Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Imitimi i brendshëm poetik

| E shtune, 16.11.2013, 08:54 PM |


Analizë e librit: “Polisemia e veprës” të Flamur Malokut

Imitimi i brendshëm poetik

Nga Dr. Ilir Muharremi

Jetët e ruajtura në hapësirën e paktë të poezisë, nuk do të mund të qëndronin pa ndonjë vështrim të thellë që brenda tulit fshehin edhe eshtrën. Që në fillim autori i librit Flamur Maloku “Polisemia e veprës”, botuar nga shtëpia botuese Olymp, i reket frymëzimit, meditimit dhe ndjeshmërisë në poetikën e Sali Bashotës. Këtu , kjo është një ndjenjë besnikërie, e ndërgjegjshme, shpesh edhe e subkoshiente, pastaj e ikjes nga vetëdija, pra ekziston një lumturi metafizike që mbron vetveten. Fitorja, loja, ngjyra, vargu, figuracioni, artikulimi i gjuhës duke kontrolluar emocionin në një çast qetësie, karakterizojnë shprehjen e autorit mbi vargun e Bashotës. Teksti ndërtohet mbi frazat e shkurtra poetike, tensioni është i vazhduar dhe mbanë njeriun përballë botës poetike, dëliri i kontrolluar e shtyn të bëjë përmbledhjen e emocioneve që na lënë në një ethe tjetër. Sëpari poezia, pastaj vështrimi mbi poezinë, paraqiten si një univers të ruajtur në ndërgjegje për të ngulitur “aventurat e veta”. “Të krijosh do të thotë të jetosh dy herë” shënoj Albert Kamy.

Nga vetja në veten

Koleksioni poetik i Bashotës që sendërtohet mbi rrethanat e kohës, fjalën, shpirtin, imagjinatën.... na shpreh një imitim të brendshëm poetik, nga vetja në vetën, në fund për të tjerët. Të gjithë përpiqen të imitojnë, të përsëritin e të rikrijojnë realitetin e tyre. Në fund marrim imazhin e vërtetave tona. Disi mjeshtërisht autori Maloku, zbërthen gamën poetike, si një pronë të huaj, pastaj e forcon në materien e tij, e ndërton mbi tezën dhe nënshtrimin e fakteve reale: “Dihet se tashmë poezia jeton nga kjo frymë, e nga shpirti fjala. Pa shpirtin nuk do të rronte dot, ashtu siç nuk do të rronte as njeriu, për të cilin krijohen mu këto shkrime...” (Flamur Maloku, “Polisemia e veprës, Olymp, Prishtinë, 2013, fq:10.) . E gjithë ekzistenca pa shpirtin për një njëri është e pavyeshme, nëse ia kthen shpinën amshimit, atëherë është imitim i pa masë nën vellon e absurdit.

Larmia e fjalëve

Thellësinë, autori i veprës e zgjatë, qetësinë e zmadhon për ta pasuruar ishullin e vetëdijshëm që buron nga një larmi fjalësh, dhe gjithçka fillon me kthjelltësinë, parabiografinë e poetit, netët pa gjumë, revolucionin e kohës, të jashtmen si zinxhir për tu futur brenda malit të ullinjve.  Atëherë, çfarë i mbetet autorit? Të përshkruaj, ky është synimi i fundit i qëllimshëm ndaj strukturës dhe thelbit, që është mjaftë i ngjizur, sikur shkenca kur  arrin kufijtë e paradokseve, pushon së propozuari , ndalet dhe soditë peizazhet e virgjëra. Uni poetik, tejkalon çdo meditim, peizazh dhe zemra na mëson që emocioni ngre peshë para  fytyrës poetike dhe buron nga thellësitë e gjumit, zhurmës, ekzistencialit dhe gjuhës. Diçka ndryshe është brenda, ndryshe shkruhet, krejtësisht në formë tjetër interpretohet. Maloku qeniet i vë në qetësi, pastaj kap zgjuarsinë dhe i etiketon me emocionin. Gjuha poetike e autorit të veprës, është e kuptimplotë, figurative, ilustrative, dhe gjatë leximit thellohemi në thirrjet e pareshtura të një universi të pashtershëm në sasi dhe cilësi. Fryma është e strukturuar mirë, kuptimore, sikur çdo fjali rresht pas çdo fjalie, zbërthen në esencë shpirtin poetik, por transmeton mbi bazën individuale të ndërgjegjshme, bënë përmbledhjen e kënaqësive dhe pakënaqësive.

Fuqia e vargut

“Albumi i grisur, 1986”, “Zogu me profil vjeshte, 1989”, “Plagomë, 1994”, “Dalje nga trishtimi, 1999”, “Bukuri e nëmur, 2006”, “Dorëshkrimi i ngjallur, 2011”, janë vepra poetike të Bashotës me të cilat është marr Maloku duke u vërshuar në disiplinën e cila ka klimën e veçantë të vargut. Ai e fillon me hyrje në interpretim konkretisht me “Albumin e grisur, 1986”, të Bashotës. Autori përpjesëton emocionin e shkaktuar nga poeti duke hulumtuar të përkryerën e menjëhershme të artit, nga e cila jeta pjesëtohet me poezinë si në konstruksion me figurën. Analisti në një farë forme i përket mendimtarit të angazhuar të zbuloj fuqinë e vargut. Këtë e bënë dhe e rend nga jeta, vetmia dhe fati. Vetmia si edukatore për t’i dëgjuar të dy fenomenet pa të cilat nuk ka kuptim njeriu e pastaj krijimi. Poezitë i nënshtrohen dramës, asaj që ishte dhe është, duke vetëmohuar kurbetin. “Zogu me profil vjeshte, 1989”, një titull grishës dhe nuk e kam fjalën për artet formës ku veçohet përshkrimi mbi një të thjeshtë të papërshkrueshme. Vargu fillon aty ku mbaron mendimi, aty ku fillon stina e cila ngjan me matematikën e huazuar ndaj ritmit të natyrës. Por, si mund t’i ik kësaj Bashota. As Vivaldi nuk i tradhtoj stinët, i shndërroj në tinguj.

Prehja shpirtërore

Në planë të dytë, autori Maloku e vijëzon motivin duke e kthjelluar nga shenjat kuptimore, nga e cila vazhdon shenja tjetër. E personalizuara mbetet tek Bashota dhe Maloku. Aty kemi njësimin , zbulimin dhe lidhjen e ngushtë të kritikut letrat dhe vargut si prehje shpirtërore. Ai e di që vjeshta ka zbuluar poetin, duke ngritë tempuj mbi gjuhën dhe filozofinë e verdhë mbi gjestet. Për një poet, ajo është shumë më mësimdhënëse se të gjitha bibliotekat. “Plagomë, 1994”, një lojë e dhimbshme e mendjes me vetveten, vargjet zhvillohen në hapësirat tingëllore dhe përtej tyre dridhjet takohen, megjithatë, vetëm në një univers nga vetvetja për vetveten. Nuk ka ndijim më të pastër.  Nga kjo dhembje poetike, vuan edhe autori Maloku, i cili arrin të kuptoj tundimin e fuqishëm si ankth, vuajtje individuale, brengë, apo siç e quan ai: “Plagoma si figurë  krijon  Poiesisin, strukturën e tekstit”. “Dalje nga trishtimi, 1999”, në fakt sipas autorit hyrje në trishtim. Këtu mësojmë që poeti në çdo poezi shënon vitin, vitet mbesin si kurorëzim i pashprehur lehtësisht i jetës së trishtueshme të një trishtimi individual. Autori, e dijë që nuk mund të ndryshohet realja, mendimi mjaftohet me imitimin e saj, e imitimi mbetet mbi një dhembje që lexuesi futet në trishtim dhe del i plogësht, apo humbet në labirint, që prapë i kthehet hyrjes. Nuk mund ta kapërcejmë këtë trishtim.

Për fund, autori Maloku e përmbyll: “Shkurt, vepra dorëshkrimi i ngjallur mbetet vepra poetike që është shkruar si ringjalljes e jetës/frymës...... më është dhuruar nga autori me përkushtim të thellë, por me atë përkushtim vazhdoj ta lexoj e ta rilexoj!”, (Flamur Maloku, “Polisemia e veprës, Olymp, Prishtinë, 2013, fq:168,169).