| E merkure, 04.12.2013, 10:04 PM |
Çmimet
letrare si mjerim
Nga Vangjush Saro
Nuk se shkojnë të tjerat mirë dhe s’na mbetet veçse të “kapemi” me letërsinë; po ashtu, jo për t’i prishur ndokujt festën...Por disa gjëra duhen thënë. Përzgjedhësit e kësaj here, Juria të themi, kanë rrëfyer ç’iu është dukur më e mirë nga letërsia e botuar vitin e kaluar dhe (pothuaj) kanë dhënë çmimet. Është me të vërtetë e habitshme: jetë e mot, juritë çmimendarëse janë përbërë nga njerëz që iu takojnë klaneve; njerëz që gjithnjë kanë shërbyer dhe shërbejnë, janë ofruar dhe vazhdojnë të ofrohen; pra edhe është e natyrshme të shpërblehen. Përgjithësisht, janë autorë që kanë fiksime; p.sh. fiksime për dikë apo për njëri-tjetrin. E kështu, këta mëkatarë të përkohshëm (në letërsi ishte fjala) rëndom këtë art e bëjnë mirë: t’i ofrojnë ndere, t’i thurrin lavde dhe t’i japin çmime njëri-tjetrit. (Nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Ata (njerëzit e klaneve) kanë përjashtuar, bie fjala, nga Nobeli, emra të ndritur si Tolstoi, Tuen, Prust, Xhojs, Borhes; emra që kanë bërë epokë në letërsi. E ndërkohë, ua kanë dhënë çmimin shkrimtarëve që pothuaj ishin dhe mbetën anonimë(!) Jeta është një absurd i madh; po ashtu edhe vendi i madh i mediokërve në të. Ata (djajtë e klaneve) i thanë Aleksandër Moisiut se nuk bëhej dot aktor(!))
Një Zot e di kush i zgjedh këta njerëz dhe pse janë kaq të mbrapshtë! Le të mos e teprojmë, ndër emrat e lakuar (për ato të mjera çmime) ka edhe të tillë që meritojnë nderim; por shumë syresh janë anonimë dhe të rastësishëm. Kjo nuk është serioze për një letërsi dhe as për institucionet e shtetit. Por kështu ka qenë gjithnjë. Në Shqipëri, shumica e veprave të lauruara në dekada, nuk është më…Por ndërkaq janë, jetojnë dhe ofrojnë ende vlera, botohen e ribotohen, autorë dhe vepra që...nuk kanë pasur nderin të marrin një çmim nga çmimendarësit e (pa)nderuar. E dini? Ata (të klaneve) nuk kuptuan dot as talentin e madh të Vaçe Zelës(!) Epo ç’të thuash më! Krillov, në fabulën “Kureshtari”, shkruan: “Ai kishte parë zogj e breshka, por...elefantin jo.” Anësitë dhe miqësitë “letrare” janë bërë komike tashmë. Njoh një autor të cilin mund të mos e shikosh askund, në asnjë gazetë a portal, në asnjë librari të Tiranës; por në stinën e çmimeve, ai nuk mungon asnjëherë; dhe ia di anën punës, në tavë është gjithnjë. O kasolle, ku na mblodhe!
Është e
natyrshme që në këtë “tragë”, juritë e përçudnuara të mos e pëlqejnë as letërsinë
stigmatizuese, satirën e humorin. Është e natyrshme gjithashtu, që përzgjedhësve
të mençur t’iu shkojë mendja menjëherë të miqtë, te ata me të cilët i lidh një interes,
pse jo edhe te anonimët, që megjithatë diç kanë në dorë. Se...kush është në gjendje
të na thotë (ata vetë jo) ç’kanë parë e lexuar zotërinjtë zellmëdhenj...përveç miqve
të tyre(!) O, ç’historira ka parë ky vend...Kështu, dikur dikush çonte peshk në
Lidhje të Shkrimtarëve, ku pastaj edhe u punësua. Hë? Ç’ka për të qeshur! Këto
punë, edhe ato të çmimeve, era peshk vijnë përherë. (Më kujtohet ndërkaq, ndërsa
këta të përdorurit dhe të përzgjedhurit botonin sa plasnin mediokritetet e
tyre, ca si ne, të gjinisë së satirës, në atë kohë, duhej të prisnim Vitin e
Ri, për të publikuar ndonjë fabul apo tregim humoristik te gazeta “Drita”…) Është
e dhimbshme që sot e gjithë ditën, ofrohen dhe ndërtojnë juri-ra (o ç’shëmti!) gjithë
po ata njerëz që mendojnë se humori dhe satira gjenden diku prapa liste. Janë të
njëjtët që urrejnë fabulën, sepse ajo iu kujton cilët janë…
Nuk ka asgjë për t’u brengosur. Në fakt, një mjerim më tepër për atë vend. Të të bëjnë horte pareshtur e në mënyrë të turpshme dhe t’i shpërblesh ato duke i konvertuar në çmim për kortebërësin, kjo gjithsesi vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Sheshit. E dashtë Zoti më shumë në të ardhmen atë vend...