Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dibran Demaku: Shi në Gjirokastër

| E diele, 03.11.2013, 01:18 PM |


SHI NË GJIROKASTËR

Udhëpërshkrim

Nga Dibran Demaku

Në krijimet artistike të shkrimtarëve të njohur kudo në botë shiu paraqitet si simbol i zymtësisë. Dhe kur shiut i shtohet edhe mjegulla, që vie pas shiut, atëherë simbolika e zymtësisë e arrinë kulmin. Edhe tek shkrimtari ynë i njohur me përmasa ndërkombëtare Ismail Kadare shiu është simbol i zymtësisë, është simbol i ngrysjes!  Në realitet shiu i jep jetë natyrës dhe çdo gjëje të gjallë mbi tokë, por nën mbretërinë e tij natyra fiton një ngrysje, përkundrejt rrezeve të diellit që sjellin gjithmonë gaz e hare!  

Nëse do të mund t`i referoheshim asaj popullores së njohur se “Dita e mire njihet me mëngjesin”, atëherë ajo pasdite shtatori duhej të ishte e ngrohtë dhe me rreze dielli, sepse në mëngjes kur e lamë Vlorën në krenarinë e saj dhe me makinën tonë ia mësymë Gjirokastrës, mëngjesi ishte i qëndisur me rreze të diellit vjeshtor!  Por, ja që nuk ishte e thënë që gjithmonë të ngjiste ashtu si thuhet në rrëfimet popullore.

Dhe derisa makina jonë shpejtonte nëpër asfaltin e rrugës së re dhe synonte që sa më parë të arrinte në „Qytetin e gurtë“, në qytetin e Çerqiz Topullit, në qytetin e Eqrem Çabejt, në qytetin e Isamil Kadaresë… (që të tre të lindur në Gjirokastër), unë dhe ime shoqe bisedonim shtruar për qytetin. Bisedonim thuajse e kishim parë dhe prekur qytetin e Gjirokastrës, e në të vërtetë ne po shkonim për herë të parë në atë qytet!  Mbase njohuritë e fituara nga librat e ndryshme për Gjirokastrën( në mesin e tyre edhe romanet e Kadaresë),por edhe nga emisonet e ndryshme televizive si dhe fotot e shumta në internet, na e bënin qytetin më të njohur, më të afërt, më të dashur!  

„Gjirokastra në shpat mali…“ më bëhej se dëgjoja këngën e njohur për Gjirokastrën dhe shihja në të dy anët e rrugës shpatije malesh që në Shqipëri  gjenden   gjithandej me bollëk!  Pritja se kur do të shfaqej shpati i malit me Gjirokastrën!   Rruga e re e ndërtuar vende-vende ishte e pakryer, andaj edhe udhëtimi jonë për në Gjirokastër zgjatej e zgjatej!  Kalonim fshatra e qytete të Shqipërisë së jugut, veç malet e kodrat nuk na ndasheshin. Gjithandej në të dy anët e rrugës male, male, male…Dhe jo pa të drejtë  Naimi i njohur kishte shkruar:“O malet e Shqipërisë…!  “…Gjatë rrugëtimit tonë kaluam rrëzë qytezës së Memaliajt,pastaj kaluam edhe rrëzë qytetit të Tepelenës. Ali Pashë Tepelena i njohur tash i tëri në bronx sikur i bënte rojë Tepelenës!. . .

Dhe hapet kodra e hapet mali“Gjirokastra në shpat mali…!  “Që nga rrjedhë e Drinos e deri atje lartë nëpër supet e Malit të Gjerë një qytet i tërë!   Një qytet i ngritur në gur dhe i bër me gur!  Të krijohet përshtypja se sikur qyteti i tërë ka dalë nga gurët, ka mbirë nga gurët!  Edhe rrugët, edhe shtëpitë, edhe çatitë e tyre janë nga gurët!  Në këtë qytet gjithçka bëhet nga gurët,flet me gurët, jeton me gurët!. . . A mund të ketë diçka më madhështore se kaq?!. . . Atje në majë, mu në majë të qytetit e ndërtuar në shkëmb,apo më mirë të thuhet e dalur nga shkëmbi qëndron Kalaja e Gjirokastrës e cila prek qiellin e bisedon me diellin!. . . Ne e kemi ndarë mendejen dhe duam që ta „pushtojmë Kalanë …!  “. Ecim rrugicave të gurta të Gjirokastrës,atyre rrugicave që të qojnë në Kala!  Duke kaluar rrugicë me rrugicë seç na del përballë një rrugë e cila tashmë ka hyrë në historinë tonë kombëtare!   Ajo rrugicë mban emrin e të madhit Hero të kombit_Çerqiz Topullit. Në atë rrugicë para më shumë se njëqind vjetësh, e pikërisht në prill të 1908,luftëtarë të Çetës së Çerqiz Topullit do ta shtrijnë përtoke Bimbashin turk dhe do t`i tregojnë gjithë botës se shqiptarët do të nisën nëpër rrugët e lirisë!. . .

Ndalemi e nderojmë para pllakës përkujtimore që tregon për atë betejë dhe vazhdojmë rrugën. Jemi ngjitur në Kalanë e Gjirokastrës dhe për një moment ndalemi të bëjmë pak pushim. Zemrat na rrahin me forcë e ne nuk e dijmë se nga na vjen kjo rrahje zemrash:Nga rruga që bëmë deri këtu,apo nga gëzimi që tashmë e kemi „pushtuar Kalanë“. Mbase kjo rrahje e zemrave është shkaktuar nga gëzimi !   Sa e bukur dhe sa madhështore Kalaja e Gjirokastrës!  Sa historike dhe sa legjendare!   Lexojmë citate të ngulitura në mur nga ata që e kanë vizituar këtë Kala!  Ato citate të tyre të bëjnë të ndjehesh krenar që shqiptar!   Në njërin nga citatet thuhet: „Kjo Kala është sa e bukur aq edhe madhështore!   Mendoj se është Kalaja e dytë më e rëndësishme e krejt Europës…!  “. Ecim nëpër labirinthet e Kalasë dhe dëshirojmë që të shohim sa më shumë!  E vizitojmë edhe „Muzeun e armëve“:Armë nga më të ndryshme të fituar nga luftëtarët shqiptarë në beteja të ndryshme me armiq gjatë historisë!. . . Cicerini flet e flet, në një gjuhë të huaj para turistëve të shumtë që ndodheshin në atë moment në Kala!   Ne edhepse nuk e kuptojmë gjuhën(turistët ishin nga Çekia) bëjmë sikur dëgjojmë. Turistët pyesin dhe interesohen për Kalanë, për qytetin dhe për historinë shqiptare, ndërkaq ciceroni u shpjegon a tyre me gjithë dëshirë!. . .

I lëmë dikur ciceronin dhe turistët dhe lëvizim nëpër ambiente të tjera të Kalasë!  Kemi dalë në amfiteatrin verort ë Kalasë dhe nga atje e shohim tërë Gjirokastrën si në shuplakë të dorës!. . . Ime shoqe dëshiron që të bëjmë edhe ca fotografi. Sa e hapi objektivin e aparatit fotografik ranë pikat e parat ë shiut!. . . Në atë moment më erdhi në mend rrëfimi i luftëtarit shqiptar të rrethuar në Kalanë e Krujës nga ana e Perandorisë osmane, shkruar nga Kadareja i madh. Pikat e shiut do të ishin shpëtim për luftëtarët shqiptarë të rrethuar për muaj të tërë nga armiku dhe të lënë edhe pa ujë!  Pikat e shiut do të shpëtonin luftëtarët shqiptarë dhe do të detyronin luftëtarët armiq që të shkonin nga kishin ardhur dhe të mundur!. . .

Pas pikave të parat ë shiut do të vinte një rrebesh shiu i paparë!  Përveq shiut do të nisnin krismat e vetëtimave dhe të bubullimave!  Ishte ky një shi i dëshiruar nga qytetarët e Gjirokastrës,sepse vinte pas afro tre muajsh të verës së thatë!  Sikur shiut iu gëzuan edhe gurët e Kalasë që ishin zhuritur për afro tre muaj nga vapa e verës dhe pikat e shiut i përpinin me etje!  

Shiu i Gjirokastrës i gëzoi gjirokastritët, por jo edhe ne dhe turistët e shumtë të huaj!   Ne dhe turistët kishim ardhur që të shihnim dhe të preknim gjithandej rrugicave e lagjeve të njohura të Gjirokastrës,por pas fillimit të shiut do të ndërprehej gjithçka!  Do të ndërprehej edhe rrugëtimi i mëtejmë nëpër Kala dhe do të niste rruga e kthimit!. . . Shiu i Gjirokastrës atë pasdite shtatori sikur na hyri ca në hak dhe na mbeti borxhli!   E ne na mbeti peng që nuk mundëm ta shikonim vetëm për pak çaste shtëpinë e shkrimtarit tonë të njohur, lindur dhe rritur në Gjirokastër-Ismail Kadaresë!   E kishim lënë me fjalë me time shoqe që pas vizitës në Kala, të shkonim tek shtëpia e Kadaresë,por…Në Gjirokastër do të vijmë sërish e sërish!. . . Dhe shpresojmë që kur të vijmë herën tjetër t`i shohim të rindrërtuara shtëpitë e rrënuara e me vlera të veçanta historike. Gjirokastra është nën mbrojtjen e UNESKOS-andaj ajo duhet të ruhet e konservohet, të mbrohet që t`u bëj ballë shekujve që vijnë!. . .