| E hene, 16.12.2013, 08:29 PM |
Dashuria
poetike e Sherifit
Nga Ndue Ukaj
Poezia e Skender Sherift është një oazë e veçantë letrare, ku gërshetohen e bukura dhe e dobishmja, brendapërbrenda një konfigurim të përpunuar, ku idetë dhe figurat letrare, harmonizojnë tërësinë e një poezi specifike, si tematike dhe realizim estetik. Lexuesi i kultivuar, sapo hap faqet e para të poezisë së Sherfit, e kupton se përpara ka një poezi që thotë shumë, një poezi përplot konotime estetike dhe semantike, një poezi qe kap një kontekst të gjerë-pra, një poezi që shfaqet me tërë kompleksitetin e një poetike mjeshtërore. Në të vërtet, nëse e lexojmë me kujdes librin me poezi Love, vërejmë se ajo është poezi ndryshe, ashtu siç është autori i tyre ndryshe, një krijues me një potencë të fuqishme, me perceptim të çuditshëm për botën rreth nesh, për historinë dhe të tashmen, për metafizikën dhe realitetin, e sidomos për dashurinë dhe perceptimet për dashurinë, këtë ndjenjë fisnike dhe temë të përhershme të letërsisë, që di ta manifestoj bukur në poetikën e tij, madje qysh me titullin inicial, Love. Poezia e këtij libri, që po vjen shqip me një përkthim të bukur nga Albert Nikolla, është një realitet estetike origjinal, i cili buron nga shpirti i një poeti me potencë të fuqishme krijuese, nga shpirti i një poeti që eksperimenton me fjalën dhe e gdhend mendimin, deri në imtësi. Për më tepër, Skendër Sherifi është autori me një imagjinatë të thellë dhe këtë imagjinatë e derdh me dellin e krijuesit, në poezi, duke e dit se poezia është kurora e letërsisë imagjinatave, siç do të thoshte studiuesi i mirënjohur bashkëkohor, amerikani Harold Bloom. Poezia e tij, e ndërthurur nëpërmjet harmonizimit të së bukurës dhe dobishmes (Horaci), është një polifoni poetike, ku emocionet ecin krahas figurave të gjetura, ndërkaq imagjinata poetike përplotësohet me dijen për artet, e veçmas për artin e poezisë. Kësisoj, kjo poezi është jo vetëm origjinale, por edhe një model i veçantë, nëpërmjet së cilës autori sjell para lexuesit ritmet e një poetike që është krijuar prej një njeri të frymëzuar dhe të mishëruar me poezinë. Libri me poezi Love, i cili ka përjetuar një receptim të mirë në botën frankofone, tani vjen para lexuesit shqiptar, me tërë pasurinë semantike dhe ritmike, me strukturën e saj semantike dhe estetike, si një poetike thellësisht e mëvetësishme. Kjo është një poezi që kumbon, që tregon, që grish dhe hap dilema të pafundme, për vetë jetën dhe qenësinë e poezisë, për dashurinë dhe femrën, si objekt dominant i kësaj poezi. Pra, poezia e tij nuk është vetëm imagjinatë, madje as vetëm emocion, por është një realitet poetik, i përpunuar në laboratorin krijues të një poeti, siç thamë, me potencë të fuqishme krijuese dhe sikundër na demonstron idenë se “gjuha është një krijim estetik” (Jorge Luis Borges), për të përmbush universin e një poezi, e cila ndërkomunikon me botën e madhe të letërsisë, duke përftuar trajta, figura dhe simbole letrare nga kulturat botërore, që janë dëshmua ndër shekuj si gurrë frymëzimi për artet e ndryshme. Në vargjet e Sherifit, predominon tematike e madhe e dashurisë, kjo paradigma udhërrëfyese që lidh indet e një poezi të larmishme në trajta dhe motive, e të cilën temë të madhe, autori e zhbiron nëpër shekuj, duke e plotësua universin e tij letrar, me mitologji, religjion, filozofi, arte, etj. Mirëpo, kjo ndjenjë superiore e njeriut dhe temë e përhershme në arte, u bë në poezinë e tij një lajtmotiv për të kontekstualizuar edhe tema dhe motive tjera, të filozofisë së jetës, të absurdeve që përjeton njeriu bashkëkohor, të klimthave të tij, etj.
Duke
lexuar poezinë e Sherifit, ne kuptojmë se përballë kemi një poet që poezinë e
ka jetë dhe jetën poezi. Kësisoj, na ravijëzohet poeti i mishëruar deri në palcë
me vargjet e tij, ato klithma shpirtërore që i përpunon mjeshtërisht në laboratorin
e tij krijues. Dhe në të vërtet, Sherifi ka një laborator krijues origjinal, të
mëvetësishëm, edhe pse në poezinë e tij vërehen ndikime të poezisë bashkëkohore,
të Biblës dhe antikës së lashtë. Autori si mjeshtër i poezisë, çdo gjë e përpunon dhe e pasuron me idetë e kohës. Andaj,
libri i tij konotacionet i merr në kohë dhe hapësirë, por me që esencialisht
fut tema të mëdha ekzistencialiste, ai
Poezia e Sherifit, është një oazë plot mistere bukurie, ku metaforat dhe vargjet ritmike, “mbulojnë” këndshëm mendimet e poetike, me një shtresë bukurie të lakmueshme. Në poezinë e librit Love, çdo gjë vjen nga dashuria dhe ka intencë dashurinë, si trajtën më sublime të jetës dhe poezisë, këto tema të ndërvarëshm edhe funksionale në gjithë këtë libër voluminoz poetik. Për më tepër, kuptimet letrare nuk mund të kuptohen jashta temës së madhe të dashurisë, e cila derivon motive tjera, që ndërlidhen me të, siç mund të jenë, xhelozia, urrejtja, humbja, kërkesat, përsiatjet e njeriut për fenomene të ndryshme, etj.
Sherifi
poezinë e ndërton si një realitet poetik-estetik, në raporte të ndërvarëshme me
njeriun, i cili është epiqendra e poezisë së tij. Ky njeri është objekt real i
botës sonë, është femër, shpesherë e njohur për botën. Kështu, e gjithë poezia
e librit Love, krijon një marrëdhënie specifike me objektin poetik njeri, me atë
që e shoqëron poetin dhe me atë njeri që
poeti e ndjen, e adhuron, e dashuron. Ajo është një poezi që objektin poetik e
ka të bukur, këndej pari edhe transfigurimi në vargje,
Sherifi është poet i veçantë, me botën e tij poetike, me motivimet poetike, me mënyrën e të shkruarit dhe sidomos me perceptimet e tij për realitetet e ndryshme, ato që i transfiguron në poezi. Origjinaliteti i poezisë së tij buron nga qenia e tij, e cila dhembjet dhe pasionet njerëzore, i bën komunikime universale.
Ne këtë libër me poezi, kalojnë emra të rëndësishëm të botës së artit të përbotshëm. Janë personazhet bashkëkohëse të autorit, që e frymëzojnë, prandaj edhe këto poezi kanë objekt emrat e mëdha të kinematografisë, muzikës, arteve tjera, prej ku autori gjen frymëzim. Poezia është e mbushur me dashuri, andaj përjetimet estetike dhe përjetimet intelektuale ( Borges dhe Eliot) të kësaj poezie janë të shumëfishta dhe plotësojnë lexuesin e kultivuar. Observimet e poetit për këtë ndjenjë dhe përjetimet e tij, transfigurohen me peizazhe të larmishme, ku dominon thellësia e dashurisë dhe femrës si objekt i trajtimit estetik.
Poezia e tij është një autonomi në tërësi, ndërsa vlera e saj qëndron brenda saj, si një shpërthim i pasur, brenda një kompleksiteti estetik e semantik dhe me delikatësinë e balancës së vlerës. Prandaj, në poezinë e tij, gjenden ambivalenca, metafora, ambiguiteti, tensioni, ironia, paradoksi. (Junathan Culler).
Këtë përsiatje për librin Love të Skender Sherifit, po e përfundoj me një mendim domethënës të autorit të përndritshëm, Jurge Luis Borges, nga eseu i tij i famshëm, Poezia, ku shkruan: “Estetika është aq e qartë, aq e drejtpërdrejtë, aq e papërcaktueshme sikurse dashura, sikur shija e një fryti, sikur uji. Ne ndjejmë poezinë, ashtu sikur ndjejmë afërsinë e një femre ose sikur e ndjejmë ndjesinë e maleve apo thellësinë e detit”.
Prandaj, që poezia e tij të njihet dhe të përjetohet, duhet të lexohet. Kësisoj, ajo e realizon misionin dhe funksionin estetik e saj.
(Ky tekst, është botuar si parathëni e librit Love)