Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Bajrami: Pengu i një ikje

| E enjte, 14.11.2013, 07:52 PM |


Agim Bajrami

 

Pengu i një ikje.

 

Poetit Çam Bedri Myftari pak para se të ikte nga kjo jetë.

 

Si shmangem dot vështrimit tënd

Tek kafe Centrum plot poet

Tryeza e kreut në një kënd

Me muza e vargje flet e flet.

 

I vogël shtati, malli det

Nën pranga hasmi rrënjë e prag

U bënë kaq kohë vëlla që pret

Ta çash këtë qiell sarkofag.

 

E të vraposh me hap shigjetë

Si zog i qiellit purpurak

Në atë vënd ku edhe retë

Ngjasojnë si çame me duvak.

 

Në atë vis ku nuja e gjor

Vajton baban “shakrie tat”

Ku degë ullinjsh të rrijnë kurorë

Dhe thërrasin zotrit nëpër natë.

 

Ku pret Dodona me tumane

Qerpikëve ende fshin një lot

Me flokë të shpleksur në tufane

Me rrënjë prej dheut tonë Suliot.

 

Në ato male krah pëllumbi

Ku Kalamaja psherëtin

Në se se shihni tek “Centrumi”

Andej kerkojeni Bedrinë.

 

09- xI- 2013