| E marte, 10.12.2013, 08:36 PM |
Një replikë
për çështjen e shkrimit shqip
Nga Nuhi Ismajli
-Shkrimi “Kundër
standardit”, i Milazim Krasniqit, ka
mjaft pasaktësi shkencore. Kështu, sipas M. Krasniqit, gjuha shqipe “është shkruar
vetëm në shekullin XVI” dhe se rrethanat për shkrimin e saj u krijuan në periudhën
e sundimit osman! Vërtet, veprat e njohura shqipe datojnë nga shek. XVI, por
kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk kanë shkruar vepra në gjuhën e tyre para
kësaj kohe dhe se ata zbuluan pikërisht veprën e parë të shkruar në gjuhën
shqipe. Mungesa e njohjes së veprave të mëhershme shqipe nuk do të thotë edhe
mungesë e shkrimit të tyre. Nga vepra e Buzukut p. sh. sot njihet vetëm një ekzemplar
i vetëm, por kjo nuk do të thotë se botimi i saj pati vetëm një ekzemplar. Sipas
shënimeve të Pjetër Budit, ka ekzistuar shkrimtari Pali i Hasit, po ne ende nuk
i njohim veprat e tij. Kështu, veprat shqipe të shkruara edhe gjatë shek. XVI e
këtej, e lëre më ato para shek. XVI, u zhdukën për shkak të rrethanave të vështira
dhe ne nuk i njohim. Ato nuk i njohim edhe për shkak se nuk janë bërë kërkime të
nevojshme. Por kjo nuk domethënë se ato nuk ekzistojnë. Për ekzistencën e tyre
studiuesit përmendin fakte të shumta. Sipas pikëpamjeve të Milazim Krasniqit,
pasi veprat e njohura shqipe datojnë nga koha e robërisë osmane, në këtë kohë u
lejua dhe pati rrethana të përshtatshme për shkrimin dhe krijimin shqip. Por,
ishte e kundërta. Në rrethanat e robërisë osmane nuk kishte kurrfarë kushtesh të
përshtatshme për shkrimin e shqipes. Shkrimi shqip dhe krijimi i veprave shqipe
në ato rrethana nuk lejohej dhe ishte një veprimtari jashtëzakonisht e
rrezikshme për autorët, si dhe për pronarët e tyre. Një sulltan turk pronarët e
veprave shqipe i pati kërcënuar me djegien mbi turrën e druve. Zhdukja e
veprave të hershme shqipe, prandaj, shpjegohet edhe me luftën e pushtuesit
osman kundër shkrimit e krijimit shqip. Milazim Krasniqi, i nisur mbase nga pikëpamjet
e tij fetare, mohon kontributin jashtëzakonisht të madh të autorëve të vjetër
shqiptarë, të cilët, në rrethanat e rrezikimit tejet të madh të gjuhës shqipe
dhe të vlerave të tjera të identitetit kombëtar shqiptar nga pushtimi osman,
luftuan për ruajtjen e gjuhës shqipe nga zhdukja e bastardimi dhe për
kultivimin e saj, si një përbërës kryesor i identitetit kombëtar. Sipas
Krasniqit, “është patentuar një version ideologjik, sipas të cilit gjuhën e kanë
ruajtur dhe shpëtuar priftërinjtë katolikë Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, që e
shkruan këtë gjuhë në shekujt XVI e XVII?!” Nëse njohim dhe pranojmë kontributin
e vërtetë të autorëve të vjetër shqiptarë për gjuhën shqipe, atëherë nuk mund të
pajtohemi se lidhur me kontributin e tyre, “është patentuar një version
ideologjik”, siç thotë Krasniqi. Përkundrazi. Autorët e vjetër shqiptarë dëshmuan
një dashuri të jashtëzakonshme për gjuhën shqipe. Ata gjuhën shqipe e bënë gjuhë
të shkrimit, të kulturës, të artit, të shkencës, të arsimit kombëtar dhe të kishës
e besimit të tyre. Autorët e vjetër, sipas veprave të njohura, duke filluar nga
Buzuku, u përpoqën për një shqipe të përbashkët. Niveli dhe bukuria e gjuhës së
autorëve të vjetër shqiptarë ishin aq të admirueshme edhe nga rilindësit, aq
sa, gjuhën e Bogdanit p. sh., Sami Frashëri e konsideronte si më të përshtatshme
për bazë të gjuhës standarde shqipe etj.. Prandaj, pohimi i M. Krasniqit, se: “Në
fakt, që nga Rilindja kombëtare e këndej, gjuha shqipe ka qenë njëra nga
argumentet më të fuqishme për identitetin e veçantë shqiptar dhe për idenë e
krijimit të një shteti etnik shqiptar”, në radhë të parë, duhet thënë lidhur me
atë që bënë për gjuhën shqipe autorët e vjetër shqiptarë. E vërteta është se lidhjet e ndryshme të shqiptarëve
me Evropën i kanë rrënuar mjaft pushtuesit e ndryshëm, por kurrë nuk kanë mundur
t’i shkatërrojnë tërësisht ato lidhje, ashtu siç