Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël poetik nga Vullnet Mato

| E diele, 17.11.2013, 06:28 PM |


Vullnet Mato

 

KUSH PUTH FORT DADON JETIKE

 

Jeta ka provuar

në harkun shumëshekullor,

njeriu lind kurdoherë

binjak me vdekjen,

në të njëjtën ditë,

në të njëjtën orë

dhe binjaken e ka

kurdoherë me vete.

 

Mjafton të hedhë

një hap në greminë,

të lakmojë drogat

me etjen e tërbuar,

plumbin e gojës

të nxjerrë me zemërim,

të hajë një porcion

ushqim të helmuar;

 

Të prekë pa vëmendje

çdo armë të kohës,

të gjuaj padashur veten

në vend të derrit.

Sidomos të hajë

kilometrat tej normës,

duke lejuar makinën

të marrë furinë e ferrit.

 

Por, harrojmë shpesh,

kur na joshin ca qejfe

dhe harbohemi me duf,

pa i vënë frerët kokës.

Atëherë vdekja papritur

na rrëmben me vete,

në strehën e saj prej dheu

brenda nëntokës.

 

Pra, mbetemi gjithë jetën

viktima të binjakes foshnjore,

të pambrojtur nga e keqja,

gjithmonë me rreziqe.

Dado kemi veç kujdesjen,

që na merr përdore,

deri në fundin e pashmangur

të moshës në ikje...

 

Binjaken tinëzare lë të mbetet

përherë duarbosh,

kush shtrëngon e puth fort

dadon e shtrenjtë jetike!...

 

KUR FALEMI TE KY TEMPULL

 

Ndodh të ndjehem

sozia i Papës së Romës,

se kam Vatikanin tim

të ngritur mbi kërbishte.

Kur më duket vetja

kryemyftiu i botës,

kam dhe Mekën ku godas

djallin me gurishte.

 

Sepse predikoj në art

dashurinë e vërtetë

dhe i ftoj të gjallët

të vinë të falen tek unë,

të zbardhin shpirtin

nga mëkatet në jetë,

t’u prijë mbarësia

në shëndet e në punë.

 

Nuk jam shenjtor,

as magjistar iluzionist,

por dua me fjalë magjike

të bind çdo njeri,

se metaforat e vargjeve

dhe rimat e poezisë,

predikojnë në shpirtra

vetëm paqe e qetësi.

 

Largojnë nga mendimet

trishtimin dhe hakmarrjet,

që i vijnë trurit si dallgë

të padukshme ligësie,

nga dyndjet e politikave

që përhapin përçarjet,

me megafonët e fuqishëm

të mediave të tyre.

 

Unë bëj të puthen fort

miqtë dhe mikeshat,

t’i falemi më shpesh

tempullit të shenjtë poetik,

duke mërmëritur në heshtje

vargje nga vjershat,

për të fjetur gjithë natën

si në një shtrat kozmik!...

 

NE ILIRIANËT KASTRIOTISTË

 

Fryjnë erëra të forta, që të çngjyroset natyra,

me stinë të përziera në Adriatik e në Ballkan.

Por ato s’kanë aq fuqi sa të ndryshojnë fytyra,

të trashëguara nga geni i lashtë indoeuropian.

 

Ne jemi bij të nënës arbërore, prej fiseve ilire

dhe nga nënat serbe, greke, turke nuk kemi lerë.

Kemi vetëm fqinj të ngulur pas nesh në këto brigje.

dhe përqark gadishullit, s’kemi vëllezër të tjerë.

 

Ne jemi ende gjallë dhe një komb në mëvetësi,

se na ka mbajtur në këmbë shpata e Kastriotit

dhe na ka prirë kurdoherë bajraku ynë kuq e zi,

në çdo majëmali të truallit të dhuruar prej zotit.

 

Kush harron të vërtetat tona shumëshekullore,

nuk di pse vringëlloi shpatën e madhe Skënderbeu,

pse Ismail Qemali shpalosi flamurin në ballkon Vlore,

nuk di pse Noli predikoi lirinë anembanë dheut…

 

Ose kërkon qëllimisht të na bëjë popull laraman,

të quhemi turma të hedhura nga erëra rastësore,

të humbasim identitetit tonë të lashtë në këto anë,

ku pikon gjak çdo pëllëmbë e tokës sonë arbërore.

 

Pra, duhet te dijë kushdo që kërkon gjakra të ndezi,

duke na ndërruar prejardhjen në emër të miqësisë,

se kemi qenë, jemi dhe do mbetemi brez pas brezi,

vetëm një komb, një ngjyrë e ilirianëve kastriotistë!...

 

MIRËNJOHJE TË VDEKURVE

 

Ata janë disa qindra,

të njohur personalisht.

Nuk ua kam fotofytyrat

të gjithëve sa janë.

Ringjall imazhet e disave

që u kam arkivuar sytë.

Kam varur në mur shikimin fiks

të nënës me babanë.

 

Por i thërres shumë prej tyre

në apel rastësor.

Kur kujtoj mirësitë,

të mirët i ringrej në këmbë.

Më duket se për t’i bërë

ata sërish jetësor,

do të donte të çoheshin

edhe vetë dheu i rëndë.

 

Madje janë disa shpirtra

të papërsëritshëm për mua.

Ata i përfytyroj shpesh

dhe ua konfiguroj fytyrat.

Po aq të ëmbla ua pasoj

fjalët që më dhuruan,

dhe më vjen keq shumë

që s’ua shpërblej dot të mirat.

 

Ndonjërës, që i kam borxh

puthjen e pakthyer në gjallim,

do të kisha dëshirë t’i zbrazja

një shishe parfum mbi eshtra.

Dikujt që s’ia shërova dot plagët

nga të cilat s’gjeti shërim,

t’i mbështillja petale trëndafili,

në vend të fashove të vjetra.

 

Por kur ngatërroj padashur

listëmortin e gjatë të apelit

dhe thërras gabimisht ndonjërin

nga të ligjtë e padëshiruar,

nervozohem me vete,

që ndjell kot lehjen e qenit,

kur dua të dëgjoj cicërimën

e ndonjë bilbili të shuar.

 

  pamundësi t’i përshëndes

të gjithë duke shtrënguar duart,

u them, me mirënjohje,

të më presin sa të zbres nën tokë.

Të vazhdojmë bashkë bisedat

që kemi lënë pa mbaruar.

Të mbetemi dhe në atë botë,

siç kemi qenë, miq e shokë.

 

Deri atëherë, më duhet të shmang

nga vetja çdo lloj ligësie,

që e ndjek me memorien

e pasvdekjes, secilin vdekatar,

duke ia mbuluar edhe emrin

me dyfish baltë neverie.

Të paktën të lë në kujtesa,

përjetësimin si njeri faqebardhë.

 

PËRBALLË DY POLEVE HEMISFERIKE

 

Gjatë gjithë verës,

gjethet thithën diellin përvëlues,

kapërdinë shirat

brenda limfës gjelbërore,

tretën të gjitha kripërat

nga thellësitë me humus,

për të kënduar zogjtë e ardhur

nga hemisfera jugore.

 

Tani simfonitë e cicërimave

jehojnë përtej ekuatorit.

Këtu fshesa erërave mbledh

gjethet në kapicat e kashtës.

Kjo mikpritëse e dimrit

ka filluar qysh prej shtatorit

të pastrojë mjediset

me frymën e stinës së ashpër.

 

Dhe ja, dimri brutal po vjen

me kamxhikë vetëtimash,

të përzërë vjeshtën

nga të gjithë sinorët e zaptuar,

malet dhe fushat përqark

t’i zhveshë lakuriq nga gjethimi,

të shkelë me galloshe akulli

kudo mbi trojet e gjelbëruar.

 

Ah, po ti, moj shpirtja ime,

mos u tremb as nga i ftohti polar

dhe mos u trishto aspak

nga mizoria e ngricave të tij.

Ky dimër do mundohet

të na ngrijë gjakun në damarë,

duke na sjellë Polin e Veriut

brenda në shtëpi!...

 

Por ne do të sprapsim

çdo akullim e ngricë dëbore,

duke u shtuar puthjeve

energjinë magnetike.

Se kur bashkohen dy polet

e ndjesive tona shpirtërore,

mund shkrijnë dhe akullnajat

e dy poleve hemisferike...