Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder Hoxha: Vepra dramatike e Azem Shkrelit

| E diele, 29.12.2013, 07:33 PM |


(Këndvështrim)

VEPRA DRAMATIKE E AZEM SHKRELIT

Nga Prof. mr. SKËNDER R. HOXHA

1. Në vend të biografisë dhe veprës letrarte

Poeti dhe prozatori ynë i zellshëm Azem Shkreli u lind në Rugovë të Pejës më 1938. Në vendlindje kreu shkollimin fillor, ndërsa në Prishtinë vazhdoi shkollën e mesme, ku kishte kryer edhe Fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për shumë vjet ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdekja e mori në pranverën e vitit 1997.

Azem Shkreli ishte mjeshtër i poezisë, por ai shkroi edhe tregime, romane, drama. Ka botuar përmbledhjet me poezi: Bulzat, (Rilindja, Prishtinë, 1960); Engjujt e rrugëve, (Ri-lindja, Prishtinë, 1963); E di një fjalë prej guri, (Rilindja, Prishtinë, 1969); Lotët e male-ve, (Naim Frashëri, Tiranë, 1974); Nga bibla e heshtjes, (Rilindja, Prishtinë, 1975); Vjer-sha, (Rilindja, Prishtinë, 1977); Pagëzimi i fjalës, (Rilindja, Prishtinë, 1981) ; Poezi, (Na-im Frashëri, Tiranë,1984); Kënga e hutinit (Rilindja, Prishtinë, 1986); Nata e papagajve (Rilindja, Prishtinë, 1990); Muri përfundi shqipeve, (1993), Shtatë nga ata” (1993), Lirikë me shi, (Lumi, Prishtinë, 1994); Zoti nuk është shqiptar (1997),  Zogj dhe gurë, botuar më 1997, Rrënjë të gurta, 2001 – Prishtinë, (Botimi i dytë i rishikuar, Pejë, 2012). Veprat në prozë: Karvani i bardhë, (Rilindja, Prishtinë, 1961); Sytë e Evës, (Rilindja, Prishtinë, 1965); Muri përfundi shqipeve (Bota shqiptare, Cyrih, 1993; Karvani i bardhë (i riu) 1997; Dramat: Fosilet, (Rilindja, Prishti-në, 1968); Varri i qyqes, (Rilindja, Prishtinë, 1983) e ndonjë vepër tjetër e botuar si e zgjedhur, si dhe përmbledhje poezish që iu përkthyen në disa gjuhë të huaja.

Që në krijimet e para poetike të Azem Shkrelit u vërejt një talent i fuqishëm, që njëko-hësisht shënonte kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluf-tës. Duke e gdhendur talentin, Shkreli, nga vepra poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, “Zogj dhe gurë”, që e la dorëshkrim, u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqip-tare, duke qenë edhe si shkollë poetike për shumë krijues që bashkëjetuan me të dhe të tjerë që do të vijnë pas tij. Për këtë, edhe kritika nuk kurseu fjalë dhe epitete ndër më të mirat: Kritiku letrar dhe krujuesi Agim Vinca kishte vlerësuar Azem Shkrelin si “poet idesh dhe gjykimesh të thella”. Ali Aliu, e quajti “mjeshtër i vargut dhe i fjalës poetike”. Studiuesi Robert Elsie tha se “Azemi është poet i mendimit”. U tha se “Azem Shkreli zë vend në kry-e të poezisë aktuale shqiptare”. U tha edhe shumëçka tjetër… Por, ka edhe shu-më të thuhet për këtë shkrimtar dhe për veprën e tij, sepse vepra e Azemit (në poezi e në prozë) është e një shtrirjeje të gjerë motivore e tematike.

2. Dramatizimet e A. Shkrelit

Letërsia e pasçlirimit zhvillohet në gjini e lloje të ndryshme letrare. Në këtë periudhë zhvillim të hovshëm përjeton romani, por edhe dramaturgjia, e cila përpara ishte pak e lë-vruar. Për këtë veçmas do të duhej dalluar periudhën e viteve gjashtëdhjetë dhe sidomos pas viteve gjashtëdhjetë. Tematika më e shpeshtë dhe më e preferuar e krijimtarisë sonë letrare ishte ajo e LNÇ-së,…”1)

Në këtë kontekst, krijimtaria prozaike e Azem Shkrelit: roman, tregime, drama, gjitha-shtu paraqet një kontribut të rëndësishëm të këtij zhanri të cilin e kishte begatuar me tema interesante, ku autori futej edhe sferave të thella të një historie jo të largët, të një historie të kohës së Luftës së Dytë Botërore e të pas saj.

Azem Shkreli, përveç poezisë dhe prozës, krijoi edhe në gjininë e dramës, në të cilën la dy vepra, “Fosilet” (1968) dhe “Varri i qyqes” (1983). Të dy këto drama janë dramati-zime. Drama “Fosilet është dramatizim i romanit “Karvani i bardhë” (1960), ndërsa “Va-rri i qyqes” dramatizim i tregimit “Helmeta”. Këto drama dallohen për atë se “Fosilet” i rri më besnik tekstit që këtu dramatizohet, ndërsa “Varri i qyqes” largohet shumë nga tre-gimi të cilin e ka për bazë.

Duke rrëfyer historinë e Dyl Mehmetit, Azem Shkreli përdor rrëfimin e mirëfilltë kla-sik, me gjakim të zbardhjes së konfliktit tragjik të brendshëm të botës shqiptare. Në këtë kontekst, kryepersonazhi, Dyl Mehmeti, të thuash, edhe për lexuesin edhe për kritikën, ka qenë figurë e pakuptueshme dhe kontraverze deri në versionin e ri të botuar më 1997. Në të vërtetë Dyli edhe pse kishte marrë anë të gabuar, ishte i bindur për drejtësinë e vepri-meve të veta. Mbi këtë bazë ai përballet me një dilemë morale dhe mban qëndrimin kun-dër ndryshimeve, jo nga bindjet politike por i shtyrë nga uni i tij i ushqyer me qëndresën tradicionale.

Dramat i shkroi në dy periudha të ndryshme, në dy kontekste kohore dhe letrare, në vi-te të ndryshimeve shoqërore politike në Kosovë, por edhe kulturore në përgjithësi, ndaj edhe ndryshimet në mes tyre janë qenësore.

Titulli i dramës “Fosilet” sikur lidhet me subjektin që autori e shtjellon. Fjala  f o s i l, në kuptimin figurativ, do të thotë: diçka që tashmë i përket vetëm të së kaluarës, diçka që ka mbetur prej kohësh ashtu siç ka qenë dhe nuk është zhvilluar më. Andaj, ky titull para-gjykon veprimet e personazheve, pozitën e tyre etj. Sipas autorit ata janë pjesë të mbetura nga një organizim i dekompozuar i së kaluarës, janë mbeturina të saj, janë fosile.

Është thënë edhe më herët se në romanin “Karvani i bardhë” shumëçka ka qenë e mje-gulluar, bile edhe vetë figura e kryepersonazhit, Dul Mehmeti, është lexuar dhe kuptuar si figurë kontraverze. Nuk janë dukur të qarta historiku i heroit, veprimet e tij, e as përcakti-met e tij ideologjike. Ndërkaq, në dramë zhveshen paqartësitë. Përderisa në titullin e ro-manit “Karvani i bardhë” lexuesi përfytyronte një pjesë të botës shqiptare, të lidhur me një ambient shqiptar autokton, me Bjeshkët e Rugovës; nga titulli i dramës që autori e e-mërton “Fosilet”, jep të kuptohet apo të paragjykohet se veprimet e personazheve në kon-flikt, për kohën, janë anakronike dhe të gjykuara të dështojnë.

“Një pjesë e kritikës sonë letrare Dyl Mehmetin, pa kurrfarë dileme e ka marrë dhe trajtuar si fytyrë negative; një pjesë tjetër, anën negative në tiparet e Dylit e ka konsideru-ar si sforcim të qëllimtë, e mbase edhe si “shpifje” në kurriz të tij; ndonjë tjetër e merr si fenomen të madhështisë së rrejshme, etj.”2) (…)“Për më shumë lufta e Dyl Mehmetit ësh-të manifestim i rezistencës individuale, është një variant i rezistencës së kaçakut. Ai është një malësor rugovas dhe si i tillë nuk është i shlyer definitivisht nga tiparet dhe nga natyra e këtij trolli. Dhe natyra kryesore e këtij trolli ka qenë rezistenca e përhershme ndaj çdo ndryshimi, qoftë gjatë historisë, meqë asnjë ndryshim dhe kthesë nga e kaluara, nuk i ka sjellë gjë të mirë atij.”3) Ndaj, për figurën e Dylit është shkruar se “Mund të thuhet po ashtu se ky personazh mbase do vazhdojë të jetë objekt mendimesh dhe dilemash të ndry-shme edhe në të ardhmen.”4)

Drama “Fosilet” inkuadrohet në letërsinë shqipe të viteve ’60, kur po konsolidohej shoqëria socialiste, ndërsa “Varri i qyqes” në lëtërsinë e viteve ’80, kur bazat e kësaj sho-qërie kishin filluar të lëkunden. Përderisa në të parën i bëhej jehonë luftës, mbi bazat e së cilës ishte ndërtuar shoqëria e kohës, në të dytën kujtohej kjo luftë, ku mbështetja në vle-rat e saj sikur tenton ta mbajë gjallë këtë shoqëri.

Në dramën “Fosilet” ngadhënjen vetëdijësimi i personazheve se e kaluara ka perënduar një herë e përgjithmonë, ndërsa po fillonte një epokë e re në marrëdhëniet ndërnjerëzore në këto hapësira. Ndërkaq, në “Varri i qyqes”, “vënia në pah e dashurisë së një të riu shqiptar me një të re serbe (malazeze), pastaj e Aleksës, fqinjit që thotë se shqiptarët dhe sllavët janë një, është një përpjekje e autorit që duke rikujtuar Luftën e Dytë Botërore, t’i rikujtojë edhe ato që i lidhin këta popuj, e jo ato që i ndajnë”.5)

3. Tema e luftës

Tema e luftës, e njeriut në rrethanat e luftës, është një preokupim i shpeshtë në kriji-met e Azem Shkrelit, qoftë në poezinë, qoftë në prozën e tij, në romanin “Karvani i bar-dhë”, të cilin edhe e dramatizon, qoftë në tregimet, njërin prej të cilëve, po ashtu, atë me titull “Helmeta”, e dramatizon. Derisa  dramatizimi i romanit “Karvani i bardhë”, mbase pse autorit i ka munguar përvoja krijuese e mbase edhe për arsye të tjera, ka rezultuar si një dramatizim, nga aspekti thjesht teatror, pak a shumë i suksesshëm, kurse nga ai tekst-or më pak, dramatizimi i tregimit “Helmeta”, që botohet si dramë me titullin “Varri i qy-qes” (1983), ka rezultuar , qoftë si tekst letrar, qoftë si dramaturgji, si një realizim më i përparuar, më i thelluar, më ekspresiv. (…) Nga aspekti dramaturgjik, po ashtu, Shkreli është dëshmuar më inventiv, më imagjinativ dhe hiç një pjesë e didaskalieve që dalin si pretencioze, të tepërta, ia ka dalë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ta dramatizojë tregimin e tij. Kur themi këtë, e kemi parasysh, jo vetëm ristrukturimin zhanror, jo vetëm projekti-min e një përmbajtjeje, të temave, motiveve e ideve nga logjika e një forme letrare në një tjetër, por kemi parasysh modalitetin thelbor të kësaj forme zhanrore.

Prirja e Azem Shkrelit që të thellohet në botën e brendshme të njeriut, në zonat e fshe-hura konfliktuoze, e shfaqur dhe e dëshmuar edhe tek romani “Karvani i bardhë”, ose tek dramatizimi “Fosilet”, tek “Varri i qyqes” ka arrtitur një nivel të lakmueshëm depërtimi psikologjik, moral e shpirtëror. E gjithë drama zhvillohet në një atmosferë tensionimi, në një atmosferë të pritjes anksiotike, nga e cila është e pushtuar psikika trazuar e Gjergjit, e njeriut, i cili ka kaluar nëpër ferrin e kampeve të përqendrimit, të njeriut i cili nuk është llogaritur ndër të gjallët. Mbi të gjitha, pos njeri i goditur grushtesh të jetës e të luftës, Gjergji është njeriu i kapluar nga kompleksi i dyshimeve, i hamendjeve morale e psikologjike për fatin e familjes së vet, në kohën e mungesës së tij, në përgjithësi e, në veçanti, nga dilemat torturuese rreth fatit të të birit të vrarë, për varrin e të cilit nuk është i sigurt nëse është i pjellës së vet apo i dikujt tjetër.(…) Duket sikur qëllimi i vetëm i ekzis-tencës morale e psikologjike të Gjergjit është zbulimi i enigmës, i të fshehtës, të cilën, si e vetmja dëshmitare, Maria, e shoqja, vazhdimisht ia zvarrit, prolongon. (…)

Kështu, simbolikisht, gjakohet të vritet e vërteta e luftës, e vërteta tragjike e saj, barra e së cilës e rrëzon psikologjikisht, shpirtërisht, Gjergjin. I biri i tij ka vdekur si burrë, me të dashurën e tij, i mbyllur në shtëpinë e vet, të cilën, meqë nuk mund ta pushtojnë gjer-manët, e kallin, e djegin, bashkë me të dashurën, e cila, edhe pse e penguar nga prindërit, për shkak feje e kombësie, pranon, vetëm që të jetë me të dashurin, t’i bashkangjitet edhe në zjarrin e luftës. Akti final i Gjergjit tregon se si lufta, edhe kur përfundon, me pasojat e saj, mund të vrasë, për së dyti, njeriun, t’ia çrregullojë përfundimisht integritetin psikoso-cial.

Drama “Varri i qyqes” në mënyrë funksionale ka realizuar kombinimin e fantastikës (lojën e dyfishtë të barinjve-ushtarë) me realen, kombinimin e jetës me artin. Persona-zhet, në kontekste të ndryshme, shndërrohen , nga aspekti i shtytjeve dhe i nevojave psi-kologjike të Gjergjit, herë në barinj, loja e të cilëve me gëzhojat e luftës flet për destrukti-vizim, herë në ushtarë, herë në aktorë, me çka këto personazhe, midis të tjerash edhe për-mes koreografisë së lëvizjeve, dramës i jepin një ton mistik, ritualesk, kur e ku lirik, e kur e ku tragjik. Loja e këtyre personazheve-aktorë, të cilët e thyejnë atë konvencionin e ilu-zionit të realitetit, që në këtë dramë nuk përjetohet si mangësi artistike, sepse, pos të tje-rash, është projektuar në funksion të rrëfimit real dhe simbolik dramatik, në funksion të materializimit të subjektit, të trupëzimit të botës së brenshme të tensonuar të Marisë e të Gjergjit, (…) Elementet lirike, si atmosferë, si gjest i veprimit dramaturgjik, si shpalim i botës së brendshme, si shpërthim, dalin, pos nga emblemat teatrore siç janë varret, lulet, loja, etj., edhe nga dialogu lirik, ekspresiv që, në pikat kulmore, fiton karakter dramatik. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e liricitetit është ndërtuar mbi dialogun, mbi gjuhën e tij, që është, pothuaj fund e krye, një dialog midis Gjergjit e Marisë, një dialog zbërthyes, shpalues i botës së brenshme”.6)

“Edhe si roman, “Karvani i bardhë” ka mjaft elemente dramatike (…), prandaj, dramati-zimi i kësaj proze, në vete ruan mjaft momente nga romani, i cili mund të cilësohet si ro-man dramatik.”7)

Lufta që fitohet doemos vjen nga një varg betejash të humbura. Me këtë roman Shkreli synon ngritjen e vetëdijes së njeriut, e veçanërisht atij shqiptar.Përshtatja për skenë e këtij romani është drama Fosilet.

Drama “Fosilet” hapet me dialogun në mes të Dyl Mehmetit të arratisur në mal dhe Selmanit, prijësit të çetave ndjekëse të pushtetit të ri.

Selmani, kumbara i Dylit, e lut Dylin t’i dorëzojë armët dhe të mos i marrë në qafë nje-rëzit që i ka pas vetes, ngase lufta ka përfunduar. Ja se si i drejtohet Selmani Dylit në fi-llim të dramës: “Dorëzohu Dyl Mehmeti! Dorëzohu! S’ke kah t’ia mbajsh, o burrë! (…) Mblidhi mendët, lum plaku. Në të gjitha anët je i rrethuem”.8). Ndërsa një zë tjetër, sikur këshillon: “Mos i prish ata djem që i ke me veti! Mos i merr në qafë, mos ia rando vedit vorrin! Lufta jote ka humbë.9) Mirëpo, Dyli nuk dorëzohet dhe pushka kërset, ku vritet Shaqa, i biri i Dylit dhe Selmani, prijësi i partizanëve.

Grupi i të ikurve, që u printe Dyli, qëndrojnë në një shpellë, të izoluar, gjatë një dimri të ashpër në çdo aspekt. Kohë kjo, që të ikurve u shërben, mbase, për të ndërruar qëndri-min e tyre, për t’u “vetëdijesuar”. Të ngujuar në atë shpellë, larg çdo zhvillimi shoqëror, ata bisedonin kryesisht rreth luftës, nga shkaku i  së cilës gjendeshin në mal. Përgjatë bi-sedave dalin në pah edhe disa segmente të tjera, si: karakteri cubnor i të ikurve në mal, pastaj faji i tyre i cili nuk ishte faj vetëm ndaj pushtetit, por edhe ndaj popullit që i kishin borxhe të ndryshme. Ndërkaq, Dyl Mehmeti është fajtor për vrasje dhe për nderin që ua ka nëpërkëmbur bashkëvendësve të tij, ndërsa të tjerët ishin fajtorë për plaçkitje të ndry-shme.

Kësisoji, pas varrimit të Shaqës, përfundon akti i parë. Te tri aktet e tjera, deri në shthurje të dramës, zhvillohen në shpellë. Ata, me ndonjë shaka, sidomos me Haxhi Ma-nin, me biseda të kota, e rrallë me ndonjë bisedë serioze, vrasin kohën gjatë aktit të dytë. Haxhi Mani (hoxha), të gjitha ngjarjeve u jep kuptim fetar, ideologjik. Sipas tij, lufta “zhvillohet në mes të së mirës dhe së keqes”.10)   Përkundër tij, Dyl Mehmeti, fenomenet në fjalë i vlerësonte nga përvoja dhe urtia kombëtare. Ndërsa të gjithë të tjerët, këtyre zhvillimeve u jepnin kuptime të tjera.

Gjatë bisedimeve, personazhet përdorin edhe gjuhën metaforike. P.sh., në pyetjen se kush duhet të sundojë në shoqëri, përdorin fjalët: kodrat (për të pasurti), lugjet (për të var-fërit), rrafshet (për barazinë shoqërore), si dhe: i forti, i ligu etj., ku zhvillimeve në dramë u jepin karakterin autokton. Në këto rrethana, këta të ikur, të ngujuar në shpellë, dialogoj-në për ndryshime që po ndodhnin në shoqëri. Këta ishin përfaqësues të shtresave të ulëta, ndaj edhe kishin filluar ta kuptojnë se ishin mundur kodrat, ndërsa kishin ngadhënjyer lu-gjet. Sipas tyre, pushteti i ri është përfaqësues i shtresave të ulëta. Kjo edhe nuk lente mo-tiv për të qëndruar më në mal. Në anë tjetër, vazhdimi i tyre në jetën e kaçakut bëhej edhe më absurde kur kihej parasysh figura e Dyl Mehmetit, të cilit iu kishin bashkangjitur, i ci-li kishte bërë shumë krime ndaj bashkatdhetarëve të tij. Tash veç ishin shfaqur hapas dile-mat, kundërshtimet ndaj Dylit dhe thyerjet e mëdha brenga këtij grupi. Rrugën e Dylit e kundërshton Rexha si dhe i biri i Dylit, Shpendi.

Gjatë aktit të tretë të dramës, të ikurit luajnë kapuça, ndërsa Dyli rri i thelluar në mendi-me. Po ashtu edhe Shpendi është i mërzitur, ngase kishte parë në ëndërr vëllain e vrarë, Shaqën. Ndërkaq, konfliktin në mes të Dylit dhe Shpendit, dramaturgu Azem Shkreli e ngrit si konflikt në mes të dy brezave, apo të vjetrës që po perëndonte dhe të resë që po lindte. Për atë se ç’po ndodhte jashtë, në pushtetin e ri, të ikurit i informon Cuk Sokoli…

Vetërrëfimi i personazheve për të bëmat e tyre na del në aktin e katër, akti i fundit i dra-mës, duke filluar nga Rexha, pastaj Shpendi, Osman Mala, Vuthjani, Bardho Buli, Haxhia Në vetëvlerësime vërehen edhe vlerësime për luftën, ajo çfarë është dashur të bëjnë, pen-desat, vetëdijësimi, pafajësia etj. Rexha thotë: “Në vend që t’ia kthejmë të gjithë pushkën atij që na mbante thikën në shpinë, na, disa, ia kemi kthye njeni – tjetrit dhe i kemi ra ve-tes në lule të ballit11). Pra, sipas asaj që rrëfejnë të ikurit, asnjëri nuk kishte bërë mëkate, nuk kishte vrarë (përveç vuthjanit)…, ndërsa, vetëm Dyli mbetet fajtor. Ai, ua tregon pu-shkën në të cilën kishte bërë nga një shenjë sa herë që kishte vrarë njerëz, ku thotë: “Për mue flet njikjo! (…) Sa herë që ia kam prekë kambzën, nuk më ka huqë dhe ia kam gdhe-ndë nga nji shkallë te qyka!”12). Mirëpo, ky i fundit, pa marrë parasysh figurën e tij kom-plekse dhe kundërthënëse, mbetet specifik e i veçantë, mbetet i papendueshëm, i brumo-sur me kultin e qëndresës, të mosdorëzimit. Dyli, kur pëshëndetet një nga një me të ikurit, të cilët duan të braktisin shpellën e t’u kthehen shtëpive të veta, edhe përkundër lutjeve që ata ia bëjnë që edhe Dyli të shkojë me ta, Bardho Bulit, duke ia dhënë dorën, i thotë: “…E thueni se Dyli është në mal. Në shpellë. Diku ku ban dreqi ve. Diku ku s’mund ta nxirrni as me topa, sepse ju rrëxon me një kokërr guri. Njashtu thueni. (…) Dhe nuk e ka men-djen të dorëzohet për së gjalli. (…) Thuejuni se nuk kanë plumba që më shpojnë!13).  Drama përmbyllet pasi të ikurit dalin. Dyli mbetet në shpellë vetëm. Pas pak dëgjohen dy a tri të shtëna revolveri ku Dyl Mehmeti vret veten. Vetëvrasja e Dylit është edhe si fund i së keqes, një përfundim i ngjashëm me përfundime të veprave të tjera me tematika të ngjashme. Zani i Shpendit, veç të tjerash, përfundon me: “Dyl Mehmetin e ka vra ko-ha!14), që paraqet edhe sublimën e porosisë së kësaj drame.

Jeta do ta vazhdojë rrjedhën e vet në vazhdën e re, me Shpendin, i cili është i vetëdij-shëm se me luftën e fundit “as toka, as njerëzit nuk janë më ata që ishin”.

4. Lufta vazhdon edhe pas luftës

Edhe në dramën “Varri qyqes”, sikurse në të parën “Fosilet”, Azem Shkreli trajton temën e luftës, por tani mbizotërojnë pasojat dhe traumat që lufta kishte lënë pas.  Mirë-po, në “Varri i qyqes” largohet nga thurja tradicionale e dramës. “Kjo dramë, si me sy-zheun, ashtu edhe me personazhet dhe fabulën në përgjithësi, dallon nga drama tradicio-nale dhe më tepër i afrohet dramës moderne, me shenja psikologjike.”15)

Ngjarja e dramës “Varri i qyqes” është e ndërtuar mbi bazën e tregimeve “Sytë e Ev-ës” dhe “Helmeta” dhe ndodh 6 – 7 vjet pas luftës. Në këtë dramë “bëhet gërshëtimi i bo-tës së jashtme (natyrës) me botën e brendshme (dramën e Gjergjit).”16). Drama është e ndarë në dy pjesë. Pjesa më e madhe e dramës zhvillohet në ambient fushor, në natyrë. Niset me barinjtë të cilët gjejnë në fushë teneqe të zbrazura të fishekëve, varret, kryqet e varreve, me çka kthehet në skenë atmosfera e luftës, përkatësisht pasojat e luftës së ndo-dhur më parë. Po ashtu edhe helmeta, këpucët ushtarake, tregojnë se nuk kishte kaluar kohë e gjatë që kishte përfunduar lufta. Fjala është për Luftën e Dytë Botërore. Mirëpo, barinjtë gjejnë edhe disa teneqe të zbrazura që u përkisnin kohëve të shkuara dhe nuk ish-in pasojë e kësaj lufte.

Gjatë gjetjes së atyre teneqeve, barinjtë sikur bëjnë një lloj “analize” të atyre teneqeve të fishekëve, duke imagjinuar se si, cili fishek ka vrarë, mënyrën se si ka vrarë, kënd ka vrarë etj. Në bazë të aluzioneve të tyre, një i vrarë duhet të jetë ushtar gjerman, ndërsa thetri karabinier Italian. Kujtimet për mënyrat se si njerëzit e kishin përjetuar luftën dhe se nuk e kishin harruar atë, paraqesin pjesë të rëndësishme në dramë. Dihet se gjatë luftës ishin vrarë pushtues e të pushtuar, dramaturgu Shkreli këtu nxjerr në pah edhe dukurinë e shëmtuar, ku, sipas teneqeve që nuk janë të luftës, janë teneqet që tregojnë se plumbat ja-në zbrazur mbi kushëririn për një copë tokë apo për një vijë të ujit: “E dini ç’është kjo? Një yni  ka tharë kushëririn, në lule të ballit! (…) Për asgjë send! Për një pëllëmbë tokë! Ose për tokë ose për ujë!”17)  Por, një plumb i rrallë, është plumb që rri pezull, as në tokë as në qiell, që bredh nëpër botë duke kërkuar kokën kokën e Tufit të Zi. Në të vërtetë, me hijen e Tufit të Zi, Azemi jep fytyrën e kolaboracionistit, gjë që nuk ishte e rastësishme për kohën kur u shkrua drama.

Bisedat e barinjve ndërrojnë temë: barinjtë bisedojnë për luftën, moralin e luftës, përfi-tuesit e luftës, ku sipas tyre del se ata që luftojnë vdesin, ndërsa përfituesit mbeten prapa: “Yt at ka vdekur në luftë! Ka luftuar OSE OSE dhe ka rënë”, por del edhe kjo se: “Më lehtë është të vdesësh luftëtar se sa t ë jetosh luftëtar”.18) Gjergji sjell lule te varret, ndër-sa pas pak atypari kalojnë një plak e një plakë. Plaku lutet tek dy varret pa e ditur se kush gjendet aty brenda. Kështu, pjesa e parë mbaron kur barinjtë mbushin teneqet me pështy-më, me shurrë e me hi dhe i hedhin në zjar, e më pas shpërndahen.

Pjesa e dytë e dramës “Varri i qyqes,”që është më e gjatë se e para, fillon në një oborr shtëpie të fshatit, ku janë Gjergji dhe e shoqja, Maria. Maria tregon se si kanë ardhur në shtëpi, kryeshtruari (Tufi i Zi) dhe gjermani, të cilët kanë hetuar se aty brenda fshihet Gji-ni i ardhur nga mali. Rrëfimet sikur ia zënë vendin njëritjetrit. Flitet se si Aleksa, fqinji serb, i ka dëgjuar të gjitha ato që  po ndodhnin në shtëpinë e Gjergjit. Pastaj për Dranden, e cila merret me thashetheme për dashurinë e të birit të Gjergjit që është dashuruar në bi-jën e Aleksës, e përkatësisë tjetër kombëtare. Por, Maria, sikur i shmangej rrëfimit të vërtetë!...

Ndërkaq, kulminacioni i rrëfimit ndodh atëherë kur Maria vendos të thotë të gjithë atë që e kishte mbajtur të fshehur deri më tash.

Personazhi kryesor i dramës, Gjergji, kishte përjetuar situata të tmerrshme të luftës, kishte përjetuar kampet e përqendrimit. Ai, kur ishte kthyer nga lufta, nuk e kishte gjetur në shtëpi djalin e vetëm, Gjinin. Gjergji preokupohet me dy probleme: me varrin e të birit, të cilin nuk e di saktë, sepse pranë e pranë janë varrosur eshtrat e të birit të tij dhe të eprorit gjerman, që ishin djegur kur shtëpisë iu kishte vënë flaka, ndërsa në antë tjetër preokupohet me zbulimin e mënyrës se si i ka përfunduar biri i tij. Ai do të dijë se kujt po ia lulëzon varrin çdo ditë: të birit që është dorëzuar, që ka përfunduar jetën me turp, apo të atij që ka qëndruar burrërisht në çastet e fundit të jetës së tij? Kjo dilemë e ka sjellë atë buzë çmendjes. Dyshimin e shton e dhëna se Gjini ka bërë dashuri me vajzën e Aleksit, dashuri kjo që shenjëzon bashkëjetesën e njerëzve me përkatësi të ndryshme kombëtare. Këto dilema e bëjnë tekstin të ndërlikuar.

Autori  skenën e parë të pjesës së parë e ka  dhënë në dy variante. Variantin e dytë e ka  dhënë në fund të dramës. Sipas këtij versioni, barinjtë nuk gjejnë teneqe, por teneqet e gjetura i kanë grumbulluar në formën e piramidës

Përfundime

Drama e parë e Azem Shkrelit, “Fosilet”, natyrshëm inkuadrohet në dramaturgjinë shqiptare të kohës dhe më tepër do të kujtohet për vlerat e saj historike, sesa për ato estetike. Ajo e ka përmbushur rolin e saj për kohën në të cilën është shkruar. Kurse, drama e fundit “Varri qyqes”, me thurjen dhe simbolikën e saj , synon t’i tejkalojë vlerat historike, duke iu drejtuar edhe shikuesve të kohëve të tjera.

Të dyja këto drama për temë kanë luftën, por ndryshimi në mes të tyre është se në të parën lufta paraqitet drejtpërdrejt, ndërsa në të dytën indirekt.

Drama “Fosilet” zhvillohet në regjion të Rugovës, në bjeshkë, në një ambient dhe kolorit interesant. Mirëpo, duhet ta themi edhe këtë se veprimi dramatik në “Fosilet” është i mbyllur në vetvete. Autori e ka lënë dramën pa atë dramacitetin e brendshëm që do t’i paraqiste njerëzit qoftë në luftë qoftë në aksion. Ndaj, drama thuase merr trajtat e një hermetizmi, të aksioneve psikologjike të personazheve, siç ka pretendime të jetë një dramë psikologjike, pa konflikt të hapur, pa aksione e kundëraksione , me përjashtim të atyre në fillim të aktit të parë.

Rreth këtyre dy dramave të Azem Shkrelit, studiuesi i letërsisë, dr. Sali Bytyçi thotë: “Tek dy dramat autori zgjedh tituj interesant, por që nuk korrespondojnë plotësisht me përmbajtjen e veprave. Ndërsa e para emërtohet “Fosilet”, në fund, përveç personazhit kryesor, të gjithë personazhet tjerë inkuadrohen në shoqëri, ndërsa emërtimi i tyre si “fosile” do të nënkuptonte shkatërrimin e plotë të tyre. Ndërkaq, e dyta, “Varri i qyqes”, do të nënkuptonte varrin e qyqarit, ndërsa këtu i varrosuri, Gjini, jetën e ka përmbyllur në mënyrë madhështore, duke u djegur në flakët e shtëpisë, të cilën e djegin gjermanët.

Ndonëse Azem Shkreli për shumë kohë do të kujtohet si poet dhe më pak si prozator, edhe më pak do të kujtohet si dramaturg. Vepra e tij dramatike ka më shumë rëndësi për historinë e dramës shqipe dhe të teatrit shqiptar të Kosovës.”19)

_______________________

Referencat:

1) S h e f q e t  R i z a, Trajtime letrare, Rilindja, Prishtinë, 1983, f. 133.

2) A l i  A l i u, Pasthënie, Karvani i bardhë, Rilindja, Prishtinë, 1980, f. 92.)

3) A l i  A l i u , Po aty, f. 94.

4) A l i  A l i u, Po aty, f. 95.

5) Dr. S a l i B y t y ç i, Fjalë prej guri (Vepra letrare e Azem Shkrelit), Instituti              Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2010, f. 377, 378.

6) Prof. dr. B e s i m R e x h a j , Drama shqiptare pas luftës së Dytë Botërore 1948 – 2008, Poetika, tipologjia, periodizimi; Vëllimi II, Faik Konica, Prishtinë, 2009, f. 121, 122, 123, 124.

7) Dr. S a l i  B y t y ç i, Po aty, f. 378.

8) A z e m  S h k r e l i, Sytë e Evës, Rilindja, Prishtinë, 2006, f. 135.

9) Po aty, f. 136.

10) Dr. S a l i B y t y ç i, Po aty, f. 381.

11) Azem S h k r e l i, Po aty, f. 182.

12) Po aty, f. 185.

13) Po  aty, fq. 192 – 193.

14), Po aty, fq. 194.

15) Dr. S a l i B y t y ç i, Po aty, f. 391.

16) Po aty, f. 388.

17) A z e m  S h k r e l i, Po aty,f. 201.

18) Po Aty, f. 103.

19) Dr. S a l i B y t y ç i, Po aty, f. 396, 397.___

LITERATURA E KONSULTUAR

Aliu, Ali – Kritika, Rilindja, Prishtinë, 1980;

Aliu, Ali; Sinani, Shaban; Çapaliku, Stefan; Çobani, Tonin. – Letërsia bashkëkohore shqiptare 4, “ Libri shkollor”, Prishtinë, 2002;

Bytyçi, Sali – Fjalë prej guri (Vepra letrare e Azem Shkrelit), Instituti Albanoligjik i    Prishtinës, Prishtinë, 2010;

Raifi, Mensur – Mbi prozën bashkëkohore shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 1978;

Ramadani, Musa – Fjala në skenë, Rilindja, Prishtinë, 1980;

Rexhaj, Besim – Drama shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore 1048 – 2008 (II), Faik      Konica, Prishtinë, 2009;

Riza, Shefqet – Trajtime letrare, Rilindja, Prishtinë, 1983;

Solar, Milivoj – Teoria e letërsisë, Rilindja, Prishtinë, 1978;

Shita, Vehap – Kur ndizen dritat, Rilindja, Prishtinë, 1977;

Shkreli, Azem – Karvani i bardhë, Rilindja, Prishtinë, 1980;

Shkreli, Azem – Sytë e Evës 4, Rilindja, Prishtinë, 2006.