Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vladimir Muça: Inteligjenca poetike

| E marte, 17.12.2013, 08:00 PM |


Inteligjenca poetike dhe tradita në poezi

( Refleksione mbi librin “ Ishull nën terr “ të Xhelal Ademit, botim i  <<Feniks >> Kërçovë  2013 )

Nga Vladimir Muça

1.         Nxjerrje në pah e një poezie inteligjente.

Mungesa e analizës kritike të vlerave me dukuri të reja letrare, në krijuesit shqiptarë të FYROM-it , si një fenomen të ri që premton për një poezi të re , më bëri që pas analizës të mbledhëtarit antologjik të Kalosh Çelikut, të ulem ngutazi e të shkruaj dhe për një krijues heshtak në krijimtari, vetanak më ambjentet shoqërore , Xhelal Ademi.

Xhelalin pata kënaqësinë t’a takoja në festivalin poetiko- humoristik  “ Xha Dërralla “ në qershor 2013. Ish një krijues i heshtur që bluante pa zhurmë e bujë , veç për vedi.  Në festivalin poetik “ Nën rrap “ në tetor 2013 , tek diskutonim me Kaloshin për risitë moderniste në mbledhëtarin antologjik, heshtazi më afrohet Xhelali dhe më jep librin “ Ishull nën terr “. Një titull intrigues , një supermetaforë që më ngjalli  në kujtesë titujt e librave poetikë të dr. Moikom Zeqos ,substanca e të cilëve fillon e rrëgjohet që në ballinë.

E lexova  librin që atë natë me kurreshtje . Në mendje m’u tipos një thënie e një filozofi  se : “ Vetmia është tipar i njerëzve me cilësi  krijuese  të mëdha.”  , me personalitet të veçantë nga shoqëria , dhe që tenton të dalë në mënyrë të vetvetishme si pika e tamblit mbasi ka marrë valë.

Atë natë tetori , në hotel “ Kiçevo” tek lexoja librin “ Ishull nën terr” , ndjeja  një  kënaqësi , një zjarr bubulkak që më ngrohte shpirtin ; në mendje më stivoheshin perceptime të një poezie  të re në këto treva, nën prizmin krijues të dr. Moikom Zeqos tek “ Centauri i fundit “, “ Orëndreqësi qiellor” , “ Herezi e Madhe” , një dukuri estetike  e re .

Poezi  tradicionale e rimuar, por veshur me një kostum të ri modern, të rifinituar me nocione neo- futuriste. Novatorizmi  i dr. Moikom Zeqos në krijimin e kësaj risie , futjen e qytetarisë , inteligjencës poetike në poezi , largimi sa më shumë nga provincionalizmi mbisundues edhe në këto troje kish ardhur e po jepte frutet e tij.

Xhelal Ademi ka flakur tutje ngarkesat ideologjike , perceptimet e një “ patriotizmi galopant” , deklamacionin e zhurmshëm poetik , duke u marrë me thelbin e problemit krijues ,që është : intervenimin ndjenjësor , mendimor dhe social në suazat e një sharmi trillesh , që bubrrojnë në rrugën e jetës.

Poezitë e këtij vëllimi  vinë veshur mirë e bukur me rroben e metaforave, tropeve nën muzikalitetitin  e aliteracioneve dhe kantilenave, në një aranzhim të plotë , duke rrezuar nocione të reja estetike me më shumë mendim, ide dhe qëllim. Me shumë inteligjencë poetike, finesë  në vargëzim, ruajtjen  e metrikës  gjer në ekstrakte rifiniturash.

Kësisoj me gjithë recesionin e thellë letrar, ku është zhytur poezia kosovare dhe ajo e krijuesve shqiptarë në FYROM,  ka një rrymë të krijuar nga Kalosh  Çeliku e të ndjekur nga Xhelal Ademi, Ejup Ajdini , analistët Nehas Sopaj , Ahmet Selmani e Rami Kamberi , të cilët janë në pararojën e prurjeve letrare e këndvështrime me ekstrakte të modernitetit perëndimor.

Xhelal Ademi , ndoshta  është më i heshturi , më vetanaku në këtë pararojë. Ai  punon si ajo bleta në zgjoin e vet duke pasur busull  në punë “ fjalë pak e punë shumë”, me atë heshtanaken e një vale nëndallgëze që i zien përbrënda shpirtit krijues. Poeti zien e grindet  nër  vedi në zotërimin e artit të shprehjes , duke nxjerrë në kuadrin global  thelbin e filozofisë të jetës përditore; duke vendosur raporte ndërmjet ireales dhe reales.

Ai evidenton copëza nga jeta e Mikes, duke i transplantuar  në qenien e vet , si pjesë të një kozmosi të madh shpirtëror. Si vetanak në këtë rrugëtim , ai paralajmëron dhe Miken , miqtë krijues   me poezinë ”Po qe se një ditë” , ku :

Po qe se një ditë më gjen të hutuar

Mos më ik me ngut, zhduku ngadalë,

Por jo rrugës sime, mbase është trazuar

Nga një mal kujtimesh e një lum gjithë valë.

Siç shihet , gama e lirizmit të Xhelal Ademit është e gjërë , e trazuar , mbarsur me nocione erotike, patriotike, atdhetar, baritore, natyrore. Në këtë amalgamë , dominante në librin “ Ishull nën terr ” është poetika e qenies të  vetë poetit e të Mikes, dhe e poetikës së historisë në zgjimin e ndërgjegjes mëmëdhetare. Sepse siç shprehet dhe vetë poeti  tek poezia “ Ti dhe qyteti i huaj” , në këto dy aspekte ai e ndjen thellë shpirtërisht:

Çfarë reje mizore t’pushton or qytet,

Më ndjek përmbrapa në çaste trishtimi,

Sipri vetmisë time si dallgë që vret

Ja beh marrëzia me atë gjëmë harrimi.

Si  kjo poezi dhe poezia  “Për ty dhe jetën ” në pamje të parë  vinë si modeli  i një poezie me strukturë metrike tradicionale , por elementet e figuracionit modern , metaforat tepër funksionale të plazmuar shumë këndshëm në një harmonoi edhe kur “udhët e korbave heqin zvarrë këtë terr”.

Me gjithë këtë autori me kënaqësinë  e vet poetike  duke e parë  se :

“ Qemë një kokërr shiu që nga qielli pik,

Dhe që jeton çastet gjersa shkel në det.”

lodron me ato nocione neo -futuriste , me shtrezimet e një moderniteti të ri , të natyralizuar bash me një klasike të hipotekuar. Ajo që në të shumtën e rasteve në konceptin modern e quajmë arkaike , bëhet themeli  murëmbajtës i një godine të re , krejt e veçantë , por me ekstarkte të estetikave të së kaluarës, sintetizuar përgjithësisht në cilkin e parë të librit.

2. Kapriata të reja dhe rrëzëllime neo – futuriste.

Në rrafshin semantik , poezitë e vëllimit “ Ishull nën terr” në kuadrin e një godine me kapriata të reja stilistike , vijnë si pasqyra të një spiritualiteti në subkoshiencën e vetë poetit, interesave e shqetsimeve intelektuale në suazat e një nacionalizme e interesash mbarëshoqërore. Ato vinë si letër-lakmues  i vëzhgimeve dhe derivatiëve në kahjen krijuese të botës shqiptare  në FYROM, me ato zgiqet e kapërcejtë e zhvillimeve  shoqërore , historiografisë të popullit të vet , të mitikes së tij, duke krijuar një prirje enciklopedike brenda një teksti poetik.

Si e tillë poezia e Xhelalit përveç nocioneve të një lirizmi erotik, dashuror, anës psiko-emotive që mbart , me shumi ka dhe një ngarkesë të dukshme me valenca të larta celebrare të një erudicioni pan-shoqëror.

Nga kjo risi autori , në krah të Kalosh Çelikut i përkasin një mendimi të ri  estetik , larg provincialitetit që po i zen frymën letërsisë shqiptare në tërësi. Ndoshta tani për tani kjo mendimtari bie disi ndesh me ndryshkun e traditës , por ajo i përket mendimit të ri, novatores në një ardhmërie globale , metropolitane.

Libri “ Ishull nën terr “ mund të themi se vjen me origjinalitetin e vet duke e bërë të dallueshëm  nga simotrat për mesazhet që përcjell , me një përmbajtje moderniteti  neo- futurist që ajo mbart në ekstraktin poetik.

Ky origjinalitet në konceptin e përmbajtjes , ka si prevalencë ndjenjën , emocionin , rrebelimin gjer në pasthirrma dhe shpërthime , dukuri kjo e institucionalizuar si estetikë në poezinë kaloshiane. Kjo thirrmon  për një katarsis jo vetëm shoqëror  por edhe estetik. Ajo vjen si një nxitje direkte për një ekologji  mendimore, shpirtërore  dhe qytetare,. Në konceptin e poezisë modern  mendimi ngrihet  mbi ndjenjën. Në   mes  të një aproksiviteti mes modernes dhe traditës ( klasikes)  qëndrojnë një seri poezishë të këtij vëllimi.

Shembull është  poezia  “ Në kërkim të lirisë “ ku : “ Po ajo më briti mbi  kalë prej shtrëngate / s’të dorëzohem dot ndaç turru më merr.” Qoftë  edhe nga ky shembull del qartë tendenca e një risie tashmë e kthyer në normë stilistike: përpunimin e metrikës klasike duke e veshur  me cilësi të reja të një moderniteti të natyrshëm vendor, largimi nga arkaikja e veshja me kostum metropolitan.

Në to gjëndet harmonia e rimës, muzikalitetit të vargut me idenë e mendimin , një barazpeshë me fluksin ndjenjësor , një barazpeshë  artistike mes tyre.

Në këtë harmonizim   një vend të dukshëm zë dhe filozofimi poetik që mbartet nga vetë asosacionet  e jetës së poetit, Mikes e miqve e shprehur si filo-poezi. Mendimi filo-poetik në formë tropeshë dhe trillesh vjen më natyrshëm  nëpërmjet një neo- futurizmi të brishtë.  Në këtë mënyrë autori shpërfill me sukses reminishencat eseniniane të cilat vihen re sot dukshëm në shumë poetë lirikë. Etalon i një poezie të tillë është poezia “ Natë zbehtake”.

Ku : “ mos vallë lëngata rendëtete për të kapur/ do tërmete malli nën gjithë atë rrëmbim.” Një ndërthurje  e naimjanes  poezi me një moderim me anë të një bisturie neo-futuriste në kontestin shqiptar.

3. Parabola të reja në dëndësi imazhesh.

Në aspektin shoqëror , sikundër Kalosh Çeliku , dhe Xhelali në krijimtarinë e tij përqaset si disi i veçuar , asket, gjë e cila reflektohet dhe në rekursin social. Që këtu  zenë fill dhe parabola që përshkojnë yjësitë poetike, të cilat krahshtrihen  përmes metaforizimeve të një diskursi në qiellin mataforik të vetmisë , një dukuri  kjo e poetëve post- modernë  në botë.

Autori yshtet nga kjo prirje në këto ftillesa të reja poetike të cilat janë shumë premtuese .Vetmia sociale , reflektuar në jetën e përditshme e axhendat shoqërore ( sikundër festivalet poetike, takimet ) vinë si rezultat i papajtueshmërisë të personalitetit  krijues me realitetet ku jeton e ze fill dhe veçanësia sipas psiko-analitikës frojdiane të personalitetit.

Në këtë  inkubator , inkubohet e rritet dhe vetmia estetike, personaliteti krijues i cili vjen i veçantë në  stil dhe në estetikë  nga bash- krijuesit që e përqakojnë.

Xhelali e përpunon me durim bahçen e tij , duke e bërë qilizëm, duke herrur graminacet, duke i vaditur e prashitur , me një durim prej Bude. Ai është i prirur për të nxjerrë produkte pa hormone, por bio nga shpirti i tij krijues , ndaj boton poezi rrallë e jo si disa krijues improvizuesë, delirantë.

Siç duket kur krijon poezi ai pllakoset në një vetmi biblike duke e zdruguar veprën e vet si Mjeda  famshëm me zdrugun e durimit e të përkushtimit të zotit Krisht, ku hera herës shpërbëhet dhe vargu i fillimit dhe ai përmbledhës i mendimit.

Në këtë spiritualitet krijues , në këtë vëllim si tek poezitë “Arratisja nga brenga”,  “Ah miku im “ , ‘”Zajazit”, ‘”Në dy varre”, “ Kësaj rruge “ , autori me  artin poetik , qoftë edhe me një sekuencë historike , me një toponim , apo nga një ngjarje , nga një personalitet , gjen shtegun artistik  për  të ridimensionuar kujtesat historike – njerëzore. Për poetin , poetika e historisë   është   kudo   ku ka lënë gjurmë qenia njerëzore; mjafton të rrëmosh në të me kujdesin e një kopështari e t’i shërbesh kësaj bimësie poetike me përkushtimin e duhur estetiko – stilistik , sikundër Xhelali ka limuar këto vargje:

“ Kërkova lotin n’syrin e shkruar

Por ishte tharë që në mesnatë;

E ç’punë të bëja me këto duar,

Ç’ka të gërmoja në pus të thatë.”

Autori me anë të kësaj poezie ku gjithçka është ngritur mbi kapriata metaforash , orvatet të jetojë botën e tij, duke u shprehur me zë të lartë, të tejpashëm , me qëllimin që lexuesi , jo vetëm ai i Uskanës ilire apo i Zajazit  të dashur , ta njohin gjer thellë në shpirt dhe të presin prej tij çdo gjë me dashamirësi , krahëhapur. Buranat shpirtërore që  rrjedhin nga kjo përqasje, rrjedhin rrëke të kthjellta ekzistenciale, duke e bërë autentik vargun , më të qartë e më të bukur, por edhe më dramatik  , e këtë dramacitet poeti  klithmon si brenda  vetes , por dhe më tej , drejt  të tjerëve.

Kjo përçapje e dyfishtë , në dukje, në heshtje, por që në brendësi zien në errupsion , lind nga dëshira për  t’u përballur  me lexuesin , miqtë e dashamirësit  që e rrethojnë, për një dëshirë të përbashkët , ku secili të zbulojë e të kontribuojë në zbulimin e rrënjëve të tij, botën e brebdëshme ( edhe të Mikes) me tërë vitalitetin e përkushtueshmërisë.

Kësisoj kjo do gjenerojë poezinë e re, në horizonte të reja, paksa e brishtë në ballafaqimin me arkaiken provinciale.

Këto horizonte për Xhelal Ademin  ( por më parë për Kaloshiadën poetike ) nuk janë ato pikturale të liqeneve të gjelbërt, as ato të maleve me borë, apo të qiejve që  “pikojnë  yje”!...

Në to mbisundon  një surrealizëm e ekzistencializëm , një vullnet që spikat në poezinë e sotme botërore, duke e çliruar nga ligjërimet , përbetimet, ojna – ojnat.

Kjo poezi e re që po maturohet me aq dëshirë e përkujdesje nga ky grup – target , artikulon me anë të imazheve të reja të shkaktuar nga ankthet përditore si dhe kërkesat që shtron dinamika e jetës së sotme në kalendat e cyberias.

Kjo pikëpyetje është bërë më drithëruese në estetikën e sotme kur vërehet një zhvillim galopant i teknologjisë në rrjetet sociale e të komunikimit. Për poetin , misioni dhe fuqia e poezisë është sot me shumë se kurrë një ushqim shpirtëror , njohjeje, angazhimi, duke u bërë vetë poeti  kontrollues i shpërthimeve të ndjesive. Lexuesi, shpërthime e vetkontrolle  të tilla i ndjen sapo  lexon poezinë “ Acar” e poezitë pa titull ku:

“Përtej zjarrit të këtij malli

Thua të ketë një botë të mjerë,

Dhe që fort digjet balli

Ndaj acar i brishtë le të bjerë.

Poezi që vinë si befasi  emocionuese , diku thellë në një fund- det të dukurive, meditimeve  të çiltra që janë vendosur aq bukur e këndshëm në strukturën vargëzuese me tensione të një lirizmi universal.

Vargje  të tillë si :

“Një re çmendurake u puthit në qiell

Përfundi së cilës si i dehur rashë”

Janë kulmi i një poezie sugjestionuese, ngjizur me metaforën e një Mikeje e cila me një mikrovalë të shpirtit ngroh ndjesitë trupore e shpirtërore në një rrëntheqje  e një pafundësi  fshehjesh, gjersa të bëhet një me detin e shoqërisë njerëzore. Lirika të një natyre ku  gërthehen copëza problematike të jetës dhe filozofia e saj janë të mirrëarrira  në ciklin “ Arratisja nga brenga”.

Një social – poezi do ta quaja unë, e cila vjen si një tjetër veçori që personalizon poezinë e këtij libri, në të cilin gjejnë kaleidoskopin e një paralelizmi figurativ. Në këtë kontekst metaforat marrin valencat e ndjeshme të një simbolizmi.

4.  Sens zhvëllimor drejt nje profile të ri.

Gjithçka që në botë shpërfaqet në formatin e një disidence artistike, në vlimet historiko- shoqërore, në poezitë e Xhelal  Ademit, bota me anë të një irealiteti të shumë dëshiruar, shfaqet në imazhe  të tjera të përthyerjeve shpirtërore. Kjo vjen , jo si  një indikacion autoritativ , por në to autori prevalon shumë lloje ndjesishë , shqisash, gjer te ajo , e veçanta shqisë e shpirtit , e cila futet dhe në zgafellat më të errta të qenësisë, duke lënë dhe plagë në shpirt.

Kjo e bën poetin Xhelal Ademi , që në proçesin krijues  (ndoshta si murg  i Athosit ) të mos pranojë të jetë një soditës indiferent , por një pjesmarrës aktiv, për të vërtetat , i përfshirë në labirinthet e koridoreve jetësorë.

Interpretime të tilla i ndjejmë të prekshme e racionale tek poezitë “ Jeta “, “Kthim i vonuar “, “ Përballë vetmisë “, “Takim i vonuar” , “ Fati i ikur “ , “ Lypsares së vogël “ ku autori thirrmon jo për të qenë spektator para dilemës, por  të jetë bashkëautor në psikologjinë e jetës individuale dhe shoqërore duke konturuar jetën e personalitetin.

Në një bisedë mbi krijimtarinë e tij , në diskutim e sipër e pyes Xhelalin :  - Si e koncepton ai poezinë tradicionale dhe nevojën për një risi të saj , veshjen e saj  me një kostum të ri autentik modern shqiptar?...

Me urtësinë karakteristike , fjalë- peshuar , i sigurtë në atë që do të shprehë  më përgjigjet: - ”Jam i mendimit se si çdo gjë edhe poezia ka sensin e saj zhvëllimor. Unë tentoj në krijimin e një profili që të përkojë me zhvillimet kohore.”

Me këto koncepte , përfituar nga një katarsis estetiko – stilistik, autori mundohet të ruaj identitetin krijues, duke  krijuar një poezi autentike, duke ruajtur  origjinalitetin , duke shtuar në to dozën e gjallërisë të imazheve, të thellësive të mendimit , në përshtatje me kohën  dhe vendin ku ai militon poetikisht. I ruajta në bllok këto intervenime dialoguese të marra atje “ Nën rrap “ si një shkëndi që po ndizej në një yllnajë të re edhe  në këto troje si një koncept ,   botkuptim i ri letrar e në radhë të dytë si një risi  mbi të cilën do të ecë poezia shqipatre në zhvillimet e reja, si një pjesë e pandërprerë e poezisë botërore.

Dyrrah  dhjetor 2013

E –mail : vladimir_muça@yahoo.com

Vladimir Muça

Poet - studjues