| E merkure, 11.12.2013, 07:08 PM |
Thani
Naqo
PËRRALLË ME LËMENJ?
Ti s'ke si ta dish ç' është lëmi,
Strumbullari i drunjtë pse duket i artë.
Pse kuajt spërkatin me xixa kalldrëmi,
Pse qielli, dikur, ishte më i kaltër.
Ti s'ke si ta dish ç'ësht' ngarësi i kuajve,
Epoka e lëmenjve tani është fikur.
Ama, kokrën e grurit shkolitnin prej duajve,
Thundrat e atyre, që quhen krifëngritur.
Ti s' ke shijuar lëpjeta me gjizë,
As dhallë të ftohtë e lakror me rradhiqe.
Nafora, që ty, të japin në kishë,
Bekim i lëmenjve në mijra e mijra vite.
Ti s'ke si ta dish ç'është vrahtari,
Si pastron grurin me erën e mbarë.
Pastaj, për jastëk, një samar kali,
Të atyre kuajve që unë kam ngarë...
dhjetor 2013