| E enjte, 29.05.2008, 06:26 PM |
Sidney Pollack, njeriu i kinemasë, që sapo u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare, do t‘i mungojë shumë ekranit të madh dhe admiruesve të shumtë të punëve të tij. Kjo sepse ai ishte një artist shumëdimensional, i cili shkëlqeu si regjisor, producent dhe aktor. Në një vend si Hollivudi, të mësuar me yje dhe talente, ylli i tij ishte ndër më të shndritshmit dhe kjo deri në çastin e fundit. Debutimin në botën e filmit ai e pati në moshën 25-vjeçare në filmin "The young stranger", në të cilin ishte regjisor i dialogëve. Do të duhet të kalonin vetëm pak vjet që djaloshi inteligjent të shndërrohej në një nga personat më me influencë në historinë e kinemasë amerikane, me prodhime të shumta, me çmime "Oskar" për regjinë më të mirë dhe me role të interpretuara në disa prej filmave të tij më të arrirë. Emri i tij qëndronte në të njëjtën lartësi me atë të Woody Allen, Robert Altman apo Stanley Kubric. Suksesi i tij i parë i madh ishte me filmin "Tootsie", i vitit 1982, që i futi në xhep, së bashku me famën, edhe 14 milionë dollarë, një shumë kjo e konsiderueshme për kohën. Që nga ai moment ai do të ishte një nga të preferuarit e elitës kinematografike të Hollivudit. Do të bashkëpunonte gjithmonë me teknikët më të mirë, aktorët më të famshëm, mes të cilëve ishte edhe Robert Redford. Me të ka punuar në 7 filma. Si producent ai ndërmori që në fillim një numër të madh projektesh, përfshi të suksesshmit "The fabulous Baker Boys" në vitin 1989, "The Talented Mr. Ripley" 1999, "The quiet amerikan" 2002, "Cold Mountain" 2003 dhe "Michael Clayton" në 2007-ën. Ai u shndërrua në shembullin e parë të producentit, që njëherazi ishte edhe regjisor i filmit të tij. Kishte një talent të jashtëzakonshëm në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve dhe stafit të punës. Ishte një drejtues që u krijonte të gjithëve kushte të mrekullueshme pune, zbavitje dhe i pajiste pjesëmarrësit në projektet e veta me një përvojë të madhe, që zor se do ta gjenin në ndonjë shesh tjetër xhirimi. Ndër preferencat e tij ishte regjia dhe montazhi, të cilin shpesh ulej ta bënte vetëm e në qetësi. Ndër gjërat që donte më pak ishte mënyra bashkëkohore e xhirimit: "Roli i regjisorit të kohëve moderne është i njëjtë me atë të kirurgut në gërmadhat e një treni pasagjerësh pas përplasjes. Ndryshimi është se ai përpiqet që të ndalojë një hemorragji gjaku, ndërsa unë një hemorragji parash", u shpreh Pollack në një nga intervistat e tij të fundit në lidhje me profesionin.
Ai lindi në Lafayette, Indianë, nga prindër ruso-amerikanë. Që në shkollë të mesme u dashurua për të mos u ndarë kurrë me teatrin dhe kinemanë. Në vend që të shkonte në universitet, pas mbarimit të shkollës së mesme, preferoi të shkonte direkt në një shkollë të famshme teatrore në Nju Jork dhe marrëdhëniet e mrekullueshme që pati gjatë jetës me aktorët vijnë falë përvojës së këtyre viteve. Borxhin e parave, të cilat i mori hua për të kryer shkollën, e pagoi me dokumentarin e tij të parë të vitit 1984, "The Theatre‘s Best Kept Secret". Karriera e sapo nisur u ndërpre nga shërbimi ushtarak, por menjëherë pas tij ai u rikthye për të dhënë mësim lëndën e dramaturgjisë në shkollën ku ishte diplomuar e njëherazi të luante në disa role episodikë në televizion, si dhe të merrte përsipër herë pas here regjinë e tyre. Më pas, nga filmat e shkurtër kaloi në ata me metrazh të gjatë. Suksesin e parë në ekranin e madh e pati me "War Hunt" në 1962, që ishte njëherazi edhe debutimi i Robert Redford-it në kinema. Aty të dy aktorët kishin role të rëndësishme, por në mbarim të filmit Pollack arriti në përfundimin se realizimin e tij të plotë si artist nuk do ta kishte kurrë para kamerave, por pas tyre, në pozicionin e regjisorit. Filmi i tij i parë si regjisor ishte "The Slender Thread", i cili ndryshe nga filmat e tjerë të tij ishte me një ritëm më të ngadaltë. Filmi pasues, "This Proprety is Condemned", i përafrohet më shumë tipit të tij dhe gjithë filmave të tjerë që do të pasonin e do t‘i dhuronin suksese të njëpasnjëshme, të tillë si: "The swimmer" me të famshmin Burt Lancaster, "The Scalphunters", "Castel Keep", një film ky i ndikuar shumë nga kinemaja evropiane. I paharrueshëm është edhe "They shoot horses, Don‘t They?". Ishte një film që pati sukses edhe pse tema nuk ishte e veçantë. Arsyeja ishte kasti i mrekullueshëm i aktorëve që i dha një njohje e një sukses ndërkombëtar. Bashkëpunimet e tij me Robert Redford-in ishin në kulmin e tyre. "Jeremiah Jonson", një film gjysmë dokumentar dhe filmi rekord, "The way we were", ishin ndër prodhimet e frytshme të të dyve. Ky ishte një film që rrëfente një histori dashurie mes Redford dhe Barbara Straisand, një film që është renditur i 17-ti në listën e 100 filmave më të mirë të Hollivudit. Këtë film e pasuan dy filma të tjerë. "Yakuza" ishte edhe puna e parë e Pollack si regjisor dhe producent njëherazi. Në të interpretoi i famshmi Robert Mitchum, por filmi nuk u shndërrua në një sukses, edhe pse u pëlqye jo pak. Një tjetër bashkëpunim me Robert Redford-in do t‘ia sillte sërish shijen e suksesit. Ai ishte "Three Days Of The Condor", ku Redford është i zhytur në botën e intrigave e vrasjeve të CIA-s. Ky film është shndërruar në një nga klasikët e kinemasë amerikane. Menjëherë pas përfundimit të këtij filmi, Pollack prodhoi dhe drejtoi një tjetër film të ndikuar nga mënyra e trajtimit të filmave evropianë, "Bobby Deerfield" me Al Paçino-n dhe Marthe Heller". Një nga gjërat e çuditshme të veprimtarisë së Pollack është se gjithmonë pas përballjes me filma jo të suksesshëm ai i rikthehej bashkëpunimit me Robert Redford-in, për të prodhuar suksesin e radhës. Të dy e dinin mirë se bashkë bënin një skuadër fitimtarësh. I tillë ishte filmi "The electric Horseman" dhe më pas "Absence of Malice", me Paul Newman. Pas gjithë këtyre përpjekjeve dhe kësaj prodhimtarie intensive, "Oskar"-ët nuk do të ishin larg. Tre vjet pas filmit me Newman ai kandidohet dhe fiton dy çmime "Oskar" si regjisori më i mirë dhe si filmi më i mirë. Bëhet fjalë për të mrekullueshmin "Out of Africa", me aktorin Robert Redford dhe Meryl Streep. Ishte një film me stil të lartë në të gjithë komponentët e tij, një film tejet serioz dhe me shumë ndikim. Statusi që fitoi pas këtij filmi i dha Pollack-ut mundësinë që të zgjidhte filmat për të cilët do të punonte në të ardhme. Kështu vijnë filmat "Presumed Innocent", "White Palace", "King Ralph" dhe "Sliding Doors". Por në këto filma ai u angazhua si producent. Regjinë e kishte ruajtur për një tjetër bashkëpunim me Robert Redford-in, "Havana". Ishte një film që, pavarësisht se ia arriti mrekullisht të risillte atmosferën tipike të Kubës gjatë revolucionit të vitit 1958, dështoi në aspektin komercial. Historia e dashurisë duket nuk ngjiti dhe filmi nuk pati suksesin e pritshëm. Për Pollack shpenzimi për këtë film ishte jashtëzakonisht i madh. Nuk u justifikua dhe njëherazi filmi shënon edhe bashkëpunimin e fundit të regjisorit me aktorin Robert Redford. Më pas ai u përqendrua në një "terren" më të sigurt, me filmin "The Firm", marrë nga romani i famshëm me të njëjtin titull i John Grisham, në të cilin interpretoi Tom Cruise. Edhe këtë herë Pollack kishte bërë zgjedhjen e duhur të aktorëve, që për suksesin e një filmi është shumë e rëndësishme. Ndërkohë, nuk harronte të luante ndonjë rol të vogël aty këtu, por pikant. I tillë është ai i Harvey Keitel në filmin e fundit të Stanley Kubrick, "Eyes Wide Shut", apo roli i bashkëshortit në filmin e Woody Alen, "Husbands and Wifes". Por bëhet fjalë gjithmonë për role të vogla, që kërkonin një impenjim të vogël. Fushat e tij të lojës, gjithsesi, ishin regjia dhe prodhimi. Me një entuziazëm të madh ai prodhoi filmin e famshëm "Cold Mountain", të drejtuar nga Anthony Minghella apo serialin televiziv "Fallen Angels". Ishte i palodhur të promovonte punën e tij në një sërë dokumentarësh televizivë mbi kinemanë dhe u rikthye edhe në serialë të famshëm të ekranit të vogël, si "Will and Grace". Më pas vijnë bashkëpunimet në filma si "Random Hearts" me Harrison Ford dhe Kristin Scott Thomas, apo "The Interpreter" me Nicole Kidman. Edhe pasi mbushi 70 vjeç, nuk shfaqi shenja dorëheqjeje nga aktiviteti i tij dhe nga të qenit një forcë e vërtetë prodhuese në Hollivud. Por në fund përpjekjet e tij u përqendruan në qëmtimin e talenteve të reja, kryesisht në fushën e regjisurës. Ndërkohë drejton një dokumentar, i pari i kësaj gjinie për arkitektin e famshëm Frank Gehry, i cili doli në vitin 2007. Perzenca e tij shumë e veçantë do mungojë në Hollivudin ku ka shumw talente, por pak të përmasave tw Sideyt.