Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alma Lama: Në tokën që kërkon pavarësi

| E enjte, 07.11.2013, 08:44 PM |


Një udhëtim në Katalonia, tokën që kërkon pavarësi

Nga Barcelona, Alma Lama

Nuk është aspak e vështirë të ndjehen përplasjet ndërmjet grupeve në politikën katalonase në lidhje me aspiratat për pavarësi të këtij territori.

Natyrshëm, janë politikanët ata që bartin më së shumti këtë frymë, edhe pse mënyrat e artikulimit janë përplot nuancë; nga ato që fillojnë me pavarësi të plotë nga Spanja, e deri te ato zëra që kurrsesi nuk e paramendojnë shkëputjen.

Të tjerët janë në mes, me ide që variojnë nga e drejta për të zhvilluar referendum; pavarësi më e madhe brenda Spanjës; federatë; lëvizje brenda një procesi paqësor apo krijimi i realitetit në terren me idenë se pse duhet të pyetet e tërë Spanja për vullnetin e katalonasve. Vetë emrat e partive në Kalatonia kanë fjalë të tilla si “convergenzia” dhe “union” gjë që flet shumë për programet e tyre politike.

Nuancat e politikës së brendshme në Spanjë e Katalonia, për ne shqiptarët janë të rëndësishme në lidhje me një barrierë jo fort këndshme: mosnjohja e pavarësisë së Kosovës. E ndodhur në një udhëtim zyrtar, si pjesë e Akademisë Rajonale të Demokracisë, këto ditë pata rastin të kuptoj më thellë arsyet dhe motivet pse shteti iberik, vazhdon të jetë kokëfortë në mosnjohje, duke na krijuar problem jo vetëm ne, por edhe vetë imazhit të tij brenda BE-së.

Gjendja duket e komplikuar edhe pse Kosova nuk është një argument për shkëputje në diskursin e politikës katalonase. Kosova nuk është asnjë argument as në opinionin publik spanjoll, përkundrazi, disa politikanë lokalë nuk ngurrojnë ta quajnë turp faktin që Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Të gjithë flasin me një zë, që ajo nuk është përdorur apo keqpërdorur nga flamurtarët e pavarësisë, mirëpo ka një frikë në qeverinë e Spanjës, frikë e cila është mjellë nga ish-kryeministri Aznar, dhe kjo është e qartë.

Çështja është a bëhet fjalë për frikë irracionale siç janë të gjitha frikërat apo frikë e bazuar mbi dyshime të arsyeshme?

Gjëja më e rëndësishme është se në Katalonia, askush nuk pranon ta krahasojë rastin e kërkesës për pavarësi të këtij vendi me Kosovën. Madje as Partia Popullore, e cila është më konservativja kur është fjala për nivelin e autonomisë politike të territoreve brenda Spanjës, e që tani është në pushtet , e as partitë më të flakta për pavarësi.

Të parët i mëshojnë faktit se para pesë shekujsh ishte bashkimi me vullnet i dy mbretërive, ndërsa të dytët i mëshojnë identitetit të veçantë si motiv për pavarësi. Ndërsa Kosova në diskursin e tyre është vendi që përjetoi dhunë e represion. Asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur në Katalonia, ta zëmë nga spanjollët edhe pse gjuha e tyre dhe promovimi i identitetit ishin shtypur mjaft nën regjimin e Frankos. Por kjo si shumë liri të tjera nën diktaturën 40 vjecare.

Beteja e katalonasve për të qenë të pavarur është e gjatë, por autonominë që kanë tani e kanë fituar vetëm në vitin 1979, me hartimin e Kushtetutës demokratike e cila akomodoi deri në një farë mase kërkesat e tyre. Katalonia gëzon statutin e autonomisë së gjerë dhe vetëqeveriset.

Mirëpo prej 1979 gjërat duket se kanë lëvizur shumë përpara. Me 2006 katalonasit të pakënaqur me nivelin e autonomisë, përgatitën një tjetër statut, i cili në fakt u draftua nga qeveria qendrore (Partia Socialiste), u miratua në parlamentin rajonal të Katalonisë dhe në Madrid; dhe po kështu në një referendum popullor nga katalonasit. Mirëpo pavarësisht këtyre fakte, partia konservatore atë kohë në opozitë, Partia Popullore e dërgoi lëndën në Gjykatë Kushtetuese me argumentet se ky statuti “jokushtetues” do të hapte dyert e “ballkanizimit “ të Spanjës.

Ëndrra e katalonasve për më shumë pavarësi pësoi një goditje të fortë kur Gjykata Kushtetuese, katër vjet më pas i hodhi poshtë nenet më të rëndësishme të këtij statuti. E këto nene kishin të bënin me njohjen e kombit katalonas, në vend të kombësisë që ua garantonte statusi i vitit 1979; me njohjen e përparësisë së gjuhës spanjolle; decentralizmin e gjykatave etj.

Vendimi kontrovers i Gjykatës Kushtetuese duket se i ka hedhur benzinë zjarrit të nacionalizmit. Vetem pak ditë më pas, rreth 1.5 milionë katalonas dolën në rrugë për të protestuar, si kurrë më parë. “Nëse dikush do më thoshte para tre vitesh se ne do të vijmë deri këtu, nuk do ta besoja kurrë,” thotë një gazetare e njohur e L’Avanguardia.

Ndërsa një nga avokatët më të njohur në këtë vend, hartues i vetë Kushtetutës me 1978 që bëri ndryshimet e mëdha, e cilëson këtë vendim si “brutal” dhe “absurd”. Kjo sepse bëhet fjalë për një vendim të miratuar në Parlamentet e Spanjës dhe te Katalonias dhe në referendum nga katalonasit. Ai ngre pyetjen fondamentale se si mundet një gjykatë të shkelë mbi vullnetin e vetë popullit.

Gjykata Kushtetuese thotë ai ka bërë deklarata politike në vendimin e saj se Katalonia nuk mund të jetë komb. Nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese ka fshirë disa nene të cilat janë krejtësisht të njëjtë me ato të statusit të Andaluzisë. Parlamenti i Katalonisë ka bërë deklarata politike në lidhje me pavarësinë, por të gjitha janë anuluar më pas.

Kërkesat politike janë gjallëruar edhe si pasojë e krizës së rëndë ekonomike që ka përfshirë Spanjën e cila ka arritur në 25% përsa i përket nivelit të borxhit të brendshëm.

Kjo gjë duket se më së shumti i vret katalonasit e pasur të cilët japin rreth 25% të brutoproduktit vendor ndërkohë që përbëjnë 19% të popullatës së Spanjës. Në fakt shumica e analistëve me të cilët pata rastin të bisedoj e pranuan se kriza ka një rol në ringjalljen e kërkesës për pavarësi. Intelektualët e këtij vendi ndahen në këtë pikë në lidhje me përmasat e ndikimit, por jo me vetë ndikimin e ekonomisë si agjent i ndryshimit të agjendës politike.

Barcelona si kryeqendër vlon nga pikëpamjet dhe pikëpyetjet që ngrenë intelektualët: a do të përfitonin kartalanasit nëse do të bëheshin të pavarur, sa do t’iu kushtonte ndërtimi i shtetit të tyre, integrimi në BE prej zeros, një milion fijet e lidhura të ekonomisë me pjesën tjetër të Spanjës etj.

Sondazhet janë nga më të ndryshmet, ndërsa ato variojnë në shumicë absolute për të drejtën e referendumit. Është tepër e vështirë të parashikohet se cili do të ishte rezultati i referendumit për pavarësi nëse mbahet sot.

Po kështu përgjigja do të varej edhe nga lloji i pyetjes. Tashmë eksperienca e Skocisë e cila do të zhvillojë referendumin e pavarësisë vitin e ardhshëm është bërë një argument politik, dhe vetë pyetja me “PO” apo “JO”, duket se është pyetja një milion dollarëshe. Askush nuk e di përgjigjen.

Por ndërsa beteja politike vazhdon, katalonasit duket se po e farkëtojnë identitetin e tyre. Një nga gjërat për të cilat testohet një kandidat për polic, është niveli i njohurive për historinë e Katalonias, përndryshe nuk ka asnjë shans të veshë kostumin e “Mossos d’Esquadra.”

Nga ana tjetër në këtë vend të mrekullueshëm për nga kultura dhe tradita, të zhvilluar e të pasur, një pjesë e mirë e njerëzve pohojnë se ndihen njëkohësisht edhe katalanas, edhe spanjollë. Pra asnjë përplasje identitetesh, si ato të Ballkanit, ku identitet kombëtare jo vetëm që nuk mund të mbivendosen, por vështirë të rrinë edhe pranë njëri-tjetrit.

E ndërsa katalanasit gjithnjë e më shumë ngrenë zërin e tyre për pavarësi, duke mos e krahasuar veten me askënd, barriera spanjolle ndaj pavarësisë së Kosovës duket më e vështirë se kurrë për tu lëvizur dhe për t’i mundësuar shtetin tonë integrimin në BE, edhe pse pikërisht ideja e Evropës, integrimi në këtë familje të kombeve të civilizuara kishte qenë faktori kryesor në tejkalimin e tranzicionit të vështirë të këtij vendi, pas diktaturës së errët 40 vjeçare.

Zëri