| E enjte, 02.01.2014, 07:23 PM |
Shtet i
zaptuar
Nga Arbana Xharra
Shtet i zaptuar, është titulli që vendosëm në ballinën e këtij edicioni special të gazetës “Zëri” për të përmbledhur zhvillimet e vitit që lamë pas.
Pat edhe sugjerime të tjera nga kolegët për titullin e ballinës, si: “Të izoluar”, “Vit i kthesës” etj.
Por secilin skandal, zhvillim politik, ngjarje rrëqethëse, që e numëronim të kenë degraduar shtetin e Kosovës gjatë vitit 2013, na çonte te një pikë, tek ata që na kanë zaptuar.
E këta zaptues kanë në dorë gjithçka që dikton denigrimin e shtetit tonë, në të gjithë sektorët kyçë të shtetit. Kanë zaptuar të gjitha rrugët, që u japin fuqi vetes.
Ky grup ka në duar deputetë të Kuvendit të cirkut të Kosovës, njerëzit e tyre tashmë kanë evoluar në diplomaci, ata janë përfaqësuesit tanë, e të tjerë që kanë në duar bordet e ndërmarrjeve publike, ku vendosin për asetet tona sikur t’i kenë gjetur në “bahçe të babës”.
E pjesë e këtij grupi janë edhe ata më të rëndësishmit: “bosët e keshit” të forcuar financiarisht që sjellin politikën dhe çojnë përpara agjendat e tyre.
Dhe jo të gjithë këta janë produkt i një partie. Pozitë e opozitë u bënë bashkë muaj më parë për të fshehur formularët e deklarimit të pasurisë së tyre.
Ata mund të na shfaqen në opinion si kundërshtarë të ashpër politikë, por kur vjen puna tek interesat e tyre bëhen bashkë. Qasja në luksin e tyre na bën me dije shumëçka, ndonëse jo të gjitha i kanë në emrat e tyre.
Kësaj iniciative të partisë në pushtet, PDK, iu patën bashkuar edhe partitë opozitare, LDK dhe AAK, për ndryshimin e Ligjit për Deklarimin e Pasurisë, Neni 13, i cili ndalon publikimin online të formularëve, përveç Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Ky pushtet gjatë vitit që po lëmë pas na tregoi për gatishmërinë që të jap gjithçka që është e jona për të shpëtuar komoditetin që u jep fuqia e pozitës.
Fokusi në politikën ditore na ka bërë të harrojmë se Kosova po krijohet në ambient perfekt për t’u rritur çfarëdo lloj ekstremizmi.
E sivjet, si kurrë më parë, jemi dëshmitarë të rritjes së apetiteve të grupeve të caktuara fetare për t’u bërë pjesë e politikës. Ata të cilët haptazi kërkojnë ta ndryshojmë Kushtetutën e Kosovës, nga ajo sekulare në fetare.
E në të njëjtën kohë nga ata 30 mijë të rinj, potencialë për t’u punësuar çdo vit, në momentin që ndeshen me dëshpërimin në këtë pushtet, bëhen pjesë vullnetare e “ushtrisë” së ideologjisë ekstremiste fetare.
Gabohemi nëse e nënvlerësojmë fuqinë e të dëshpëruarve në këtë sistem, të izoluar, të varfëruar e pa asnjë shpresë për zhvillim ushqejnë secilën herë e më tepër gatishmërinë për t’u bërë pjesë e manipuluesve, që u shpërlajnë trurin në emër të fesë.
Një sinjal i mirë na u dha sivjet, votuesit inteligjentë që treguan në zgjedhjet e fundit se me votën e tyre mund të ndërrohen së paku 20 kryetarë të komunave.
E ata të cilët e shohin Kosovën si pronë të tyre, me komoditetin e pushtetit të vazhdueshëm, me bindjen e sigurt se nuk mund t’i rrëzojë askush, njëkohësisht të forcuar financiarisht, kanë marrë një mesazh të qartë.
Votuesi u ka bërë me dije se po ndryshon dhe nuk duron edhe gjatë arrogancën dhe manipulimin. Të zaptuarit e kanë vetëm një shpresë për vitin që po hyjmë. Të çlirohen nga zaptuesit. Duke uruar të presim ditë më të mira.
Gëzuar 2014!