| E merkure, 20.11.2013, 08:59 PM |
ZEQIR LUSHAJ
AMERIKA…
-dhe një fjalë e Axhës së Ismetit-
Ismet Nela (me kostum kombëtar) dhe Zeqir Lushaj, USA, 2013
…!
Ky djal që shihni këtu
(me mua në këtë foto)
Eshtë një miku im
Afaristi Ismet Nela
Nga Kollovozi i Kukësit
I qeshur - i dashur - trim.
…!
Kur i tregoj axhes së tij
Se po nisëm per Amerikë
Ai i tha nipit edhe këto fjalë:
-Amerika
Ka hanger gjithë boten
…Dhe nuk i ka dalë!
…!
Këtë metaforë të axhës,
nipi e mori me veti
E ruan si
Dhe… jo vetem Ismeti!
./.
-Nga libri në dorëshkrim “Amerikë, - i thonë këtij vendi”-
E shkruar para 45 vjetësh
“U RRITËSHI: SI GËSHTENJAT E GRISË! “
- Fshati im, Gri, në rrethin e Tropojës, është “kampion
i botës” për masivin e famshëm natyror të gështenjave –
Gështenja = bukë e bylmet (në degë).
Plakat e Stambollit,
Të kryeqendrës së hershme,
Të Perandorisë,
Kur i vënë pasulet
(groshet) për t’i zier,
(Tash 5 shekuj, por), …
edhe sot i urojnë:
– U rritëshi
si gështenjat e Grisë!
./.
Gri, Tropojë, 1968
(Fotoja: Gri, Tetor 2013)
DUKE KOPJUAR BEKENBAUERIN
I lavdishmi Bekenbauer
…!
Futbollisti gjerman,
Franc Bekenbaueri i Madh,
Në një konferencë shtypi,
Pati bërë
një replikim gjenial:
(Përgjigj-ja qe e prerë:)
Kur i thanë gazetarët se:
-Të ka bërë milioner futbolli!
-Më ktheni rininë Time,
Ua kthej milionat,
pa pikë zori…!
…!
Kopjoi Bekenbauerin e famshëm,
(Gjithkushi, i miri e i keqi,
ta dinë:)
-Do ta kapërdija edhe një herë ,
Skaj-Varfërinë komuniste…!
Veç,
të rijetoja Rininë…!
Kërkush,
nuk mund ta kthej,
As një hap mbrapa jetën,
Ç’ka nuk bëhet,
kurrë për të gjallë,
Le të mbetet
(të paktën) në letër!
./.
(Nga libri në dorëshkrim “Sportit i mbeta borxh”)
ENIGMA…!
Taivani shqiptar
…!
si brymë dimri
a vesë në verë
ENIGMA ime
ri-shfaqet perherë
në pritje të saj,
me shekuj…
(më duket pak
të them me vjet)
kur thash se
- e gjeta!
at’ natë si hije më iku…
u shkërmoq krejt (!!)
…!
mos e lypni shkakun,
…atë kush e diti?
si dallgë që rreh
brigjet e gurta
edhe ku nuk gjendet
prap do ta lypi
si brymë dimri
a vesë në verë
ENIGMA ime
ri-shfaqet perherë.
./.
-Tiranë, verë 2013-
fësh-fëësh-fëëësh…
-Fletë ditari, NJ, USA, 5 Tetor 2013-
Vjeshtë…
…!
fësh-fëësh-fëëësh…
…
si një gjethe e tharë
pa pikë vlerë
(sikur dikush ta vodhi)
Iku edhe 5 Tetori.
…!
në shetitjen e zakonshme
rreth liqenit në park
(drejtë me ju kallxue)
sot nuk ua vara fort
as patave as rosave,
bile as vajzave bukuroshe
që …
(siç thonë andej nga Kelmendi):
-Kan dalë per me u lakmue!
diçka tjeter,
krejt e largët
gati-gati më gjeti gafil
tuj shkelë gjethet e zverdhura
fësh-fëësh-fëëësh…
mbi barin ende jeshil
…!
gjethi gjithkund gjeth
zhurma gjithkund zhurmë
edhe mbi oqeane
sa shpejt ndertojnë udhë
më risolli atje,
zhurma e dushkut
(e fletëve të gështenjave
në kazhnjetet e Grisë)
ku pikçat e para
si kokrra breshëri të rralla
alarmojnë – per ti mbledhur
sikur i thërrasin
(edhe emigrantet e largët)
-ri-kthejuni femijërisë!
…!
mu kujtua edhe
kalaveshi i rrushit…
që ndonëse në maje të plepit
(plepit nodo-cullak
xhveshur nga koha)
krejt i vetem ka mbetë
nuk pranon të dorëzohet gjallë
(orlat,- thotë le t’më hajnë)
vetem ketu lart jam Zoti Vetë
po po, trimrohet edhe
vila e vetmuar e rrushit
(…si ndonjë politikan i shkretë)
në prag të ngricave e acarit
kqyrë gjethet e rena livadhit
dhe ben sikur… është e qetë.
…!
fësh-fëësh-fëëësh…
pse i kujtova geshtenjat
kalaveshin e vetmuar
per dreq edhe politiken
leri këto nostalgjira Zeqo
buzeqeshju vajzave…
që të mos e xhvleftësosh
…krejt diten
…!
fësh-fëësh-fëëësh…
…
si një gjethe e tharë
pa pikë vlerë
(sikur dikush ta vodhi)
Iku edhe 5 Tetori.
./.
- NJ, USA, 5 tetor 2013-