| E enjte, 07.11.2013, 08:59 PM |
A KA VLERË JETA E NJERIUT NË SHQIPËRI?
Nga Frank
Shkreli
Mediat
shqiptare njoftuan për një tragjedi në Pogradec ku 5 të rinjë humbën jetën të asfiksuar
në një minierë të asaj zone dhe më vonë u njoftua edhe për një tjetër aksident
tragjik ku dy punëtorë humbën gjithashtu jetën në një minierë të Librazhdit,
pasi u mbuluan nga dheu mbrenda minierës.
Fatkeqsia e Pogradecit bëhet edhe më tragjike, pasi njoftohet se 5 të rinjtë
që humbën jetën atje ishin nga mosha 23 deri 28 vjeçare dhe të gjithë kushërinjë
të afërm të një trungu familjar. Të rinjët ishin duke mbledhur skrap në një
përpjekje sado të vogël dhe të vështirë për të siguruar kafshatën e bukës
madje edhe duke rrezikuar jetën duke u futur nën tokë për të mbijetuar në një gjëndje
jashtzakonisht të vështirë ekonomike.
Këjo,
natyrisht, është një tragjedi e madhe për familjet e këtyre të rinjve
dhe thellësisht tronditëse për çdo shqiptar kudo, ama reagimet e para të politikës
shqiptare në lidhje me këtë humbje, janë një tragjedi tjetër për shoqërinë
shqiptare. Reagimet ishin të shpejta, por siç e kanë bërë traditë,
shumica qeveritare dhe pakica në opozitë, në vend që së bashku të punojnë
për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen, drejtuan menjëherë gishtin
akuzues ndaj njëra tjetrës. Kryeministri i ri Z. Edi Rama deklaroi në parlamentin
shqiptar se, “5 të rinjtë humbën jetën në tentativë për të shpëtuar nga varfëria, të cilën nuk e solli kjo mazhorancë, por
qeveria e mëparshme”. Ndërkohë që akuzoi
qeverinë e ish-Kryeministrit Berisha se, “Paratë e bukës së gojës i keni
harxhuar të tëra ju, duke i bërë rrush e kumbulla për fushatën e 23 qershorit.
Duhet të ulni kokën” shtoi ai, “sepse i keni bërë grosh dhe pilaf
ushqimet që i duhen njerëzve në rast fatkeqësie,” u shpreh Kryeministri
shqiptar duke reaguar në lidhje me humbjen e jetës së 5 të rinjve në një minjerë afër Pogradecit.
Ndërsa
opozita demokrate në reagimin e parë për shtyp, nepërmjet zëdhënses së saj
Laura Vorpsi u shpreh se, "Partia Demokrate akuzon qeverinë si përgjegjëse
direkte për këtë humbje të rëndë të jetës së këtyre të rinjve." Zëdhënsja e demokratëve shtoi në deklaratën e
saj për shtypin se, “Të gjithë e mbajnë mend, se Edi Rama hidhte valle sa herë që
ndodhte ndonjë incident në minierat tona, dhe të gjithë e kujtojmë se Edi Rama
ka premtuar siguri në miniera", u shpreh ajo.
Megjithëse
tragjedi të tilla si këjo në Pogradec duhej të preknin thellë politikën dhe
shoqërinë shqiptare, shihet se, ashtu si edhe në të kaluarën,
as kësaj radhe nuk ka as vullnet dhe asnjë përpjekje të përbashkët
nga politika shqiptare për të mbrojtur jetën e qytetarëve nga tragjedi të tilla,
megjithëse këjo është detyra numër një e çdo pushteti
qeveritar dhe shtetëror. Të gjithë e kufizojnë angazhimin e tyre,
vetëm duke akuzuar njëri tjetrin për përgjegjësi dhe njëkohësisht duke bërë
thirrje që "përgjegjësit'', cilëtdo qofshin ata, të shkojnë para gjyqit.
Për të evituar tragjedi si këjo në Pogradec, çdo qeveri e ka për detyrë të
bëjë ç'mos që të krijojë dhe të zhvillojë një rend ekonomik i
cili plotëson nevojat bazë të mbijetesës së qytetarve të saj, pasi
ekonomia afekton drejtë për së drejti jetesën dhe mënyrat për sigurimin e bukës,
madje duke rrezikuar edhe jetën për sigurimin e kafshatës së gojës.
Siguria e
jetës së qytetarëve pa dallim -- qoftë nga rreziqet e mbrendshme ose të jashtëme
-- është përgjegjësia numër një e çdo qeverie dhe këjo duhet të realizohet
në bazë të disa parimeve bazë të pranuara nga të gjithë. Shkrimtari
i njohur romak Publius Sirius ka thënë se, "vlera e diçkaje është ajo
që je i gatëshëm të paguash për të." Atëherë, si matet
vlera e jetës së një njeriu në Shqipëri? A vendos qeveria, shteti
apo shoqëria se cila është vlera e jetës së këtyre pesë të rinjve që humbën
jetën nën tokë në Pogradec dhe dy të tjerëve në Librazhd?