| E marte, 29.10.2013, 10:00 PM |
Tekstualja
në vështrimet kritike
dhe
gjykimi estetik
Një vështrim analizues mbi librin e Timo Mërkurit “Kur flasim për artin Jonian”
Nga
Vladimir Muça, poet - studiues
Që kur
lindi arti i të folurit dhe i të shkruarit,
sidomos kur bëhet fjalë për letërsinë , është një domosdoshmëri e zhvillimit, që filli i saj të lidhet me mendimin kritik , me krahasimin
e vlerave estetike që dallon veprat letrare.
Nuk është
rastësi që në lindjen e filozofisë të artit të të shkruarit , lindi dhe lulëzoi
dhe mendimi kritik në botën e letrave. Kritika e ka suportuar gjithnjë krijimin letrar. Jo më kot
mendimi kritik i Bjelinskit të madh në Rusi u shoqërua me krijues gjigandë si Çehov, Dostojevski ,
Gogol . Sot në kritikën tonë letrare vihen re me shqetësim të madh që vlerat i
marrin antivlerat e të ashtuquajturve përfaqësues të një letërsie “bestseller “.
Siç janë librat e karakterit monografik e politik të Blendi Fevziut, Edi Ramës,
Ben Blushit e shumë e shumë monografistëve të porositur .
Kritika e
sotme po kalon krizën e saj të dithirambeve
, nuk po
Eshtë një
ogur i mirë që krahas botimeve estetike për Migjenin e madh
nga Dr . Moikom Zeqo , i cili e evidenton Migjenin si prurësin e parë të
koncepteve të një estetike moderne, në vitet 1930- 1935, botimit të mendimeve
kritike të Adriatik Kallullit , Dr. Fatmir Terziut krahas mendimeve kritike të përkthyera
të Umberto Ekos ,të Bodlerit, Luis Borgesit , në atë lëmin tonë , në atë ‘magmë
jonike’ , të kemi midis nesh mendime
kritike mbi produktet letrare të bash
miqve e shokëve shkrimtarë si Timo Mërkuri.
Në këtë vepër
studimore ,Timo ngulmues në punën e tij, vjen disi i vecantë, disi natyral në konceptet
studimore. Ai e ka flak tutje konceptin ”bestseller “, evidenton vlerat me kontekste kohore e vendore duke sjellë para
lexuesve karakterin natyralizues të veprave letrare duke sjellë bukurinë ,
brishtësinë, zhurmërinë e dallgëve të bregdetit jonian , atë athtësinë e kripësinë që u jep jo vetëm habitatit por dhe njerëzve
dhe veprave letrare.
Konceptin
kritik Timo Mërkuri e shtrin në tre metodika kritiko- analizuese:
- Vështrim reçensional në studime mbi
disa vepra të Spiro Llojit, Kristo Cipës, Dr. Fatmir Terziut, Ymer Nurkës.
- Vështrime kritike në nxjerrjen e
vlerave e të veçorive autoriale siç janë vështrimet për Fatos Arapin, Andrea
Zarballën, Kiço Papës.
- Kritikë tekstuale, krahasuese, ku
prioritet vështrimor merr ajo ç’ka është në tekst , duke krahasuar debitet e
prurjeve të reja ( kjo si mënyrë efikase me suportet që jep në zhvillimin
e një letërsie të vërtetë). Në këtë kategori hynë vështrimet mbi Agim Maton ,
Dr. Fatmir Terziun për romanin “ Kojrrillat” , Aqif Hysën për “ Poema
e ikjes” .
Ashtu
sikundër për Umberto Ekon , kjo mënyrë është themeli i studimeve të estetikave
në zhvillimet letrare ; edhe për Timo Mërkurin
kjo përbën shuminë studimore. Autori i harron autorët e vargjeve,
prozave që merren në analizë dhe merret me ekstraktet e domethënies, nënshtresat
mendimore e qëllimore, merret me toponiminë , onomanistikën, fonemat e reja që i
japin dritë kësaj letërsie si në konceptin e kohës kur ajo është shkruar, por edhe kohën që ajo
pretendon të përfaqësojë.
Autori
ngulmon në natyralitetin ku ajo ka lindur dhe po rritet me atë modernitetin ,
me atë “ magmën Jonike” apo me “ Valët u ngjirën duke folur” të Agim Matos. Autori
sikundër gjithë krijuesit bregdetas ,që si djep lindje të veprave kanë këtë det
e këtë bregdet, sa të magjishëm aq dhe kapidan në konceptet studimore e kritike.
Ai nuk i
len pa nanurisur në këtë djep , në këto dallgë, në këto shpella pëllumbash ,
piratësh ku zëri gjëmimtar i Bubulinës gjëndet në çdo rresht apo varg. Në këtë gjëmimtari
qytetarie të Artit Jonian si krijues ai po përfiton qytetarinë edhe në aspektin
e mirëfilltë eseistiko – studimor, ku me një transparencë evidentohen vlerat
krahasimtare të këtij arti si në kohë dhe
në hapësirë , pa kufij gjeografikë.
Autori e
ka kapërcyer me sukses provincionalizmin sundues , duke reflektuar me eseistikën
e vështrimoret e tij konceptet globalizuese në artin e studimit, duke
evidentuar lidhjet e ndërsjellta gjeografike, duke mos e kufizuar hapësirën
jetike të artit në vijat kufitare shtetërore.
Bindshëm
, autori shprehet: “ Piramidat , klonet ndajnë shtetet, pengojnë njerëzit ,
kontaktet fizike , por nuk i ndajnë dot kulturat dhe artet, aq më tepër kur ata
kanë një shtrat – lindjeje.” Autori aludon për atë shtrat – lindjeje që shumë pak
studjues ,përjashtuar Dr. Moikom Zeqon dhe Dr. Fatmir Terziun , e proklamojnë në
studimet e tyre.
Me të drejtë
Timo ngulmon në këtë shtrat kulturor që është globalizues e me thellësi kohore,
duke evidentuar që andej vlerat e vërteta të lëna trashëgim ndër shekuj. Ashtu
sikundër krijuesit Dr. Fatmir Terziu , Fatos Arapi , Andrea Zarballa , Agim
Mato, Bardhyl Maliqi , Irena Gjoni, Spiro Lloja , Kristo Cipa, Ymer Nurka, Kiço
Papa edhe studjuesi Timo Mërkuri
nuk i largohet në interpretimet stilistike e eseistike nga djep- lindja
e këtyre produkteve, ai vjen si një lindje
e dytë e tyre. Vepra letrare kur shoqërohet nga vështrime të tilla kritike ,
merr frutet e një lindjeje të dytë , drejt një materie të re librare, në kontekste
pavdekësie.
Vepra dhe
kritika gjejnë njëra tjetrën në të njejtin
habitat , në një kaltërsi plot yllësi metaforike , plot njelmësi detare , ku
lexuesi e kupton lehtas e ndjellet nga vjen kjo ngrohtësi në këto poezi , në këto proza apo pikturale natyrore.
Në këto vëzhgime
kritike Timo Mërkuri kërkon me ngulm ato “ sinore” , kopshtije riviere, thepa
shkëmborë, sy të kaltërt , ato shpella pëllumbash të egër , ato dallge joniane kreshtashkumbë ,
ato natyralitete ku moderniteti e ndjen veten si ajo perla në guackën
shekullore , si ajo “ magma jonike”
e cila ka
filluar t’i japë nxehtësinë e jetësinë kësaj toke.
Në këto
kontekste mendimi estetik vlerësues i
vlerave letrare vjen si domosdoshmëri për
të analizuar me “ këmbë në tokë “ e për të bërë
interpretimin e vlerave krijuese.
Sidomos këto vite të një stanjacioni letrar , ku mendimi kritik ka marrë shumë molisje , ka stepje , është
në një dilemë “ të rrosh apo të mos rrosh” .
Hera herës në panaire e konkurime mediatike të një letërsie biznesi ( vetëm me qëllime
fitimprurëse ) monografiko – politike kritika dhe mendimi estetik ka qenë gati –
gati ana e errët e shprishur ,
tendecioze , imponuese gjer në përmasa shkatërruese për artin e të shkruarit
dhe shkencën që merret me interpretimin
e veprave artistike.
Abuzimi
duke bërë krahasimtari të disa “ bablokëve shkrimtarë “ , si “ gjeni “ të letrave,
e krahasimtarë me Bodlerin , Borgesin , Eliotin e Xhojsin është e keqja më e
madhe klienteliste me shpërblimin e mundshëm financiar në kuadrin e një joçensurimi
letrar , jo estetik, jo profesional por
bazuar në tekat porositëse.
Ndaj dhe
kritika si shumë e shumë krijuesve, të lëna në mënjaninë e këtij biznesi letraresk
jetojnë me rrezikun të mbeten ‘ pa kek e pa lek ‘ , siç thonë me humor
tiranasit. Në këtë aspekt gjen veten thënia e famshme se “ Arti lind nga
kufizimet dhe vdes nga liritë”.
Duke
lexuar këto refleksione të përqasura aq shumë me realitetin që përjetojmë ,
krijuesit , por dhe vetë autorët , më erdhi
në mendje një urtësi e Umberto Ekos : “ …e vetmja forcë që ve në lëvizje
intelektin filozofues është e vërteta.”
Siç duket
Timo Mërkurin, urtësia e Ekos e ndjek hap pas hapi me të vërtetat gjatë gjithë librit.
Gjatë analizave vëzhgimore , autori , një rëndësi të veçantë i kushton hapësirës të shprehjes dhe hapësirës
së përmbajtjes. Ai ngulmon shumë në raportet ndërvepruese , bashkërendimit ndërmjet
shprehjes dhe përmbajtjes , duke shmangur prioritete që ka sot rendja në të shumtën
pas formës së shprehjes , kozmofonisë se sa thelbësores të problemit , idesë e
qëllimit të një vepre letrare.
Krijuesi
ulet , lodh trurin , jo vetëm që të sjellë
një relaks shpirtëror , por në bazë të krijimit të mjeshtrave të mëdhej
, është qëllimi , idea përse duhet shkruar një produkt letrar. E kjo sentencë është
e pluguar mirë e thellë nga Timo Mërkuri në këto vëzhgime. Ndaj autori në këto produkte eseistiko – kritike
nuk rend pas emrave gjoja të mëdhej, por merr në vlerësim ato prurje letrare që për të përbëjnë risi dhe që sjellin një frymë të re, me taban në këto
treva Joniane.
Në gjininë
e romanit ai sjell sfidat romaneske të Dr. Fatmir Terziut, me ndodhi të kaherëshme
por në novitete të reja moderniste .
Në prozën
e shkurtër të Edmond Llaçit ai sjell
kuptueshmërinë e shumëfishtë , me dëndësinë e mendimit dhe të qëllimit në një individualitet
dhe estetikë të re me nocione e pasazhe poetike me amalgama lojcake , një dukuri
kjo thelbësore në modernitetin e prozës të shkurtër.
Në veprat
poetike të Agim Matos , Fatmir Terziut, Andrea Zarballës , Kristo Cipos, Spiro
Llajos, Kiço Papas, ai evidenton një soj të ri të lirizmit me nocione epiko- balaidike
që aq shumë i shkon për shtat truallit ku përdita autori kuvendon me këta
brigje e dallgë duke u ngopur me kripësinë Joniane, aromën e portokajve e të limonave
, duke ngopur shpirtin me ato kolazhe poetike të Kiço Papës apo shpirtin rrebel
e fundos të Agim Matos.
Nga kjo
vjen dhe skalitet dhe portreti estet i Timos. Në tërësinë estetike e analitike
ai nuk na përqaset si një kritik
skolastik i veprave të krijuesve Jonianë
e të mëpertejmë.
Ai vjen
me një diapazon kërkesash e interpretesh
,që përkojnë me zhvillimet e sotme letrare në kuadrin global, të hulumtimit të vlerave dhe dukurive letrae në aranzhim me zhvillimet
shoqërore. Ai evidenton si një domosdoshmëri
në artin e të shkruarit , veçoritë e Artit Jonian që është: “ mbështetja tek tradita e pasur popullore.”
Kjo ,
ngulmon autori , është arritur duke qenë krijuesit, njohës të thellë të artit popullor, duke ngulmuar , ashtu siç na
mëson Umberto Eko në përdorimin gjërësisht
të ekstraktit popullor si një “ mballomë artistike” e cila rrit dukshëm
vlerat e një krijimi.
Leximi
toponomanistik dhe onomanistik , veshja me vlerat e tyre e bën Mërkurin të jetë
një vëzhgues e krijues i mirfilltë Jonian , një shpërfillës i kufijve gjeografikë
të ekzistencës. Ky është dhe thelbi i natyralitetit që thirmon autori në personifikimin
e Fatos Arapit e të Agim Matos.
Në këtë libër
të gjithë esetë sikundër eseja “ Sa pak det paska në poezinë shqipe “ janë në funksion
të analizave kritike , ku perla ‘ vajza e valëve’ dhe simotrat e saj janë apotheoza dhe burimore nga ku veshin gëzofin e ri
natyraliteti i këtij moderniteti. Në këtë modernitet rrinë lirshëm legjendat e
djeshme, epet si dhe marrëzitë e sotme , rrinë ekstrakti i kristaladave popullore.
Lirizmi
atdhetar, shpirti i gjerë lirik me vlera
të rralla estetike noton lirshëm në nocionet balaidike dhe epike në kontekste të
reja , risi këto të evidentuara nga krijimtaria e Agim Matos, Dr. Fatmir
Terziut , Kristo Cipës, Andrea Zarballës si
një dukuri e re. Kjo është një nga
tiparet themelore në poezinë bregase , është një nga ekselencat për estetikat e
reja pas soc - realiste, estetika pa
kurrfarë kufizimi por me një marzh shtrirjeje të palimituar.
Nëpërmjet
poetit Kiço Papa në post – mortumin e tij , Timo sjell ato elementë ekzistencialë
të poezisë që tentonin në vitet 70 – 80 të çanin pancirin e soc- realizmit për të cilin shumë poetë nga ai brez si Fatos
Arapi, Agim Mato , Thanas Dino, Niko Kacalidha, Spiro Llajo përfituan persekucionin ideor e kulturor gjer në përmasa
të një gijotine klasore.
Në librin
“ Kur flasim për artin Jonian” , Timo Mërkuri me anë të vështrimeve realiste në
kohë dhe në hapësirë, portretizon profilet e shumë autorëve më në zë që kanë shkruar
dhe përtej bregut jonian.Këto portrete krijuesish ai i jep me një sqimë e
besnikëri atje ku i ka rënë këmba duke nxjerrë veçoritë e talentit të tyre.
Por duke
u marrë me një shumi portretesh , ai njëkohësisht profilizon dhe portetin e vet
krijues sa origjinal aq dhe të spikatur në modernitetin e tij të natyralizuar në
proçesin krijues.
Me një pasion
të dyfishtë ; të krijuesit dhe të analistit ai plazmon artin e fjalës. Pa asnjë
qasje në mëdyshje pas një stanjacioni njëzet vjeçar , Timo Mërkuri i bashkëngjitet veprave studimore të Dr. Moikom
Zeqos, Dr. Fatmir Terziut, Adriatik Kallullit, Gjekë Marinajt, eseistit Fatmir
Minguli.
Libri “ Kur
flasim për artin Jonian “ , me konceptualitetet që shtron dhe refleksionet
estetike është një kontribut për ripërtritjen
e gjinisë analitike dhe të kritikës; në instituticionalizimin e saj si një domosdoshmëri
e zhvillimeve kohore.
Urime Timo Mërkurit! Urime!