Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edona Osmanaj: “Drama” e Ilir Muharremit

| E premte, 27.12.2013, 08:41 PM |


“Drama” e Ilir Muharremit përballë realitetit

Nga Edona Osmanaj

Ajo e kërkon njeriun e saj, lexuesin e saj që ka shije për letërsinë, ështu u vlerësua vepra “Drama” e autorit Ilir Muharremi e cila u promovua dje në mesditë, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare. Vepra përfshin në kopertinat e saj dramat “Unë me veten” dhe “Kafeneja”, që bashkë kanë gjithsej njëmbëdhjetë personazhe.

Recensenti i librit Atdhe Hykolli, ka vlerësuar se kjo vepër personifikon njeriun tonë bashkëkohor, i cili sikur bën përpjekje të arrijë diç, por ai gjithmonë sillet rreth strumbullarit të ngjarjes, e që mbetet vazhdimisht në të njëjtin rreth pa pasur mundësi të dalë nga ai.

“Drama “Unë me veten” dhe komedia “Kafeneja”, kanë të bëjmë me një prototip të njeriut tonë bashkëkohor i cili nuk zgjedh mjete, forma, as metoda, vetëm e vetëm të arrijë pushtet, edhe pse intuita e tij dhe vullneti janë në mospërputhshmëri me njëra tjetrën, është një pasqyrim i së vërtetës sonë bashkëkohore”, ka thënë Hykolli.

Redaktori i kësaj vepre, Jonuz Fetahaj ka thënë se vepra “Drama” arrin deri te akti i rrëfimit dhe i simbolikës, në kërkim të asaj që quhet metaforë simbolike e kohës.

“Personazhet e këtyre dramave të marrin me vete, në mënyrën e vet duke e vënë në lojë kohën dhe meditimin. Autori arrin të realizojë një material që do të përjetësohet në dërrasat e teatrove tona”, u shpreh Fetahaj.

Ndërkaq studiuesi Flamur Maloku, duke folur vetëm për veprën “Unë me vetveten” ka thënë se teksti i saj përcillet shenjë pas shenje, për ta dhënë një temë, sprovë kjo e madhe autoriale që sipas tij rrallë gjendet e paraqitur në dramaturgjinë tonë shqiptare.

“Drama “Unë me veten” shënon karaktere të veçanta në tërë hapësirën e strukturës së tekstit dramatikë, karakteret e personazheve unë e ai, ndërtohen në një vi të lakuar të njohjes përmes relacionit të mbushur me dialog e monolog, brendia e idesë së tekstit është e qartë”, ka thënë Maloku, duke shtuar se ajo prezanton një fat jo vetëm të një individi, por të një kolektiviteti.

Vetë autori i kësaj vepre Ilir Muharremi, ka vlerësuar se asnjëri shkrimtar, nëse asgjë nuk mund të ndryshojë me veprën e tij, ai mundet vetëm botën ta bëjë më të bukur.

“Kjo vepër të cilën kam filluar ta shkruaj para dy viteve, ka qenë një sfidë tepër e madhe sepse këto personazhe unë me muaj i kam hulumtuar, nëpër kafene, nëpër qytet, nëpër rrugët e Prishtinës, rrugët e Shkupit, e rrugë të qyteteve të ndryshme”, ka thënë Muharremi duke shtuar se vlerësimi dhe ngacmimi më i saktë është që publiku ta lexoj ose më vonë të inskenohet në Teatrin Kombëtar ose në ndonjë teatër tjetër.

Ilir Muharremi është autor i katër veprave “Djalli në qytetin tim”, “Drama e fundit e çmendurisë”, “Van Goku kosovar”, si dhe kjo e fundit “Drama”, aktualisht punon si profesor në Fakultetin e Edukimit në UP.