| E marte, 17.12.2013, 08:25 PM |
MAKIAZH
Tregim nga QAZIM SHEHU
Ajo, padyshim ishte femra më e bukur në zyrat tona.
Kishte një trup të lastartë, një buzëqeshje
të çiltër dhe fliste sinqerisht. Të paktën kështu dukej. Por ishte e vërtetë që
ishte kështu. Nga dita në ditë po bindesha për këtë. Nga dita në ditë bindesha
se ishte fytyra më njerëzore në atë bashkësi njerëzish që dominohej nga femrat.
Dhe pse më dukej se figura e saj gjithnjë veçohej në plotërinë e saj. Ishte
shumë modeste, e çlirët, komunikuese dhe
trasparente. Të paktën kështu më dukej mua. Shpirti i saj duhej të qe i madh. Jo
vetëm shpirti po edhe flokët, trupi, gjoksi i hajthëm, hapi, gjithë ajo bukuri që ndriste në ajër sikur të qe
një zanë malesh zbritur gabimisht në atë peizazh urban me femra të mashkullorizuara,
të cilate vrisnin lart dhe nuk vrisnin
asgjë. Kurse ajo çdo ditë po më vriste. Kuptova se ndjeja për të një simparti të
hollë ngrohur pakëz nga një tallazije shpirti. Ishte një simpati tjetërsoj, një simpai që lindte nga një vështrim i vëmendshëm
që i bëja, ajo këtë nuk e dinte dhe s`kish si ta merrte vesh; po duhej ta
kuptoja, teksa shpesh e komplimentoja
brenda një sinqeriteti njerëzor ;fjalët e këtyre komplimenteve nuk i mbaj mend
se ndërsa shkruaj këto radhë më duket se jam po në ato gjendje fillestare kur
fillova ta vë re me dashuri e simpati të thellë. Ajo punonte në një zyrë ngjitur
me mua dhe shpesh lodhja mendjen, si mund të rrinte ky shpirt i butë brenda
atyre numrave të ftohtë ose anasjelltas.
Dikasteri
jonë është i rëndësishëm dhe nga të gjithë femrat e zgjedhura si gra miqsh apo
vajza të preferuara ardhë aty here pas here, sa herë që ndërrohen ekipet, është edhe një nga dikateret më të synuara dhe
më të sulmuara. Gjithë ajo tufë grashë që
hyn në mëngjes nga porta kryesore i ngjan një flladi të freskët që mbush
koridoret dhe u jep aromë zyrave të cilat çmpihen nga heshtja e natës prej fëshfërimës
së pranisë së yre. Po sa mirë që këto
gra të mos lyheshin dhe ngjyheshin me një mani prefekte që vjen deri në bezdi .
Çfarë fshehin vallë ato me këtë lyerje?
-Ah, moj gra, një shtërngim i bëra dhe i shkreti u shkreh i tëri…
Monda e shihte me dorën nën mjekër tundte kokën dhe mbyllte sytë duke psherëtirë ndërsa Tinka, kjo dosë e vjetër e divorcuar, po ende e mbajtur, duke përmendur shpesh nderin e burrit të ndarë, fliste se edhe ajo e kishte zënë një bukurosh nga ata të ministrisë përballë, veç emrin nuk ia thoshte për të shtuar edhe më kureshtjen e të tjerave. Kurrë s`më kishte ndodhur ndonjëherë të ndodhesha në një rreth tjetër femrash dhe të dëgjoja nga goja e tyre fjalë të tilla, madje fjalë që lexuesi i merr me mend e që nuk thuhen në këtë rrëfim të cilin do ta quaja autentik nga besimi i shpirtit tim për çfarë pashë dhe dëgjova. Aty dëgjova që të gjitha i shanin burrat e tyre me gjysmë zëri pa keqardhje duke sjellë nëpër gojë flashkësinë e tyre dhe gërhitjen si të berrit kur i vë thikën në fyt;madje njëra burrin e vet e quajti një gomar të kopanisur nga refuzimet e saj të përsëritura. Ai sa herë pëlliste, ajo ia vinte frenë në gojë me dëshirën më të madhe duke e sjellë si ngordhalaq tek këmbët. S`dihej cilën i pari i dikasterit do merrte për zëdhënëse të institucionit, sepse zëdhënësja e parë ishte transferuar në një institucion vartës, pasi ata të partisë kishin marrë ankesa për tonet e saj burrërore duke e vënë partinë në një paragjykim qesharak . Këtu pushuan thashethemet dhe fjalët e pista, sepe asnjërës nuk ia mbajti të shfaqej para tjetrës se çfarë mendonte për shefin e madh.
Po sa çudi
më erdh kur midis tyre pashë Livian. Ishte tërësisht e skuqur dhe rrinte disi
larg. Livia nuk fliste. E justifikova me mendjen time dhe më erdhi mirë tek e
shihja ashtu të heshtur pa bërë zë, skuqur tërësisht sikur ta kishte fshikulluar
një erë e ftohtë dhe e mprehtë si brisk. Duke u tërhequr lehtas bëra mbrapsht
dhe u ula në zyrën time pranë tavolinës. Mora materialin, fillova ta lexoj. U hap dera dhe hyri Livia. Ajo
u ul pa më thënë gjë, siç më thoshte rëndom:ç`kemi, shef. Nuk e pyeta ku ishte, veçse instiktivisht pashë orën, i penduar pas
pak për këtë vepim se kurrë nuk ia kisha përmendur ndonjë moskorrektesë të vockël
në orar. S`dihej si do e merrte, po me
sa vura re, ajo nuk e hetoi këtë dhe unë
u ndjeva i kënaqur. Sërish ishte e skuqur në fytyrë dhe flokët biondë më dukshin
me majë të përcëlluar nga kjo skuqje. Të nesërmen nuk vajta në zyrë se m`u desh
të shkoj në një qytet provincial për të verifikuar një paskontroll. Kur vajta
pas tre ditësh Livia më pa me vëmendje sikur unë të isha i ri apo i panjohur. Nuk
desh ta tregojë vëmendjen po kjo gjë nuk më shpëtoi. Çfarë duhej të kishte
ndodhur?Mos ndoshta ndonjëra nga gratë e kishte pikasur që unë kisha dëgjuar
duke përgjuar si rrugaç bisedën e tyre me fjalë turpi?Dhe kjo na duhet, thashë, të ruhesh nga këto, o derdimen, i fola vetes
dhe më shkuan mornica. Kur s`ke pula pse duhej të bëja :ish?. . . Këtë shprehje
ma përsëriste gjithnjë im atë duke kuptuar natyrën time prej kureshtari hutaq. Edhe
kjo na duhet, mërmërita sërish me vete, duke
kujtuar ato amazona të paplakura të cilat kërkonin të shpërthenin vetminë dhe
ngurosjen e mureve të zyrave të heshtura me një lojë fjalësh erotike që afronte
pranverën në një shpirt të konsumuar prej zgjedhjeve të gabuara ose një egoje që
sillte ëndrra për tu ngjitur më lart. Livia sërish e uli kokën e qetë dhe me
gishtat e saj të hollë takonte tastierën e kompjuterit. Në pushim më tha se
donte të pinte një kafe dhe po të doja të shkoja, sepse kishte një rast. I thashë se do vonoja
pak dhe ajo të priste. Livia doli. E gjeta tek klubi . Aty ishin të gjitha gratë,
po tani të shpërndra me njëra tjetrën nëpër
tavolina, ndonjëra vetëm, ndërsa shumica bisedonin me kolegë. Unë u ula pranë Livias
dhe ajo kishte porositur kafe dhe rakinë time të preferuar. Flokët ia mbulonin
qafën po në një lëvizje të beftë vura re se gusha iu zbulua dhe aty ishte një njollë
e vockël. Edhe kjo po fillon të bëjë makiazh, mendova, haje dreq këtë punë!. . .
-Më bëhet qejfi, - i thashë, ti e di që unë ty të uroj gjithmonë, ti nuk je si gratë e tjera, ti je e veçantë…
-Jo, tha, -unë jam si çdo njeri, herë e parë që e dëgjoj këtë dhe s`është mirë për ty, ti je i martuar…
---
Ajo qeshi, qeshi me të madhe, supet iu tundën ndërsa flokët e verdhë ngriheshn si dallgë mbi një breg kur bie tërmet ose bregu rrënohet nga një forcë e brendshme nën të. Më erdh zor. Fundja çfarë i thashë, a nuk mund t`ia thoja në zyrë kur ishim vetëm këto fjalë. S`di sesi më erdh. Njeriu nganjëherë e braktis veten dhe gjen një arsye për të mos menduar mirë në çfarë ambienti rri ose çfarë rrethane përparon në atë çast. Kur u ngritëm dhe vajtëm në zyrë unë gjeta një shkas duke i thënë se më kërkonte Tahiri, zëvendësi i shefit të madh. Ika, dola përjashta, gjeta një lokal dhe ia lëshova një gote rakie tjetër me një pjatë qofte. I hidhja sytë nga xhamat dhe shikoja kalimtarët në rrugë. Vraponin, iknin, të gjithë të thithur në punët e tyre…
Të nesërmen
zyra i kishte dritaret e hapura. Livia kishte ardhë para meje dhe trokiste
gishtat në tastjerë ose tastiera kërcente me germat nga gishtat e saj. E përshëndeta
dhe ma ktheu përgjigjen pa dashamirësi. . Ngjyra të theksuara në mollza, në faqe.
Poshtë tyre ravijëzonte hijen e hollë një njollë e samezidukshme. Ajo njolla e
vockël në gushë pasi kishte bredhur trupin e saj duke bërë një udhëtim të butë në
mishin e saj njomëzak kishte zënë vend në faqe. Ndjeva një trishtim të beftë, e
ardhuroja atë vajzë, e doja fort, për asgjë tjetër, sepse ajo ishte e heshtur, e ndrojtur, bukuroshe
në kulm dhe mjaft e thjeshtë. E vërejta me kujdes. Ato njolla nuk ishin makiazh.