Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuhi Ismajli: Shpirti i robit në fron!

| E hene, 04.11.2013, 09:05 PM |


Shpirti i robit në fron!

Nga Nuhi Ismajli

Sundimet e gjata dhe të egra të pushtuesve të ndryshëm mbi shqiptarët, kanë shkaktuar, si pasojë, ndër të tjera, edhe krijimin e një tipi të tillë të shpirtit të robit, nga radhët e shqiptarëve, i cili gjallëron gjithnjë, esencialisht dhe përjetësisht, i lidhur me botën e pushtuesit. Një shpirt i dobët robi, nga radhët e shqiptarëve, është krijuar edhe nën shtypjen greke e serbe, por ky tip i robit kurrë nuk arriti të tregohet i fuqishëm dhe të ketë efekt ndikimi mbi masën shqiptare. Ai nuk arriti të ketë kurrë as forcën politike, as forcën e fjalës propaganduese, as forcën e pushtetit. Tipin e shpirtit të robit, të krijuar nën shtypjen greke, e luftuan dhe e bënë të pafuqishëm, në radhë të parë, shqiptarët ortodoksë, kurse tipin e shpirtit të robit të krijuar nën shtypjen serbe e malazeze, e luftuan dhe e bënë të pafuqishëm, në radhë të parë, shqiptarët katolikë. Tip i një shpirtit të robit të fuqishëm, të gjallë, të përkrahur, të stimuluar gjithnjë, tipi i forcës politike, i shkrimtarisë e fjalës propaganduese dhe i pushtetit, është shpirti i robit të krijuar nën ndikimin e sundimit osman. Tipin e tillë të shpirtit të robit, nga radhët e shqiptarëve, e bëri sundimi i egër e i gjatë osman. Dihet, se për pesë e më tepër shekuj të sundimit të tyre, osmanët, përmes sundimit të tyre të egër, në mënyrë të planifikuar, u përpoqën për ndryshimin e karakterit të shqiptarëve, duke i sjellë dëme të konsiderueshme qenies shqiptare.  Rrëmbimi i fëmijëve shqiptarë dhe formimi i tyre për nevojat e pushtetit osman, shtypja e rëndë sociale, shkatërrimi dhe ndalimi i zhvillimit të kulturës shqiptare, ndalimi i arsimit shqiptar, gradimi, avancimi në pozita shtetërore dhe shpërblimi material i shqiptarëve kombmohues e shpirtshitur, hapja e shkollave turke dhe i shkollave të tjera joshqiptare, shfrytëzimi, veçanërisht, i fesë së pushtuesit si mjet të përpunimit ideologjik të shqiptarëve etj., shkaktoi krijimin e një shtrese mikste shqiptaro-turke, që nuk do të njohë kombin as atdheun e vet të origjinës, që do ta konsiderojë veten me identitet e përkatësi turke dhe që atdhe të vetin do ta konsiderojë Turqinë, që do të luftojë për interesat turke e kundër shqiptarëve e Shqipërisë, që do të lërë pas trashëgimtarët e përhershëm të shpirtit të tjetërsuar etj.  Tipi i një shpirti të tillë të robit, gjithnjë ka qenë dhe do të jetë i gjykuar nga shpirti i natyrës dhe idealit të vërtetë njerëzor e kombëtar. Sepse nga natyra njerëzore e kombëtare nuk është pranuar, as pranohet kurrë si vepër e denjë njerëzore të dalësh në anën e së keqes, në anën e pushtuesit e të robërisë, dhe kundër së mirës, kundër kombit tënd e njerëzimit. Por, përderisa kurrë një njeri dhe një pjesëtar i denjë i një kombi nuk del të mbajë anën e një tipi që ka tradhtuar natyrën dhe idealet njerëzore e kombëtare, në anën e tij del tipi i ngjashëm me të - kopja besnike e shpirtit të tjetërsuar. Ai, edhe në folklorin, në shkrimtarinë e propagandën e tij, duke shtjelluar me përkushtim filozofinë e pushtuesit (i cili, me gjithë shkretërimin e mjerimin e Shqipërisë, na hiqet si mik, që na “çliroi” nga robëria dhe i cili na “mbrojti” e “shpëtoi” nga robëria e të tjerëve!), lartëson meritat e jashtëzakonshme të shpirtit të robit, i cili paska arritur të jetë edhe në majat e pushtetit të pushtuesit, i cili paska treguar trimëri në luftëra pushtuese dhe nënshtrimin e popujve të ndryshëm, i cili paska formuar edhe shtete te pavarura të të tjerëve, i cili paska ndërtuar ndërtesa monumentale, i cili paska krijuar vepra të ndryshme të kulturës e, madje, deri edhe himnin e pushtuesit etj., etj.! Shpirti i mjerë i robit nuk mund të mos e trashëgojë e të mos jetë i lidhur me shpirtin e robit paraardhës dhe të mos e marrë atë për model e ideal të tij. Prandaj, edhe sot, si edhe gjithnjë më parë, shpirti i vërtetë i robit, nuk mund të mos e quajë “vëlla” ish-pushtuesin e shqiptarit dhe trashëgimtarin e lakmitarin e sotëm të tij, nuk mund të mos e quajë robërinë e egër të dikurshme të shqiptarëve “bashkëjetesë”, nuk mund të mos i thotë strategji shqiptare strategjisë së trashëgimtarit të pushtuesit të djeshëm, i cili, përbrenda vendit të vet shkel të drejtat njerëzore e kombëtare të shtetasve të vet, kurse përjashta synon krijimin e perandorisë neo-otomane dhe nënshtrimin e popujve e edhe të shqiptarëve. Ai duartroket, duartroket dhe mbahet krenar, kur trashëgimtari i pushtuesit të djeshëm vendin shqiptar e konsideron të vetin dhe e quan me emrin e vendit të vet! Ky shpirti i robit të sotëm, trashëgimtar i robit të djeshëm turk, në vend të Shqipërisë e kombit shqiptar dhe interesave të tyre, sheh e ëndërron veten në kuadër të një perandorie, si një kryevezir, një pasha…, duke robëruar e shkatërruar të tjerët e edhe vetë vendin dhe popullin e origjinës së tij! Për një “ideal” të tillë, për fatkeqësinë e Shqipërisë e të shqiptarëve, ai angazhohet me tërë qenien e tij edhe nga majat e pushtetit shqiptar ku ka hipur!

Shekulli