Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Arbana Xharra: Dolli në Bruksel – eshtrat në Rashkë!

| E enjte, 19.12.2013, 08:39 PM |


Dolli në Bruksel – eshtrat në Rashkë!

Nga Arbana Xharra

Eshtrat e shqiptarëve në varrin masiv, jo vetëm të fshehur, por të betonuar me asfalt, mbi të cilët në mënyrën më çnjerëzore u ngritën edhe objekte, kanë zbuluar krimin 14 vjet pas mizorisë që shkaktuan paraardhësit e politikës së sotme të Beogradit.

Nxënësit e urdhëruesve të kësaj masakre, në të njëjtën ditë në Bruksel shtrëngonin duart me kryeministrin e Kosovës, të ulur përballë njëri-tjetrit në tryezën ku shtohen në vazhdimësi privilegjet dhe fuqia e shkaktuesve të tragjedisë.

Teksa shikoja Thaçin duke ia rrahur krahun Daçiqit, me bie ndërmend mllefi që shprehu aktivistja serbe e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiq, me aq shumë guxim ndaj pushtetit serb në një intervistë për gazetën “Zëri” ditë më parë.

Edhe pse jeton në mes të Beogradit, pa frikë, kritikon shtetin e Daçiqit që po lë të lirë kriminelët, të cilët vranë e masakruan mijëra shqiptarë. Ajo bëri të qartë se homologu i Thaçit nuk ka interesim që të kërkojë dënimin për mijëra policë e ushtarakë, që edhe sot e kësaj dite sorollaten të lirë nëpër Serbi.

Bile Kandiq e tha troç: se ky shtet është duke i mbrojtur kriminelët e luftës. E po këtij shteti, Thaçi jo vetëm që nuk pati guxim për më shumë se dy vjet bisedime në Bruksel, t’i kërkojë llogari për 1700 personat e zhdukur, por vazhdon t’i çaraveshet Daçiqit sa herë që takohet me të në Bruksel.

Ndikimi i Daçiqit, i mundësuar kryekëput nga Thaçi, nuk përfundon vetëm më 9 kryetarët e tij nëpër komunat që fitoi Lista “Srpska”, e cila deklaroi haptazi se nuk e njeh shtetin e Kosovës, por shtrirja e politikës së tij po kthehet edhe në Kuvendin e Kosovës përmes vendeve, që ua ka rezervuar Thaçi.

Shtegu të cilin ua çeli pikërisht kreu i Qeverisë së Kosovës, ngase numrat e tyre janë ata që e mbajnë në pushtet Thaçin, pritet që në zgjedhjet nacionale të futet me entuziazëm.

“Srpska” sidomos pas ngritjes së madhe që pat në zgjedhjet lokale të nëntorit, duke marrë në numër po aq komuna sa edhe dy partitë më të mëdha në vend, pa dyshim se ka pritshmëri të lartë.

Ndërkohë  duke e ditur disponimin e Thaçit për të luajtur me kartat e pakicave atëherë kur i rrezikohet pushteti, kërkesat e serbëve për vazhdimin edhe të dy mandateve për vendet e tyre të rezervuara në Kuvend, ka shumë mundësi që të ndodhë me përfaqësim edhe më të madh, pa kthim prapa.

Është e sigurt se përfaqësimi joproporcional i tyre do të prodhojë kriza të vazhdueshme në parlament. Nëse reflektohet ngritja e madhe që pati në zgjedhjet lokale “Srpska”, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare ka shumë mundësi që të bëhen forca e tretë politike në vend. Në rast se kjo listë fiton edhe disa ulëse të tjera në Kuvend, në të njëjtën kohë do të marrë edhe disa ministri.

Kështu fryma e Daçiqit përmes listës “Srpska”, e dirigjuar direkt nga Beogradi, produkt i bisedimeve Daçiq - Thaçi ka shumë mundësi që tash e tutje të ushtrojë sovranitetin e vet legjitim, jo vetëm në veri, por edhe në qendër të politikës aty ku do të përcaktohen vendime të mëdha.

Ndërkohë që shtytje të madhe pakicave u jep në vazhdimësi edhe ndikimi ndërkombëtar, i cili është i gatshëm kurdoherë që të jetë nën shërbim të tyre.

Shembull i fundit janë edhe veprimet e EULEX-it, me ç’rast një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Themelore ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër njëmbëdhjetë pjesëtarëve të Njësisë për Operacione Speciale të Policisë së Kosovës (më parë e njohur si “ROSU”), me arsyetimin se të pandehurit akuzohen për keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare ose autorizimit publik.

Ndërkohë që në veri po vazhdon zyrtarisht integrimi i ish-pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës, fillimisht me 16 policë e që pritet të shkojë deri në 300. Sinjal ky i qartë për brishtësinë e sovranitetit të shtetit të Kosovës, e cila po përgatitet për të bashkëqeverisur me Daçiqin.

Zëri