Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Zoti e bekon Kosovën në Bukuresht

| E marte, 12.11.2013, 08:22 PM |


Zoti e bekon Kosovën edhe në Bukuresht

Nga Baki Ymeri

Thonë se drejtësia vjen dalngadalë, por nuk vonohet. Qeveria rumune pas një viti e disa ditëve, jo vetëm që do ta njohë Kosovën, por konform kërkesës sonë do të kërkojë llogari nga joshiptarët që janë tallur me buxhetin e komunitetit të këtushëm shqiptar duke ia hëngër hakun, dhe ajo ç’është më e keqja, duke anashkaluar çdo manifestim kushtuar Kosovës.

7 nëntor 2013. Organizuar nga Fundacioni Europian Titulescu, para një auditoriumi të përbërë nga anëtarë të trupës diplomatike të akredituar në Bukuresht, ish ambasadorë, profesorë, juristë, studentë, gazetarë, u përurua në Bukuresht libri i Dr. Islam Lauka, “Kosova, rast universal apo sui generis”. Moderator i këtij manifestimi të rëndësishëm ishte Prof. univ. dr. Adrian Nastase, ish kryeministër dhe president i fundacionit respektiv. Raportorë: Oana Popescu, drejtore e Global Focus Center, ambasadorë, si Vasile Simleanu, Ion Diaconu, Nitu Vasile, Leca Vasile. Ishin prezentë: Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë në Rumani, z. Sami Shiba, kryeveterani i komunitetit të këtushëm shqiptar, Dr. Xhelku Maksuti, ish ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, Gheorghe Micu, ish shefi i Zyrës rumune në Kosovë, Gheorghe Bucura, shqiptarë dhe miq të Fondacionit Titulescu.

Ligjëruesja, Oana Popescu, autore e parathënies së librit, theksoi përpos të tjerash se Rumania të mos mbetet pas në vlerësimin e saj për Kosovën, duke kritikuar kakofoninë që ka Rumania në politikën e jashtme për njohjen e Kosovës në nivelet e larta, duke përshëndetur qëndrimet pozitive të Kryeministrit Ponta për njohjen e pavarësisë së Kosovës pas një viti (2015), apo ato të Presidentit Basescu për mosnjohjen e saj, kinse, sipas tij, për ruajtjen e interesave kombëtare të Rumanisë.

Prof. Ion Diaconu, në fjalën e tij, perveç të tjerave u perpoq nëpërmjet argumentimeve të tij, të legjitimojë qëndrimin e deritanishëm të Rumanisë ndaj problemit të Kosovës. Sipas tij, megjithatë, Rumania nuk duhet të mbetet vendi i fundit që duhet të njohë Kosovën, sepse interesi i Rumanisë është që të dy shtetet: Serbia dhe Kosova të jenë pjesë e familjes europiane. Vasile Simileanu, Drejtor i revistës “Gjeopolitika”, bëri dallimin, përmes paralelizmit midis marrëdhënieve të etnikëve hungarezë dhe rumunëve e shqiptarëve të Kosovës me serbët, se në Kosovë ishte fjala për shpërbërjen e një shteti federativ, kurse në Rumani kemi të bëjmë me një shtet nacional.

Përkthyesi i librit, z. Tiberius Puiu, ishkëshilltar qeveritar, i njohur si publicist për qëndrimet proshqiptare, në fjalën e tij vuri në dukje se shumë nga qëndrimet proserbe të Rumanisë bëjnë pjesë në një mit të rremë se, gjoja miqtë më të mëdhenj të Rumanisë qenkan Deti i Zi dhe Serbia, duke shtuar se gjithçka që është dhënë për Kosovën në shtyp për opinionin publik, ka ardhur nga Serbia. Zoti Puiu kritikoi si të pavërteta teoritë se shqiptarët paskan migruar në trevat serbe, duke dhënë argumente se shqiptarët ishin popullsia e tretë nën ish-Jugosllavi, dhe se janë një popull autokton me një lashtësi bimilenare në ato treva.

Ish-Kryeministri i Rumanisë, Adrian Nastase, në permbyllje të takimit, tha se me fjalë të tjera se Rumania, mbase jo në respektim të të drejtës ndërkombëtare, por si një qëndrim politik, duhet ta njohë shtetin e Kosovës. Sipas mendimit tonë, qëllimi i këtij manifestimit ishte për ta njohur Kosovën në dritën objektive. Krahasimi i Kosovës me Transilvaninë është i gabuar. Qeveria serbe tallet me pasurinë e rumunëve të Vojvodinës, kurse rumunët ende nuk janë zgjuar nga gjumi letargjik si pasojë e propagandave serbe me karakter antikosovar.

Interesat nacionale të këtij vendi ndërlidhen me  Europën e Amerikën, e jo me kriminelët e Millosheviqit që e mbushën Kosovën dhe Bosnjën me varreza masive. Nuk është e vërtetë gënjeshtra gjoja se në rastin e Kosovës qenka shkelur e drejta ndërkombëtare, siç trumbetojnë disa ish komunistë të këtij vendi. Zoti e bekon Kosovën edhe në Bukuresht. Themi ditë e madhe për Kosovën në Bukuresht, edhe pse këto ditë i ka organizuar për herë të parë Dr. Xhelku Maksuti (31 mars 1999), dhe autori i këtij shkrimi përmes një serë lansimesh publike me krijues nga Kosova, si dhe përmes organizimit të Tryezës së Miqësisë së Kosovës me Bukureshtin. (Fotoreporter: Nicolae Iordan-Constantinescu)