| E premte, 20.12.2013, 08:13 PM |
UNË T'KAM
ZGJEDHË “PA NGJYRA”!
NGA ARDI OMERI
“Unë t'kam zgjedhë, e tash duhet me të durue edhe Ty!”
Ky ishte një status i artistes Ema Andrea, në faqen e saj në facebook. Status që solli jo pak debate në “botën” e artistëve e jo vetëm. Siç kuptova mbrëmë, të premten duke gdhirë e shtuna, ky status paska qenë bërë objekt “vëzhgimi” edhe i politikës. Madje po mendoja që “tutorët” e emisionit “Zone e Lirë”, që veç e lirë nuk është(mendimi im), ja kanë sygjeruar “të zotit të shtëpisë” për ta shfrytëzuar si rast kundra “piktorit”!
Le të vijmë tek fakti për të dalë tek morali.
Në natën e bardhë të rivendosur nga kryeministri Edi Rama, të gjitha institucionet e Shtetit ndenjën hapur për popullin dhe Tirana kaloi një gjëndje feste pasi edhe lokalet, muzeumet e të tjera funksionuan si në një ditë feste. Një gjë e bukur pa asnjë dyshim.
Por, kjo festë e bukur “u thye” nga një “pakujdesi” apo mos vëmendje.
Në të njëjtën natë shpërndahen dy lloj ftesash.
Njëra fton artistët Shqiptarë me banim në Shqipëri të vizitojnë ambjentet e kryeministrisë, ndërsa tjetra “kujdeset” që artistët me banim jashtë atdheut të marrin pjesë në një festë në Pallatin e Brigadave, me praninë e kryeministrit dhe personazhe të tjerë të pushtetit!
Problemi i ngritur nga Ema Andrea në statusin e saj në FaceBook, ishte i drejtë në këndvështrimin tim si poet e shkrimtar, e më pas u gjykua i drejtë edhe nga “miqtë dhe armiqtë” e kryeministrit që Ema e quan “I Zoti i Shpisë”.
Për të njëjtën shtresë shoqërore, ku pa dyshim edhe vetë kryeministri bën pjesë, dy qëndrime, dy matës...
Ky ishte fakti, kalojmë tek morali.
Përse u bë kjo, mos vallë kryeministri, ministria e kulturës dëshironin të fyenin gjithë artistët e Shqipërisë me banin në Shqipëri?
Nuk mund ta besoj edhe sikur të ma thotë Edi Rama e Mirela Kumbaro përsonalisht. Do verboj dhe syrin tjetër e do “qërroj” të dy veshët në se do të ndodhë.
Mendoj që arsyetimi i “të zotit të shtëpisë” ka qenë ndryshe, i thjeshtë por i nxituar.
Gjykoj që artistët me banin jashtë atdheut, janë parë si një shtresë shoqërore, ambasadore e Shqipërisë në vendet ku ata jetojnë e bëjnë art. Në këtë mënyrë Ai (kryeministri) ka menduar ti ftojë të përpiqen të jenë më aktivë për interesat kombëtare nëpërmjet artit të tyre.
Por ka një tjetër “panel” artistësh që u ndie e përjashtuar dhe artistët janë “egoistë”, i mbetet hatri. “Shqiptarët e Shqipërisë” u ndjenë të përjashtuar. Në fakt ata kontribuojnë çdo ditë me artin e tyre për intgrimin Europian të Shqipërisë, ndoshta jo kaq “të prekshëm” sa ata që bëjnë art në Itali, Francë apo Strasburg, por e bëjnë këtë me shumë sakrifica. E bëjnë shpesh edhe në mungesë totale të trajtimit ekonomik (para), dhe kur ndjejnë që nuk vlerësohen as materialisht, fyhen. Në se këtu do të fusim edhe egon e artistit, që ky apo tjetër artist i ftuar në “gala” të kryeministrit është më “poshtë” artistikisht se ai apo ajo e mos ftuar, atëherë kjo “gafë” ftesash bëhet pak e vështirë për t’u “administruar”.
Por artistët Shqiptarë janë të mirë, janë shpirtmëdhenj, janë atdhetarë, janë me botë.
Këtë e tregoi Ema Andrea në “sallonin e thashethemeve” Zonë e Lirë, në një emision televiziv që kërkoi të përfitonte për të denigruar Kryeministrin.(për dy orë rrjesht) Kjo bordello televizive, që edhe keqinformon publikun(mendimi im), që ka si “qartësi” vetëm tërheqjen e sa më shumë shikuesëve, në mënyrë që për derivat të tërheqë vëmëndjen e sponsorave, që më pas të rrisë të ardhurat personale,(anokohen edhe për taksat!) nuk i intereson arti i Ema Andreas apo “klass” e Yllka Mujos. Nuk i intereson poezia e Ali Asllanit recituar mjeshtërisht prej Reshat Arbanës apo Anastas Nikës- “Koha e maskarenjëve”!
Jo, në atë sallon bëhet “gjyeti shtrigash me telekomandë” dhe këtu Ema e fyer në natën e bardhë prej ftesave të shpërndara, tregoi se i perket një shtrese shoqërore që ka hyrë në Europë para vendit të saj, madje përpara edhe disa të ftuarve nderi prej kryeministrisë në mbrëmjen e përfolur. Ajo kërkoi dialog, ajo kërkoi si artiste të përfshihet në këtë integrim pa ngjyrë partiake. Ajo kërkoi që politika të mos i ngjyrosë artistët, ajo foli në emër të saj dhe të gjithë artistëve e shkrimtarëve të Shqipërisë:
- “Më llogarisni edhe mua!”
Ky mesazh mbrëmë shkoi në veshët e “miqve” dhe të “armiqve”(kjo pa diskutim), të cilët ishin sinkronizuar me atë sallon thashethemesh që shpesh shkel çdo etikë televizive, morale e qytetare e për çudi asnjë institucion kontrolli i mediash nuk e vë re!
Në fund të mendimit tim, të Emës, dhe qindrave që u solidarizuar me “Indinjatën” e natyrshme të saj, në atë status që shumë kush u përpoq ta shfrytezonte por që doli një :- “karikaturisti, karikaturoi, një karikaturë, që veç me veten i ngjasoi...”, doli një mesazh për kryeministrin, ministren e kulturës dhe gjithë klasën politike Shqiptare.
Në emër edhe të tyre Ema tha:-
“Unë t'kam zgjedhë, e tash duhet me punu s’bashku për Shqipninë!”