| E diele, 08.12.2013, 05:07 PM |
Poezi e metaforës
së goditur
Nga Ilir Sefaj
Metafora dhe ironia janë dy figura letrare të cilat shfaqen fuqishëm në poezinë e krijuesit, Albert Shala. Pranverë e përgjysmuar, Mesnatë në mesditë, Buzëqeshja e ngrirë, Vajet e buzëqeshura etj,. janë vetëm disa nga titujt sugjestiv të poezisë së këtij krijuesi të cilët rrezatojnë semantikën simbolike, nënkuptuese e sugjeruese.
Praktika krijuese e Albert Shalës ka dëshmuar në kontiniutet prirjen e këtij autori që përmes metaforës së goditur e cila vjen krejtësisht natyrshëm dhe ironisë së sofistikuar të japë tablo të gjalla e të plota të një mjedisi konkret: Atdheun e okupuar. Cili është atdheu i poetit tonë? Si gjallon njeriu i këtij poeti në këtë atdhe? Si i përjeton subjekti lirik situatat dramatike nëpër të cilat po kalonte njeriu ynë në kohën e një pushtimi barbarë? Janë vetëm disa nga dilemat që shtron arti poetik i Albert Shalës.
Kur lexojmë poezinë e këtij krijuesi të botuar tash e dy dekada më parë, na krijohet përshtypja se po shkëpusim imazhe rrëqethëse të një vargu të frymëzuar në rrethanat e një jete nën okupim:
E hënë
Rilindja më nuk botohet
Informatat lexoni
në sytë e policëve
(...)
E mërkurë
Ç’rastësi
Flamuri kuq e zi
Kërbaçi zi e kuq
E enjte
Në Kosovë asgjë e re
Plagët lidhen
E burgjet prapë shqip flasin
Janë këto vargjet e poezisë Copëza ditari të cilat japin fotografinë e pastër të një gjendjeje dëshpëruese me të cilën ndeshej njeriu ynë në rrethanat e një zhgënjimi të thellë, i cili vinte si rezultat i represionit të vazhdueshëm që ushtronte pushtuesi.
Këtë situatë e rëndon edhe më, mosgatishmëria e botës demokratike për t’i kushtuar vëmendjen e duhur çështjes së Kosovës. Andaj nuk është e rastësishme që në krijimtarinë e tij, poeti jo rrallë mbanë qëndrim kritik, por edhe revoltues ndaj politikave perëndimore të cilat manifestonin indiferencë karshi çështjes sonë kombëtare. Poeti ironizon:
...Delegacioni euro-amerikan
porosit
Liria është nisur
Por pasi peshon me tonelata
Mbetem pa e sjellë
Mesazhi i vargjeve të mësipërme është i qartë: Liria dhe e drejta e një kombi nuk fitohet duke i thurur elozhe asaj, por përmes grykës së pushkës.
Autori i këtyre vargjeve, poeti e krijuesi Albert Shala, përherë i ka qëndruar besnik këtij konstatimi. (Ai ishte pjesë e Lëvizjes Nacionale të Kosovës që nga vjeshta e vitit 1982, dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pranvera e vitit 1998).
Atdheu i lirë është esencë dhe permanencë e shprehjes poetike të këtij krijuesi, i cili provokon dhe përmbush gjakimin e subjektit lirik të kësaj poezie:
Nuk e di
a do të jem i gjallë
apo i vdekur
kur ti
do ta kremtosh rilindjen
e jetës
Po edhe në varr në qofsha
lotët atje në thellësi varri
këngë do të këndojnë
për ty Kosovë
Përmes këtyre vargjeve në të cila dominon diskursi patetik poeti i thur himn atdheut. Poezia e Albert Shalës e cila në pikëpamje stilistikore spikat me individualet krijues është fryt i një shpirti delikat, i cili për asnjë çast nuk mund të pajtohet me mënyrën e jetesës që okupatori i kishte imponuar njeriut tonë:
Diku në Ballkan
është një popull
fëmijët e të cilit
nuk shohin ëndrra
Kukulla
Lule
Zogj
por tanke, ushtarë
Në këtë kontest, poezia e Shalës e cila është e frymëzuar nga jeta e përditshme, kombëtare e personale, denoncon këta ushtarë të huaj të cilët ishin kurdoherë të gatshëm t’i vritnin ëndrrat dhe botën e pasur të fëmijëve.
Kujtojmë se, në pikëpamje ideore e tematike poezia e këtij krijuesi është e motivuar nga jeta e njeriut të rëndomtë i cili gjallon përballë imazheve tronditëse që impononte aktualitetit jetësor i kohës.
Karakteristikë e verbit poetik të Albert Shalës është prirja e tij që edhe përmes poezisë e cila njihet si poezi e kushtimit të shpërfaqë dashurinë e pambarimtë për truallin dhe njeriun e truallit të tij. Poeti komunikon me nocione të shenjta jo vetëm në planin personal, por edhe në atë të përgjithshëm, kombëtar. T’i kujtojmë këtu poezitë: Janari i pikëlluar, Flakadani i dashurisë, Kryengritësi, Vargjet e përlotura etj.
Lirika e Albert Shalës mund të paraqitet e kursyer në vargje, por jo edhe në tematikën dhe motivet që trajton ajo. Andaj me të drejtë mund të konstatojmë se shpirti i këtij krijuesi të talentuar ngacmohet nga detaje të imta të jetës personale e kolektive, detaje këto të cilat poeti i bën ekspresione letrare.
Poeti e krijuesi Albert Shala është në moshë relativisht të re dhe jam më se i bindur se muza poetike e këtij autori do të sjelle kurdoherë vlera të mirëfillta letrare e artistike.