Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elida Buçpapaj: Malara, Rama dhe zonja Nishani

| E diele, 05.01.2014, 01:28 PM |


MALARJA, KRYEMINISTRI EDI RAMA I FTUAR TEK EMISIONI TOP STORY I SOKOL BALLËS, ZONJA E PARË ODETA NISHANI

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

1.Malarja

Në Shqipëri vdiq një djalë 29 vjeçar. Nuk ishte i sëmurë terminal. Nuk vuante nga ndonjë semundje e pashërueshme. Ai vdiq nga malarja! Sepse në Shqipëri nuk ka medikamente për kurim! Nuk ka kininë. Nuk ka asgjë.Sikur Shqipëria të jetë një vend i izoluar në ndonjë planet larg planetit tokë. Meqë kjo sëmundje e shkaktuar nga miskonjat moskitos është zhdukur nga Shqipëria që në fillim të viteve `60, Shqipëria nuk ka medikamente. Kështu tha specialisti Pëllumb Pipero.Deri tani në Shqipëri janë shfaqur 50 raste me malarje, njeri prej të cilit nuk është më në listat e të gjallëve, por Ministria e Shëndetësisë vazhdon ta mbajë malarjen jashtë liste. Kush vuan nga malarja t'i ketë medikamentet me vete! Kështu tha specialisti! Merreni me mend se ku jetojnë shqiptarët! Jo sikur jemi në shekullin XXI, ku rrugët e komunikimit janë të pafundme, por sikur të vazhdojmë e jetojmë në shekujt e errësirës të mesjetës.

2.Zonja e Parë – Odeta Nishani

Bledi Fevziu i bëri reklamë intervistës së Zonjës së Parë që i kishte marrë Opinion. Klani kishte shkuar në rezidencën e posarinovuar të presidencës së Shqipërisë. Bukuri fare. Aty gazetarja kishte lënë takim me zonjën Odeta Nishani. Ajo do të pyeste dhe Zonja e Parë do të përgjigjej. Por, kur nisi intervista, njeriu nuk kishte se çfarë të dëgjonte, as pyetjet dhe as përgjigjet. Megjithëse Zonja e Parë përsëriti disa herë se ajo i bashkërendon veprimet me stafin e presidencës, intervista linte shumë për të dëshiruar, linte gjithçka për të dëshiruar. Zonja Nishani mund të kishte emocione, mund të mos jetë mësuar të përballet me kamerat, por intervista ishte e regjistruar, që do të thotë se ajo kishte gjithë kohën e mjaftueshme të bënte një paraqitje dinjitoze. Sot femra shqiptare shfaqet shkëlqyeshëm sa i përket look-ut të jashtëm. Është e kuruar, vishet me shije, kujdeset për lëkurën, flokët, këpucët dhe çantat. Të njëjtin kujdes i duhet të tregojë edhe për paraqitjen e personalitetit. Zonja Nishani nga profesioni është inxhiniere ndërtimi. Që do të thotë se ka patur prirje për shkencat ekzakte dhe jo për ato shoqërore, që të duan të jesh edhe komunikative, e gojës, por tani ajo ka staf dhe duhet të jetë patjetër edhe komunikative. Për shkak se është Zonja e Parë e vendit. Nuk është mision i pamundur, që do të evitonte një dalje flop para publikut. Flop do të thotë fiasko. Dështim.

3.KM  PËR 100 DITËSHIN TEK TOP STORY I SOKOL BALLËS

Intervista e KM mbrëmë tek Top Story i Sokol Ballës me rastin e 100 ditëshit të qeverisjes. Kam respekt për Sokol Ballën si gazetar. Sepse në Tiranën ku gazetaria fair nuk ekziston, ai përpiqet të jetë korrekt me ndërgjegjen e tij. Në pyetjet që i drejtoi Edi Ramës, dua të veçoj atë rreth Gjykatës Kushtetuese, e cila hodhi poshtë aktin normativ për administratën.  KM tha se ai e ka të qartë se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk është i drejtë, por qeveria e tij do ta respektojë këtë vendim, sepse  Edi Rama nuk ka ndër mend  të dublojë paraardhësin, që i thoshte presidentit “ti je horr bulevardi”.

Pas kësaj vinte reagimi i Sokol Ballës, të cilin nuk e pashë të ishte botuar në shtypin e Tiranës. Sepse digjte, ishte diçka me spec. Prandaj është censuruar. Sepse censorët e Tiranës janë kampion në rrang planeti, s’ka më të zotë se ata në profesionin e tyre që e kanë trashëguar prej kohës së diktaturës.

“Ok, tha Sokol Balla. Po votimi që bëri Gjykata Kushtetuese, pesë me katër, ishte një lloj votimi politik, sepse ata pesë gjykatësit që votuan kundër aktit normativ ishin të zgjedhur nga maxhoranca e djeshme dhe opozita e sotme”. !!!!

Edi Rama e pranoi si fakt, por nuk dha përgjigjen e  duhur se si do të zgjidhet rebusi i (zh)drejtësisë shqiptare e cila është jashtë funksionit kushtetues dhe në varësi të plotë të politikës. Dihet se një nga arsyet e refuzimit të katërt që na bëri BE ishte pikërisht edhe reforma në drejtësi, e cila kërkon një revolucion konsensual.

Sepse nëse nuk do të bëhet kjo reformë në drejtësi, qeverisja e PS e drejtuar nga KM Edi Rama do të dështojë, ashtu si dështuan qeverisja 8 vjeçare e PD, prej 2005-2013, dhe ajo e PS prej 1997-2005. Nuk do të kemi shtet të së drejtës por riciklim dështimesh. Mjerë shqiptarët!