Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ermira Babamusta: Nderohet Edon Molla

| E enjte, 02.01.2014, 06:25 PM |


Edon Molla, ylli i basketbollit amerikan nderohet nga Nju Jork Jankis dhe Guvernatori i Nju Xhersit

Nga: Ermira Babamusta, New York

Edon Molla është një figurë e shquar e basketbollit amerikan. Deri tani Edoni ka patur një karrierë mjaft të suksesshme në sportin e  basketbollit. Ka fituar dy kampionate në shtetin e New Jersey, dy tituj për Turne të Kampionëve dhe  dy kampionate kombëtare të Sh.B.A.-ve. Në vitin 2012 Edon Molla është përzgjedhur të luajë në “All Stars Game” (në lojën e yjeve), në përfaqësim të New Jersey-it kundra Connecticut.

Edon Molla dhe ekipi i tij janë nderuar nga Guvernatori i New Jersey Chris Christie për fitoren e kampionatit të parë kombëtar dhe nga New York Yankees në stadiumin famoz “Yankee” për fitoren e kampionatit të dytë kombëtar.

Aktualisht Edon Molla është basketbollist i Divizionit të I-rë në kolegjin “Shën Francis” në New York. Ëndrra e tij është që të ketë një karrierë profesionale në NBA ose Evropë dhe që një ditë të përfaqësojnë ekipin kombëtar shqiptar.

Fëmijëria dhe jeta sportive

Edon Molla ka lindur në mars 1994 në Ulqin, Mal të Zi dhe ka prindër Xhavit Molla (mësues i sportit) dhe nëna Merita Xharra-Molla (ekonomiste). Babai i Edonit. z. Xhavit ka lindur në Ulqin dhe në moshën 14 vjeç u vendos në Gjakovë, Kosovë për të ndjekur shkollën e mesme. Pastaj në moshën 18 vjeçare u transferua në Prishtinë, për të ndjekur arsimin e lartë në Universitetin e Prishtinës. Nëna e tij, Merita Xharra, ka lindur në qytetin historik të Prizrenit në Kosovë. Në verën e vitit 1989 prindërit e tij u martuan dhe para se të fillonte lufta në Kosovë, ato emigruan në Amerikë, kur Edoni ishte vetëm foshnje, bashkë me vëllanë Admirin. Të dy djemtë flasin shumë mirë gjuhën shqipen dhe krenohen me prejardhjen e tyre shqiptare.

"Babai im më tregon sa e vështirë është jeta e emigrantit në vend të huaj. Gjithmonë më thotë që duhet punuar shumë dhe se suksesi arrihet me punë dhe respekt. Prindërit më kanë rritur në frymën e traditave shqiptare dhe nuk e harroj prejardhjen time. Krenohem me të. Më frymëzon fakti që shqiptarë të suksesshëm si Lorik Cana, që luan për Lazio të Italisë, zgjodhi të luajë për ekipin e Shqipërisë dhe i tha jo dy ekipeve më të mira, Francës dhe Zvicrës. Dua të paraqes një imazh të mirë të shqiptarëve dhe të influencoj rininë në arritjen e ëndërrave të tyre,” tha Edon Molla.

"Këtu në Nju Jork njerëzit i shohin të rinjtë shqiptarë si tipa fortë. Edhe traineri im ma thotë këtë gjë. Prandaj kur luaj nisem me motivacionin për t’ia bërë të ditur botës që shqiptarët janë të aftë, mund të ecin përpara dhe të arrijnë suksesin, ndonëse për të arritur aty kalojnë shumë vështirësi dhe nuk i shfaqin ato. Dua që të gjithë shqiptarët të arrijnë sa më lart dhe të kenë sukses,” shtoi Edoni.

Edon Molla u aktivizua në basketboll që kur ishte 5 vjeç dhe luante me vëllain e tij në një park pranë shtëpisë në Brooklyn, New York. Që në atë moshë njihej si lojtar shumë i aftë dhe më i miri duke luajtur me fëmijë më të mëdhenj se ai me kundërshtarë 17-vjeçarë.

"I jam shumë mirënjohës familjes time që më kanë mbështetur shumë. Babai merrej me futboll por unë zgjodha basketbollin dhe jam rritur me këtë lojë. Luanim me vëllain deri në mesnatë në park ose në palestër. Kemi qenë shumë të bashkuar familjarisht dhe përkrahnim shumë njëri tjetrin. Vëllai tani ndjek një nga shkollat më të mira, Universiteti i New Yorkut për avokati dhe punon shumë,” tha Edoni.

Nëna e Edonit, e inkurajoi atë ta merrte si profesion sportin që Edoni donte. Në moshën 8-vjeçare e regjistroi Edonin në ekipin e St. Columba, ku avancoi shumë shpejt. Kur ishte vetëm 13 vjeç luajti në lojën e kampionatit. Edhe pse ekipi humbi lojën, Edoni mori shumë vëmendje nga trajnerë dhe shkolla të mesme që ishin shumë të interesuar për ta rekruetuar. Mori edhe interesim nga mediat ameikane që filluan të shkruajnë për këtë talent të ri.

"Nga nëna kam mësuar vlerat dhe etikën e punës. Ajo vetë punon shumë. Nuk kishim makinë dhe me autobuza dhe trena më shoqëronte që të shkoja në praktikë dhe në lojëra. Madje shfaqeshim para se palestra të ishte hapur, orë më përpara. Kam mësuar nga mamaja të jem korrekt dhe i përpiktë. Babai më vuri parësore edukimin dhe që të dilja mirë në shkollë. Ma vuri kusht që nëse nuk jam nxënës i mirë me mesatare të lartë nuk mund të luaja basketboll. Prandaj për mua shkolla është e para, pastaj vjen sporti,” theksoi Edon Molla.

Suksesi në Shkollë të Mesme: Nderimi nga Guvernatori i New Jersey-it

Edon Molla ka luajtur në disa prej ligave dhe turne më prestigjioze të basketbollit si: Hoop Group Elite Camps, Five Star Camp, Nike IS8 League, Nike West 4th League, Rumble in the Bronx Tournament, Naismith Hall of Fame Tournament, Dan Finn Classic, Boast Mobile SNY Invitational Tournament, etj. Që nga klasa e 6-të ai ka udhëtuar në të gjithë Amerikën ku ka luajtur në turne dhe kampe mbi 30 shtete.

Në vitin 2009 Edon Molla vendosi të hyjë në shkollën e mesme mjaft të suksesshme të Shën Antoni, që ka një nga ekipet më të mira të basketbollit të historisë Amerikane. Njihet si më prestigjozja dhe më e mira në vend. Nën 40 vitet e fundit, trajneri legjendar që udhëheq ekipin, Bob Hurley ka thyer rekordin duke fituar 27 tituj, 13 turne të kampionateve dhe katër kampionate kombëtare, duke patur shtatë sezione fituese rrjesht të pathyeshme. Në vitin 2010 traineri Bob Hurley u emërua dhe emri i tij u shtua në “Hall of Fame” të basketbollit.

“Traineri im Bob Hurley ka patur kërkesa të larta nga ne lojtarët. Gjithmonë na shtynte që të punonim sa më shumë dhe të ishim më të mirët. Me të vërtetë është një nga më të mirët, një legjendë e historisë të basketbollit amerikan. Ka qënë i përkryer. Na ka mësuar si të ishim njerëz të mirë në rradhë të parë, dhe së dyti basketbollistë të mirë. E vlerësoj shumë përkrahjen dhe mësimet e tij,” tha Edon Molla.

Edoni ishte shumë i vendosur për të arritur ëndërrën e tij dhe të shkëlqente. Çdo ditë, zgjodhej në orën pesë të mëngjesit, udhëtonte dy orë (4 orë gjithësej) duke ndërruar disa trena vetëm për të shkuar në shkollë, nga New Yorku për në New Jersey. Si student dhe basketbollist Edoni cilësohej.

“Ajo që më shtynte ishte vendosmëria ime për të qenë më i miri në basketboll. Kam patur shancin të luaj me konkurencën më të fortë si Klyes Anderson, (UCLA), Myles Mack (Rutgers) dhe shumë të tjerë që kanë potencial për NBA,” tregon Edoni.

Gjatë kohës në shkollën Shën Antoni (St. Anthony) Edoni ka patur një sukses të madh. Bashkë me ekipin e tij të shkollës ka fituar kampionatin e New Jerseit, si dhe turneun e titujve të kampionit kombëtar për Sh.B.A-në. Gjatë katër viteve në Shën Antoni ka patur rekordin 127-5 dhe 66-0 në dy vitet e fundit. Vitin e fundit u zgjodh Kapiteni i Ekipit, një titull që iu dha nga trajneri legjendar Bob Hurley.

Në vitin 2012 Guvernatori i New Jersey-it, Chris Christie ka nderuar Edon Mollën bashkë me ekipin e tij të Shën Antoni për fitorin e kampionatit të parë kombëtar. Po ashtu Edoni dhe ekipi u nderuan nga New York Yankees, në stadiumin famoz “Yankee” për fitoren e kamptionatit të dytë kombëtar. Suksesi i Edon Mollës është përmendur nga mediat më prestigjoze amerikane si CBS 60 Minuta, ABC 2020, TLC Cake Boss, dhe në librin nga Daniel Pasner me titull “Chasin Perfect”.

Karriera në Kolegj dhe synimet e të ardhmes

Në vitin 2013 Edon Molla filloi shkollën e lartë të St. Francis ku ndjek dy degë, biznes dhe komunikacion. Aktualisht Edoni luan basketbollist i Divizionit të Parë, ku përzgjidhen lojtarët më të mirë në këtë divizion. Ky është viti i parë i Edonit dhe ka një rekord 9-5, ku mundi edhe Universitetin e Miamit dhe Oakland.

Po mësohem me jetën e universitetit. Kam një trainer shumë të mirë, Glen Braica dhe me shpresë se do fitojmë turneun me St. Francis,” tha Edoni.

Edon Molla pëlqen dhe respekton sportistë si Kobe Bryant dhe Lorik Cana. Ndjek lojërat e NBA, si dhe sportin shqiptar duke përfshirë ekipin e futbollit kombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës, si Trepça, Peja, Sigal Prishtina dhe Bashkimi. Ëndrra e tij është që të bëhet një lojtar profesionist në NBA, ose në Evropë. Edoni shpreson që një ditë të përfaqësojë Shqipërinë dhe Kosovën në ekipin kombëtar.

“I madhi Gandi ka thënë, fillimisht ato të injorojnë, pastaj të qeshin. Më pas të luftojnë dhe pastaj del fitimtar. Kështu dhe jeta ime. Fillimisht më përfillën dhe qeshnin se isha i vogël dhe luaja me më të mëdhenj se unë. Pastaj më kërkonin që të ishin lojtarë kundërshtarë dhe dola fitues. Unë besoj se nëse je i vendosur në jetë çdo gjë është e mundur. Nëse punon shumë mund t’i arrish qëllimet. Dua që një ditë të luaj për ekipin kombëtar shqiptar dhe të frymëzoj gjeneratën e re për të ndjekur ëndërrat e tyre në sport,” theksoi Edon Molla.