Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Dita e Flamurit - festë gjithëkombëtare

| E marte, 31.12.2013, 06:04 PM |


DITA E FLAMURIT - FESTË GJITHËKOMBËTARE

SHKRUAN: IDRIZ ZEQIRAJ

Shoqata Kulturore Shqiptare "Dardania", tashmë, e afirmuar për aktivitetet e saj n? Mannheim dhe qytetet përrreth, organizoi kremtimin e ditës të Flamurit Kombëtar dhe përvjetorin e 101 të pavarësisë të Shqip?risë tonë.

N? sallën sportive, të stërmbushur me mërgimtarë, të të gjitha moshave, moderatori dhe këngëtari Naser Tmava hapi manifestimin, me urimin përshëndetës drejtuar të pranishmëve. Pastaj ia dha fjalën kryetarit t? Shoqatës, Naser Hoxha, jurist i diplomuar, i cili u uroi mirëseardhje bashkatdhetarëve : "Zonja dhe zotërinj, të dashur fëmijë, të rinj dhe të reja; familje të dëshmorëve, invalidë të luftës, ish-luftëtarë; veprimtarë, mirë se keni ardhur në festën e madhe, ditën e Flamurit Kombëtar dhe 101 vjetorin e pavarësisë të Shtetit Shqiptar".

Zoti Hoxha përshëndeti edhe mysafirët e ftuar: Dr. Rita Saliu, e ardhur nga Amerika kësaj mbremjeje; poete, humaniste, veprimtare, e nderuar nga Majori i U.J. "Nëna Tereze"; e nderuar me Medalje nga Presidenti i Shqipërisë; shoqëruese e Presidentit Rugova, përgjatë vizitave të bëra në Amerikë; gazetarët Idriz Zeqiraj dhe Maxhun Smajli; ish të burgosurin e ndërgjgegjës - Tefik Ramadanin; nënkryetarin e Nëndegës të LDK-së për Rheinland Pfalz, Lush Canën; menaxherin dhe moderatorin e portalit "Kosovarimedia.com" -  Muhamet Hoxha; nënkryetarin e Shoqatës të Shkrimtarëve dhe të Krijuesëve në Gjermani - Neki Lulaj, poetin dhe anëtarin e kësaj Shoqate - Muhamet Lumën.

Luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore, vunë në pikëpyetje ekzistencën  e shtetit shqiptar

Në vijim kryetari i Shoqatës "Dardania", zotëri Naser Hoxha, foli për rrjedhat historike të popullit shqiptar përgjatë një shekulli: "101 vjet më parë Shqipëria jonë ka fituar të drejtën për të vendosur vet për të ardhmen e saj. Pas Besëlidhjes të Lezhës më 1443, të kryesuar nga Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu; të Lidhjes të Prizrenit më 1978, e përfaqësuar nga Abdyl Frashëri e Ymer Prizreni; Besëlidhja e Pejës më 1909 e Haxhi Zekës. "Besëlidhja e Junikut", me kryetar Avdyl Hoxhën, më 21 maj 1912, do të shënohet jo vetëm si ngjarje, e cila i parapriu kryengritjes të përgjithshme çlirimtare të shqiptarëve, por edhe si ngjarja më e madhe që i parapriu shpalljes të pavarësisë të Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, në Vlorën e Flamurit të Skënderbeut.

Ismail Qemal Vora ose Plaku Mjekërrbardhë, me suitën e tij kishte arritur, përmes detit, në Durrës, për ta shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Por, bashibuzukët shpitshitur e kishin penguar aktin solemn. Pastaj kishte udhëtuar me një karrocë baltrave të Myzeqesë për në Vlorën e tij. Dhe, më 28 Nëntor 1912, në Sheshin e sotëm të Flamurit, kishte ngritur  Flamurin Kombëtar, duke shpallur edhe Shqipërinë e pavarur, të mëvehtësishme dhe sovrane.

Megjithatë, pavarësia e shpallur, përshkak të rrethanave të kohës, nuk arriti të konsolidohet. Luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore, vunë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit shqiptar. Lakmitë e fqinjëve hileqarë e zullumqarë u sulën, si hiena, mbi shtetin e brishtë shqiptar. Vetëm formimi i Qeverisë të Sulejman Delvinës do ta mundësonte fillesën e stabilizimit të mirëfilltë të shtetit shqiptar.

Kombi shqiptar, përkundër vështirësive, asnjëherë nuk e ka humbur sensin e lirisë. Kosova pesë vite më parë fitoi pavarësinë; Shqipëria anëtare e NATO-s dhe po avanson drejt Bashkimit Evropian; shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoni po bëhen elementë me peshë; Kosova Lindore është në kërkim të të drejtave që u takojnë si shumicë popullate në ato treva; shqiptarët në vatrat e tyre në Mal të Zi, edhepse po përballën me dhunë shoveniste, megjithatë po rezistojnë në pushtetin e tyre lokal; Çamëria nuk po rresht së kërkuari territoret e saj të ligjshme, pas braktisjes të përgjakshme në mbarim të Luftës së Dytë Botërore.

Sot ndjehemi krenarë për rimëkëmbjen shqiptare. Edhepse të ndarë në disa shtete, çdo ditë e më shumë po veprojmë unik, të bashkuar dhe në mbështetetje të njëri - tjetrit. Vetëm në këtë mënyrë do t`ia dalim të rezistojmë dhe në kohë më të mira edhe ta realizojmë ëndërrën e bashkimit kombëtar.

Një vëllazëri unike

Sot fetojmë me miq dhe ndjehemi të fortë. Nga kjo tribunë përshëndesim popullin e madh gjerman, për mikpritjen e ofruar shqiptarëve të të gjitha trevave tona. Përkrahja gjermane, padyshim, zë vendin meritor, si për shumësi, ashtu edhe për cilësi. Mbështetja gjermane për kombin shqiptar zë fill një shekull më parë dhe kurrë nuk është ndërprerë, edhepse rrugaçëria komuniste e moniste, e kryesuar nga aventurieri Enver Hoxha, si vegël e sllavizmit, lëndoi rëndë miqësinë shqiptaro - gjermane.

Mërgata shqiptrare është urë-lidhëse në mes popujve tanë. Integrimi i tyre gjithnjë e më shumë, po i jap frutet e një vëllazërie unike, në shkallë evropiane. Pjesëmarrja ushtarake gjermane në çlirimin faktik të Kosovës dhe kontributi i madh në rindërtimin e konsolidimin e shtetit shqiptar të Kosovës, shton simpatinë e kombit tonë për popullin fisnik gjerman.

Urimin e madh për bashkatdhetarët tanë: GËZUAR - Festën e Flamurit Kombëtar dhe 101 vjetorin e pavarësisë të Shqipërisë, e shoqëroj me falenderimin e madh për kontributin e dhënë për mbijetesën ekonomike dhe lirinë e Kosovës tonë. Padyshim, pjesa më e madhe e mërgimtarëve tanë është ballhapur për veprimtarimtaritë atdhetare dhe ndihmesën materiale të dhënë për Atdheun", - përfundoi fjalën e tij kryetari i Shoqatës "Dardania", Naser Hoxha.

Në vijim programi u begatua me fjalën e mysafirëve. Përfaqësuesi i Këshillit për të huaj të qytetit të Mannheim-it, zotëri Tefik Ramadani, përshëndeti bashkatdhetarët në emër të pushtetit komunal, duke potencuar edhe bashkëpinimin e mirë të shqiptarëve me vendorët dhe integrimin gjithnjë e më të suksesshëm të bashkëkombasëve tanë në shoqërinë e përkryer gjemane. Zoti Ramadani porositi shqiptarët të jenë kooperativ në këtë bashkëjetesë dhe, në veçanti, brezin e ri shqiptar, ta ruajë ndjenjen e krenarisë shqiptare, duke qenë edhe i integruar në shoqërinë gjermane dhe në atë evropiane, në kuadrin e Europës të Bashkuar, ku aspirojnë dhe synojnë ta zënë vendin meritor edhe shqiptarët si komb.

Organizatorit të këtij manifestimi, Shoqatës Kulturore Shqiptare "Dardania", i kanë ardhur edhe disa telegrame urimi, - njoftoi Idriz Zeqiraj dhe ua transmetoi, me lexim, bashkëkombëtarëve të pranishëm në sallën festive: "Mikpritja e juaj do të mbetet e paharrueshme në jetën time dhe ishte një kënaqësi e veçantë kur isha në mesin Tuaj, në qytetin e bukur të Mannheim-it. Andaj, g ë z u a r 28 Nëntorin, dita e Flamurit kombëtar dhe pavarësia e Shqipërisë tonë, për të gjithë ju miq. Gëzuar për festën që na bënë krenarë", - shkruan Agron Kuqi, kryetar i komunës të Junikut.

"Kam nderin që në emër të Konsullatës të Republikës të Kosovës, në Frankfurt, të ju përshëndes përzemërsisht. Një mirënjohje të veçantë edhe për aktivitete shumëdimensionale për mërgatën tonë në Mannheim me rrethinë, ku Shoqata "Dardania" e ka shtrirë aktivitetin e saj. Kam nderin dhe kënaqësinë që të gjithë juve t `ju uroj festën e madhe të Flamurit dhe ditën e bekuar të 28 Nëntorit, e cila, me shpalljen e pavarësisë të Shqipërisë, i dha jetë dhe nder kombit shqiptar", - shkruan, veç tjerash, Konsulli Astrit Zemaj.

Për Shoqatën "Dardania" dhe kryetarin e saj Naser Hoxha, një përshëndetje të ngrohtë uruese, për festën e Flamurit dhe pavarësinë e Shqipërisë, ka dërguar edhe Shoqata Kultutore Artistike " Liridona" e Linc am Rhein.

Shoqata e Shkrimtarëve dhe e Krijuesëve në Mërgim është mjaft aktive. Anëtarët e saj marrin pjesë në organizime e festime kulturore dhe kombëtare në vende të ndryshme të Evropës. Edhe në manifestimin e Mannheim-it, të prirë nga nënkryetari i  Shoqatës në fjalë, Neki Lulaj, lexuan krijimet e tyre poetët Rita Saliu dhe Muhamet Luma. Arti i jep sharm e jetë aktiviteteve kulturore.

Në vijim. në skenë prezantohet dr. Rita Saliu: Vij nga Amerika e largët, për të gëzuar me ju, vëllezër dhe motra, festën e Flamurit, pavarësinë e Shqipërisë. Falenderoj organizatorin, Naser Hoxha me shokë, i cili dinë të respektojë dhe nderojë edhe miqtë e largët. Kam bërë një poezi enkas për këtët mbremje dhe dua të ju përshëndes pikërisht me këtë vargëzim:

 

DASHURIA NUK PLANIFIKOHET

 

Sot s'e ngrita zërin

Në kupë të qiellit thirra me vete

Trupa pa jetë preka me shikime

Dhe ndjeva mungesë oksigjeni.

 

Nuk përballem dot

Me të parespektueshmit

Me ndëshkimet

Me të pakuptueshmit

Me kërcënuesit

Me ata që lehin në dritë

Për një copë mish të fqinjit

Me ata që duan vetëm bukurinë

Pa njerëzoren

Që duan këmishën ta ndërrojnë sipas motit.

 

Ndjej se dashuria nuk planifikohet

Ajo mbinë livadheve të shpirtit.

 

Kësaj vjeshte dr. Rita Saliu realizoi pjesëmarrjen në disa aktivitete të Mërgatës dhe të Kosovës. Në tetor shoqëroi akademik Mark Krasniqin në festimin e ditëlindjes të 93-të, në organizim të Shoqatës Kulturore Shqiptaro - Gjermane "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë. Nga Mannheim-i, të nesërmen, ajo u ftua në një organizim kulturor në Bolxano të Italisë, së bashku me krijuesit Neki Lulaj dhe Maxhun Smajli. Kohë më parë, ajo mori pjesë në Kongresin zgjedhor të Shoqatës të Shkrimtarëve dhe Krijuesëve në Gjermani. Shoqata mendon ta bëjë unifikimin në shkallë Diaspore. Dhe, poetja Rita Saliu ishte ftuar për ta përfaqësuar kontinentin e atjeshëm.

Maxhum Smajli shpallet - Anëtar Nderi - i Shoqatës "Dardania"

Moderatori fton në skenë një mysafir të veçantë: Reporterin e luftës, gazetarin dhe publicistin e paqes, autorin e "Marshit të Mërgimtarit", Maxhun Smajlin, në kuadrin e 100 - vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë dhe në përkujtesë të bombardimeve të NATO-s në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, përgjatë 78 ditëve, aq sa ka zgjatur edhe marshuta nga Filden (Fulda) në Koshare. Kryesia e Shoqatës Kulturore Shqiptare "Dardania" ka vlerësuar veprimtarinë atdhetare të Maxhun Smajlit, në luftë dhe paqe, pasqyruar edhe në librin e tij dy vllimësh "Dilemat Shqiptare" dhe ka vendosur ta nderojë me titullin - Anëtar Nderi -  të kësaj Shoqate, duke i ndarë edhe - Mirënjohje -, me motivacionin:

Për njeriun e sakrificës - zotëri Maxhun Smajlit.

Me respekt

SHKSH "DARDANIA" Mannheim

Fjala falenderuese e Maxhun Smajlit

"Ju falemnderit për nderimin e madh që më bëni. Përmes këtij çmimi që më jipni, dëshmoni se ju dini të vlerësoni punën e gjithë atyre që kanë bërë në interes të çështjes kombëtare. Me këtë rast ju keni vlerësuar punën time si reporter lufte, por edhe si autor  i "Marshit të Mërgimtarit." Unë do përpiqem që me punën time të mëtutjeshme të mos ju zhgënjej.

Me këtë rast, kam edhe një thirrje për të gjithë të pranishmit në këtë sallë: Këto ngjarje të rëndësishme kombëtare duhet t`i shfrytëzojmë si raste të veçanta, për t`i hudhur veset e këqija. Madje, duhet ta arsyetojmë njëri-tjetrin dhe të mendojmë për gjakun tonë, që padrejtësisht ka mbetur edhe më tutje jashtë kufijve të dy shteteve tona",-  theksoi veprimtari i përkushtuar Maxhun Smajli.

Në vijim, nënkryetari i Shoqatës të Shkrimtarëve dhe të Krijuesëve në Gjermani, poeti, tashmë, i mirënjohur Neki Lulaj, përshëndeti bashkatdhetarët, në emër të Shoqatës në fjalë. Pastaj lexoi krijimin poetik të tij:

 

KOMBI IM BALLËNDRITUR

 

Kombi im rrugëtoi ballëndritur

Me besë e flamur, me gjuhë e tokë

Në rrugëtimin e gjatë të acareve të mëdha

Rrënjët mpleksur n`shpirt dhe gur.

 

Tremijë vjet për një agshol drite

Jetuam me nopram në monopati

101 vjet për një flakë drite

Na bashkoi Nëntori i Ri.

 

101 vjet fluturan shqipet

Mbi shumë ura nën ylber

Zemra i dha shpirt forcën e gurit

Thellë janë mpleksur në një themel.

 

Nëpër furtunë e dallgë për 101 vjet

I bën dritë hie Historisë

Çamëria, Presheva, Shkepic Janina

Ëndrra të ndrydhura të Shqipërisë.

 

Gëzuar gjithë juve shumë e shumë

Që e keni në zemër t`mjellur një Flamur.

 

Poeti Muhamet Luma, anëtar i Shoqatës të Shkrimtarëve dhe Krijuesëve në Gjermani, recitoi poezinë e tij të titulluar:

 

FJALA E TË PAVDEKURËVE

 

Hapin më të lehtë!

 

Ne u ngjitem në qiell,

E me kockat tona kalldrëmuam rrugët

Të ecni të lirë.

Sytë ia dhuruam errësirës e u bënë dritë,

Dje për dje, për sot

Për nesër e mbasnesër.

 

Gjakun e bëmë barut

Ende nuk është tharë.

 

Me nder

Mos e pini si verë.


Përkushtimi profesional i mësueses Hatixhe

Mësuesja Hatixhe Ramadani ishte mësimdhënëse e suksesshme në një shkollë 8-vjrçare të Prishtinës. Ndonëse bashkëshorti i saj kishte qenë i dënuar i ndërgjegjes, pas viteve `90-a gjendja po përkeqësohej dhe largimi ishte alternativë shpëtimi. Në qytetin e Mannheim-it funksiononte Shkolla shqipe dhe kishte një mësues të vyeshëm. Ndonëse ky Land nuk paguante mësuesit, me marrëveshje, mësuesi u punësua në një fabrikë dhe mësuesja Hatixhe i doli për zot vazhdimit të mësimit, qoftë edhe pa pagesë. Kuota 20 euro për nxënës nuk garanton kontinuitet, vijimësi, sepse jo të gjithë prindërit shqiptarë arrijnë të kuptojnë se edhe mësuesja duhet të këtë kushte për një jetë normale.

Me nxënësit e saj shkollarë, përveç mësimit, mësuese Hatixhja u angazhua edhe në përgaditjen e nxënësve për skenë. Recitimi, kënga korale, vallëzimi dyshe dhe gruporë, janë tri gjinitë e artit që mësuesja filloi të punojë dy dekada më parë dhe vazhdon edhe sot. Dhe, i gjithë ky volum pune bëhet mbi baza vullnetare, pa asnjë shpërblim.

Vendin e nxënësve të dy dekadave më parë në skenë, tanimë, e kanë zënë fëmijtë e tyre. Ato dhe ata janë bërë prindër dhe janë spektatorë të fëmijëve të tyre. Dhe, ky ndërrim gjeneratash i jep forcë e krenari të ligjshme mësuese Hatixhes, sepse ruajtja e traditës, e foklorit burimor shqiptar edhe në mërgimin e largët, është fisnikëri dhe shenjtëri njëherësh.

Mësuese Hatixhja, megjithatë, ka një brengë, të cilën nuk e fshehë dot: "Pse mërgimtarët tanë nuk përkujdesen më shumë për edukimin e fëmijëve të tyre, siç është edhe mësimi plotësues në gjuhën shqipe"?! Të gjitha arsyertimet e prindërve nuk kanë bazë reale.

Fjala e mësueses Hatixhe Ramadani

Të nderuar bashkatdhetarë, prindër dhe nxënës, të nderuar mysafirë,

Kam nderin dhe knaqësinë që jam në mesin tuaj sot, kur po festojmë 101 vjetorin e pavarsisë së shtetit shqiptar dhe ditën e Flamurit.

Në emër te Shkollës shqipe „Shota Galica“, në Mannheim, ju urojmë këtë festë, ndër me kryesoret e shqiptarisë dhe ju dëshirojmë një mbrëmje të këndshme.

Dita e flamurit është festë e perbashkët e të gjithë shqiptarëve kudo në botë. Në këtë ditë, në çdo familje shqiptare valon flamuri ynë kombëtar. Ai është simboli më i dashur për shqiptarët. Populli thotë: "Shtëpi e flamur".

Për këtë festë të madhe ne kemi përgaditur një program të larmishëm kulturo-artistik. Ne ju dëshirojmë një mbremje të këndëshme.

Shkëlqimi i fëmijëve shkollarë në skenë

Një vend të veçantë në manifestimin e madh të ditës së Flamurit dhe të 101 vjetorit të Shqiprisë së pavarur, zuri programi artistik i fëmijëve shkollarë, përkatësisht, të Shkollës shqipe "Shote Galica" në Mannheim, nën drejtimin e mësuesës, sa të talentuar , aq edhe të përkushtuar, Hatixhe Ramadani.

Përzgjedhja e recitimeve, këngëve dhe e valleve ishte bërë me shije  dhe në rrjedhën logjike të vet manifestimit. Seria e recitimeve u hap me poezinë "Nëntori", me recituesen Fijona Bekolli, për të vazhduar me "Flamuri ynë", e recituar nga Laura Duli. Poezia rilindase "Gjuha jonë" mbetet gjithmonë hymn dhe hit, e cila u recitua në  grup, nga treshja e nxënësve: Arnis Xhafa, Zamir Murtezani dhe Dior Zeneli. Krijimin poetik "Djalë shqiptar" e recitoi Dion Salihu.

Të gjithë fëmijtë shkollarë, por edhe ndonjë parashkollorë, janë të veshur me kostume të larmishme kombëtare, duke përfaqësuar krahinat shqiptare që nga Jugu në Veri. Kori masiv oshëtiu me këngën e krenarisë: "Kosovën e dua, se jam kosovar". Përsëri një recitim "Skënderbeu", me recituese Laura Kelmendi, ndërsa "Shkolla shqipe në mërgim", e recitoi Leurent Çelaj dhe poezinë "Shqiponja" e recitoi Vigan Buzuki.

Në pjesën përmbyllëse të programit, të gjithë fëmijtë shkollarë janë në skenë. Recitalin "Shqiponjat valojnë në qytetin e Vlorës", të ideuar mirë dhe  të realizuar bukur artistikisht nga grupi: Fjolla dhe Nora Trepça, Eriola Muçolli, Flondi Bekolli dhe Egzon Mahmuti, ishte mbresëlënës.

"Vallja e Flamurit", më sakt, - Qendisja e Flamurit -, ekzekutuar nga grupi i vajzave, në pozicionin gjysmë-ulur, ishte një risi e këndëshme për publikun e pranishëm. Serioziteti, përqendrimi dhe përkushtimi i fëmijëve, përgjatë lëvizjeve të duarëve në emitim të qendisjes, ishte mahnitës dhe zgjoi interes e kureshtje të veçantë. Lëvizjet e njëkohëshme dhe harmonike të grupit të vajzave, disa syrësh shumë njomëzake, ngjalli simpatinë masive dhe urimet përgëzuese nga masa e shumtë, në sallën sportive në Mannheim. Kjo valle përmbylli edhe programin e fëmijëve shkollarë.

Nazim Bajrami jeton dhe punon në Sinsheim të Baden Würtembergut, është mjeshtër i shkolluar i kërcimit. Ai ushtron fëmijtë në Sinsheim. Në këtë mbremje këcimtari i talentuar Nazim Bajrami, së bashku me vajzën e tij 15 vjeçare, Lirjetën, luajtën vallën "Shota", duke mahnitur të pranishmit me virtuozitetin, shkathtësinë në interpretim.

Zakonisht, në organizimet e datimeve historike, manifestimi ka rregulla klasike. Pjesën e parë të programit e zënë fjala përshëndetëse e organizatorit; referati për ngjarjen historike dhe përshëndetjet e mysafirëve.

Në pjesën e dytë shfaqet programi i fëmijëve.

Dhe, pjesa e tretë, e cila merr orë të tëra, edhe programi festiv muzikor, ku përveç këngëtarëve, pjesë e skenës artistike masive bëhet edhe publiku i pranishëm, në veçanti, rinia, pa munguar as bota femërore tej moshës rinore.

Në hapjen e programit muzikor kënduan mrekullueshëm për publikun këngëtari Naser Tmava dhe dj Dini. Më vonë në sallë arriti edhe Sabri Fejzullahu, i cili i dha sharm këtij manifestimi të madh. I talentuari Fejzullahu ofroi në skenë një grup fëmijësh, duke improvizuar grupin shoqërues të tij. Për kontributin e dhënë për dekada me radhë në fushën e artit muzikor, Kryesia e Shoqatës "Dardania" i ndau një - Mirënjohje -këngëtarit zëartë Sabri Fejzullahu.

Shoqata Kulturore Shqiptare "Dardania", pjesë të aktiviteteve të saj e ka edhe humanitetin. Andaj, kësaj mbremjeje iu drejtua, publikut, për të ndihmuar shërimin e fëmijës dy vjeçar Endrit Bajrami, i cili vuan nga sëmundja e leokemisë dhe i është sugjëruar operimi në një klinikë jashtë  Kosovës. Shoqata "Dardania" dhuroi për vogëlueshin Endrit 2.000 euro.

Një punë të shkëlqyer, në pasqyrimin me besnikëri të festës të Flamurit dhe të 101 vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë, bëri edhe kameromani dhe gazetari Halil Rrustemaj. Ai lëvizi me kamerën e tij me shumë impenjim, pengesa, përshkak të shumësisë të njerëzve në sallë. Fotografitë që shoqërojnë këtë shkrim, si dhe dhjetra të tjera rezervë, janë fiksime nga kamera e artë e mjeshtrit brilant Halil Rrustemaj.

Shoqata Kulturore Shqiptare "Dardania", për vite me radhë po dëshmohet e suksesshme me veprimtaritë e saj në Mannheim dhe më gjerë. Një kryesi unike, anëtarët e së cilës i kanë punët e ndara, por vendimet janë kolegjiale dhe vet kryetari i Shoqatës është i parë ndër të barabartët. Shoqata "Dardania", e prirë nga Naser Hoxha, me anëtarët e kryesisë: Shaqir Hoxha e Vehap Zuka, nënkryetarë, Musa Latifi sekretar,   Adem Buzuku, Besnik Potoku, Bekim Bilali, Jeton Hoxha, Jeton Sulejmani, Ahmet Imzaku, Adem Bakiu, Mustafë Cacaj, Arif Dervishaj, vazhdojnë të punojnë në larmi aktivitetesh. Kryesia ka një mbështetje të përhershme edhe nga veteranët e Shoqatës dhe të Mërgatës, si: Muharrem Hoxha, Gani Knushi, Iljaz Ismaili, Sabri Poroku, Tefik Ramadani dhe shumë të tjerë, të cilët, për dekada me radhë, janë pjesë e aktiviteteve nga më të ndryshmet. Bashkëpunimi i koordinuar i brezave, është çilësi i sukseseve edhe për Shoqatën "Dardania".