| E merkure, 25.12.2013, 09:07 PM |
Pse
Manastiri, nga kulmi i historisë, ka rënë në fund të saj
Nga Reshat Nexhipi
Përdora termin kulm, për shkak se,ky qytet ka një histori të pasur dhe të lavdishme, që nuk e gjen dot në asnjë qytet tjetër në botë, pra as në Tiranë, as në Prishtinë, si kryeqendra të dy republikave shqiptare. Nuk ka ndodhur në asnjë vend që, brenda rreth dy viteve, të mbahen dy kongrese të rëndësishme, siç është rasti me ato në Manastiri: Kongresi i Parë,1908 dhe Kongresi i Dytë,1910. Poashtu, nuk ka qytet, në të cilin është ngritur ndonjë shtypshkronjë univerzale si ajo e Qiriazëve në Manastir,1909, nga e cila dolën 300.000 tekste ose tituj në 13 gjuhë, të disperzuara në tërë anët e botës. Prandaj dhe, me të dretë, disa, këtë shtypshkronjë dhe Kongresin e Alfabetit, pra këto dy ngjarje të Manastirit,i konsiderrojnë për kontribuesët më kryesorë që sollën pavarësinë e Shqipërisë.Gjithashtu, në asnjë qytet tjetër nuk ka patur ndonjë komitet mbarëkombëtar si Komiteti për çlirimin e Shqipërisë, krijuar në Manastir,më 1905.
Shkurt: asnjë qytet tjetër nuk pati mundësi që të shëndrohet në qendër të lë vizjes kombëtare shqiptare, si Manastiri. Ky qytet veçohet nga çdo qytet tjetër edhe për shkak se tëra ngjarjet shqiptare në të kaluarën në çdo qytet tjetër kanë patur jetë të kufizuar, p.sh.vendimet e Kuvendit të i Lezhës zgjatën nga viti 1444 deri në vdekjen e Skenderbeut-1468, Lidhja e Prizrenit, nga v.1878 deri në v. 1881, kurse vendimet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, nuk u realizuan kurrë, gjë që vlen edhe për Kuvendin e Vlorës etj. kurse vendimet e Kongresit të Manastirit (Alfabeti) mbetën të përjetshëm.
Kjo, sa i takon kulmit, gjegjësisht vendit të parë që zinte Manastiri në piedestalin e historisë tonë kombëtare para vitit 1912.Shtrohet pyetja, pse ky qytet, me një histori të tillë,është katandisur në një gjendje të mjerueshme që nuk e gjen dot në ndonjë qytet tjetër? Ka shumë shkaqe, nga të cilat edhe këto në vijim. Pas vitit 1912, Manastiri filloi t i përngjasë zjarrit pa flakë, me prush të mbuluar, por në të cilin kishte mbetur ndonjë fingjill i pa shuar, gjë për të cilën e kanë ditur pushtuesët serbë dhe komunistët sllavomaqedonas, prandaj dhe, për të penguar daljen eventuale të tyre në sipërfaqe, dhe paraqitjen e flakës të mëparshme, vazhdimisht i kanë hedhur zjarr.Kështu që, përveç shpërnguljeve masovike të shqiptarëve të këtij qyteti në Turqi, kanë dëmtuar disa herë edhe objektin e Alfabetit etj, për të mos lënë asnjë gjurmë nga e kaluara e lavdishme e këtij qyteti. Këtu qendron edhe shkaku pse në Manastir pengohet në çdo mënyrë hapja e gjimnazit shqip, edhepse tani shkollimi i mesëm u bë i obligueshëm dhe shkolla të tilla janë hapur edhe nëpër fshatra, siç është rasti me Zhitoshen e Krushevës,etj.kurse në një qytet konsujsh dhe me universitet, nuk lejohet një gjë e tillë!
Pikërisht kjo çështje dhe ajo lidhur me objektin e Alfabetit, më kanë inspiruar që disa herë të sugjerroj përmes shtypit që rrugëdalja e vetme për zgjidhjen e tyre është ngritja e Konsullatës shqiptare dhe vendosja e saj në godinën e Alfabetit, me çka do realizohej thënia popullore ,,Një udhë e dy punë,, unë do thosha tre, ja pse. E para: Objekti do fitonte fizionominë origjinale të para një shekullit dhe nuk do rrezikohej më nga huliganët alfanofobë, sepse, me ligj, Konsullatat rruhen ditë e natë nga policë të caktuar. E dyta: Aty do valonte ditë e natë Flamuri ynë kombëtar dhe e treta: Do krijoheshin kushte për hapjen e paraleleve të mesme në gjuhën shqipe. Pa realizimin e këtij apeli, nëse mund ta quaj kështu, objekti në fjalë, nuk do fitojë kurrë pamjen origjinale dhe kurrë s ka për t u hapur shkollë të mesme në gjuhën shqipe, kështu që shqiptarët e Manastirit edhe më tej do mbeten në mëshirë të Zotit. Besoj dhe shpresoj që ky sugjerim i bërë në emër të shqiptarëve të vendlindjes së Alfabetit, mos bjerë në vesh të shurdhër si gje tani.
Është absurd dhe qesharake që, në Manastir, konsullata të kenë shtete pa pothuasjse asnjë banor të tyre këtu dhe të mos ketë konsullatë shqiptare me disa mijë sish dhe me një histori të cilën e prezentova më sipër. Mos është vallë, pikërisht kjo histori, për pengimin eventual të realizimit të kësaj çështje? Dhe fare në fund, për të mos më keqkuptuar, duhet të them që jam në moshë të thyer dhe larg asaj të kem ndonjë qëllim personal, por duhet njhëkohësisht të pranoj që do të isha i lumtur sikur të shikonja të realizuar çështjen në fjalë, pa mbyllur sytë për të kaluar në ,,botën,, tjetër.