Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Prushi... i Qafë Prushit

| E marte, 31.12.2013, 06:10 PM |


Cikli poetik:

PRUSHI…I QAFË PRUSHIT

 

Nga Zeqir Lushaj

 

DO TË VIJË NJË DITË

– Në postën kufitare “Qafa e Prushit”, Tropojë, 1981 –

 

Gomilja me gurë  = piramidë ndërshqiptare!

 

…!

Do të kemi një ditë,

Shtete pa kufinj,

 

Do t’i hiqen dikurë,

Prangat globit.

 

At’here, (ndoshta),

Do të jemi të lirë,

 

Të barabartë,

Mbi këtë tokë të Zotit .

./.

 

-Nga libri “Lisi i shkruar”-

 

--------------------

QAFË-PRUSH

 

Nga vjen emri

Qafë-Prush?

Kush din (taman),

Me ma thanë?

 

…!

Ma thonë zemrat,

Që temperohen,

Si urëza oxhaku,

Prushit në dy anë.

./.

-Zogaj-Tropojë, Tetor, 1983-

------------------------

Kush dha urdhër me na varë…

 

Hoxhë Zogu e Gjelosh Rama…në litar!

 

Gjithmonë soj, -thonë asht’ kan’ B’tyçi,

Edhe ma nalt Hoxhë Zogu e ngriti.

S’deshti grada as pasuni,

Burri len’ veç histori .

 

Për Hoxhe Zogun, gjithmone flitet,

Emni i Tij  me brezat rritet,

Ai luftoi për liri të kombit,

S’ju tremb pushkës as konopit!

 

Vuatje të shumta se thyen burrin,

Kish lidh besë me Bajram Currin:

– Hiç mos ndiej nga Krajli as Mbreti,

–B’tyç – Berishë i kie me veti!

 

Besa e Hoxhës flakë baruti,

U pa n’Vlad u pa n’Qafë Prushi,

Fjalë e vepër si ndau trimi,

Hip n’konop, s’i trembet syni!

 

Drejt konopit, n’Selamet,

Gjelosh Rama, i jep gajret:

Kush dha urdhër me na varë,

– Ka me hup pa nam pa farë!

 

Ty, me shokë që s’u përkule,

Historia ju sjell lule,

Ju dëshmorë e patriotë,

Veç respekt kini nga mot’!

 

Me shume gjak jau përterim gjakun,

Për Lirinë, jo për t’marr hakun,

Prej shpisë tande o Hoxhë – Djali,

Katër vorre, n’shtek, t’u gardhi!

 

Mësim të madh, jep historia,

Jeta shkon por vjen Lavdia,

E një fjalë gjithkush ta ndiejnë:

Shqiptarët tuten nuk e dijnë!

./.

Zogaj, BC, 1987

-Nga libri “Fjala mbi tel…” fq 69-70-

---------------------------------

E PËRZIER: BIOGRAFI DHE ELEGJI

- Gjylë Selmanes, hallës time të vetme që se njoha kurrë –

 

Me Jakup Islamin, djalin e halles Gjylë, Tiranë 1983-

 

Një vit pas, në 1949-n,

Kur portat kufitare

E Qafë Prushit e Morinës,

U mshelen me zullum!

 

Ti, u ndave (e dënuar pa faj)

Mbete vetëm m’atë anë,

E në Gri, në djeplindjen tande,

…Linda Unë!

 

Mes Hallës dhe Nipit,

Në ujrat e të të njëjtit burim,

Politika na ndau aq shumë sa,

Nipi as sot varrin nuk ta din!

 

…!

Krahas gjakut edhe mosnjohja,

(Ndoshta) u ktheka në dashuri,

Gjithë sa le’ mbrapa,

(t’i ruejt Zoti), Hallë,

– Nuk po më peshojnë sa malli për Ty!

./.

-Nga libri “Pengjet” fq 32—

--------------------

GRANICA DO TË THEHET…!

- Profecia e plakut në bisedë rreth emigracionit në Kosovë-

 

Gri, 1974 (Foto: Kolë Progni)

 

Profeci… e rreth viteve -80-të,

(80-të e shekullit të shkuar!)

Atij burri i peshonte fjala,

Ndjej detyrë ta le të shkruar:

 

– Se po shihni gja të re nëpër Botë,

Të merrni rrugë djem nuk ju këshilloj,

Edhe po të jenë kufinjtë e hapur,

Si katundi yt, krejt Bota asht njësoj!!

 

…!

Kudo ka punëtorë dhe dembelë,

Kudo do të hasni besnikë dhe kusarë,

Gjithkund do gjeni pasanikë e të varfër,

Trima-Heronj e rrugaçë–zagarë!

 

Lëvizja asht jetë e syni e rrok Botën,

Fati asht bixhoz, (si një letër me birë),

Për rrugë të largët të nis veç halli!

Larg varreve tua zor do ndjehesh mirë.

 

E di se një ditë granica do të thehet,

(Vatha e mbyllur i cof edhe bagëtitë),

“Çobanin e mirë” e paçi me vete,

Sa ma larg… ma fort t’i hapni sytë!

./.

-Nga libri “VDEKJA E VARREVE”  fq 119-

-----------------------------

KRENOHEMI TË DY

-Poetit gjakovar, TAHIR BEZHANI-

 

Poeti e shkrimtari gjakovar T. Bezhani

 

…!

Mos thuej ma,

jam nip Zogajsh,

as vetem në Bytyç,

mos me thanë.

 

-Jam nip

i Malësisë së Gjakovës,

bertit të madhe,

dhe…ngul kambë!

 

…!

More vesh Nipalan?

A thue a po di?

Kjo është e vërteta,

dhe krenohemi të Dy.

./.

-Nga Nj, USA, Janar 2013-

-Per ZemraShqiptare, nga NJ, USA, funddhjetori 2013-