| E enjte, 31.10.2013, 08:00 PM |
Fotoreportazh
nga
SËRISH TE NËNA TEREZE
Nga Hajro
HAJRA
E
diela e fundit e tetorit të sivjetmë ishte dita kur shqiptarët e kryeqytetit të
Arizonës,
E
palodhshme si gjithnjë, plot energji e vullnet, ndonëse ka vite që është pensionuar,
zonja Lule Lucaj – Lane, e njohur jo vetëm në Arizonë, për faktin se vite më parë
ka adoptuar dhe ka rritur pesë fëmijë shqiptarë (katër nga rrethi i Shkodrës
dhe një nga Mitrovica), sikundër edhe herave të tjera, edhe sivjet kishte marrë
përsipër organizimin e manifestimit, tashmë tradicional, kushtuar Nënës Tereze,
në përvjetorin e lumturimit. Krah të djathtë kishte zonjën Jeta Hajra, e cila e
kishte konceptuar gjithë manifestimin, porse ndihmesë për jetësimin e kësaj
ngjarjeje kishte dhënë edhe zonja Marinela Papa.
Më 27
tetor, pak para mesit të ditës, parkun e bazilikës, ku është vendosur shtatorja
e Nënës Tereze, vepër e skulptorit amerikan Michael Myers (edhe shtatorja e Papës
është vepër e po këtij skulptori), e kishin mësyrë nja 100-150 shqiptarë (fëmijë,
të rinj e të reja, pleq e plaka). Disa nga ta kishin sjellë lule të freskëta
dhe i vendosnin ato te shtatorja, ku ishin ngulur një flamur shqiptar dhe një flamur
amerikan.
Manifestimi
nisi me një parakalim të fëmijëve rreth e rrotull shtatores së Nënës Tereze. Ata
mbanin në duar flamuj shqiptarë e flamuj amerikanë dhe fotografi të Gonxhe
Bojaxhiut. Pas këtij parakalimi, të pranishmit u grumbulluan te shtatorja dhe
iu bashkëngjitën zotit Gjelosh Gegaj, i cili e tha uratën shqip të Nënës Tereze.
Më pastaj të gjithë u futën në sallën afër, pjesë e kompleksit të bazilikës, ku
do të mbahej pjesa kryesore e manifestimit.
Në krye të
sallës ishin ekspozuar veshje kombëtare shqiptare, vepra artizanati e flamuj
shqiptarë, ndërkaq muri ballor ishte mbushur me fotografi të shumta. Ndër të tjera,
ishin fotografitë e Nënës Tereze me Ibrahim Rugovën, me Bill Klintonin, me
Princeshën Dajana, me Ronald Reganin, fotografi nga vizita e Nënës Tereze në Feniks
më 2 shkurt 1989 e të tjera.
Me një fjalë
rasti, manifestimin e hapën zonja Marinela Papa e zoti Anton Gegaj. Pas saj
fjalën e mori kryetari i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan “Shqipja e Arizonës”,
zoti Skënder Bajrami, i cili i njohu të pranishmit me një fakt jo gjithaq të njohur
të jetës së Gonxhe Bojaxhiut, kur ajo udhëtonte me tren nga Shkupi në Stagovë të
Kaçanikut dhe prej aty shkonte këmbë në kishën e Zojës së Madhe në Letnicë të Vitisë.
Pasuan recitali i fëmijëve me thënie të Nënës Tereze “Jepe pjesën më të mirë të
vetvetes” dhe një poezi e Nënës Tereze, recituar nga Angjelina Gegaj.
Pjesa më e
bukur e këtij manifestimi ishte, pa dyshim, inskenimi i dhënies së Çmimit
Nobel, që u realizua nga Anton Gegaj (agjent i patundshmërive), në rolin e
kryetarit të Komitetit Norvegjez të Çmimit Nobel, profesor John Sanness dhe Rina
Hajra (studente e vitit të fundit e aktrimit dhe e drejtësisë në Universitetin
Shtetëror të Arizonës), në rolin e Nënës Tereze. Pasi “mori” Çmimin Nobel, Rina
interpretoi pjesë të shkëputura nga fjalimi 19 minutësh që Nëna Tereze kishte
mbajtur para auditorit të Komitetit të Çmimit Nobel, më 11 dhjetor 1979, në Oslo
të Norvegjisë. Interpretimi i Rinës ishte një imitim besnik i fjalimit të nobelistes
sonë dhe u prit shumë mirë e u duartrokit nga të pranishmit. Pas këtij
interpretimi të natyrshëm, që të pranishmit i ktheu në vitin e largët 1979,
mikrofonin e mori zonja Zejnepe Shehu, e cila rrëfeu një dromcë nga jeta e Nënës
Tereze, kur një gazetare italiane, duke e parë Nënën Tereze tek i nxirrte
krimba nga plaga një të sëmuri, thotë: këtë punë nuk do ta bëja as për një milion
dollarë… As unë nuk do ta bëja as për një million dollarë – ia kthen Nëna
Tereze, pa e hequr vështrimin nga plaga e të sëmurit, të cilin e ndihmonte.
Manifestimi u mbyll, si edhe herave të tjera, me ushqim e me pije dhe me urimin: u pafshim në përvjetorin tjetër!