| E shtune, 04.01.2014, 06:07 PM |
Fetah Bahtiri (Suedi)
MONOLOG PËR KOSOVËN
1
Unë,
I humbur në largësi
Varrosa shumë vite!
Këtu vërejta
Se njerëzit ishin
Më helmues se gjarpërinjtë!
Shikova
Edhe lot të zi
Të mikeshës së djallit.
Këta lot i freskuan kujtimet
Për Ty,
Kosova ime!
Unë,
Larg Kosovës,
U ndesha me pëllumba të zi
Dhe engjëllusha pa krahë,
E ti, Kosovë,
Prapë,
E fortë,
Lart u ngrite!
2
I ndarë prej jetës
Shumë vite,
Jashtë njeriut –
Shumë mote,
E Kosova,
Dashuria ime e madhe,
U rrit e gufoi.
Kosovë!
Rrita ime!
Më erdhi vetë kjo këngë
Për Ty
Dhe
Si mjegull e lehtë
Hyri nëpër dritare
E
Drejt në gjirin tim!
3
Sa e imët që ishe,
Por, çfarë shkëmbi u bëre
Kaq shpejt
Me kaq lezet!
4
Kosovë!
Dashuria ime,
Sa shumë njerëz të kanë lakmuar…
E ne,
Sa fort jemi gëzuar
Për rritën tënde
Të amshueshme sot.
Shumë vdekje,
Për shumë lindje –
Për lindjet Tua!...
Edhe Diellin e ka fikur
Dashuria ime për Ty,
Kosova ime!
Fytyra më njomet me lot
Dhe nuk më teret kurrë!
5
Kur unë isha në Ty –
Ti ishe në mua,
Kosovë,
Rrita ime!
Me lot u ndava prej teje,
Me lot e mall
Kosovë!
Dashuria ime!
SI TË MOS THUREN EPOPE
1
Ku bashkohen në kalamendjen e vet dy lumenj –
Ibri e Sitnica,
Dehet e kotet në gjumin e vet
Qyteti im – Mitrovica.
Të njoh qe shumë pranvera,
E lashtë m`u dukeshe.
Një grusht njerëzish ishim
Dhe vetëm një grusht miell e kishim.
2
Para jo shumë vitesh
Qyteti agoi i zbardhuar
Dhe po atë ditë
Balli i shkëlqeu i praruar.
E vështirë është kjo rruga jonë!
I gjallë është jehu i punës!
E rëndë është barra e dhunës
Në lirinë e kufizuar!
Trepça e huaj na ishte –
Beogradin pronar e kishte!
Fabrika e akumulatorëve,
Duket si të jetë në duar të barbarëve!
Elektroliza e zingut, sa e mirë, sa e bukur,
Tani nga faqja e dheut është zhdukur!
Por, rrugët e asfaltuara
Me rrokaqiej më anësh –
Krenari e qytetit tim.
Lumenjtë e njerëzve
Në rrugë, në shkollë, në punë –
Pasuri në shpirt, pa fund.
3
Si të mos tregoshë përralla
Pas viteve tona të errëta!
Si të mos vesojnë agimet
Për zbardhjet tona të blerta!
Si të mos jehojnë këngë të bukura
Për lindjet tona të skuqura!
Hej! Si të mos thurësh epope
Për të sotmen tonë më të re!
FILLIMI I SHEKULLIT 21
Dritë e diell,
Terr e tmerr.
Nga Lindja –
çuditërisht:
Terr e tmerr.
Nga Perëndimi,
në Kosovë e Shqipëri:
Dritë e diell.
MITROVICËN KA KURORË
(Kushtuar Isak Ibrahimit nga Shupkovci, Mitrovicë,
i cili u vra nga snajperët serbë më datë 17 prill 2004
gjatë demonstratave në pjesën veriore të Mitrovicës)
Cili ishte trim më trimi?
Prej Shupkovci Isak Ibrahimi.
Nëpër plumba t`mitralozit
U vërsul mbi kullë t`bajlozit.
Isak Trimi shndrit Kosovën,
Zbardh Arbërinë e Diasporën.
U flijua – ra dëshmor,
Mitrovicën ka kurorë.
Flet Isaku duke dhënë shpirt,
Pranë një ylli që bënte dritë:
”S`dua të qahem, të vajtohem,
N`themele t`Kosovës po murohem.
N`ujë të Ibrit e t`Sitnicës,
N`qiell t`Kosovës e t`Mitrovicës,
Krahët i hapa e fluturova
Mbi këtë atdhe që dashurova.”
U flijua, ra dëshmor,
Mitrovicën ka kurorë.
NGA DRITARJA IME VËZHGOJ NJERËZ…
Shpeshherë,
Vonë,
Kur del Hëna,
Qëndroj në dritare.
1
Nga dritarja e shtëpisë sime
Vëzhgoj lumenjtë e njerëzve duke lëvizur
Nëpër marimangat e rrugëve, mrekulli,
Njerëzit e këtij shekulli.
Nga dritarja e dhomës sime
Kam vërejtuar kasollat
Duke u bërë rrokaqiej,
Rrugicat duke u kthyer në bulevarde,
Arat duke u bërë kopshte gjallërie,
Punëtoritë
Duke u bërë fabrika gjigante,
Jetën
Duke marrë ngjyrën e vet…
2
Kështu,
Nata u përplas më anësh,
Gazi i bardhë lulëzoi
Në flokët mëndafsh të njerëzve.
Këtu,
Në ditët vjeshtarake
Zbardhin agimet e ardhmërisë.
3
Nga dritarja ime
Vështroj lumenj njerëzish…
E rëndë ishte kjo lufta jonë,
Gjaku lumë ka rrjedhur.
Funeralet e arkivoleve
Kanë ecur memecë…
Njerëzit e funeraleve,
Fuqinë në zemër e kanë granit.
Njerëzit e funeraleve kanë bartur
Mbi shpatullat e veta barra të rënda
Deri në strofullën e amshueshmërisë,
Që njerëzit e robëruar t`i afrohen lirisë.
Nëpër rrugët e mjegulluara të qytetit tim,
Lotët gurëzohen mbi faqet kreshnike.
Edhe fjalët me zor dalin jashtë buzëve
Të të gjithëve, edhe të ogurzezëve.
4
Vonë, kur del Hëna,
Nga dritarja e dhomës sime
Vëzhgoj lumenj njerëzish
Që i japin ëndje jetës.
HALLI I TË URITURIT
(Motiv i shekullit 21)
1
Jam shtrirë mbi tokën cullake,
Me lot rrëke mbi faqe,
Po i kërcej drekat e darkat,
E bukë ka për të gjithë.
2
Unë – baba, ëndërroj bukën në sofër,
Dhe me zë vajtues në këtë kodër
U flas fëmijëve për bukë e jo për lodër
Se bukë ka për të gjithë.
Qajnë fëmijët e mi,
I hapin nofullat për kafshata:
- Pse ne, babë, nuk hamë bukë përditë,
E bukë ka për të gjithë?!
Vetëm kjo dhia jonë
Me qumështin e saj të bardhë,
Nuk po e shuan urinë tonë,
E bukë ka për të gjithë.
3
Ma jepni atë kazmën e madhe,
Të pedatem, të vërsulem,
E t`i sjell kësaj toke të trashë.
Këtu dua të këputem e të bie fashë.
4
Merreni këtë trupin tim,
Tani që u bë vonë,
Mendoni për urinë tonë.
Merreni këtë shtatin tim –
- futeni në ngujim!
Merrni edhe duart e mia –
Punoni për fëmijët e mi.
Merrni këto këmbët e mia –
Ecni për fëmijët e mi.
Merreni këtë trupin tim –
Ushqim për fëmijët e mi.
Merreni këtë zemrën time –
Jetë për fëmijët e mi.
Merreni këtë shpirtin tim –
Le të jetojnë fëmijët e mi.
Oh, ju lutem, fort ju lutem,
Merreni edhe këtë fytin tim,
Le ta vënë në litar të fortë –
Le të jetojnë fëmijët e mi!
MOTRA IME - HIDA
Iku Hida ime e re
U shua ylli i saj mbi dhe.
Nuri lule i motrës sime
U zbeh, aman pse?!
Eu Hidë, motra ime, eu!
Pse morti bash ty të rrëmbeu?
Kurrë s`e kisha besuar
Se kështu ke për t`u shuar!
Kur shuhet ylli
Engjëlli heshtet,
Goja mbyllet si dylli
E zemra vyshket.
Lotët më rrjedhin gurrë,
Që ti na le kaq shpejt.
Por ari nuk ndryshket kurrë,
Medet! Oh medet!
E di se kurrë, më kurrë
Nuk do të takohemi.
Vetëm në parajsën e merituar
Bashkë do të shpërmallohemi.
PARA PËRMENDOREVE TË NËNTORIT
Jam ulur në shkëmbin e Diellit të kuq,
Në mesin e mjegullës së errët,
E me duar të shtrira
Kah Përmendoret e Nëntorit
Të veshura me gjak lirie.
Tretem,
Kotem,
Dehem,
Para Përmendoreve të Nëntorit.
Jeni pas nisur atëherë
Për vdekje a Lavdi!
Jeni pas nisur
Për Lule e Diell.
Mbollët parzma e gjak,
Mbollët eshtra e skelete –
Janë rritur burbuqe e përgjakura;
Janë rritur trëndafilat e bardhë.
KËNDEJ …
1
Dikur,
O njerëz,
Këndej
Të parët tanë
Robë kanë gjallëruar.
Dikur këndej kanë bredhur
Karavanat e zi
Me karrocat e vdekjes
Duke bartur jetën
Ndër hallkat e veta.
2
Dikur këndej
Njerëzit,
Duke kaluar
Ndër pranvera të hershme,
Pa sy,
Të vetmuar,
Emrin vetëvetes ia kanë harruar;
S`kanë njoftë vjollca,
As lulebore,
Agime të bardha kanë ëndërruar.
3
Dikur këndet
Toka tmerrshëm ka rënkuar,
Pa lule e pa pranvera,
Ndërsa uji i Gjelbishtës
Këngë në vete rimuar ka,
Oh! Këngë të thjeshta,
Të cilat puthjet i kanë këmbyer.
4
Dikur këndej
Duke kënduar,
Njerëzit e humbur
Kanë menduar
Dhe vetëm kanë menduar
Për këngën e gjumit të lehtë.
5
Dikur këndej
Duke kënduar,
Do zemra
Riga lotësh ndër strehët e shtypjes,
Rënd kanë pikuar.
Duart e vashave janë shtrirë,
Kurse dushkajat e Dushqeve
Darsmorët e pranverës
Strehuar i kanë.
Edhe zogjtë e malit
Kanë cicërruar
Sa një grusht dashurie
Për ata dasmorë.
6
Dikur këndej
Dasmorët e agimeve të kuqe
Me duar të përvjelura
Kulla jete kanë ndërtuar.
7
Dikur këndej
Janë derdhur këngët
Më krenare
Dhe bjeshkët i kanë freskuar.
Tani
Këndej kalojnë
Njerëzit e trojeve të përgjakura
Me këngë ndër buzë,
Me agime të bardha
Nën sqetullat e zbuluara.
Ngjyrat e këngës së tyre –
Me sy ndezin.
Fjalët e këngës së tyre –
Dhembjet i shuajnë,
Oh! Dhembjet e njerëzve.
Ngjyrat e këngës së tyre,
O njerëz të pranverës -
Janë pikturat më të bukura
Për këngë të reja himni…