| E shtune, 31.05.2008, 12:39 PM |
"Obama ‘08", ky është slogani i shkruar mbi bluzën e Spike Lee, dhe anash tij përhapen shkëndijat e një fishekzjarri shumëngjyrësh. "No if!", përsërit herë pas here Spike Lee, dhe nëse kandidatura e Obamas ngjall racizëm tek amerikanët demokratë "We shall overcame" (ne do t‘ia dalim mbanë), thotë i bindur. Para pak ditësh, Spike mori pjesë në Festivalin e Kanës me filmin "Miracle at St.Anna", i cili do të shfaqet në kinematë amerikane më 20 tetor. Pas pak kohësh, ai do të shfaqet edhe në kinematë anembanë botës, pasi të jetë paraqitur në Festivalin e Venecias dhe Torontos. Filmi i marrë nga bestselleri me të njëjtin titull i autorit amerikan James McBride, "Miracle at St.Anna", flet për historinë e katër ushtarëve zezakë të divizionit 92 të ushtrisë amerikane, të cilët në vitin 1994 luftonin kundër nazistëve dhe racizmit të drejtuesve të tyre në Shën Ana, Toskanë.
Spike Lee e cilëson filmin në fjalë si një tentativë për të rinovuar llojin e kinemasë së luftës. "Është një histori epike. Mund të them se është një nga filmat e mi më impenjativë, më shumë se ‘Malcon X‘, veç të tjerash më ka pjekur. Dhjetë vite më parë nuk do të isha në gjendje ta bëja, nuk isha ende gati. Është e vërtetë se në çdo film ka diçka nga jeta personale e autorit, por ky i kalon parashikimet, është tepër personal, madje familjar". Lee kujton se kur ishte ende fëmijë dhe jetonte në Gjeorgji, (ka lindur në Atalantë në vitin 1957) dëgjonte tregimet e familjes që flisnin për luftën. Ai thotë se i rigjeti të shkruara ato në librin e McBride. "Babai im nuk ka qenë në luftë sepse kishte probleme shëndetësore, por vëllezërit e tij morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Ngisnin kamionë, sepse në atë kohë, në fillim të luftës, njerëzit me ngjyrë nuk kishin të drejtë të luftonin. Ato mund të merreshin me transportin, punët e shtëpisë, kuzhinën, pra me punë të rëndoma. Vetëm më vonë, ato morën të drejtën që të luftonin. Një nga divizionet e para të luftëtarëve zezakëve ishte ai 96, i cili zbarkoi në Ancio (Lacio) dhe Sicili".
"Shumë kohë para Vietnamit, lufta ishte ajo që tregonin xhaxhallarët e mi. Ata flisnin për frikë, arratisje, shokë të humbur, shkatërrim, armiqtë ishin gjermanët. Si shumë veteranë kishin nevojë të nxirrnin jashtë urrejtjen që mbanin brenda. Megjithatë "Miracle" nuk është vetëm një film që trajton problemet e afrikanojugorëve në luftë, por gjithashtu flet edhe për raportin me qëndresën dhe ushtarët italianë. Për to ishin shpëtimtarët dhe u bashkuan së bashku për të luftuar kundër nazistëve. E di që partizanët në Itali janë një tjetër çështje delikate dhe se dikush do të dëshironte ta rishkruante historinë, sidomos me një qeveri të së djathtës, por kemi bërë kërkime të sakta, kemi respektuar të vërtetën. Gjithsesi mendoj se filmi nuk do t‘i pëlqejë aspak Berluskonit", shprehet Lee, duke përshëndetur në stilin fashist.
Spike Lee nuk është personazhi i historisë së trishtuar të getove dhe dhunës. Babai i tij ishte një muzikant xhazi, ndërsa nëna mësuese. Që kur ishte në moshë të re, kur familja u transferua në Bruklin, duke e braktisur Gjeorgjinë e shkatërruar nga rrëmuja për të drejtat civile, ai i kuptoi problemet e racizmit, të cilat më pas "ushqyen" kinemanë e tij, shpesh të parespektueshme, ku vazhdimisht dikush thërret "Wake up!". Ishte një kinema tronditëse dhe jo vetëm për njerëzit e bardhë. Disa nga filmat janë: "Jungle Fever", ku ironizohet "mitologjia seksuale e gruas së bardhë, që konsiderohet simbol i bukurisë dhe meshkujt me ngjyrë që dhurohen si organe jashtëzakonisht të mëdhenj", "Bamboozled", një satirë e ashpër në TV, e cila tregon se si njerëzit e bardhë i shfaqin zezakët në televizor. Gjithashtu flitet edhe për imazhin që afrikanojugorët kanë për vetveten, gjë e cila ka irrituar pjesën më të madhe të popullsisë zezake.
"Një film nuk mundet dhe nuk duhet t‘i kënaqë të gjithë. Nuk e kuptoj pse më pyesin gjithmonë: ‘A mendon se do t‘i pëlqejë afrikanojugorëve?‘. A ka ndodhur ta pyesin një regjisor të bardhë nëse filmi do t‘i pëlqejë të gjithë publikut të ngjyrës së tij?".
Famën si një regjisor "i inatosur" e ka marrë që në fillimet e karrierës, me kinemanë e pavarur dhe filmat me kosto të ulët, të cilët prodhoheshin në kompaninë e tij të quajtur "40 acres and a mule filmworks". Kjo i referohet premtimit, që nuk u mbajt kurrë, të bërë nga politikanët për heqjen e skllavërisë pas luftës civile. Filmi i tij "Lola darling" ishte një debutim i madh, që kushtoi 175 mijë dollarë. Për këtë film Lee fitoi plot shtatë milionë. Studiot e Hollivudit janë gjithmonë gati të presin regjisorë që fitojnë para, por marrëdhënia me Spike Lee ka qenë gjithnjë problematike. Në vitin 1992, ai arriti të realizonte filmin "Malcolm X" falë ndihmesës së Denzel Washington, që me interpretimin e liderit të të drejtave civile, mori kandidaturë për "Oskar". Më kryesorja ishte se ai e bindi Norman Jewison, se vetëm një afrikanojugor mund ta tregonte atë histori. Në vitin 2001, nuk iu caktua të drejtonte Will Smith në filmin "Ali". "Will
Smith më tha se duhej të ishte një film me frymë të madhe ndërkombëtare dhe menjëherë e kuptova arsyen se përse nuk më zgjodhën. Mendonin se nuk isha në lartësinë e duhur".
Nuk është një rastësi që për filmin "Miracle of St.Anna" nuk arriti të gjente 43 milionë dollarë në SHBA dhe e konsideron "një tjetër mrekulli ndërhyrjen e evropianëve, sidomos atë të dy regjisorëve italianë, që më premtuan se do të ndihmonin të prodhoja filmin, që veç të tjerash ndryshon shumë nga filmi me luftë "Soldier Rayan" (Ushtari Rajan) i regjisorit Spielberg. Filmi i përket shkollës së madhe të neorealizmit, është një homazh i "Bicycle Thieves" (Hajdutët e biçikletave) dhe "Paisà ".
Cili është ndryshimi mes Lee dhe Spielberg? "Shpresoj që publiku ta kuptojë kur të shohë filmin. Unë e di, por nuk më takon mua ta them". Ja si shprehet një regjisor italian: "Ka nga ata që në mendje kanë spektaklin e luftës dhe të tjerë, si Spike, që kërkojnë të nxjerrin në pah humanizmin e atyre që janë përfshirë në luftë".
Me filmin Lee ka realizuar një ëndërr. "Për të parën herë kur erdha në Itali për të prezantuar filmin tim të parë "Lola darling" dhe u ndjeva kaq mirë saqë vendosa të xhiroja në këtë vend sa më shpejt të jetë e mundur. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe unë arrita ta realizoj ëndrrën time. Spike Lee që dikur ishte një djalosh i turpshëm, nuk ekziston më". Tani është rritur. Sot është një baba, bashkëshort dhe regjisor shumë i zoti. Shumë gjëra kanë ndryshuar në jetën e tij. Nuk shfaqet më nëpër gazeta, duke flirtuar me modele dhe aktore (një prej tyre ishte Halle Berry), por përkrah tij qëndron gjithmonë bashkëshortja Tonya Lewis dhe dy fëmijët. Gjithashtu është transferuar nga Bruklin në Manhatan, ka mësuar të qeshë me gjërat e tij kontradiktore, si për shembull fakti që nuk ka marrë asnjëherë patentë dhe xhirimi i disa spoteve publicitare për një markë makine, apo si kontrasti mes kinemasë së madhe dhe pjesëmarrja si gjykatës në Babelgum, konkursi për filmat me metrazh të shkurtër, të cilët shfaqen në internet. Gjithsesi te Lee nuk ka ndryshuar vëmendja dhe përkushtimi ndaj familjes, babait, vëllezërve dhe motrave, që të gjithë janë të angazhuar për prodhimin e filmave. Lee ka blerë një shtëpi "gjigande" në Manhatan ku është sistemuar bërthama e familjes.
A ka mbetur Lee "si njeriu i inatosur"? "Nuk eci rrugës duke ngacmuar njerëzit, por arsyet për të shprehur inatin ekzistojnë gjithmonë". Një prej tyre ishte edhe uragani Katrina, mbi të cilin realizoi një film dokumentar mjaft prekës, të titulluar "Requiem in four acts". "Ishte një përvojë e dhimbshme të shihja bashkëqytetarët e mi, ku pjesa më e madhe e tyre ishin afro-amerikanë, të jetonin atë tmerr dhe u skandalizova nga ngadalësia e ndërhyrjes së qeverisë federale. Sa herë që vij në Evropë, gazetarët më bëjnë pyetje mbi gjendjen e zezakëve, sikur të jem zëdhënësi i 45 milionë afrikanojugorëve dhe jo vetën kaq. Për shumë pyetje që më bëheshin nuk kisha përgjigje, por vura re se edhe shtypi u skandalizua pasi dikush kishte shkruar se Nju Orlans nuk dukej si Amerika, por bota e tretë".
Gjithsesi duke u kthyer në vendlindje i gjeti të gjitha përgjigjet. "Formova një grup të vogël dhe shkuam në Nju Orlans. Ajo që na ra në sy fillimisht ishte se vendin nuk e kishte shkatërruar aq shumë uragani, por sistemi i kanalizimeve, i cili ishte prishur dhe kishte përmbytur 80 për qind të territorit. Gjithashtu zbuluam se ndërkohë që banorët e Nju Orlans, mbyteshin në ujë, apo ishin të detyruar të braktisnin qytetin, zonja Rais ishte në "Madison Avenue", duke blerë këpucët e "Ferragamo"-s, ndërsa Çenej dhe Bush ishin me pushime. Ky i fundit i ndërpreu pushimet, por kishte impenjime të tjera, para se t‘i drejtohej Nju Orlans. "Requiem in four acts" ka qenë puna më e vështirë e jetës sime. Mendoj se për këdo është vështirë të shkojë të flasë me njerëzit që kanë humbur familjarët dhe miqtë, që nuk kam më asgjë, madje as shpresën. Megjithatë mendoj se ia vlejti barra qiranë. Veç të tjerash tregoi se sa pak i intereson Bushit jeta dhe fati i të varfërve dhe afro-amerikanëve, pjesa më e madhe e banorëve të Nju Orlans. Një fakt është i çuditshëm: kur ndodh ndonjë fatkeqësi natyrore në Birmani apo Kinë, lexojmë nëpër gazeta se qeveria amerikane është gjithmonë e gatshme të ndërhyjë... Filmi ishte i vlefshëm për këtë kohë, zgjoi vetëdijen e shumë amerikanëve, të cilët e injoronin realitetin. Tashmë situata është bërë shumë e vështirë për qeverinë, nëse ajo nuk i përvishet punës për rindërtimin e vendit".
Për momentin brenda Spike Lee ka mbetur ende inat, të cilin regjisori do të dëshironte ta shfrynte te një film tjetër. Inati dhe rebelimi lidhen me rrëmujat e Los Anxhelos dhe sjelljen raciste të policisë, mbi të cilën ka mbledhur një sërë dokumentesh dhe e gjithashtu një skenar, por nuk po gjen dikë që të financojë filmin. Spike Lee është i pasionuar pas sporteve, përfshi dhe futbollin. Është tifoz i çmendur i Arsenalit dhe mik i ngushtë i ish-kapitenit Tierri Henri. Shpesh i pëlqen të veshë edhe fanellën e skuadrës. Por "dashuria" e vërtetë është basketbolli dhe jo rastësisht në filmat e tij ndonjë personazh e citon shpesh këtë fakt. Nëse në kinema filmi i tij i preferuar është "The footballer" me regjisor Michael Moore, në basketboll idhulli është Michael Jordan. Për të parën herë janë takuar kur do të bënin reklamën e "Nike". "Michael është një njeri i jashtëzakonshëm me një histori jete shumë të bukur për t‘u treguar. E kam shkruar dhe sapo të përfundojë ‘Miracle of St. Anna‘, do të filloj të xhiroj. Jordan është gati dhe ka shprehur se dëshiron që vitin tjetër të paraqitet në Kanë".