Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Shehu: Balada e Mashës

| E premte, 03.01.2014, 01:02 PM |


BALADA E MASHËS

NGA QAZIM SHEHU

Fjala në vatër  sitej gjithnjë

Nga burra të mirë,

Masha prushin hë për hë

E trazonte duke e nxirë.

Pse masha kjo vegël kapëse,

Kjo vegël e dashur me autoritet,

E prapste fjalën dhe e qaste,

Fjala pa folur bëhej shenjt.

Pastaj miku një cigare e nxirrte,

Pa e drejtuar në buzë fill,

Po mikut me mashë bujare,

Ia ndiznin shpejt me thëngjill.

Kjo vegël kapëse me dy veshë,

Që dinte ç`duhej bërë,

Pranë njerëzve rrinte si sojleshë,

Dhe ndalte një botë të tërë.

Një botë të tërë prapë e niste,

I zgjaste caqet pa kufi,

Zgjarrin kur donte e godiste,

Edhe pse skuqej gjer në habi.

Dhe kur mbaronte fjalë e bukur,

Fjalë e pagjetur kur dështonte,

Trokiste masha veshëstrukur,

Mbi dërrasa dhe kumbonte.

Sinjal i saj tek amvisat,

Shkonte me tërsëllimë,

Në sofër shtrohej raki, e dimrat

Jashtë rrihnin me trokëllim.

Sërish masha e ndizte jetën,

Rrinte pranë sofrës e urtësuar,

Lëngu magjik kur dehte tjetrin,

 Lëvizte mashë e tërbuar.

Sërish qetësohej nën sofër

Kjo kujdestare pa teprim,

Gjer njeriu bëhej si gogël,

Në avuj rakie pa harbim.

Kjo moshë e shekujve sot më flet,

Kjo bartëse jete me bukuri,

Sa herë pa gjumë i gdhiu netët,

Sa herë trokiti gjer u gdhi.

Sa herë ajo fluturoi drejt grave,

Teksa flisnin pa u menduar,

Dhe me to vrapoi përjashta,

Teksa iu dhimbsën të uruarat.

Sa herë atë e morën nga jashtë,

Edhe pse s`donte të vinte,

Ish shuar i lashti zjarr,

Dhe pa të nuk flakërinte.

Ajo ish bindur se ndaj grave,

S`duhej të qëllonte shpesh,

Ish mashë dhe si e tillë,

S`i rebelonte llapushët veshë.

Po sidoqoftë ish krenare,

Se ishte në  të vetin identitet,

Kur erdhën kohra më barbare,

Njeriu mashë u bë vetë.

Njeriu mashë në dorë njeriu,

Njeriu vjedh, nduk e vret,

Dhe nuk kupton kurrë fatziu,

Se në shërbime nuk ia del.

Në femrën atëhere e trembte masha,

E trembte sedra edhe turpi,

Sot gji e kofshë i nxjerr përjashta,

S`e tremb djalli ,as kukudhi.

Nuk ka zap që ta bindë,

Nuk ka bindje që ta mposhtë,

Edhe pse masha ndjen trishtim

Pse ish dikur kaq e pazonjë.

Dhe s`ka një zot ta ndalë sherrin,

As turp, as nder nuk ia del,

Atëhere kallashi pa u menduar,

Nga goja tym e zjarr i vjell.

Sa mall më ngjall mashë e vjetër,

Më kujton kohë të shkuar,

Edhe pse kurrë s`qesh i egër,

Edhe pse s`të pata në duar.

Ti send i largët arkaik,

Ardhë në shekuj siç ti qe,

Kur ndeze zjarrin për një mik,

Kur u shtrive nga inati përdhe.

Kur ti u mbajte nëpër duar,

Të njerëzve që s`janë më.

Por si një vegël fort e çmuar,

Porsi një zjarr që ndez pa zë.

Sa mall më ngjall mashë e vjetër,

Teksa të shoh ndanë e ndanë,

Tek shoh njerëz pa u stepur

Në duar njerëzish pehlivanë.

Se ti ishe më e sinqerta,

E lindur për të shërbyer,

Në vatrat tona të shtrenjta,

Ku lindi miqësi e parrëfyer.

 

DIKUSH ATË E TREMB

 

Dikush e tremba atë ,do vijë s`do vijë,

Si një lule përmbi gjemb, fillon të drithërinjë.

Një kod moral e mban ,një sy i mbuluar,

Një fjalë që përçan zemrën e paduruar,

Dhe si do ta gjejë shtegun pa na parë,

Dhe si do gënjejë për ne çka ngjarë,

Dhe vjen ajo në çast, duhet të jepet, ikën.

Si një yll që ndizet nga nata e ditën fiket.

Dhe vjen ajo e ikën dhe ikën e vjen shpesh,

Si yll që ditën fiket e natën rri sipër nesh

 

VARGU

 

Vargu i ngjet ngjalës ,ik nga oqeani në keneta,

Dhe fjala ngaqë s`duron hapësirat, shet hijete veta.

Dhe hijet  fjalës i bëjnë ca rroba të bukura,

Ku na pëlqen të vishemi si me fantazma të trishta,

Dhe vargu bëhet heshtë, merr fjalë e merr fjalë,

Dhe bëhet ai vreshtë dhe bëhet një andrallë,

E nganjëherë ikën si i marrosur prej kufive  vënë,

Siç ik pa u sosur një hije e shuhet pa u ngrënë,

Dhe vargu bëhet vete dhe vetja bëhet varg,

Sa larg i rrinë mundësitë e shprehjes dhe vdes me merak.

 

RROBA E FJALËS

 

Nëpër errësirë rreze e fjalës theksohet,

Në për konturet e Henri Matise skajohet,

Dhe shkrojat si kalë  në alarme hingëllimash,

E ndjejnë si shtyhen me radhë një prapësi mendimesh.

Pastaj të urtësuara futen në forma fjalësh,

Veshin rrobat e tyre, se duhet të dalësh,

Para lexuesit indiferent dhe nganjëherë sqimatar,

Që e kthen vështrimin shpejt  e ndjen si kusar,

Rrezikun e fjalës ,kurthin e mençurisë,

Të vërtetën që i ikën pa drojë fantazisë,

Dhe jeta që sjell të papritura të mëdha,

Forma e fjalëve griset e asnjë rrobë si mba…

 

PRITJA E ENGJËLLIT

 

Prisnim engjëllin për të cilin na thanë,

Se një ditë do zbriste ndër ne,

Aq të djallëzuar veten pamë,

Sa nga djallëzia nuk vinim re,

Se engjëlli s`donte të vinte,

Se engjëlli kishte frikë,

Krahët mbi ne të shtrinte,

Qoftë një vizitë.

Dridhjet vriteshin thellësi në puse,

Hidhej si disk kapak i kresë,

Dhe engjëlli syrin e nxirrte,

Si yll i dënuar pas resë.

Atëhere ç`të bënim ne pa engjëllin,

Kaq keq ishim djallosur,

Sa nisëm të hamë njëri tjetrin,

Nga ky engjëll i marrosur...

 

HON

 

I gënjeu dielli hijet në hone,

I gënjeu dhe u ngjit lart,

Në kupë të qiellit ku hedh onde,

Fytyrë e ditës, bukuri pa cak.

Seramida kur ndërtoi kopshtet,

Ndoshta kështu mendoi,

Që atëher honet lodhen,

Të heqin hijet e dështojnë.

Dhe dielli s`lëviz asnjë centim,

Nga rruga e vet e përpiktë,

Rrezet lëshon aty ku di,

Honet në hije brufullojnë frikë.

Dhe dielli jashtë tyre ndrit…