliotekë ndërton!” Sa për shtypin, atë shqiptar e lexoj “tangent” nëpërmjet internetit. Lexoj me vëmendje vetëm faqen e kulturës. Edhe kompiuterin, që më lidh me gjithë botën e kam dhuratë nga njerëzit e mi të dashur.
Jeni xheloze ndaj kolegëve dhe përse?
Nuk kam xhelozi për askënd dhe as kam pasur. “Secili në këtë jetë, më thoshte e ndritura nëna ime, e ka pjesën e vet, ndaj s’duhet të kesh zili për askënd”. Gjithë jetën time kam parë punën time dhe me kolegët gjithmonë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera. Këtë e tregon dhe libri “Dhembje e ndaluar”, ku një e treta e librit iu kushtohet miqve dhe mikeshave të mia, ish- kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të mi, të cilët i ndjej akoma më afër tani që i kam larg.
Ushqimi i preferuar?
Mishi i gatuar mirë dhe bukur me zarzavate.
Pengu juaj në jetë?
Që “flijova” shumë dhembje “të ndaluara” gjatë karrierës sime si poete, si unë dhe bashkëmoshatarët e mi poetë. Shumë poezi dhe tekste, që në rininë tonë u politizuan mund të kishin dalë tekste lirike, të ndjera dhe sot artdashësit tanë do të kishin pasur akoma më shumë këngë të bukura. Kam edhe dy pengje, të cilat shpresoj një ditë t’i ve në jetë: Një libër me tekstet e mia më të realizuara dhe një libër kujtimesh për punën e kryer si poete dhe redaktore letrare në Rtvsh.