Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhylije Ibrahimi: Gratë dhe politika

| E shtune, 14.12.2013, 01:48 PM |


Gratë dhe politika

Kriteri i meritës duhet të vlejë për të dy gjinitë

Shkruan: Xhylije IBRAHIMI

Vendet e rezervuara për femra në vendimmarrje, në Kosovë, në të dy nivelet e pushtetit, nuk i kanë bërë të lumtura asnjërën gjini. Rasti në Gjilan, ku një kandidat për këshilltar komune u shpreh i revoltuar publikisht kundër ligjit zgjedhor, i cili favorizon femrat me pak vota, për hir të kriterit gjinor dhe sakrifikon meshkujt që kanë marrë pesë herë më shumë besim nga qytetarët, duhet të merret seriozisht nga ligjvënësit dhe KQZ-ja. Femrat duhet të jenë të barabarta në garë dhe përmes garës duhet t`i sigurojnë vendet e tyre, që mund të jenë 30 për qind, 50 për qind apo edhe më shumë. Aq sa u besojnë qytetarët. Në këtë mënyrë, vendet e tyre nuk do të mund t`i kontestojë askush. Në aspektin numerik si banorë, gratë janë përafërsisht të barabartë me meshkujt. Pra duhet të vihet kriteri i meritës në vend të kriterit gjinor. Ligji duhet t`i obligojë subjektet politike që të respektojnë barazinë te përpilimi i listave zgjedhore, ndërsa fituesit duhet t`i lihen qytetarit që t`i përcaktojë me votën e tij. Fundja, ky është edhe qëllimi i zgjedhjeve. Përvoja ka dëshmuar se përzgjedhja në këtë mënyrë, përmes kuotës së përfaqësimit në vendimmarrje, ka futur përfaqësues të pamerituar në vendimmarrje, të cilëve nuk ua kanë pa hairin as zgjedhësit.

Populli zgjedh, nuk shpërblen

Mandatet nuk janë dhurata të Vitit të Ri, që duhet të shpërndahen 30 për qind për gra dhe të tjerat t`i marrin burrat. Gratë duhet të marrin edhe më shumë se 50 për qind, nëse i meritojnë brenda një procesi konkurrues, sikurse nuk duhet të marrin as 30 për qind në mënyrë të pamerituar, si privilegje, sepse në këtë mënyrë zhvlerësohet një proces jetik i demokracisë dhe i shtetit ligjor. Unë si femër nuk do ta doja një ulëse të tillë, që më jepet si “privilegj” vetëm për faktin se kam marrë pjesë në zgjedhje si kandidate e një subjekti. Vendimmarrësi është zëri i qytetarit dhe ky zë mund të jetë i fuqishëm aq sa vota ka pas vete. Mendoj se femrat në Kosovë janë të afta aq sa edhe burrat dhe nuk janë në pozitë që duhet t`iu “falet” diçka, sepse mund të marrin edhe më shumë se burrat. Mjafton një përfaqësim proporcional në garë. Unë i inkurajoj gratë në Kosovë që të insistojnë te kjo formulë dhe të mos mjaftohen asnjëherë me kuotën e garantuar të përfaqësimit, sepse ajo as nuk iu bën nder dhe as nuk iu siguron përfaqësim meritor në vendimmarrje politike dhe ekzekutive. Përkundrazi, “vendet e rezervuara” nënçmojnë aftësitë e femrës në Kosovë, pavarësisht se ajo është e aftë të udhëheq edhe shtetin dhe çdo institucion tjetër. “Formula” i shndërron ato në kukulla dhe dekore të institucioneve vendimmarrëse e politike, në vend se të jenë të barabarta me meshkujt. Gratë kanë aftësi organizative dhe udhëheqëse më të mëdha se sa burrat, por vetëm duhet të mposhtin ndjenjën e inferioritetit gjinor, për të cilën janë fajtore vetë ato, po aq sa edhe meshkujt, të cilët e pranojnë në heshtje këtë gjendje, ku gratë udhëheqin familjen e burrat drejtojnë shtetin, sepse është në favor të tyre.

30 për qindëshi është limit

Kësisoj, duke u garantuar 30 për qind të vendeve në institucione, gratë po përjashtohen nga gara për të udhëhequr. Vetëm një grua në Kosovë është zgjedhur për të udhëhequr një komunë kosovare (Gjakova). Sikur në garë të kishte sa meshkuj, aq edhe femra, me siguri se realiteti pas zgjedhor do të ishte tjetër. Këtu nuk respektohet as formula e 30 për qindëshit. Si i këtillë, ligji është diskriminues në aspektin gjinor, sepse në një mënyre i favorizon gratë deri në një farë mase te pjesëmarrja në vendimmarrje, por edhe i diskriminon ato që të arrijnë më shumë, sepse mungon barazia te përfaqësimi në listat zgjedhore e sidomos te bartësit e listave dhe kandidatët për udhëheqje të komunave. Tani që këto zgjedhje kanë përfunduar dhe pritet konstituimi i asambleve komunale dhe kur po hyjmë në vitin e zgjedhjeve të përgjithshme, gratë duhet të kërkojnë ndryshimin e ligjit zgjedhor. Përfaqësimi i tyre në këtë proces me 30 për qind është “limit” gjinor, jo “privilegj” për gratë, me të cilin ato do të duhej të ndiheshin të lumtura.

(Autorja është studente e Masterit për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare)