| E diele, 27.10.2013, 07:20 PM |
Erdo hedh gurin dhe fsheh dorën (prapa përkthyesit)!
Nga Elvi
Sidheri
E morët
vesh ore njerëz që Rexhep Taipi ishte interpretuar gabim?
Rexhep
Taipi në të vërtetë, ndryshe nga ç’përflasin natë e ditë gojët e liga dhe ata që
vëllait tonë turk i duan vetëm të keqen, ata që janë xhelozë dhe që tinëzisht
provojnë një smirë të paarsyeshme kundrejt ndjenjave të thella dhe tejet miqësore
e pikërisht vëllazërore të popullit dhe qeverisë autokratike turke ndaj
popullit tonë shqiptar, ai pra në Prizren e Kosovë, nuk ka thënë kurrësesi atë për
të cilën u përfol, por vetëm që një kosovar në Turqi do të ndihej i shtëpisë, ashtu
si edhe në Kosovë një turk do të kishte po atë ndjesi.
E mirë, u
sqarua edhe kjo dilemë që po na linte pagjumë fare prej kaq ditësh!
Pyes
veten unë retorikisht, përse vallë gjithë këto ditë, me tërë këtë cirk mediatik
që pasoi pohimet e Erdos në Kosovë, kur Serbia desh ngriu marrëdhëniet me
Turqinë për një shkak të tillë dhe kur brenda shoqërisë shqiptare në Shqipëri e
Kosovë plasi anembanë debati pro ose kundër deklaratave të Rexhep Taipit, përse
nuk u shpreh më parë kështu “sqarueshëm” ky përkthyesi i tij “i bekuar” Bekimi?
Ku e
kishte gojën ai vallë, po zyrat e shtypit të komunikimit të qeverisë turke, të ambasadave
të tyre në Tiranë, Prishtinë e Beograd ku qenë strukur vallë dhe nuk u ndjenë fare
ndërsa poterja në fjalë valonte e desh u transformua në cunami fare?
Deklarata
e Erdos, nga kushdo që njeh turqishten, do jetë dëgjuar dhe interpretuar në kuptimin
e saj real dhe ky është ai mbi të cilin të gjithë ne kemi kaq ditë që diskutojmë.
S’ka
ndodhur asnjëherë që deklarata kaq të forta dhe të mirëstudiuara në tavolinë lidhur
me efektin e përgjithshëm mediatik, popullor dhe politik që do të kenë, më pas
të përkthehen apo më keq, të interpretohen “rastësisht” gabim!
Mos e
besoni një gjë të tillë, sepse kjo nuk qëndron as në qiell e as në tokë kurrësesi!
Ndryshimi
mes kësaj deklarate dhe asaj pallavrës mediatike që qarkulloi ca kohë më parë vjet
me ripërsëritje ciklike, që gjasme na bënte të ditur, nga burime fantazmagorike,
se ky miku dhe vëllai ynë i dashur dhe tejet i përkujdesur Erdogan-sulltani, do
hynte me ushtri të mbronte shqiptarët nga fqinjët grabitqarë, diferenca midis
tyre pra, qëndron vetëm në faktin themelor, që kësaj rradhe Rexhep Taipi bashkë
me aparaturën propagandistike ekonomiko-neo otomaniste shtetërore turke, e vuri
turirin e tij së paku pas fjalëve që iu atribuan.
Se herën
e kaluar mbeti tip misteri i ngjashëm me ekzistencën e ndonjë rrace aliene, vërtetësia
e asaj deklarate të Erdos, e cila kurrë nuk gjeti qoftë edhe një grimcë verifikimi
në realitet!
Po kështu
kanë mbetur përralla me mbret dhe ëndërra në diell, edhe gjasme thëniet trimërore
të ish kryeministres turke Tansu Çiller në vitin e nëmur 97, që duan të thonë se
na kishte kërcënuar me ndërhyrje të turqve të saj, në rast se greqërit, do të kishin
vazhduar me mbështetjen e tyre antiligjore ndaj Komiteteve të Jugut, në shkelje
të kufijve dhe ligjeve ndërkombëtare dhe të shtetit shqiptar (një zyrtar grek
kaloi pa leje kufirin e pakontrolluar shqiptar atëherë, ndërsa shteti kishte rënë
e nuk kontrollonte as Tiranën dhe vajti diku në jug të takonte kryengritësit më
duket).
Që grekët
janë ata që janë, e dimë dhe s’ka ç’të shtojmë.
Pse
ndodhi ajo që ndodhi para 16 vjetësh në Shqipëri, shkaqet janë të shumta dhe
nuk do dal t’i sqaroj unë.
Por që turqit
trima, me zonjën e nderuar Tansu si kryeministre laike, apo Erdon si bashbakan
filo-fetar dhe dorë e hekurt autokratike në krye, nuk kanë lëvizur as thoin e
gishtit të vogël të këmbës, ndonjëherë në këto 101 vjet ekzistencë të shtetit të
pavarur shqiptar në favor të çështjes shqiptare, edhe këtë e di fort mirë unë dhe
shumica e shqiptarëve.
Mbaj mend
shumë mirë sesi Turqia para dhe gjatë luftës së Kosovës e kishte larguar të pasmen
pa shumë diplomaci nga zjarri i konfliktit dhe po ashtu i kujtoj deklaratat e
zyrtarëve turq të kohës, që i trembeshin ndonjë përfshirje në konflikt si pasojë
e lidhjes së tyre me shqiptarët për shkak të afrimitetit fetar dhe pranisë në Turqi
të miliona banorëve me origjinë shqiptare.
Listat e
kohës, të dhënat e vetë NATO-s, na tregojnë sesi edhe një shtet-dukat me 350
mijë banorë si Luksemburgu, ka marrë pjesë në bombardimet mbi Jugosllavi, me
plot 4 copë avionë, kurse vëllai ynë i dashur turk, kruante hundën dhe dridhte
qetë-qetë mustaqet e thithte nargjilen në Stamboll duke bërë letrarisht, për t’a
thënë fiks në turqisht...”SEHIR” dhe parë sesi mijëra shqiptarë (këta që Erdo
tani i ka vëllezër) vriteshin, përdhunoheshin e përziheshin masivisht nga shtëpitë
dhe toka e tyre amëtare.
Të mos
kenë asnjë iluzion post-dehjeje neo-otomane “DumBabiste” apo “HaxhiQamiliste” as
shumë filo-turqit dhe Erdo-dashësit e shumtë shqipfolës, se të mos kishte qenë për
forcën dhe vendosmërinë amerikane dhe PIKË, sot këmbë shqiptari (jo-kolaboracionist,
jo poshten albanac) nuk do të kishte mbetur gjallë në Kosovë!
Se nga do
të kishin vajtur 2 milionë shqiptarët e Kosovës, një Zot e di?!
Se që t’a
dinë Erdo-adhuruesit e sotëm, Turqia e 1999-ës kishte mbi 70 e ca milionë banorë
dhe vend për emigrantë, ”jabanxhinj” të rinj nuk kishte më si dikur në 1912-ën,
vitet 20-të apo 50-të shekullit të kaluar, kur në marrëvjeshje dhe mirëkuptim të
hapur me autoritetet mbretërore apo komuniste jugosllave, turqit tuaj të dashur,
pranuan me kënaqësi të theksuar përzënien masive të qindra-mijëra shqiptarëve të
ish Jugosllavisë, me qëllimin shumë “fisnik” të popullimit të humbëtirave dhe
djerrinave të shtetit turk, vende ku s’mbinte as patatja dhe ku edhe pula hante
gur.
Dhe e
gjithë kjo, bëhej hapur, falë tezës turko-serbe, se çdo shqiptar jugosllavie i
fesë myslimane, konsiderohej vetëm dhe vetëm TURK!!
U kuptuam
tani?
Doni të fshiheni
pas gishtit, asnjë problem, por gjërat shihen si janë, aq më tepër kur duken
qartë dhe nuk ka sens t’i biesh nga Kina, kur shtegu normal ekziston, për t’u përballur
me një çështje si kjo e punëve tona me “vëllezërit turq”, i fundit në rradhën e
të cilëve, që na vjen pranë portave megjithë ngarkesën e turqizmave të tij, është
edhe ky Rexhep Taipi në fjalë.
Të thuash
sot se Kosova, kjo krahinë shqiptare, shtet tashmë i pavarur dhe i drejtuar
pakthyeshmërisht në rrugën e tij të sigurtë të forcimit të ekzistencës dhe
shtetformimit të vet, me bekimin amerikan dhe trupat e saj që i mbrojnë dhe
garantojnë sovranitetin dhe të ardhmen (sa dhjetëvjeçarë ka Taivani që i qëndron
si gjemb në shpinë Kinës së madhë për shkak të mbështetjes amerikanë ndërkohë?)...na
qenka Turqi, është një krim i vërtetë ndaj banorëve të saj, ndaj shqiptarëve në
përgjithësi dhe ndaj kujtdo që ka derdhur gjak për atë vend, në emër të shqiptarizmit
dhe flamurit tonë kombëtar të shqiponjës dykrenare.
Për çfarë
u derdh gjaku shqiptar në shekuj, kundër serbësh e turqish, për të përfunduar në
2013-ën tek teza Erdoganiste se Kosova është Turqi?
Turq kanë
qenë ata qindra-mijëra shqiptarë që dhanë jetën për shqiptari dhe Kosovë gjë?
Adem
Jashari emrin e të cilit mban sot aeroporti i ri i Prishtinës, mos e sakrifikoi
gjë vetveten dhe tërë familjen e tij, për ideal të Turqisë, apo të shqiptarisë?
Azem
Galica apo Hasan Prishtina mos kanë qenë gjë ithtarë të turqizmës dhe unë nuk e
kam ditur kështu?
Nënë Tereza
që origjinon pikërisht në Prizrenin që ndyu me gojë para ca ditësh Erdo, mos na
ishte turke me fe katolike edhe ajo gjë?
Abdyl
Frashëri mos drejtoi gjë Lidhjen “turke” të Prizrenit në 1878-ën?
Se mesa
duket historinë po i bie t’a kemi mësuar totalisht “gabim” dhe mbetet vetëm që Erdo-dashësit
dhe turkomanët e shumtë që një Zot e di përse për të pohuar marrinat e tyre
turkofile të pafre gjejnë të udhës të përdorin gjuhën e “nëmur” shqipe (atë që me
ferman sulltanor, u urrye, ndalua dhe luftua me çdo mjet gjatë shekujve të gjatë
dhe të errët osmanë), që ata pra të na “shëndrisin” mendjen dhe të na tregojnë
“faktet” e tyre po të ketë të tillë e të mos këndojnë më kot së koti, si qeni që
i leh hënës!
Por në mungesë
të fakteve dhe në prezencë të pallavrave dhe idiotësive të jashtëzakonshme, mashtrimeve
dhe trushpëlarjeve pafund e pa krye, që na stisen e ofrohen ditë për ditë, me
burim në kuzhinën e pasur turko-centrike të institucioneve neo-otomaniste në Ankara
(vartësve të Erdos dhe mbi të gjitha, mëkëmbësit të tij besnik Davutogllut), atëherë
të dhëna konkrete në mbështetje të tezave turkomane nuk do të gjejmë kurrë, ndërsa
legjenda e qime të bëra tra, sa të duash, këtë e dimë dhe e shohim papushim.
Të thuash
pra që Kosova është Turqi, është mashtrim me brirë, humor pa kripë, gjellë e
prishur turkofile, gënjeshtër e ulët dhe pohim fyes për çdo shqiptar me pak tru
në kokë e ndërgjegje të panjollosur kombëtare.
Është po
aq kjo një tezë armiqësore, sa edhe kur ndokush në Beograd, pohon se Kosova është
Serbi!
E njëjta
gjë 100% është!
Kosova është
së pari Kosovë, një shtet i ri që ka luftuar në ekstrem të vuajtjes dhe
sakrifikimit për lirinë e popullit të saj, i cili është në 95 % shqiptar.
Ku qëndron
atëherë e vërteta e një pohimi Erdoganor se kjo tokë 95 % shqiptare, tashmë e qeverisur
dhe e njohur nga mbi 100 vende të botës si shtet më vete, na qenka Turqi?
Këta 95 %
banorë, nga shqiptarë Erdos dhe pasuesve të tij, u duken gjë si turq?
Apo
dardha me bisht prapa, këtyre u thotë se feja e tyre myslimane, i bënka turq?
Pse jo
indonezianë, arabë, berberë të Magrebit, malejzianë apo Pakistanezë?
Se
kriteri i fesë na u merrka parasysh siç duket!
Atëherë kush
mbështet teza të tilla, përveçse shqiptar mund të jetë vetëm në emër dhe për
efekt të gjuhës shqipe që i kanë lënë prindërit, do të thotë se mendon edhe se
në Shkodër ka italianë për shkak të shqiptarëve katolikë e në Korçë grekë për
shkak të shqiptarëve me fe ortodokse.
Më antishqiptarizëm
sesa këto fara helmatisëse që hidhen kaq lehtë në tokën pjellore për përçarje...të
qënësisë së përbashkët shqiptare, unë nuk mundem të imagjinoj dot edhe po të dua!
Ana tjetër
e medaljes se Turqia është Kosovë, diku edhe qëndron, por siç është Kosovë prej
miliona shqiptarëve të Kosovës të përzënë për atje me dhunë, po aq është edhe
Shqipëri, Greqi, Bosnje, Serbi, Ukrainë apo Gjeorgji (nga e ka familjen me
origjinë edhe Erdo)!