Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hamit Taka: Motive nga Çamëria

| E diele, 03.11.2013, 04:35 PM |


Hamit Taka

 

C  I  K  E  L

-motive nga Çamëria-

 

KLITHMA E DHIMBJES

 

Kush na e theu llozine e derës, kush?

Kush na e shoi zjarrin në vatër, kush?

Kush na e vrau zogun e verës, kush?

Kush na e piu gjolin e kaltër, kush?

Kush na i la arat lehona, kush?

Kush na e ther qëngjin e shpresës, kush?

Kush korr barë mbi varret tona, kush?

Kush majm buallin e harresë, kush?

Fol sa të duash,

Thirr sa të duash,

Veç  jehonës

S’përgjigjet kush…

 

 

KU, KU…

 

Ku-ku! K-ku!

Veç qyqja këndon.

Shtëpitë e djegura, të rrënuara

Gurë më gurë ajo kërkon;

 

Xërr-xërr! Xërr-xërr!

Gjinkalla digjet bëhet zhur,

Në plepin e plakur, degëtharë

Ku fëmijët brekët grisnin dikur;

 

Çivit-çivit! Çivit-çivit!

Dallëndyshet sillen, bëjnë potere

Mbi gurët e baltën e plasaritur

Nga zjarr i mallit bërë gëlqere;

 

Qiellin gris veç korb i zi

Krraa! Krraa! Krraa!

Kurmin e imët të Çamërisë

Ka gjysëm shekulli që e ha;

 

 

ME BIND BILBILI DUKE QARE

 

Në këto troje hyj si i huaj, si kusar

Jam ndoshta idealisti i fundit

Që e prek këtë parajsë për herë të parë

Me një degëz ulliri, me flatra pëllumbi;

 

Korr mallin dhe dhëmbjen duaj-duaj

Në lëmën e shprtit i mbledh atje…

Si shinin dikur të parët me kuaj,

Kujtimet era si grurin m’i ngre;

 

Era mjaltë e aromë qumësht

Ngrihet nga çdo plis e nga çdo pore;

Zanat dalin në mbrëmjen e mugët,

Muzën e thinjur më sjellin për dore;

 

U thinj muza në pritje të poetëve

T’u këndonin mëngjeseve plot zhurmë,

T’u këndonin ditëve të kaltra dhe netëve

Kur hëna ndriçonte ende aq shumë;

 

U thinjën zanat e nimfat ndanë gjoleve

Në pritje të djelmoshave çapkënë,

Që t’i shihnin të çveshura vigjëlonin

Se nënat të martohen s’i lënë;

 

U ronitën lëmenjtë në ara dhe gryka

Në pritje të thekrës dhe grurit të ri,

Të këngës së djaloshit që kuajt i ngiste

Dhe togjeve me drithin flori;

 

I shtrirë mbi tufëza bari të tharë

Vështroj kaçube trëndafilash të egër,

Askund, asgjë nuk e gjej si më parë

Sa dyshoj për veten mos jam negër;

 

Po ku shkuan ato pamje, ku fshihen?

Ç’është kjo gjuhë me nojma, pa zë?

Bilbili që nuk di veç në këngë të shkrihet

Tej natës duke qarë, më bind për çdo gjë;

 

 

NE VISET E ÇAMERISE

 

Te këto vise të arta, nuk vij si kureshtar,

Jam lumë dashurie nga viset veriore!

Të ujis varret e zhuritur, livadhet e tharë,

Çdo rrënjë peme, çdo plis e çdo spore;

 

Në çdo hap mledh lule të thara kujtimesh,

Prek tegele shkronjash në trungjet e ullinjve…

Dikur, në kohë paqeje dhe dëfrimesh,

Etërit u mësonin shkrimin fëmijëve;

 

Ngrejnë kokën kodrat dhe pllajat e heshtura,

Zgjohen befas nga ëndërra të frikshme;

Nga planimetria e lojës ca shënja të mbetura

Më joshin hareshëm me gjeste të magjishme;

 

Si një brengë e kaltër në burimet  e fjetura,

Zgjohen zanat e thinjura, qajnë me dënesa;

Të vetmet gjurmë e shenja të paprekura

Mes gjurmësh mizore, goditjesh të pabesa;

 

 

PEIZAZH

 

Nëpër fëshfërima  trëndafilash, jaseminësh

Ia ndiej frymëmarrjen kësaj toke bujare,

Lumi Kalamas mes dredhash, gurgullimash

Këndon ende këngët e vjetra krenare;

 

Para meje habitet udhëtari i devotshëm

I etur për thesare e trille natyrore,

Aroma mandarinash e qitrosh e joshin,

E ndeh kthjelltësia e të  kaltrës jugore;

 

E ndjellin këto limane piktoreske

Me miklime të qeta, të arta hënore

Askund s’ka dëgjuar ai  këngë kaq prekëse

Se kjo që vjen nga ullishtet valëzore;

 

I mahnitur hedh hapat ngadalë, i befasuar,

Me krahët e kureshtjes përfshin këto troje,

Dhe më thotë se “Kopsht i mrekullueshëm”

Nuk është thjesht një fjalë goje;

 

Mes legjendash e mitesh-Thesprotia hyjnore

Kumton amanetin dhe brengën e të parëve…

Ky kopsht i natyrës në trojet stërgjyshore

Jo, nuk mund t’u përkasë akoma barbarëve…

 

 

O JU ERERA…

 

O ju erëra të vendlindjes,

Ç’më risillni moshën e feminisë!

Sikur të isha mes refleksesh hënore

Mbi lulebardhat e qershisë;

 

Sikur fyelli i bariut të ma mëkonte

Shpirtin me ëndërra dhe idile,

Dhe Hëna nga lart të vështronte

Siluetën e plepit ngjyrë lile;

 

Në livadhin me ngjyra brilante

Si  ylber të rrija sonte  shtrirë,

Sa do doja  të ndjeja kësaj nate

Tufa yjesh skërmoqur në çair;

 

Edhe zogun do doja ta zgjoja

Te foleja në një shkurre gjetheartë

Dhe brengën e mallit t’ia çoja

Zotit në fronin e qiellit lart;

 

A e di vallë Zoti ç’është malli,

Ç’është largësia dhe mërgimi?...

Ai më thotë se duhen të tëra:

Malli, gazi dhe trishtimi;

 

 

GJYSHES

 

Gjyshja ime, që vdekja e ka harruar

Çapitet në kopsht me diell e me shi…

Të përshëndes , gjyshe, kot je trishtuar

Që nipit ia le kopshtin trashëgimi;

 

Ytnip nuk kthehet më në ato vise,

Mos m’u merakos e mos m’u tret si qiri

Vetëm dashurinë tënde dua unë në hise

Dhe kujtimin e gërshetit, pis të zi;

 

Ndjej mall,  një rrënqethje prej rrebeli,

Kur të shikoj sot me thinjat shpurprisur…

I kam kënduar këngë gërshetit gjer te beli,

Që e shpleksje mbi gjoks si ylber i harlisur;

 

Dhe prapë unë do të thurr vargje të rimuar,

Ti e di vargjet janë pasioni im i keq.

Dikur ty të çelnin lulet nëpër duar

Tani të dridhen, s’të binden, për dreq;

 

Po mos më rri në kopsht, në erë e në shi

Se do të marrësh plevitin, o e bukura ime,

Unë do ta paguaj sa të kërkojë një njeri

Me zell t’ia bëj atij kopshti shërbimet;

 

Buzëqesh ti, gjyshe, o shpirt i papërlyer,

E dlirë si foshnjë , e urtë si shenjtore

Se ashtu  vdekja largohet e zhgënjyer

Dhe unë t’u  thurr vargje thinjave hyjnore;

 

 

EMIGRACION

 

Drurët në pyllë u rralluan

Djemtë tanë të bukur u rralluan,

Zogjtë ikën pa na përshëndetur

Një adresë nuk na lanë se ku shkuan;

 

Arat na mbetën pa lëruar,

Tufat na mbetën pa barinj,

Na mbetën fletoret pa u shkruar,

Na i këndojnë këngët korbat e zinj;

 

Ne mbetëm zgërbonja të vetmuara,

Zemrat mbetën fole të braktisura,

Gjejmë lodra fëmijësh të harruara

Si relike nga epoka të përmbysura;

 

Ne gjithë ditën presim që të ngryset,

Lusim ëndrrën që nata të zvarget,

Dhe i themi vdekjes që të niset

Të vijnë djemtë të na hapin varret.