Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Rumania dhe zëri i diasporës

| E shtune, 14.12.2013, 07:25 PM |


RUMANIA DHE ZËRI I DIASPORËS SHQIPTARE

Diaspora ka dhënë miliona marka dikurë e dhjetëra mijëra euro sot, për ta mbajtur gjallë shpirtin shqiptar në Kosovë dhe Diasporë. Çdo respekt për Ju që militoni atje për afirmimin e Kosovës sonë, dhe çdo respekt për ministrin e Diasporës që na përkrah, konkretisht, materialisht dhe shpirtërisht. (N. Lulaj)

Nga Baki Ymeri

Shumëkush prej nesh e din se pa komb nuk ka histori dhe pa histori nuk ka Zot. Motoja e revistës “Albanezul” është “I vetmi popull më botë, i fisëruar me rumunët përmes linjës trako-ilire, është populli shqiptar.” Historia e lidhjeve rumuno-shqiptare është e artë. Perandori Trajan i Romës, para dymijë vitesh i solli ilirët pirustë për eksploatimin e xeheroreve të arit në Malet e Apusenit. Thonë se në këtë zonë veri-perëndimore të Transilvanisë, rumunët e mbajnë fjalën e dhënë, janë besnikë, nuk vjedhin dhe nuk ta hanë hakun, siç vepron një rumune e Krajovës me origjinë serbe, duke ia hëngër hakun komunitetit shqiptar. S’po ia përmendim emrin për të mos dëmtuar subjektin e farefisnisë rumuno-shqiptare, apo dijetarin e famshëm Nicolae Iorga që ka thënë: “Shqiptarët janë kushërinjtë tanë të gjakut” (1938). Rumania gjithmonë e ka mirëpritur dhe përkrahur diasporën shqiptare, që nga viti 1595, kur vojvoda Mihai Viteazul (Mihai Trimi) u mundësoi 15.000 shqiptarëve të shpëtojnë nga ndjekjet osmane, të kalojnë Danubit dhe të vendosen në Olteni. Për fat të keq, nga Oltenia e kemi edhe deputeten e vetëshpallur në emër të “minoritetit” shqiptar, pa patur asnjë shqiptar në gropën e saj të zezë (redaksia e fletushkës së murit “Miku i Shqiptarit”), deputete e shpërblyer nga Qeveria rumune me mbi një milionë euro që nga mandati i saj i parë i pamerituar parlamentar (1996), e deri këto ditë kur ajo e ka gulçuar zërin e diasporës shqiptare në këtë vend të famshëm të mikpritjes dhe miqësisë. Në këtë oazë të kulturës ku botoheshin mbi 30 gazeta e revista shqiptare dikurë, kurse sot dalin vetëm dy që vlerësohen nga massmedia rumune dhe qarkullojnë, që nga Stambolli e deri në Kanada dhe Skandinavi: “Shqiptari” dhe “Kosova”.

Titulli i këtij shkrimi na obligon të bëjmë fjalë për arnautët e Tudor Vladimireskut, për Naum Veqilharxhin, dinastinë e Gjikajve, Nikolla Naçon, Ismail Qemalin, Asdrenin, Lasgushin, Kutelin, Viktor Eftimiun, Xhelku Maksutin etj., por kësaj here po ndalemi njëri nga numrat e fundit të revistës “Shqiptari”. Kështu, revista respektive në numrin e nëntorit të këtij viti, pas një urimi me titullin “Gëzuar Ditën e Flamurit”, drejtuar shqiptarëve ngado që janë, prezanton (në foto) Zonjat Klinton dhe Jahjaga, kryeministrin Victor Ponta dhe minstrat e Jashtëm, Enver Hoxhaj dhe Titus Corlatean. Në kuadrin e artikullit “Shqiptari në 125 vjetorin e botimit”, fillimisht bëhet një krahasim, ndoshta qesharak, ndërmjet sivëllezërve tanë nga Kosova, Ilirida e diaspora shqiptare, që digjen për komb e atdhe, dhe atyre të Shqipërisë që përveç interesit personal dhe karierist, kur vjen fjala për kombin, s’u han palla për kopalla!!! I qitëm tre pikëpuditëse, sepse jo për të gjithë e kemi fjalën.

Shqiptarët në kohën e Rilindjes ishin të bashkuar rreth një ideali të shenjtë kombëtar, kurse sot më duket se nuk jemi ata që ishim! Këtë ma thoshte para 20 vitesh një fqinj imi në Shipkovicë: “Ka kodra e kodra mes mentalitetit të shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë”. Këtë ma thoshte edhe lideri i komunitetit të këtushëm shqiptar, Dr. Xhelku Maksuti që e rindezi flakën e Rilindjes në këtë vend përmes krijimit të shoqatës së parë shqiptare pas shembjes së komunizmit (24 maj 1990). “Duke analizuar realitetin aktual, konstatoj se shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë janë më patriotë se ata të Shqipërisë”, thekson zoti Maksuti, sot e kësaj dite. Po ç’kërkon “përçarja kombëtare” në vigjilje të Ditës së Flamurit shqiptar? Po shkojmë më tej: Është i panumërt numri i shoqatave që janë shndërruar në prona private, thekson me fjalë tjera Kolec Traboini në një letër të tij. E këtillë është edhe “Shoqata Liga e Shqiptarëve të Rumanisë”, pa asnjë shqiptar në gjirin e saj. Çfarë kontributi ka dhënë Tirana zyrtare për demaskimin e saj edhe para autoriteteve rumune? Po kalojmë nga Bukureshti në diasporë.

Miku im i shtrenjtë, më shkruan një dashamir nga Gjermania këto ditë: “Më duket  me vend propozoni Juaj që Diaspora ta ketë në ballë një shqiptar nga Shqipëria, por Shqipëria këtu nuk e ka dhënë pothuajse asnjë cent për kulturën e Diasporës. Njëherit, kurrë dhe me asnjë gjë nuk na ka ndihmuar neve kosovarëve në mergatë, andaj edhe e ka humbur hapin karrshi nesh. Kosova ka derdhur gjak dhe ka dhënë mijëra viktima për çrobërimin e saj nga tutela serbe. Diaspora, në anën tjetër, ka dhënë miliona marka dikurë e dhjetëra mijëra euro sot, për ta mbajtur gjallë shpirtin shqiptar në Kosovë dhe Diasporë. Çdo respekt për Ju që militoni atje për afirmimin e Kosovës sonë, dhe çdo respekt për ministrin e Diasporës, zt. Makolli, që na përkrah, konkretisht, materialisht dhe shpirtërisht.”  (Neki Lulaj).

Shqiptari i Bukureshtit me zjarr patriotik

Kanë apo s’kanë armiq politikë kryeveterani i komunitetit të këtushëm shqiptar, Dr. Xhelku Maksuti dhe kryeredaktori i revistës Shqiptari? Po! Armiqtë tanë politikë nuk janë rumunët, por do butakë të një shoqate joshqiptare që janë duke ia hëngër hakun Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë. Sipas Ilo Mitkë Qafëzezit, pas Naum Veqilharxhit, Nikolla Naço-Korça është me të vërtetë një nga Kryetrimat e veteranëve të gjuhës shqipe e të Rilindjes shqiptare. Ka pasur armiq politikë dhe ka edhe sot, 24 vjet pas vdekjes, njerëz që përpiqen t’ia shëmtojnë Emrin e Shenjtë atij që të tëra pasuritë e fituara me punë të rëndë i prishte për propagandën shqiptare, për botimin e gazetave e të librave shqip dhe që vdiq i vobektë e i këputur” (Gazeta e Korçës, 28 nëntor 1938). Nikolla N. Naço, theksojnë pasardhësit e tij, s’rrinte dot pa vepruar. Me vullkanin shqiptar që i vlonte në zemër, në shtypshkronjën Kuku, në një godinë që gjendej në shëtitoren më të madhe të Bukureshtit (Bulevardul Elisabeta), nxorri në dritë gazetën e tij të famshme Shqipëtari/Albanezul, e para gazetë shqipe e Kolonisë shqiptare të Rumanisë, edhepse para një viti (1887) filloi të dalë në Brailë gazeta Drita/Lumina, me artikuj në gjuhën rumune, ku bënte fjalë edhe për Naum Veqilharxhin, edhe për mosmarrëveshjet që kishte dega e Brailës me atë të Bukureshtit.

Gazeta e Naços, sipas Lasgushit, “ka për qëllim të vazhdojë luftën e filluar për të nxjerrë nga robëria fisin shqipëtar, duke e ngopur me dashurinë e shentëruar të mëmëdhesë, ta mësojë kombin shqipëtar që ta ruajë me shenjtëri gjuhën e tij, karakterin e tij, zakonet e stërgjyshërve dhe madhërinë e tij të përmëndur”. (Një fatos i veteranërisë shqiptare, fytyra urdhëronjëse dhe aktiviteti historik i kryeveteranit Nikolla N. Naço-Korça, Konstancë, 1932). Numri i parë i gazetës Shqiptari / Albanezul doli në dritë para 125 vitesh, më 7 Gusht 1888. Gazeta delte një herë në javë, „nënë urdhërit të një pleqësie”, me artikuj në gjuhën shqipe dhe atë rumune. Në faqet e para të numrave të parë, tribuna kombëtare e shoqërisë “Drita” hapet me dy shtylla: Letëra e Florinjtë dheLetëra e Zezë, në të cilat lartësohen atdhetarët dhe fshikullohen tradhëtarët, fajtorët, prishësit e shoqërisë e të njerëzisë, njerëzit me shpirt të vogël që u shërbejnë interesave të poshtra e të turpshme. Mendimet e mia, thekson N. Naço në një broshurë të tij, „drejtoheshin kah krijimi i një marrëveshjeje ndërmjet shqiptarëve nga të gjitha anët e botës nëpërmjet botimit të një gazete, që do t’i shprehte konkretisht dhe do t’i përfaqësonte drejtësisht kërkesat dhe aspiratat mbarëkombëtare”.

Sipas publicistit Lucian Gruia, në kuadrin e artikullit “Revista e një kombi të ndershëm, besnik dhe mikpritës” (www.oglindaliterara.ro), revista “Shqiptari” sot ka për synim ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve. E themeluar nga Nikolla Naço në Bukuresht më 1888, kjo tribunë e albanizmit në Rumani, ka funksionuar deri në vitin 1903, kur e pat ndërprerë botimin. Revista u ringjall më 1993 si zogu Feniks, falë historianit rumun me origjinë kërçovare, Dr. Xhelku Maksuti, kurse që nga viti 2001, paratë e destinuara për komunitetin shqiptar filluan të derdhen në xhepin e Shoqatës Liga e Shqiptarëve të Rumanisë, e drejtuar nga ish aktivistja komuniste Oana Manolescu, e kontestuar nga shqiptarët dhe e demaskuar nga revista humoristike “Academia Catavencu”. Që nga viti 2005, “Shqiptari” del falë autorit të këtij shkrimi, kohëve të fundit e botuar në format libri me 50 faqe në kolor, me përkrahjen e Ministrisë së Diasporës. Që nga viti 1993, nga seria e re e kësaj tribune janë botuar mbi 150 numra.

Në vazhdim jepet një informatë nga Bota sot (“Rumania do ta njohë Kosovën në vitin 2015). Po japim vetëm një fragment: “Kryeministri rumun, Victor Ponta gjatë një vizite në Washington tha se Bukureshti mund ta ndryshojë qëndrimin e tij aktual rreth Kosovës. Ai shtoi se, Rumania mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, por jo këtë vit apo vitin tjetër, këtë mund ta bëjë në vitin 2015. Kryeministri rumun këto deklarata i beri gjatë takimit me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden.” Elona Zhana nga Belgjika vjen me artikullin “Demitizimi i demokracisë”. Pason një shkrim në gjuhën italiane (I rumeni interessati a investire sul mercato del Kosovo), artikujt “Një flamur kombëtar nga shoqëria “Bashkimi” e Bukureshtit, dhuratë për Nolin”, “Manojllovski dëshmon në Kongresin Amerikan për njohjen e identitetit të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni”, “Drejtuesit e Klubit të Mundjes “Liria” e uruan Prof. Dr. Vullnet Ahmeti për zgjedhjen Rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës”, “Takime me biznesët shqiptarë në Austri”, “Ministri Makolli u takua me mësues nga Gjermania”, “Kampi dimëror i diturisë”, “Rreth 25% të kosovarëve jetojnë në diasporë”, “Zoti e bekon Kosovën edhe në Bukuresht”, “Lansimi i librit “Kosova” në Fundacionin Titulescu” (rumanisht), “Ekspozeja e filoshqiptarit Tiberius Puiu”, fotografi të ndryshme dhe disa mirënjohje në adresë të Dedë Preqit, Bajrush Morinës, ballina e Shqiptarit me Sadulla Zendeli Daja dhe Xhafer Leci, ballina e librit “Pavarësia e Shqipërisë” sipas opinionit public rumun (1912-1914) e autorit Stoica Lascu, ballina e librit “Nga ëndrra në ëndërr” e poetit Burhanedin Xhemaili.

Në vazhdim jepen poezi të Sylë Bajramit (2b Nëntori), Ermira Ymerajt (dera e unit), Milazim Kajtazit (Letër vendlindjes),  Vangjush Zikos (Tempulli i mermertë, Tempujt e qelqtë), Zejnepe Alili-Rexhepi (S’më shuan nata). Në gjuhën rumune del një shkrim mbi poetin Dumitru Ichim nga Kanadaja, artikulli “Rumunët e Luginës së Timokut, viktimë e qarqeve antidemokratike serbe”, disa ballina gazetash të vjetra shqiptare, portrete të Elena Gjikës, Nikolla Naços, Grigore Brënkushit dhe Xhelku Maksutit. Pason artikulli “Krenari shqiptare që nuk shuhet kurrë”: Po e japim vetëm një fragment: “Patriotizmi nuk këndohet por dëshmohet. Malësorët e Sharrit digjen për komb dhe atdhe, për nder dhe flamur. Para 12 vitesh, në malet e Sharrit qëndronin perënditë e Shqipërisë, bijtë dhe bijat më të zgjedhura të popullit, që edhe sot i kemi atje, siç i kemi patur, që nga lashtësia. Në malet e Sharrit e të Karadakut, në Drenicë, Sllupçan e Shipkovicë, në Tanushë, Poroj e Radushë, dhe në qindra lokalitete tjera shqiptare, shpërtheu shqiptarizmi. Shpërtheu vrrulli i shqiponjave me flamur në dorë, dhe me trimëri në zemër. Askush nuk mund t’i harrojë ato ditë heroike, kur shqiptari diti t’i bëjë ballë botës barbare, kur vullneti i burrave i shkulte malet.”