| E enjte, 12.12.2013, 08:16 PM |
Sejdi BERISHA:
SHËTITJE SHPIRTI ËSHTË KJO...!
Me ashk i vizitova madhështitë e Marjashit*
Nuk e gjeta pishën tek Shkëmbi Ujkut
Edhe lëndinën ku qethnim delet
Të reshurat e stinëve e kishin gërryer
Gurra te Stani i Madh kishte shteruar
Shtati i djegur kohësh i Lisit
Majë shpatit ishte shkapërderdhur
Vetëm thneglat dhe mizat
Zukatnin brenda trupit të tij pluhur
Kishin bërë strofull dhe ushqim
Kambanat e ogiçëve as varë në stan
Koritat e qumështit ishin mykur e çarë
Sheka ku milej qumështi
Ishte kthyer përmbys
Edhe tinarët pa djathë as mazë
Në torishtën e deleve
Kishin reshur bollushtra e hithra
U ngjita edhe njëherë lartë
Aty ku mblidheshim në flladin e mbrëmjes
Vetëm shëtitje mendjeje më kaploi
Vrapova tek Livadhi i Gjollave
As për ilaç gjurmë delesh as barinjsh
O Zot
Çfarë paska ndodhur
Shëtitje shpirti është kjo
Këtë luks ma lejon vetëm zemra ime
Për t’më freskuar
Me pikturën e jetës
Nëse e dëshiron kush këtë pikturë
Le ta ruajë kështu në vargje
Për t’ia rrëfyer dikujt përrallat e mia
Që mua
Sinqerisht më djegin e më madhështojnë
Tek Huni i Maxhupit në qafë bjeshke
U ula
Dhe si në shuplakë dore i shihja
Bjeshkët e atdheut tim plotë etje
Të ulura në gjak e me fjalë të pathëna
Përzier me besë e tradhti
Me dritë terr e ferr
Boronicat e mjedrat
Sikur ishin hidhëruar
Vashat as nuset tash nuk i mbledhin
Nëpër shpatijet e dendura me bredha e pisha
Isha eçtuar e përmalluar duke shëtitur
Te Gurra e Roshkodolit
Desha të freskohem
Por nuk kishte më ujë si përpara
Me lot e shova etjen...
*Marjashi – njëra prej bjeshkëve më madhështore shqiptare