| E diele, 24.11.2013, 11:10 AM |
Thani
Naqo
DO PRESIM MBRËMJEN GJERSA TË BJERË
Mbetëm dashnorë që puthen n'errësirë,
Dritës i druhemi kur puthja s'është turp.
Njëlloj, e dikur, me fshehtësirë,
Puthjet tona s'i pa kërkush.
Kërkush s'na e pa as puthjen e parë,
Paçka se unë kam qenë erë e stuhi.
Oqeanin trazoj e ai shfryn sot dallgë,
Oqean kam qenë edhe unë në rini.
Mbetëm, edhe sot, dashnorë me droje,
Dashuria, moj grua, s'është topsekret...
Ahaaa, shiko, e të tjerë, shëtisin për dore,
Ndërsa oqeani shuan dallgët në breg.
Hajt, çuçurisim edhe ne për dashurinë,
Ato që i kemi thënë, t'i themi e njëherë...
Si dashnorët e tjerë që puthen në errësirë,
Do presim mbrëmjen gjersa të bjerë.
Nëndor 2013